Ridvan Slivova, fotoreporteri i së bukurës, luftës dhe paqes

Suada Qorraj

“Në Shkollën e Mesme, kur unë ulesha në bankat e para të klasës, në njërën nga orët, përballë meje kisha profesoreshën e gjuhës shqipe të cilës ja kam bërë një fotografi. Kur unë kam shkrepur fotografinë, profesoresha ishte shtatzënë, mirëpo muaj më pas ajo e humbi fëmijën dhe më kërkoi mua që t’ia dërgoj atë fotografi. Gjatë kohës sa pritja në studio, në njërin nga katalogët unë shoh një foto të përafërt me atë që i kisha realizuar profesoreshës; Një grua e ulur afër dritares, me hijezim pothuajse të njëjtë. Këtu fillova të mendoj se dhe unë mund të bëjë këtë punë, dhe pikërisht këtu u motivova”, fillon kështu rrëfimin e tij fotoreporteri Ridvan Slivova, teksa tregon hapat e tij të parë drejt këtij profesioni.

Ndonëse numëron mbi 30 vite karrierë pune, Slivova përshkruan deri në detajet më të vogla secilin moment të rëndësishëm të punës e jetës së tij. ‘Më vonë u regjistrova në shkollë, kulturogji, sektorin e programit të redaksisë, pra Shkollën e Mesme të Gazetarisë’, vazhdon tutje ai, teksa shton se mësimdhënësit e tij ishin gazetarë dhe se prej aty kishte filluar bashkëpunimin me revista të ndryshme, shkruan KultPlus.

Slivova fillimisht kishte filluar të bashkëpunonte me revistën studentore ‘Bota e Re’, edhe pse ende nuk ishte student e nuk posedonte një numër indeksi që të mund të paguhej, por redaksia i kishte grumbulluar të gjitha të hollat që ai kishte bërë përgjatë një viti punë, dhe ia kishin dhënë ato kur ai ishte bërë student.

“Si adoleshent, kur mu botua fotografia në revistë, nga gëzimi që kishte dalë emri im e kam mbajtur revistën tërë kohën në duar, aq sa dhe filloi të shqyhej”, thotë ai për KultPlus.

Fotoreporteri që tashmë kishte filluar rrugëtimin e tij profesional, filloi studimet në Fakultetin e Gjuhës Shqipe, për të cilën ai thotë se ka një ndihmë të madhe në punën e tij si fotoreporter. Slivova kujton kohën kur fotoreporterët kishin për obligim të shkruanin foto shënimin, foto lajmin e foto reportazhin.

“Kemi pasur për obligim ti shkruajmë vet, krahas fotografisë kjo ishte detyra jonë”, tregon ai teksa thekson se pikërisht këtu bëhet dallimi në mes të një fotografi dhe një fotoreporteri.

Ai shton se ishte pikërisht njohja mirë e gjuhës shqipe kur dikush bënte gabime gjuhësore, qoftë në ndonjë firmë, apo lokal, ai e shndërronte atë në foto lajm.

Foto: Ridvan Slivova

Fotoreporteri thekson se krahas gjuhës shqipe edhe puna afër aktorëve e profesorëve, por dhe artit në përgjithësi e kishte ndihmuar atë të perfeksiononte edhe më tepër profesionin e tij. Sipas tij prezenca e tij në një ligjëratë të Faruk Begollit gjatë kohës sa punonte si fotograf i teatrit, ia ka mundësuar atij që të bëjë disa nga portretet më të mira fotografike.

“Kam marrë mësim gjatë ligjëratave kur unë isha fotograf i teatrit, kur Faruk Begolli u shpjegonte studentëve gjuhën e mimikës e të shprehurit. Pikërisht në atë ligjëratë që e kam dëgjuar unë e kam kuptuar çka është mallëngjimi, çka është pikëllimi, gëzimi e të gjitha portretet”, pohon për KultPlus Slivova.

Pas punës në revistën ‘Bota e Re’ Slivova kishte filluar të punonte edhe me revistën  ‘Zëri’ dhe revistën ‘Kosovarja’ ku ju dha mundësia të trajtonte edhe tema politike. Mirëpo bashkëpunimet e tij me media nuk u ndalën këtu, përgjatë viteve të ‘90-ta ai kishte bashkëpunuar edhe me gazetën ‘Rilindja’.

“Në vitet e ’90-ta unë fillova bashkëpunimin edhe me ‘Rilindjen’, kjo u ndal dhe filloi ‘Bujku’. Në atë kohë ‘Zëri’ ka qenë e përjavshme dhe ‘Kosovarja’ e përmuajshme, mirëpo pas përkeqësimit të situatës këto dy revista filluan të mbulonin gazetën ditore”, kujton Ridvan Slivova.

Foto: Ridvan Slivova

Ai tregon se në këto rrethana atij iu dha mundësia të tregonte më shumë vetën me fotografi artistike, peizazhe, por edhe fotografi të ngjarjeve ditore. Por, një punë e tillë, në një situatë jo stabile, mbart me vete edhe rreziqe.

“Momenti kur deputetët tek Kuvendi e shpallën Pavarësinë e Republikës së Kosovës, unë isha duke fotografuar. Aty kishte edhe delegacione nga jashtë vendit, mirëpo rreth 100 metra pasi jam larguar nga aty jam arrestuar dhe më janë marrë negativat”, vazhdon tutje ai.

Foto: Ridvan Slivova

Arti dhe Kultura – Gjallëria e jetës përtej të zezës

Pavarësisht kohës së vështirë në të cilën gjendej Kosova, gjallëria, arti, kultura, pra e bukura e jetës ende vazhdonte të mbahej në këmbë. Slivova kujton këto kohë si momente të bukura që kanë mundësuar shumëllojshmërinë e ngjyrave, e gjallërinë e jetës së asaj kohe.

Ai thotë se ndonëse ishte e pamundur të mbaheshin shfaqjet teatrore në Teatrin Kombëtar të Kosovës ato zhvilloheshin në teatrin e qytetit, ‘Dodona’ i dedikuar për teatër të kukullave.

“Nuk do të thoja se ka pasur gjithmonë zi, pavarësisht situatës. Në Kosovë ka ekzistuar teatri, janë mbajtë shfaqjet teatrore, janë mbajt baletet në rrethana të ndryshme. Shfaqjet teatrale në Teatër Kombëtar nuk kishin mundësi të mbaheshin, mirëpo janë mbajtur në Teatrin Dodona, ish teatrin e qytetit, i dedikuar për teatër të kukullave për fëmijë”, thekson Slivova.

Foto: Ridvan Slivova

Tutje ai tregon se njëlloj sikurse sot edhe në atë kohë janë mbajtur edhe koncerte, sporte të ndryshme e lojëra përplot gjallëri. Madje thekson se në atë kohë janë mbajtur edhe sfilata, e orë letrare. ‘Është zhvilluar jete në të gjitha segmentet’, përfundon ai rrëfimin për jetën kulturore në vitet e ’90-ta.

Gjthashtu fotoreporteri për KultPlus ka theksuar se në të ardhmen objekt i ekspozitës së tij do të jetë pikërisht kjo gjallëri e jetës kulturore në vend.

Foto: Ridvan Slivova

Profesionalizmi e atdhedashuria si gërshetim i luftës

Fotografitë nga ku dëshmohet historia, nga ku flitet më tepër se me fjalë, krahas historisë së personazheve që ndërtojnë ato, mbartin me vete edhe historinë e personave që qëndrojnë pas tyre. E pikërisht edhe Slivova qëndron pas dokumentimit të ngjarjeve të tilla, ai madje ishte prezent së bashku me familjen e tij në kolonën e Gollakut.

“Fotografitë që i kam bërë në pjesën e Gollakut kam qenë së bashku me familje, prindërit, gruan e vajzën dy vjeçe. Është shumë e vështirë të ndash anën profesionale prej emocioneve në rrethana të tilla kur është në pyetje jeta dhe familja jote”, tregon ai.

Tutje ai shton se pavarësisht kësaj ai ka trajtuar çdo herë realitetin e ngjarjeve që ndodhnin pavarësisht çmimit që duhet paguar. ‘Kjo ka qenë ideja ime, ky ka qenë profesioni im dhe i tillë do të mbetet’, ka pohuar për KultPlus Slivova.

Por, puna e tij nuk fillon e nuk mbaron vetëm në këtë kolonë, sepse Ridvan Slivova ka qenë fotoreporter edhe në Drenicë, por dhe të gjitha zonat e tjera të luftës. Fotografitë e publikuara deri më sot nga Slivova, shfaqin më tepër popullatën civile të asaj kohe, e që fotoreporteri ka një shpjegim për këtë.

“Unë kryesisht kam bërë fotografi me popullatë civile, arsyeja është se ata janë të pambrojtur. Edhe ushtar kam fotografuar por më pak, ose i kam publikuar më pak, sepse ushtari ka qenë në detyrë që të ruaj popullin. Për këtë arsye nuk i kam publikuar”, tregon ai.

Slivova ishte në po të njëjtën situatë edhe gjatë kohës së UÇPMB-së në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, ku primare kishte të ruante të tjerët e njëkohësisht të ushtronte denjësisht profesionin e tij.

“Më është dashur ti publikoj vetëm emblemën e ushtrisë që ti ruaj ushtarët, sepse ata e kanë një detyrë të shenjtë”, pohon Slivova për KultPlus.

Vite më pas fotoreporteri ka pasur fatin të takoj personat që dikur u bënë personazhet kryesore të fotografive të tij. Rasti i fundit është edhe ai i Remzie Setës të cilën Slivova e kishte fotografuar në Makoc.

Foto: Ridvan Slivova

“Fotografia e Remzies ka qenë në pllakatën e ekspozitës që kam mbajtur vitin e kaluar në Bibliotekën Kombëtare, e në shumë ekspozita tjera. Meqenëse arritëm ta gjejmë personin desha të ia dhuroj fotografinë, sepse edhe ajo me familje ka kaluar të njëjtën rrugë sikur unë”, tregon ai.

Tutje Slivova thekson se ky nuk është rasti i vetëm ku ai ka takuar personat që në një kohe lufte i kishe fotografuar. Fotografia me 16 anëtarët e një familjeje nga Mramori të cilën ai e kishte pjesë të njërës nga ekspozitat e tij, tashmë ka gjetur pronarët e saj.

“Mua më vjen mirë që janë gjallë, se në atë kolonë që kam bërë fotografi janë te ekzekutuar 124 persona”, rrëfen Slivova, teksa kujton kohën kur dhe vet ishte pjesë e kolonës së Gollakut.

Tutje ai shton se as sot nuk merr dot guximin që të publikoj fotografi nga ajo kohë me qëllim që të gjej se kush nga personazhet e atyre fotografive janë gjallë. ‘Ja kam lënë kohës që të gjejnë njerëzit veten’, përfundon ai.

Foto: Ridvan Slivova

Suksesi përballë njerëzores

Në një profesion ku numëron më shumë se 30 vite përvojë, sukseset janë të pashmangshme e madje flasin më shumë se çka do tjetër. Fotografitë e shkrepura ndër vite u bënë zëri më i fuqishëm i ekspozitave brenda dhe jashtë vendit.

Krahas Prishtinës, ato udhëtuan ne Pragë, Estoni, Austri, Belgjikë, Francë, Holandë e Gjermani. Kur i kërkohet të flas për to, ai zgjedh fjalët më të thjeshta për të shpjeguar punën e suksesin e tij të madh.

Teksa thekson se ekspozitat marrin shumë kohë, njëkohësisht e konsideron të habitshme se si njerëzit arrijnë të bëjnë një ekspozitë brenda një jave.

“Unë nuk kam një guxim të tillë, ka njerëz të guximshëm, unë jo”, pohon ai.

Slivova ka fituar edhe shumë çmime që nga fillimet e punës së tij e deri më sot. Viti 1992 shënoi një ndër çmimet e tij të para, ‘Ekologjia’ në Prishtinë. Ky sukses vazhdon edhe sot.

Krahas modestisë Ridvan Slivova ngërthen në karakterin e vet edhe njerëzoren, në profesion e në jetën e përditshme.

Ai nuk kufizohet që gjatë ditës të bëjë punën e një fotoreporteri. Krahas kësaj ai mbanë trajnime të ndryshme me persona të ndryshëm. Ndër ta janë edhe fëmijët me Sindromën Down.

“Ajo se çka më pengon tek institucionet dhe tek njerëzit është fakti se pse duhet bërë një ditë ndërkombëtare vetëm për ta, kur ata jetojnë 365 si të gjithë ne”, thotë Slivova teksa pohon se një ndër motivet më të mëdha për të punuar me ta është pikërisht kjo qasje e shoqërisë ndaj tyre.

Foto: Ridvan Slivova

Ridvan Slivova krahas punës në mediume të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës, për një vit ai ka punuar edhe për gazetën online për art dhe kulturë KultPlus ku dashurinë e madhe që ka për artin dhe kulturën e ka shprehur përmes fotografive që ka bërë gjatë kësaj kohe.

Krejt në fund të kësaj interviste Slivova thekson se pavarësisht se sa mbërrijmë në jetë, ku shkojmë apo ku vijmë e rëndësishme është të mbesim çdo herë brenda njerëzores./ KultPlus.com

Foto: Ridvan Slivova

Ekspozita e Ridvan Slivovës pasqyron ngjarjet e viteve 98-99, thirrje që të ruhet historia

Bujar Meholli

Fotografinë artistike e dallon forma ose koncepti, pra një artist gjithmonë ka ngacmim estetik ose konceptual. Siç dihet, arti fotografik është tejet i rëndësishëm. Të jesh fotoreporter është natyrisht më e vështirë, sepse një fotoreporter ngarkohet t’i përcjellë ngjarjet përmes fotografive, rrjedhimisht të merr pjesë edhe vet në to, shkruan KultPlus.

Emri i Ridvan Slivovës është tashmë i njohur për publikun shqiptar. Fotoreporteri Slivova e ushtron këtë profesion për mëse 30 vjet. Pjesëmarrës në shumë ekspozita e bashkëpunëtor i shumë gazetave dhe revistave. Përgjatë kësaj periudhe me aparatin e tij, ai arriti të përjetësoi shumë ngjarje të rëndësishme, në të cilat qe prezent.

Specifikisht, në luftën e fundit në Kosovë gjatë viteve 98-99, ai arriti t’i nxjerr disa fotografi të cilat sot i ekspozoi në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Dhe këtë Slivova vendosi ta bëjë pikërisht në përvjetorin e 12-të të Pavarësisë së Kosovës.

Ekspozita që u organizua me rastin e këtij përvjetori mban titullin “Kujtesa e Kosovës: Jeta nën qiell e najlon”. Ky titull domethënës e kthen shikuesin në retrospektivë, dhe ia ngjallë ato kujtime të dhimbshme, kur kosovarët e detyruar nga gjenocidi serb ikin dhe braktisin vendlindjen. E kush më mirë mund t’i përjetësoi këto dyndje të shqiptarëve sesa aparati fotografik i Slivovës?

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Fazli Gajraku e hapi ekspozitën, i ngazëllyer dhe krenar për bashkëpunimin me Slivovën.

“Jemi mbledhur për ta hapur këtë ekspozitë, dhe për t’i shprehur mirënjohjen e sinqertë fotografit Slivova, që ka qenë çdoherë i gatshëm për bashkëpunim, ai i ka realizuar këto fotografi në periudha shumë të rëndësishme për Kosovën”, tha Gajraku.

“Mendoj se është ekspozitë e rëndësishme, dhe i nxis edhe individët tjerë që t’i shfaqin materialet që i kanë në arkivat e tyre”, vazhdoi ai.

“Dëshirojmë të kemi këso bashkëpunime dhe ndërgjegjësime, është me rëndësi jetike që të pasqyrohen ngjarje të tilla të historisë së Kosovës në mënyrë që të ruhet kujtesa” përfundoi drejtori Gajraku.

E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, e cila vlerësoi artin e Slivovës dhe organizimin e ekspozitës.

“Kjo veprimtari kujton kohën e luftës së Kosovës dhe mbijetesën e popullit kosovar në atë tragjedi. Përmes këtyre fotove shohim fuqinë e artit dhe paraqitjen e realitetit, njëkohësisht përçimin e mesazhit të fortë, që ta kujtojmë atë kohë”, potencoi Dumoshi, duke premtuar mbështetje për organizime të tilla.

“Ky dokument me foto e ngjarje gjatë atyre viteve është dëshmi që paraqet solidaritetin, mallin për vendlindjen, një realitet për ata që e përjetuan atë kohë”, përfundoi ajo duke falënderuar Bibliotekën dhe duke nxitur bashkëpunim në organizime të tjera.

Edhe Sazana Çapriqi, kryesuese e Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtar, u shpreh e lumtur për jetësimin e kësaj ekspozite.

“Një popull që nuk e mban mend historinë e tij, është i dënuar t’i përsëritet historia” pohoi ajo. Çapriqi e konsideroi të rëndësishme ekspozitën derisa falënderoi Slivovën për angazhimin.

“Angazhimi i artistit Ridvan Slivova për të kontribuar ishte i madh, dhe mendoj se është inkurajues edhe për artistët tjerë. Të gjithë e kemi për detyrë ta ruajmë të kaluarën dhe ta përcjellim te gjeneratat e ardhshme”, potencoi ajo.

Para se ekspozita të jetë e qasshme për publikun, fjalën e mori vet autori Slivova, i cili tha se është shumë i lumtur për interesimin dhe mundësinë e ofruar për ta jetësuar këtë ekspozitë.

“Ndihem mirë që m’u dha mundësia ta shfaq punën time”, tha ai fillimisht.

“Në ato vite, isha edhe vet mes popullatës dhe për mua ishte e vështirë. Këtu shihet largimi i popullatës nga fshati, më vonë edhe gëzimi me ardhjen e KFOR-it dhe kthimi i tyre do të thosha në gërmadha, në shtëpitë e shkatërruara”, u shpreh Slivova duke përfunduar.

“E fundit që do të dëshiroja të jetë storie e përfunduar është ajo për të pagjeturit”, tha ai duke i ftuar të interesuarit t’i shohin fotot e ekspozuara.

Ekspozita tashmë është e hapur në hollin e Bibliotekës Kombëtare dhe qysh në fillim ka zgjuar interesimin e shumë njerëzve, i cili pritet të dendësohet në vazhdim. /KultPlus.com

Hapet ekspozita ‘Bukuritë përmes fotografisë’, një mrekulli e artit nga të rinjtë e veçantë (FOTO)

Emocionalisht, nuk është e lehtë të parakalosh para fotografive të cilat janë realizuar nga disa duar të lumtura, ndoshta të goditura nga jeta por asnjëherë të dorëzuara para saj, të fëmijëve me Sindromën Down. Që ata janë fëmijë të mbushur dashuri, kjo nuk ka asnjë dyshim, edhe në një shoqëri e cila në formatin e saj akademik ka zgjedhur ti konsiderojë ndryshe.

Arbër Selmani

Mbrëmë në Muzeun e Kosovës, u hap një ekspozitë me fotografitë e disa fëmijëve të cilët kanë zgjedhur ti shesin ato fotografi. Pamje të qytetit, të luleve, të ndërtesave e arkitekturës, pamje të peizazhit të qytetit nga perspektiva të ndryshme, e rrumbullakuan ekspozitën “Bukuritë përmes fotografisë” e cila solli freski e buzëqeshje në fytyrat e këtyre fëmijëve.

Shoqëruar me fotografin Ridvan Slivova, fëmijët kanë krijuar diçka magjike me fotografitë e tyre, duke i futur ato në gurë dhe në dru, duke i kthyer në kopertina librash, duke luajtur me formë e drurit dhe përzierjes së fotografisë. Mbrëmë, ekspozita shitëse erdhi me qëllimin që paratë e mbledhura nga shitja e fotografive të futen në fondin e Down Syndrome Kosova.

Slivova tregoi sa i rëndësishëm ishte për të personalisht një mision i tillë, një bashkëpunim me këta fëmijë.

“Kemi punuar për gjashtë muaj, me këta të rinj të cilët janë të sjellshëm por edhe kanë prodhuar fotografi shumë kreative. Ju do ta shihni vetë ekspozitën, ndërsa unë jam tejet i kënaqur me veprat dhe produktin që ka dalë si përfundim. Jam i nderuar për këtë mundësi” tha Slivova në fjalën e hapjes së ekspozitës.


Ekspozita erdhi mbrëmë në kuadër të muajit tetor, muajit ndërgjegjësues për Sindromën Down.

“Për mua çdo muaj duhet të jetë një muaj ndërgjegjësues, prandaj më mirë po e konsideroj si fillimin e ndërgjegjësimit dhe jo fundin e tij, fundin e tetorit. Kjo ekspozitë le të shërbejë si nisje për ndërgjegjësim për më shumë dashuri për këta fëmijë” vazhdon Slivova.

Dorontina Luma, Eloida Alija e Donik Berisha, dhe të gjithë fëmijët e të rinjtë e tjerë të përfshirë në këtë projekt, morën edhe mirënjohje për pjesëmarrjen e tyre.

Ivo Silhavy – Ambasador i Çekisë në Kosovë, foli para të pranishmëve duke çmuar guximin dhe entuziazmin e këtyre të rinjve për të krijuar art dhe për ta paraqitur atë para publikut, shkruan KultPlus.

“E falënderoj secilin prej këtyre pjesëmarrësve, sepse kanë treguar guxim e po na japin dashuri me fotografitë e tyre. Askush nuk duhet të jetë i përjashtuar, dhe ne nuk do të lejojmë që ata të përjashtohen. Kjo ekspozitë sonte është një projekt për të ndihmuar këta fëmijë dhe për ta rritur kreativitetin e tyre” tregoi mes tjerash Silhavy.
Sebahate Hajdini-Beqiri – drejtoreshë e Down Syndrome Kosova, tregoi se është punuar me zell të madh për një ekspozitë të tillë, ndërsa ka shfrytëzuar rastin të përmend edhe njëherë skandalin e librave mësimorë të cilët përdorin edhe sot, në shekullin 21 në Kosovë, terminologji pezhorative kur flasin për këtë komunitet.

Së fundmi, në tekste shkollore në Kosovë, personat me këtë sindromë janë quajtur “Idiot mongoloid”, saktësisht në lëndën e biologjisë.

Në anën tjetër, nuk justifikohet një shkrim akademik katastrofal apo një ndjellje e urrejtjes nga ana e atyre që i shkruajnë këta libra.

Sindroma Down është kusht gjenetik. Trupi i njeriut është i përbërë nga qelizat. Çdo qelizë në trupin e njeriut ka 46 kromozome, 23 kromozome të trashëguar nga njëri prind dhe 23 të tjera të trashëguar nga tjetri prind. Në rastin e sindromës Down, në çiftin e 21-të bashkëngjitet një kromozom shtesë si pasojë e një ndarjeje anormale qelizore, dhe si rezultat individi ka 47 kromozome në çdo qelizë ose në një pjesë të qelizave të trupit të tij.

Sindroma Down është sindroma më e hasur në botë, 1 në 691 lindje. Në bazë të të dhënave të Shoqatës Down Syndrome Kosova, në Kosovë brenda vitit lindin rreth 35-40 foshnja me sindromë Down, ndërsa numri i përgjithshëm i individëve me sindromë Down në Kosovë është mbi 920. / KultPlus.com

Sonte hapet ekspozita “Bukuritë përmes fotografisë” e fëmijëve me Sindromën Down

Në kuadër të muajit tetor, muaji i ndërgjegjësimit për Sindromën Down, Down Syndrome Kosova prezanton ekspozitën “Bukuritë përmes fotografisë”, përcjellë KultPlus.

Fotografitë janë realizuara në vende të ndryshme të Kosovës nga të rinjtë e Shoqatës Down Syndrome Kosova dhe janë vendosur në dru dhe në gurë nga fotografi Ridvan Slivova.

Kjo ekspozitë shitëse për ju do të thotë pak, mirëpo për shoqatën Down Syndrome Kosova do të thotë shumë.
Ekspozita do të hapet sonte më 30 tetor, në ora 19:00, në Muzeun Kombëtar të Kosovës. /KultPlus.com