Saadat Hasan Manto: Rikthimi

Saadat Hasan Manto (11 maj 1912 – 18 janar 1955), prozator dhe dramaturg pakistanez. Manto kishte shkruar kryesisht në urdu. Kishte botuar njëzet e dy përmbledhje me tregime, një roman, një seri radiodramash dhe tri përmbledhje esesh

RIKTHIMI

Nga Saadat Hasan Manto

Treni special e la Amristarin në orën dy pasdite dhe arriti në Mughalpura tetë orë më vonë. Shumë njerëz ishin vrarë në rrugë, shumë të tjerë ishin lënduar; disa kishin humbur rrugës.

Ora tetë para dite. Plaku Sirajudin i hapi sytë në dyshemenë e ftohtë të kampit; duke parë detin e grafulluar të burrave, grave dhe fëmijëve, u hutua edhe më tepër. I hodhi sytë kah qielli i zymtë. Kudo përreth tij kishte hallakamë, por ai nuk dëgjonte asgjë, thua se veshët e tij ishin të bllokuar. Kushdo që e shihte atë mund të mendonte se po e hante për së brendshmi një hall i madh. Po nuk ishte ashtu: nervat e tij ishin të ndera; ndihej sikur po pluskonte në boshllëk.

Ia nguli sytë diellit dhe u kthjell vrullshëm teksa bardhësia e tij e fortë depërtoi në ta. Imazhet e kapluan nga të gjitha anët. Plaçkitje. Zjarr. Rrëmujë. Stacion. Plumba. Natë. Dhe Sakina. Sirajudini u ngrit në këmbë menjëherë dhe si i marrë nisi të rrëmonte me sy në detin e njerëzve përreth vetes.

Për plot tri orë ai i ra kryq e tërthor kampit, duke britur, ‘Sakina, Sakina’. Por s’mori vesh asgjë për vendndodhjen e bijes së tij të vetme. Gjithçka përreth tij ishte pështjellim. Dikush kërkonte të birin, dikush tjetër për të ëmën; dikush për gruan e tij, dikush tjetër për të bijën. Sirajudini, i lodhur dhe i rraskapitur, u ul në njërën anë të rrugës dhe u mundua të sillte ndërmend ku dhe kur ishte ndarë nga Sakina. Por teksa vriste mendjen, mendja e tij hasi në trupin e nënës së Sakinës, të brendshmet e saj të dala jashtë, dhe nuk mundi të mendonte më tepër.

Nëna e Sakinës kishte vdekur. E kishte dhënë frymën e saj të fundit para syve të Sirajudinit. Po ku ishte Sakina? Nëna e saj kishte thënë sa ishte duke vdekur, ‘Lërmë të vdes. Merre Sakinën dhe mbathja’.

Sakina kishte qenë përkrah tij. Të dy ia kishin mbathur të zbathur. Sakinës i kishte rënë poshtë dupata. Ai ishte ndalur ta merrte, por Sakina kishte bërtitur, ‘Abaxhi, lëre!’. Po ai sidoqoftë e kishte kapur. Sytë e tij ranë mbi kapotën e tij ndërkohë që e kujtonte. Futi dorën në xhepin e fryrë dhe nxori një rrobë: dupatën e Sakinës. Po ku ishe Sakina?

Sirajudini u mundua fort ta kujtonte, por pa asnjë dobi. A e kishe sjellë Sakinën kaq afër stacionit? Kishte hipur në tren me të? A kishte mbetur pa vetëdije kur ishte ndalur treni dhe rebelët kishin hyrë brenda? A ishte kjo mënyra se si e kishin marrë me vete Sakinën?

Mendja e Sirajudinit ishte plot me pyetje, por as edhe një përgjigje të vetme. Kishte nevojë për ngushëllim, por po aq kishin edhe njerëzit e tjerë të hapërdarë përreth tij. Sirajudini deshi të qante, por sytë e tij s’e ndihnin dot. Kush e di se ku kishinj ikur të gjithë lotët e tij?

Gjashtë ditë më vonë, pasi nervat e tij ishin qetuar, Sirajudini i takoi tetë të rinj. Ata kishin një kamionetë, armë dhe i thanë se do ta ndihmonin. Sirajudini i bekoi ata panda dhe ua dha ua bëri një përshkrim të Sakinës. ‘Ajo është leshverdhë dhe shumë e bukur; ka marrë nga e ëma, jo nga unë. Është rreth shtatëmbëdhjetë vjeçe. Sy të mëdhenj, flokë të zeza, një balë të bukur në faqen e djathtë. Është bija ime e vetme. Ju lutem gjejeni. Zoti juaj do t’ju shpërblejë’.

Vullnetarët e rinj e siguruan plakun Sirajudin, me ndjeshmëri të madhe, se nëse vajza e tij ishte gjallë, do t’ia sillnin këtu brenda pak ditësh.

 Burrat bën çmos, madje duke vënë edhe jetët e tyre në rrezik. Shkuan në Amritsar ku shpëtuan burra, gra e fëmijë dhe i çuan në vend të sigurt. Kaluan dhjetë ditë, por Sakina nuk ishte gjetur ende.

Një ditë burrat ishin duke ngarë kamionetën e tyre drejt Amristarit, të zhytur në angazhimet e tyre, kur afër Keratit, panë një vajzë buzë rrugës. Kur dëgjoi zhurmën e kamionetës ajo ia dha vrapit. Vullnetarët e ndalën makinën dhe vrapuan pas saj, duke ia dalë ta kapnin në një arë. Ajo ishte përnjëmend e bukur, me një balë të madhe të bukur në faqen e saj të djathtë. Njëri nga burrat e pyeti, ‘A je ti Sakina?’.

Fytyra e vajzës u zverdh. Nuk u përgjigj. Ajo e pranoi se ishte Sakina vetëm pasi që burri e siguroi se tmerri i saj kishte marrë fund.

Tetë vullnetarët e rinj e ngushëlluan, e ulën në kamionetën e tyre dhe i dhanë bukë e qumësht. Ishte e pikëlluar që nuk e kishte me vete dupatën e saj dhe mundohej më kot të mbulonte gjinjtë me duart e saj, derisa njëri prej burrave e hoqi pallton e vet dhe ia dha.

Kaluan disa ditë. Sirajudini ende nuk kishte të reja për Sakinën. E kalonte gjithë ditën duke u sorollatur nëpër fusha të ndryshme dhe zyra, por s’merrte asnjë fjalë të vetme për vendndodhjen e Sakinës. Natën lutej që ata djemtë të kishin sukses. Ata e kishin siguruar se nëse ajo ishte gjallë do ta gjenin brenda pak ditësh.

Një ditë Sirajudini i pa vullnetarët e rinj në kamp. Po rrinin në makinetën e tyre. sirajudini vrapoi drejt tyre. Kamioneta ishte gati të nisej kru Sirajudini i pyeti, ‘Djema, a keni dëgjuar ndonjë gjë për Sakinën time?’.

Ata thanë të gjithë përnjëherësh, ‘Kemi dëgjuar, kemi dëgjuar’. Dhe kamioneta iku tutje. Sirajudini u lut edhe njëherë për suksesin e tyre dhe zemra e tij u qetua një trohëz.

Para mbrëmjes pati një turbullirë në kamp afër vendit ku po rrinte Sirajudini. Katër burra ishin duke bartur diçka. Ai kërkoi të dinte çkapo ndodhte dhe zbuloi se një vajzë ishte gjetur pa vetëdije afër hekurudhës; tani po e sillnin brenda. Sirajudini shkoi pas tyre. Njerëzit e  dorëzuan te spitali dhe u larguan.

Sirajudini qëndroi te spitali mbrapa një shtylle druri. Mandej ngadalë, hyri brenda. Në dhomën e errët nuk kishte njeri, veç një vig me një trup në të. Sirajudini u afrua, me hapa të ngadaltë. Befas dhoma u ndriçua. Sirajudini pa një nishan në fytyrën e zbehtë të trupit dhe briti, ‘Sakina!’.

Doktori që e kishte ndezur dritën i tha Sirajudinit, ‘Si është puna?’.

Sirajudini mundi veç të thoshte, ‘Zotëri, unë jam… zotëri, unë jam… Unë jam i ati i saj’.

Doktori shikoi trupin në vig. E mati pulsin e saj dhe i tha Sirajudinit, ‘Dritarja, hape!’.

Nga kumbimi i këtyre fjalëve trupi i Sakinës lëvizi. Duart e saj të vdekura e shpalosën salvarin dhe e ulën. Plaku Sirajudin briti nga lumturia, ‘Ajo është gjallë, bija ime është gjallë!’.

Doktori ishte qull nga djersët nga koka te këmbët.

/Marrë nga Saadat Hasan Manto, ‘Selected Stories’, Random House India, 2008/Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

Entela Kasi dhuron botimin antologjik “18 histori hebraike” në Muzeun Hebraik të Selanikut     

Entela Kasi, gjatë ditëve të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Selanik, pati një vizitë zyrtare në Muzeun Hebraik të Selanikut.

Ajo i bëri dhuratë Bibliotekës së Muzeut botimin antologjik “18 histori hebraike” (18 Jewish Stories) në gjuhën angleze, ku mes veprave të autorëve të huaj është përfshirë në këtë botim edhe ” Rikthimi” nga autorja Kasi.

Ky botim antologjik është realizuar nën kujdesin e shkrimtares dhe studiueses Nora Gold, themeluese e medias dhe botimeve Jewish Fiction. “18 histori hebraike” është botuar nga Academic Studies Press në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu ky botim është fitues i Çmimit të vitit 2023 në kategorinë – prozë antologjike. Njëkohësisht media si New York Times, Los Angeles Reviews of Books, etj, por edhe autoritete të kritikës botërore e kanë çmuar këtë botim si një prej veprave më të mira të vitit 2023.

Shkrimtarja Entela Kasi në këtë vizitë të rëndësishme në Muzeun Hebraik të Selanikut ishte e shoqëruar nga stafi i Konsullatës së Shqipërisë në Greqi./ KultPlus.com

Romani “Rikthimi” i Entela Kasit sjell një përrallë të ndjeshme në Panairin e Librit në Prishtinë

Romani “Rikthimi” i Entela Kasit u promovua në  Panairin  e Librit që po mbahet në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Një libër që shtjellon konfliktet e së shkuarës në aktualitetin botëror. 

Romani “Rikthimi” i botuar nga Shtëpia Botuese “Buzuku” është një libër ku në përmbajtje ka reporterë lufte, shkrimtarë, përkthyes, diplomatë, artistë dhe gazetarë  që shfaqen në mënyrë të pazakonshme në një ekspozitë fotografike si personazhe të saj. Lufta që trashëgohet dhe traumat e saj tashmë janë të rrezikuara të përsëriten. Humbja e lirisë dhe sigurisë së jetës, është një prej çështjeve të këtij romani, ndërsa fati i personazheve është dramatik për arsye të kaosit në të cilin janë të përfshirë dhe që i shoqëron ata prej fillimit. 

Autorja përveç që foli për tematikën, përmbajtjen, formën ndër të tjera vuri në pah edhe një kontribut të madh të shqiptarëve.

“Kam dashur të paraqes një të vërtetë të madhe, e që është shpëtimi i hebrenjve gjatë Holokaustit, shpëtim që e bën shqiptarët, jo vetëm të Shqipërisë por edhe ata të Kosovës”, ka thënë mes të tjerash Kasi.  

Gjithçka që ka ndodhur me Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore si edhe me Ballkanin e mbetur midis Lindjes dhe Perëndimit, rikthehet jo thjesht përmes kujtesës si element i dëshmimit të historive në të cilën personazhet kanë qenë pjesë e ngjarjeve, por edhe përmes ngjarjeve më dramatike të dokumentuara prej tyre. 

“Personazhi Hanna K. është një fotoreportere që prezanton ekspozita për luftën në Kosovë, sikurse edhe për gjenocidin në Bosnjë” shtoi tutje. 

Romani “Rikthimi” i autores Kasi tashmë është përkthyer në shumë gjuhë dhe vazhdon të jetë një libër mjaft i kërkuar./ KultPlus.com

Për herë të parë pas 14 vitesh, rikthehet grupi ‘Spice Girls’

Botës ju desh të priste fiks 14 vite për të parë dhe dëgjuar sërish Spice Girls, grupin e famshëm të vajzve që bëri jo pak bujë përgjatë viteve ’90-të. Figurat ikonike të “Viva Forever” do të rikthehen me një tjetër këngë të titulluar “Feed Your Love” si pjesë e mini-albumit që do të lançojnë së shpejti.

Lajmi për rikthimin e shumëpritur vjen në prag të 25-vjetorit të super hitit të grupit, “Wannabe”. Në nder të këtij përvjetori edhe projekti i ri quhet “Wannabe25”

“Feed Your Love” do të jetë single-i i parë i grupit që prej 2007-ës dhe bota mezi po pret ta dëgjojë! Çfarë është më mirë se kaq? Fakti që pavarësisht thashethemeve, Victoria Beckham do t’i bashkohet pjesës tjetër të vajzave.

EP pritet të publikohet në 9 korrik, por do të jetë gjerësisht e aksesueshme duke nisur nga 23 korriku. Rikthimi i “Spice Girls” përtej nostalgjisë nuk vjen pa një qëllim të caktuar. Të gjithë të ardhurat prej projektit “Wannabe” do të shkojnë si kontribut për komunitetin e braktisur LGBTQ+ në Britaninë e Madhe. / KultPlus.com