Kryeministri Kurti njofton familjen Rugova për restaurimin e Rezidencës së Presidentit Historik: Ai bashkoi popullin e Kosovës kundër okupimit të Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në 18 vjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova ka vizituar familjen Rugova.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se ish- presidenti Rugova e bashkoi popullin e Kosovës kundër okupimit të Serbisë.

Në këtë vizitë Kryeministri Kurti po ashtu ka njoftuar familjen Rugova se së shpejti do të fillojnë restaurimet në Rezidencën e Presidentit Ibrahim Rugova, ndërtesë kjo e cila është shpallur aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore më 2016.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në facebook:

Sot, 18 vite më parë u nda nga jeta Presidenti Historik i Kosovës, doktor Ibrahim Rugova. Ai e bashkoi popullin e Kosovës kundër okupimit të Serbisë, duke e bërë rezistencën humane dhe humanitetin rezistencë.

Në nderim të figurës së tij dhe kontributit të madh për kombin dhe shtetin tonë, bashkë me zëvendëskryeministren Gërvalla dhe ministrin Çeku vizituam familjen Rugova: bashkëshorten Fanë, vajzën Teuta, djemtë Mendimin dhe Ukën me bashkëshortet e tyre Blerinën dhe Blertën.

Na pritën në Rezidencën e Presidentit Rugova, aty ku ai kishte pritur personalitete të mëdha botërore dhe ku janë marr vendime të rëndësishme e përcaktuese për fatin e shqiptarëve dhe të Kosovës. Në këtë shtëpi Dr. Rugova zhvilloi aktivitetin e tij nga viti 1993 e deri në ditën e fundit të jetës. Për shkak të vlerave që posedon, kjo ndërtesë është shpallur aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore më 2016.

Familjen Rugova e njoftuam se së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e Rezidencës së Presidentit Ibrahim Rugova. Ky projekt dhe investim i qeverisë sonë është dëshmi e përkushtimit tonë për të nderuar personalitetet e larta dhe ngjarjet historike të rrugëtimit tonë shtet-formues, nga ilegalja, lëvizjet studentore, rezistenca paqësore, lufta çlirimtare e deri te shteti i pavarur e sovran që e gëzojmë sot./KultPlus.com