Rikonstruktohet biblioteka në qytetin e Peshkopisë, 74 mijë libra për lexuesit

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku njëhersh drejtuese politike e qarkut të Dibrës, e shoqëruar nga ministrja për Rininë, Bora Muzhaqi dhe kryetari i bashkisë së Bulqizës, Rahmi Spahija vizituan sot bibliotekën në qytetin e Peshkopisë.

Zëvendëskryeministrja Balluku bëri të ditur se biblioteka është rikonstruktuar dhe se fondi i librave është i mirëmbajtur.

Tashmë, informoi ajo, kësaj biblioteka i është shtuar edhe salla e leximit, e cila mungonte deri sot.

Biblioteka e parë në qytetin e Peshkopisë daton në vitin 1945. Ajo u hap në një ambient privat të një mësuesi, i cili e kaloi pronën e tij në dispozicion të lexuesve.

Nga 1700 libra në vitet 1950, sot kjo bibliotekë ka arritur të ketë 74 mijë libra të të gjitha zhanreve dhe fushave në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaja. Po ashtu në këtë bibliotekë janë të ruajtura edhe  gazetat që prej vitit 1904.

Ky fond ju shërben 5300 anëtarëve të resgjistruar./atsh/KultPlus.com

Rikonstruktohet qendra e vizitorëve në Parkun Kombëtar të Prespës

 

Parku Kombëtar i Prespës, një ndër zonat më të bukura natyrore në juglindje të vendit, është kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik për turistët vendas e të huaj.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura bëri të ditur se, në Goricë të Vogël kanë filluar punimet për rikonstruksionin e qendrës së vizitorëve.

“Punimet kanë në fokus ridizenjimin e ambienteve dhe krijimin e hapësirave të reja, që do të mund të përdoren për evente të ndryshme nga administrata e parkut kombëtar të Prespës”, theksoi AKZM.

Parku Kombëtar “Prespa” hyn në zonat e mbrojtura në kategorinë 2, vendim i cili është shpallur në vitin 1999.

Përfaqësuesit specifikë të florës dhe faunës në park janë Venja (Juniperus excelsa), (Centaurea prespana), (Viola eximia), Dhia e egër e Ballkanit (Rupicapra r. balcanica), Ariu i Murrmë (Ursus arctos) Pelikani kaçurrel (Pelicanus Crispus). Monumente natyre në park janë: Venjat e Kallamasitrit, Zgavra e Zaverit, Dushqet e Manastirit Djellas, Ishulli i Maligradit, Gurët e Mumjes, Shpella e Tren.

Objekte kulturore, fetare, historike brenda zonës janë Kisha e Shën Marenes, Kallamas, Kisha e Shën Gjergjit Gollomboc, Kisha e Shën Pjetrit Zaroshkë, Kisha e Shën Mërisë./ atsh / KultPlus.com