Ymer Elshanit

Poezi nga: Rifat Kukaj

Ahiii, vëlla i shtrenjtë, Ymer Elshani
Parandjej se derisa t’jem gjallë
Në plagë t’hapur do m’pikoj katrani
Lot i shpirtit do m’këlthasë n’qëpallë!

Pa ty netët zvarritën ngathtë – ngathtë
Për n’vendlindje udha m’është shëmtuar
Se ç’na e theve, ore krahun e djathtë
Me stuhinë e dhembjes së pashëruar!

Në orët letrare tani si të shkojmë
Pa buzëqeshjen tënde aq bujare?
Kurreshtarëve mësues c’ka t’u thomë
Dhe zogjtë që çukisin në abetare?!

Si do t’na vijë lejleku i parë
Pa ëndrrën tënde n’flatra o mik?
Si do mbijë kokërr gruri n’arë,
Pa afshin e vargut të ri – lirik?

Më bëhet sikur më le një porosi
Që më erdhi me zërin tënd të gjallë
“Ma përkëdhel gjithandej çdo fëmijë,
M’ia fshij lotët shkurtabiqit n’përrallë!”

Kjo Drenica jonë përherë e zhuritur
Nën rrufetë e këtij qielli të nxirë,
Yje t’çiltër lindi e të ndritur
Që barbarët i krodhën nē humbëtirë!/ Telegrafi/KultPlus.com

Pëllumbi i bardhë

Poezi e shkruar nga Rifat Kukaj.

Atij pëllumbi të bardhë
në botë më i miri,
që në sqep fort mban
një degëz ulliri…

Atij pëllumbi të lehtë
që po fluturon,
i besoj vërtetë
kur Dreni e pikturon..

Në sytë e tij ninëzat
e tua po shkrihen,
e në zemër ritmet
me tuat përtërihen…

Vizatoje, ngrije n’erë
duke e mbajtur në dorë,
sille disa herë
rreth globit tokësor!

13-të vite nga vdekja e Rifat Kukaj

Sot më 11 shtator bëhen plotë 13-të vite nga vdekja e shkrimtarit Rifat Kukaj, shkruan KultPlus.

Rifat Kukaj lindi më 25 tetor 1939 në Tërstenik të Drenicës, studioi në Normalen e Prishtinës.

Rifat Kukaj ishte prozator, poet, dramaturg, përkthyes dhe skenarist i letërsisë për fëmijë dhe të rritur. Shkrimtari Kukaj po ashtu ka udhëhequr programet për fëmijë të Radio Prishtinës dhe ka redaktuar librat për fëmijë të Shtëpisë Botuese “Rilindja”.

Përktheu letërsi për fëmijë nga autor slloven, kroat, serb, e hungarez por edhe botoi shkrime vetanake në shumë nga këto gjuhë. Emrin e tij e mbajnë rreth 100 vëllime librash dhe 30 radio-drama.

Kontribuoi në afirmimin e krijimtarisë letrare sidomos asaj për fëmijë në rrjedhat ndërkombëtare dhe se ndihmoi autorë të shumtë të rinj.

Rifat Kukaj, vdic më 11 shtator 2005./ KultPlus.com