Në rast të shfaqjes dhe të përhapjes në përmasa të mëdha të koronavirusit në Kosovë vlerësohet se gjendja mund të përballohet për sa i përket furnizimit me gjëra esenciale për mbijetesë, si ushqim dhe barna, ngase Kosova po del të ketë rezerva shtetërore të mjaftueshme të mallrave për ta përballuar situatën, shkruan sot gazeta Zëri.
Përderisa virusi “COVID-19” është duke u përhapur shpejt nëpër botë, Kosova vazhdon të mbetet imune ndaj tij. Në rast të shfaqjes dhe të përhapjes së koronavirusit në vend, Qeveria është e gatshme t’u dalë në ndihmë qytetarëve me ushqime e me barna esenciale, pasi qysh nga viti 2012 ka filluar grumbullimin e rezerva shtetërore, të cilat mund të shfrytëzohen në rast të fatkeqësive të mëdha natyrore.
Kjo gjë është e rregulluar me Ligjin për Rezerva Shtetërore, i cili është miratuar në vitin 2010.
Sipas këtij ligji, rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, të mbrojtjes së vendit në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, të veprimeve terroriste, të veprimeve ushtarake në gjendje lufte, të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës, gjësë së gjallë, të pasurisë, të trashëgimisë kulturore, të mjedisit, si dhe për dhënien e ndihmave humanitare në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare.
Me planin strategjik bëhet sigurimi i depove për vendosje dhe për ruajtje të rezervave shtetërore të mallrave teksa me ligj është e përcaktuar se plani strategjik, programi vjetor, si dhe vendndodhja e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohen sekrete shtetërore.
Në ndërkohë nga OEK-ja është kërkuar hartimi i një plani i cili do ta paraqiste ndikimin e këtij virusi në ekonomi, që nga çrregullimi i tregut e deri te ndonjë recesion i mundshëm në nivel global. / KultPlus.com