Të enjten mbrëma u publikua emisioni ku kasti i serisë së famshme amerikane “Friends” u bashkuan për diskutim, 17 vjet që kur kjo seri ka përfunduar.
Në fillim të programit Matt LeBlanc thotë se gjithçka po i duket më e vogël tani në sheshxhirim, dhe më pas ata pohojnë se ka episode që as që iu kujtohen t’i kenë xhiruar.
Gjatë programit po ashtu pati edhe fragmente nga prapaskenat e serisë që publiku nuk i kishte parë më herët.
Moment prekës ishte rrëfimi i Mathew Perry-t kur tha se gjatë tërë kohës e ndiente presionin e vlerësimit nga audienca dhe nevojën që ata të qeshnin.
Gjatë programit pati edhe rrëfime te tjera, sikur ai kur LeBlanc e kishte lëvizur supin nga vendi gjatë një skene të serisë, apo kur e luajtën kuizin e famshëm që e luanin në seri.
Pikë interesante ishin edhe mysafirët specialë të serisë si Justin Bieber, James Corden, Malala Yousafzai.
Në program u mësua nga producentët që Matt LeBlanc krejt në fund kishte arritur pas një gare të ngushtë me Louis Mandylor, që ta siguronte rolin e Joey Tribbiani-t.
Te “Friends” pati mysafirë edhe nga ata që kishin luajtur personazhe dytësore por me të cilët ishin familjarizuar fansat e zjarrtë të “Friends”.
Për fund, filmi i përfolur i “Friends”, sipas atyre që u thanë, nuk do të realizohet kurrë pasi që seria ishte përfunduar, sipas tyre, ashtu si i kishte hije. /klankosova/ KultPlus.com
Platforma “HBO Max” ka publikuar trailerin e parë për ribashkimin e kastës së aktorëve të serialit ikonik “Friends”, që do të rikthejë në ekran gjashtë aktorët kryesorë të ekipit. Por në vend se ta xhirojnë një episod të ri, aktorët janë bashkuar për një paraqitje pa skenar për ta rikujtuar kohën që e kanë kaluar në serial.
Rikthimi i planifikuar do të transmetohej vitin e kaluar, por ishte pezulluar për shkak të situatës me pandeminë. Në vijim BBC-ja ka numëruar shtatë gjërat që i shpalos trileri i ribashkimit, transmeton KultPlus.
Nuk mungojnë mysafirët specialë
Lista e gjatë e yjeve që do të merrnin pjesë, fillimisht kishte nxitur një lloj frike. Jo që kemi diçka kundër David Beckhamit, Lady Gagas, BTS-it, Mindy Kalingit, Justin Bieberit, Malala Yousafzait dhe Cindy Crawfordit – por thjesht mbizotëronte brenga se prania e kaq shumë yjeve do t’ia kufizonte kohën e ekipit për t’u paraqitur. Lajmi i mirë është se producentët i kanë paraqitur mysafirët në mënyrë të mençur.
Një pjesë interesante e trilerit ishte paraqitja e Cara Delevignes, veshur me fustanin ngjyrë rozë të Rachelit nga episodi “The One with Barry and Mindy’s Wedding”.
Aktorët janë plakur
Jemi aq të shokuar po aq sa ju, por pothuajse pas dy dekadash, disa prej aktorëve kanë rrudha dhe flokë të thinjura. Për shembull, kur Chandler dhe Joey shtriheshin në kolltukët e tyre të veçantë, dukeshin si dy shokë dhome nga New Yorku, në të njëzetat e tyre. Tani Matthew Perry dhe Matt LeBlanc duken sikur kanë nevojë për pushim (sikurse të gjithë ne).
Skenat më interesante
Aktorët do t’i rikrijojnë disa prej skenave më interesante, përfshirë edhe atë nga “The One Where Everyone Finds Out” gjatë së cilës Lisa Kudrow dëgjohet duke bërtitur si Phoebe: “My eyes! My eyes!”. Pastaj vjen ritakimi i Phoebes me kitare dhe loja me pyetje nga Ross, ku një ndër to është se sa e gjatë ka qenë letra e Rachelit për Rossin.
Chandler MUND të qajë
Chandler ishte personazh që vështirë se i shfaqte ndjenjat – madje deri në atë pikë saqë skenaristët ia kushtuan tërësisht një episod.
“The One Where Chandler Can’t Cry” do ta befasojë grupin për faktin se sa rrallë Chandler mërzitet, kurse Monica mundohet të krijojë skenarë të ndryshëm për ta shtrënguar atë që të derdh lot. Por në jetën e vërtetë, aktori nuk e ka aspak problem që t’i shfaqë ndjenjat.
Në trailer, Perry dëgjohet duke thënë: “Në rregulli, do të qaj tani”, kurse Aniston ai vë dorën mbi sup.
Rikthimi i personazheve dytësore
James Michael Tyler (Guntheri), Reese Witherspoon (motra e Rachelit, Jill) dhe Elliott Gould e Christina Pickles (prindërit e Rossit dhe Monicas, Jack dhe Judy) janë në mesin e yjeve që u janë rikthyer ekraneve. Edhe disa prej personazheve të tjera janë spikatur në triler. Paraqitet një pjesë e shkurtër e Tom Selleckut (ish-i dashuri i Monicas, Richard), por edhe shprehja “Oh. My. God!” nga Maggie Wheeler (Janice). Ndonëse disa fansa janë dëshpëruar me mungesën e Paul Ruddit (bashkëshorti i Phoebet, Mike).
Ross dhe Rachel ISHIN ndarë
Kështu mendon madje edhe Jennifer Anistoni. Në fakt Corden ua bën këtë pyetje gjashtë aktorëve dhe të gjithë pajtohen se ishin ndarë dhe se Ross teknikisht nuk ka bërë diçka të gabuar që ka fjetur me vajzën nga fotokopja.
Cortney Cox mezi e mësonte skenarin
Në rolin e motrës së Rossit, shoqes së ngushtë të Rachelit dhe në fund bashkëshortes së Chandlerit, Monica ishte në qendër të serialit.
“Ti je ngjitësi që e mban së bashku këtë grup”, i kishte thënë Ross në episodin “The One With the Pediatrician”. Por, në jetën e vërtetë, Courtney Cox duket se e kishte të vështirë që ta mbante në mend skenarin.
Në triler, aktorët e vizitojnë apartamentin e Monicas dhe Rachelit dhe një nga momentet qesharake aty është kur Matt LeBlancu e lëviz pjatën me fruta në kuzhinë, duke thënë: “A është i shkruar ende skenari i Courtney në tavolinë?”. /bbc/ KultPlus.com