PE-ja miraton rezolutën që bën thirrje për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen të ndërsjellë”.

Kjo është hera e parë që në një dokument të institucioneve evropiane përmendet njohja reciproke. Pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën, por PE-ja është institucioni i vetëm që e trajton Kosovën si shtet.

Megjithatë, rezolutat e miratuara nuk janë dokumente obliguese për shtetet e BE-së.

Në seancën e PE-së u miratuan raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Në tri raportet u bë thirrje për mbështetje të perspektivës evropiane të këtyre vendeve.

“Raportet me Serbinë duhet të normalizohen përmes marrëveshjes e cila duhet të bazohet në njohjen e ndërsjellë”, tha deputetja gjermane, Viola von Cramon, e cila ka hartuar raportin për Kosovën.

Në raportin për Kosovën sërish bëhet thirrje për liberalizimin e vizave.

“Vota e sotme dëshmon përkushtimin e Parlamentit për integrimin e Kosovës në BE dhe jep një udhëzime se si mund të zbatohen standardet evropiane në Kosovë. Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi përkushtimin për të avancuar në reformat e lidhura me BE-në dhe është pozicionuar qartë si një partner i besueshëm, i fuqishëm i lidhur me aleancën evropiane dhe transatlantike. Për fat të keq, BE-ja ka dështuar që të sigurojë lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës. Unë shpresoj vërtetë se ky është raporti i fundit ku përmendet dështimi i liberalizimit të vizave”, tha Viola von Cramon.

Votimi i raporteve për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën pason debatin e mbajtur një ditë më parë për këto dokumente./REL / KultPlus.com

Presidentja Osmani mirëpret miratimin e Rezolutës në mbështetje të Ukrainës: Kosova qëndron në anën e lirisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka mirëpritur vendimin e Kuvendit të Kosovës për miratimin e Rezolutës në mbështetje të Ukrainës.

Ajo tha se sot Kuvendi i Kosovës foli me një zë, teksa ka falënderuar të gjithë deputetët për votimin.

Osmani tha se Kosova qëndron me Ukrainën, sepse qëndron në anën re lirisë.

“Sot, Kuvendi i Kosovës foli me një zë. U dëshmua se përballë hegjemonive që cenojnë liritë më fundamentale njerëzore e që shkelin të drejtën e një populli për të jetuar i lirë, sovran e në përputhje me vlerat demokratike, ne gjithmonë qëndrojmë të bashkuar dhe në anën e drejtë të historisë. Falënderoj të gjithë deputetët të cilët e fuqizuan edhe mëtej qëndrimin tashmë të shprehur nga Kosova lidhur me dënimin e agresionit rus në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë dhe hapjen e dyerve për refugjatët nga Ukraina. Kosova qëndron me Ukrainën, sepse Kosova qëndron në anën e lirisë! #WeStandWithUkraine”, ka shkruar Osmani në një postim në “Facebook”. / KultPlus.com

Sot 21 vjet nga rezolutat që detyruan Beogradin të ndërpriste të gjitha veprimet luftarake në Kosovë

Masakra e Reçakut përfundimisht e përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje për paqe në bisedime të drejtpërdrejta shqiptaro-serbe, siç ishte propozuar për disa vite me radhë.

Pas kësaj masakre u rrit aktiviteti diplomatik në relacionin Uashington-NATO-Bruksel-Grup i Kontaktit, ku dhe të gjithë kishin arritur pajtimin se ideja për organizimin e një konference duhej të kishte prioritet ndaj politikës së ultimatumeve.

Më 29 janar 1999 Grupi i Kontaktit, i takuar në Londër në Pallatin Lancaster House, në afërsi të Pallatit Mbretëror St.James, doli me deklaratën historike për mbajtjen e Konferencës në Rambuje, dhe miratoi parimet e panegociueshme, mbi të cilat duhej të ndërtohej Marrëveshja Kalimtare për Kosovën.

Më 30 janar Këshilli i NATO-s e ripërtëriu vendimin e marr në tetorin e vitit të kaluar, duke vendosur kështu kornizë diplomatike për Konferencën.

Fryma e deklaratës së Grupit të Kontaktit nuk la vend dyshimi në vendosmërinë për të gjetur një zgjidhje e për të negociuar para pranverës. Është gati ultimatum, do të shprehej në librin e tij Paskal Milo.

Në Beograd natyrshëm deklarata e Grupit të Kontaktit nuk është pritur mirë. Shqipëria zyrtare nëpërmjet ambasadorit të saj në Francë, Luan Rama kishte kërkuar nga këshilltari i posaçëm i Vedrinit, i ngarkuari për Kosovën, që Shqipërisë t’i jepej statusi i vëzhguesit, gjë që nuk u pranua.

Si arsyetim, këshilltari Fushe do të deklarojë se nuk do të ketë vëzhgues të tjerë nga Ballkani, dhe se në Rambuje nuk do të ketë konferencë ndërkombëtare si ajo e Parisit për Bosnjën.

Vendosmëria për ndërhyrje ushtarake Grupi i Kontaktit i përkrahur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, bashkë me NATO-n tanimë ishin pjesë e lojës. Qeveria amerikane në veçanti kishte filluar të bënte trysni për aksion të mundshëm ushtarak për ta ndalur represionin në Kosovë.

Kërcënimi i përdorimit të forcës në raport me Kosovën nga SHBA-ja ishte bërë që nga viti 1992.

“Në rast të konfliktit në Kosovë, i cili do të shkaktohej nga veprimi i Serbisë, SHBA-ja do të ishte e gatshme të përdorte forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”, i kishte shkruar kryetari i atëhershëm, George Bush, Sllobodan Millosheviqit, kërcënim ky që u përsërit nga administrata e Bill Clinton.

Kurse Javier Solana, sekretari i përgjithshëm i NATO-s kishte deklaruar se Aleanca, në përpjekjet e veta për ta përkrahur bashkësinë ndërkombëtare që të arrihej një marrëveshje e negociuar, kishte “….rishikuar planifikimin ushtarak për një vistër mundësish që të ndalej dhuna dhe të krijoheshin kushtet për negociata. Këto e përfshijnë edhe përdorimin e forcave tokësore e ajrore, e posaçërisht një vistër të gjerë opsionesh për përdorimin vetëm të forcës ajrore. Këto sigurojnë që NATO-ja të mund të vepronte me shpejtësi dhe në formë efikase po të shfaqej nevoja”.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, kishte miratuar edhe rezolutat 1160 (1998), sipas së cilës Beogradi duhej të ndërpriste të gjitha veprimet luftarake, si dhe 1199 (1998), që ishin të bazuar në kapitullin e VII të Kartës së OKB-së. Një rezolutë e cila merret duke u mbështetur në Kapitullin e VII të Kartës së OKB-së, çmohet si hap i parë drejt masave më të ashpra të ndërmarra nga KS, të cilat mund të shkojnë deri tek intervenimi ushtarak.

Në bazë të kapitullit VII të Kartës së OKB-së, keqësimi i gjendjes në Kosovë u cilësua si “rrezik për paqe dhe siguri në rajon”. Edhe ministri i Jashtëm rus Ivanov, votoi pro Rezolutës 1199, çka nënkupton një tërheqje nga pozicioni i saj i fortë në mbështetje të Beogradit.

Para opinionit publik, si justifikim rusët do të theksojnë se kjo rezolutë do të shërbejë si impuls për dialog të drejtpërdrejtë midis Beogradit dhe Kosovës. / KultPlus.com