Resistenca e 29 gushtit 1990 e përjetësuar në fotografi, hapet pas 33 vitesh ekspozita e Hazir Rekës

Flonja Haxhaj

Sot, në Ditën e Çlirimit të Prishtinës, në ambientet e hotelit ‘Grand’ në Prishtinë, është hapur ekspozita personale ‘Rezistenca’ e fotoreporterit, Hazir Reka, shkruan KultPlus.

Ekspozita e cila sjell fotografi të rezistencës së 29 gushtit të vitit 1990, risjell pas 33 vitesh në kujtesën kolektive periudhën e tmerrshme në popullit të Kosovës nën okupimin serb.

‘Rezistenca’ është një përmbledhje e fotografive të protestave dhe vizitës së ish-senatorit amerikan, Bob Dole, vizitë kjo që bëri një kthesë historike për Kosovën, pasi ishte momenti kur edhe delegacioni amerikan u njoftua nga afër me situatën e vështirë me të cilën përballej Kosova.

Për më tepër, kjo ekspozitë u hap në këtë ambient, meqë 33 vite më parë, pikërisht në këtë vend u mbajt edhe takimi me delegacionin amerikan, e ku Reka ka shkrepur me aparatin e tij momente delikate nga ai takim, e të gjitha këto imazhe u sollën sot para publikut.

I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte i pari i Prishtinës, i cili në fjalimin e tij theksoi rëndësinë që e kanë këto fotografi në njohjen, përkujtimin dhe dokumentimin e ngjarjeve të vështira nëpër të cilat kanë kaluar populli i Kosovës.

“Këtë ditë kur po e festojmë edhe 24-vjetorin e çlirimit, tregimi i 29 gushtit të vitit 1990  vjen në këtë ekspozitë e cila edhe e rrëfen këtë ditë kritike të atij viti, të atyne vlimeve të mëdha në Kosovë, të lumenjve të njerëzve që po i shihni në këto fotografi. Kjo ditë nuk do të kishte namin e madh që e ka po mos të ishte shkrepja e fotografit tonë të mirënjohur, Hazir Reka. Kanë ndodhur punë  të mëdha, me dekada për çlirimin të cilin sot e festojmë e gëzojmë, mirëpo, të gjitha këto nuk do të ishin të mundura, madje mund të ishin të zbehëta pa i pasë të gjitha këto fotografi që na tregojnë se nëpër çka ka kaluar populli jonë”, theksoi Rama, i cili më tutje përgëzoi fotografin Reka për hapjen e kësa ekspozitë.

Më pas, fjalën e mori Halil Matoshi, poet dhe publicist, i cili foli për rëndësinë fotografive të shkrepura nga fotografi Reka, duke vlerësuar se ato paraqesin të gjitha dritëhijet e përballjes së të mirës me të ligën, paqësores me brutalen.

“Për nder të vizitës historike të Bob Dole në Kosovë, 33-vjet më përpara, nën përkujdesje të Komunës së Prishtinës çelet ekspozita tematike e Maestro Hazir Rekës “Rezistenca”, në Hotelin Grand, në vendin autentik ku ndodhi kjo ngjarje që karakterit historik të kryeqytetit ia shton edhe karakterin epik dhe estetik. Përjashta këtij holli,  dhjetëra mijëra shqiptarë që kishin dalë ta prisnin delegacionin e Senatit amerikan, u përplasën me policinë serbe. Reka dëshmon duke i zgjatur në kohë ato fytyra, atë epokë dhe personazhin tashmë eternal, Faik Rexhepin, njeriun që lidhjen me tokën e tij e bën dramë universale mbijetese e qëndrese”, shtoi Matoshi.

E krejt në fund, për KultPlus foli vetë autori i këtyre fotografive, i cili i risjell ato pas 33-vitesh si një dëshmi e gjallë dhe e fortë e asaj nëpër të cilat ka kaluar populli i Kosovës në ato vite.

“Kjo ekspozitë ndoshta do të duhej të kishte vend në ndonjë galeri më të madhe e me ndriçim më të mirë, por unë kam insistuar ta sjell këtu sepse të gjitha këto ngjarje që kanë ndodhur, kanë ndodhur pikërisht këtu, në hotelin ‘Grand’. Pas 33 vitesh i kam risjellë të gjitha ato personazhe përsëri këtu. Ndoshta ekspozita do të lëvizë sërish, mirëpo ka qenë e rëndësishme për mua që fillimisht ta sjell këtu”, shpjegon Reka.

Më tutje, ai po ashtu thekson rëndësinë që kishte për të, që ta sjellë këtë ekspozitë pikërisht në Ditën e Çlirimit.

“Kjo ekspozitë erdhi në marrëveshje me komunën, dhe kemi vendosur ta sjellim pikërisht në Ditën e Çlirimit. Duke marrë parasysh edhe situatën e ndërlikuar edhe me amerikanët, kam dashur që nëpërmjet kësaj ekspozite të tregoj që lidhjen me Amerikën e kemi shumë moti”, përfundoi Reka për KultPlus.

“Rezistenca” nuk është thjesht një mbledhje dhe ekspozim i fotografive, por një thirrje për të ruajtur kujtesën tonë historike dhe për të reflektuar mbi vlerat dhe rëndësinë e paqes që kemi sot./KultPlus.com

Fotoreporteri Hazir Reka rikthehet 33 vite pas për të sjell ekspozitën personale “Rezistenca”

Fotoreporteri i njohur Hazir Reka, i cili për vite me radhë ka dokumentuar periudha të tmerrshme të vendit tonë nën okupimin serb, ka vendosur të kthehet 33 vite pas dhe të sjell për publikun një ekspozitë personale të quajtur “Rezistenca”, shkruan KultPlus.

Meqenëse shumë prej nesh i kujtojmë ato vite të errëta për vendin tonë, kjo ekspozitë është një mundësi e rrallë për të bërë një udhëtim nostalgjik nëpër kujtesën kolektive të asaj kohe. Një periudhë e tmerrshme që ndikoi thellësisht në të gjithë qytetarët, dhe që Hazir Reka e kapi me objektivin e tij.

“Rezistenca” nuk është thjesht një mbledhje dhe ekspozim i fotografive, por një thirrje për të ruajtur kujtesën tonë historike dhe për të reflektuar mbi vlerat dhe rëndësinë e paqes që kemi sot.

Ekspozita do të hapet më datë 11 qershor, në ora 13:30 në Hotel Grand në Prishtinë. / KultPlus.com