Dr. Rifat Latifi boton librin “Surgical Decision Making”, autori e vlerëson si një ndër librat më të preferuar

Shtëpia botuese prestigjioze “Springer“ ka botuar në gjuhën angleze librin “Surgical Decision Making”, të autorit të njohur nga fusha e kirurgjisë Prof. Dr. Rifat Latifi, i cili me përvojën e tij të pasur dhe me ndikimin e tij profesional dhe akademik, që ka lënë gjurmë të pashlyera në analet e kirurgjisë globale, këtë libër e sjell për të gjithë adhuruesit, ekspertët, studiuesit e shumtë kudo në botë, si një sihariq për këtë fillim vit.

Profesor, Rifat Latifi tashmë konsiderohet si një ekspert me nam në arenën ndërkombëtare dhe çdo prezantim i tij shkencor e studimor, pritet me kënaqësi nga publiku dhe jo vetëm.

Ndryshe lajmin për botimin e librit e ka bërë të ditur vet autori profesor Latifi përmes një postimi në rrjetin social “Linkedin” i cili botimin e këtij libri e konsideron edhe një prej librave më të preferuar.

Më poshtë, KultPlus e sjell të plotë njoftimin e Dr. Rifat Latifit

“Me kënaqësi njoftoj se edicioni i ri i një prej librave të mi të preferuar që kam shkruar/redaktuar është publikuar dhe do të jetë i disponueshëm më 24 janar 2025: – Surgical Decision Making .Marrja e Vendimeve Kirurgjikale“ Ky edicion i rishikuar dhe i zgjeruar trajton vendimmarrjen kirurgjikale në procedura të ndërlikuara kirurgjikale, duke përfshirë marrjen e vendimeve të vështira, ndërgjegjësimin e vazhdueshëm mbi gjendjen fiziologjike të pacientit, profilin biokimik, rikuperimin me parametra përfundimtarë dhe gjendjen fiziologjike të vetë kirurgut. Diskutohen gjithashtu vendime specifike kirurgjikale, si kur duhet ndërhyrë dhe kur jo, ri-operacionet dhe operacionet në kushte dhe grup mosha të caktuara. Ky edicion i ri adreson këto dhe elementë të tjerë që janë të rëndësishëm për procesin e vendimmarrjes intraoperative dhe perioperative, duke përfshirë pyetje bazë që nuk janë trajtuar siç duhet në literaturë. Shumë prej nesh marrim vendime bazuar në prova aktuale, por shpesh ato bazohen në “ndjenjën e brendshme”, “intuitë” apo “efektin e flokëve të thinjur,” ndër teknika të tjera. Në këtë libër, anatomia e këtyre vendimeve eksplorohet nga një këndvështrim teorik si dhe përmes të dhënave objektive që ne si kirurgë përdorim për të marrë vendime kirurgjikale. Askund tjetër, çështja e si marrim një vendim – shpesh me një sasi shumë të kufizuar të dhënash, vendime që vendosin mes jetës dhe vdekjes së dikujt – nuk është më e dukshme se në kirurgjinë e traumës dhe në operacionet komplekse, përfshirë kthimin e paparashikuar në sallën operatore. Përvoja jonë kolektive si kirurgë tregon se një kombinim faktorësh kontribuojnë në procesin tonë të vendimmarrjes perioperative dhe intraoperative, përfshirë arsimin, njohuritë klinike, mentorimin, si dhe kreativitetin dhe ekselencën që vijnë me praktikën e gjatë dhe disiplinën e rreptë. Edicioni i dytë i Surgical Decision-Making: Evidence and Beyond ofron një burim të veçantë dhe të vlefshëm në fushën e kirurgjisë për kirurgët që janë aktualisht në trajnim dhe për ata që tashmë ushtrojnë kirurgjinë në nivel akademik apo në komunitet.

Ndërkohë, për botën akademike shqiptare në fushën mjekësore – kirurgjikale vlerësohet se ky libër ka një vlerë të jashtëzakonshme./ KultPlus.com

Ministri Latifi në takim me IKSHPK-në, temë diskutimi ishte vaksinimi

Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, i shoqëruar nga zëvendësministrat Dafina Gexha-Bunjaku dhe Arsim Berisha qëndruan sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Ata u njoftuan nga drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, lidhur me punën e IKSHPK-së gjatë pandemisë COVID-19, aktivitetet e departamenteve aty dhe aktivitetet në vijim në mbikëqyrje të situatës epidemiologjike në vend.

Ministri Latifi shprehu falënderimin e tij për punën që ka bërë IKSHPK gjatë pandemisë, duke vlerësuar se gjatë kësaj periudhe të vështirë, Kosova, me gjithë kapacitetet e kufizuara në shëndetësi, , ja ka dalë të tregojë përkushtim në mbajtjen nën kontroll të situatës epidemiologjike dhe menaxhimin e saj.

Në takim u theksua si shumë i rëndësishëm vaksinimi i popullatës si ndaj COVID-19 ashtu edhe ndaj Gripit sezonal, zbatimi i masave në fuqi dhe mbikëqyrja e plotë e situatës epidemiologjike me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, në këtë kohë të qarkullimit të varianteve të ndryshëm të SARS COV-2, përfshirë edhe variantin shqetësues Omicron.

Ministri Latifi theksoi se nga zbatimi i masave në fuqi varen edhe vendimet në të ardhmen, prandaj, ai theksoi se shëndetit të qytetarëve është prioritet i parë për MSh-në, pa lënë anash edhe funksionimin e veprimtarive të tjera të rëndësishme ekonomike, sociale, kulturore…, të cilat janë të ndërlidhura me zbatimin e masave kundër COVID-19.

Gjatë vizitës në IKSHPK, Ministri ka qëndruar edhe në laboratorët e Institutit si dhe ka diskutuar me drejtuesit e IKSHPK-së edhe për aktivitete të tjera të rëndësishme që ky institute kryen, përveç fokusit në COVID-19. /KultPlus.com

Kërkesa e Ministrit të Shëndetësisë për mërgimtarët, paralajmëron edhe mbyllje

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë Qeveria e Kosovës ka bërë përgatitjet e nevojshme që vaksinimi i popullatës të jetë sa më masiv dhe që sistemi shëndetësor të jetë i gatshëm për çdo krizë që mund të ketë.

Tutje, ai tha se deri më tash në Kosovë kanë vdekur tre mijë persona nga Covid-19 andaj është e rëndësishme marrja e masave.

“Nëse Qeveria ka bërë diçka të mirë kohëve të fundit është ka qenë vaksinimi dhe përgatitja e sistemit shëndetësor për t’u ballafaquar me çfarëdo krize që kemi. Ne tash e kemi një situatë epidemiologjik të jashtëzakonshëm por kjo nuk është shkas që ne të mos vaksinohemi”.

“Na duhet të vaksinohemi dhe duhet t’i ruajmë masat në mënyrë që ta zvogëlojmë shansin e Covidit që të na vdesin pacientët tanë. Gati tre mijë vetë na kanë vdekur dhe nuk duhet të kemi më shumë vdekje”, tha Latifi.

Sipas tij, e vetmja mundësi për mbrojtje kundër Covidit është vaksinimi me dozën e tretë e përforcuese.

Madje ai thotë se të vaksinuar dhe pa Covid-19 mërgimtarët duhet të vijnë në Kosovë, raporton EO.

“Dhurata më e mirë që na sjellin diaspora është të vijnë shëndoshë, me qenë shëndoshë këtu dhe të kthehen mbrapa shëndoshë. Këtë e bëjnë vetëm nëse janë të vaksinuar dhe nëse respektohen masat. Vlerësimin a do të ketë mbyllje a nuk do të ketë mbyllje e bëjmë çdo ditë. Varet nga rastet i marrim edhe masat përkatëse”.

Mes tjerash, ai shtoi se nëse qytetarët janë të pakujdesshëm dhe nuk vaksinohen atëherë ekziston rreziku që të mbyllet vendi.

“Nëse secili prej nesh është i pakujdesshëm dhe nuk vaksinohemi natyrisht se jemi në rrezik të mbyllemi. Qëllimi nuk është të mbyllim ekonominë dhe shkollat, por duhet të mësohemi të jetojmë me Covidin sikurse që jemi mësuar të jetojmë edhe me gripin. Unë nuk di kur do të përfundojë pandemia në Kosovë. Ne të vetmen mënyrë që kemi për mbrojtje kundër Covidit është vaksinimi edhe dozën e tretë e përforcuese. Mbi moshat 18 vjeçare është arritur të vaksinohet 60% e popullatës”. / KultPlus.com

Ministri i Shëndetësisë: Situata me Covid-19 është e qëdrueshme por s’mund të ketë lehtësim masash

Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi thotë se aktualisht gjendja me COVID-19 është e qëndrueshme por nuk mund të ketë lehtësim masash kufizuese.

“Vendet në Evropë kanë një numër shumë të rritur me COVID-19 kanë probleme të jashtëzakonshme nëpër spitale, ndonëse e kanë sistemin shëndetësor shumë më të zhvilluar se ne. Ne për fat e kemi një gjendje shumë stabile epidemiologjike por ne duhet të jemi të kujdesshëm që kjo të mos na keqësohet ngase mund të keqësohet brenda ditës prandaj ne jemi gati për çdo ditë duke analizuar gjendjen epidemiologjike edhe me marr masa tjera nëse ka nevojë, tash për tash jemi mirë”, tha ai.

Ministri Latifi thotë se deri më sot nuk është regjistruar asnjë rast me variantin e ri Omicron të koronavirusit.

“Ne i marrim mostrat epidemiologjike që i dërgojmë jashtë vendit edhe ndoshta mund të kemi tani por deri më tash nuk kemi asnjë, shancat janë shumë të mëdha që edhe ne të kemi sikurse vendet e botës”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Aktualisht në Kosovë ka filluar vaksinimi edhe me dozë përforcuese apo dozën e tretë për të mbrojtur qytetarët nga variantet e reja të COVID-19. Ministri Latifi thotë se vaksinimi është e vetmja mënyrë për të parandaluar vdekjet dhe shtrirjet në spital./KultPlus.com

Ministria e Shëndetësisë do të bëjë shqyrtimin e masave, gjendje e përkeqësuar me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se javën e ardhshme pritet të shqyrtohen masat ndaj COVID-19, ku varësisht sipas nevojës dhe zhvillimeve, do të marrin vendime të reja, shkruan KultPlus.

Në njofitmin e MSH-së, thuhet se situata epidemiologjike me COVID-19, variantet në qarkullim dhe mbrojtja e shëndetit publik të popullatës janë shkas që do të bëhet rishqyrtim i masave.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, ka qenë udhëheqëse e kësaj mbledhje, derisa në mënyrë virtuale ishte i paraqitur edhe Ministri i ri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Pas identifikimit të variantit të ri të koronavirusit, (B.1.1.529) fillimisht në Afrikë e pastaj edhe në disa shtete jashtë këtij kontinenti, MSH-ja ka bërë një thirrje për qytetarët e Kosovës.

Komiteti, në mënyrë specifike u ka bërë thirrje qytetarëve të moshës mbi 12 vjeçe që të vaksinohen pa humbur kohë kundër COVID-19

Kërkesa kryesore e MSH-së ishte që qytetarët e vendit t’i zbatojnë masat në fuqi, të vaksinohen, derisa nga institucionet përgjegjëse, si Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse, u kërkuar që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës, në të gjitha degët e ekonomisë dhe veprimtaritë arsimore e institucionale. /KultPlus.com