GMK mirëpret ekspozitën gjithëpërfshirëse dhe vetjake të Rina Krasniqit

Galeria e Ministrisë së Kulturës do të mirëpres ekspozitën e parë gjithëpërfshirëse dhe vetjake të Rina Krasniqit, të kuruar nga Bardhi Haliti me titull “Vizatime”, më 8 dhjetor në ora 19:00.

Një koleksion i madh vizatimesh në letër të trashësisë dhe madhësive të ndryshme, duke filluar nga letra të prera në formë katrore, ovale apo të parregullt, të shfaqura në tavolina të bëra enkas për ekspozitë, e përbëjnë pjesën kryesore të ekspozitës.

Të gjitha këto vizatime tregojnë për qasjen e ndërlikuar të Rinës ndaj vizatimit, të formësuar nga imagjinata dhe fantazia e përpiktë. Të gjalla dhe duke luajtur qëllimisht me proporcione, këto vizatime shfaqin një idealizëm specifik, duke i dhënë energji punimeve.

Rina përshkruan punën e saj në mënyre poetike si një varg të mikro ngjarjeve të çmuara që plotësojnë hapësirat e zbrazëta mes ngjarjeve madhore jetësore: një keks të cilin e ndan me fëmijën tënd pas një dite të lodhshme, një libër në faqet e të cilit është një kushtim për babain tënd i cili nuk është më mes nesh, një gjellë e bërë me shumë kujdes, një pemë e mbjellur bashkë, një fotografi e vjetër e pluhurosur, apo të takosh një mik të vjetër deri sa je duke pritur në rend në supermarket. / KultPlus.com

‘Virgjëresha Shqiptare’ me premierë në Gjermani, Rina Krasniqi: Një nder dhe privilegj

Filmi shqiptar ‘Virgjëresha Shqiptare’ do të ketë premierën në Gjermani më 9 shkurt 2023, përcjell KultPlus.

Por, mbrëmë, ekipi i filmit ka festuar premierën e filmit në Gjermani ku kanë përjetuar një eksperiencë plotë ngrohtësi e në prani të komunitetit shqiptar.

Rina Krasniqi, aktorja e cila luan rolin kryesor në këtë film, përmes një statusi në rrjetin social facebook, është shprehur se ky ishte një nder dhe privilegj, teksa falënderon mbështetjen e komunitetit shqiptar.

“Një nder dhe privilegj. Një shtëpi plot dhe një eksperiencë plot ngrohtësi teksa festuam premierën e filmit tonë në Gjermani, duke e përfunduar atë me praninë dhe mbështetjen e komunitetit tonë madhështor shqiptar, të cilin i falënderoj thellësisht për mbështetjen e tyre të pandarë! Për ekipin tim dhe kastin tim, shtylla kurrizore e këtij projekti. Ndiqeni filmin që shfaqet në Kinemanë Gjermane duke filluar këtë të enjte më 09.02. / KultPlus.com

Rina Krasniqi shkruan histori në “PriFest”, çmimet ia dedikon nënës së saj dhe Vjosa Berishës

Aktorja Rina Krasniqi ka arritur të shkruajë histori në festivalin e filmit “PriFest”, shkruan KultPlus.

Krasniqi ka luajtur dy role në filmin “Virgjëresha Shqiptare”, njëri si Luana dhe tjetri si një burrneshë me emrin Jack.

Kjo është hera e parë në historinë e çmimeve “PriFest” që një aktore arrin të fitojë të dy çmimet, pra për aktoren më të mirë dhe për aktorin më të mirë.

Gjatë fjalës që mori kur fitoi çmimin e parë, Krasniqi tha se këtë film ia dedikon nënës së saj.

“Ajo është personi më i çmuar në jetën time. Gjithashtu këtë çmim ua dedikoj të gjitha vajzave dhe grave të guximshme që kanë lënë gjurmë në jetë. Një prej tyre është Vjosa Berisha”, tha ajo, raporton KultPlus.

Në historinë e Oscars, edhe pse nuk ka asnjë kufizim që një interpretues të fitojë çmimet për aktorin më të mirë dhe aktoren më të mirë në të njëjtin vit për dy role në të njejtin film, kjo ende nuk ka ndodhur. – edhe pse ka pasur raste kur interpretues janë nominuar për të dy çmimet në të njëjtin vit. /KultPlus.com

Rina Krasniqi luajti dy role të të dyja gjinive, fiton edhe çmimin aktori më i mirë

Sonte po ndahen çmimet e edicionit të 14-të të PriFilm Fest, i cili ka nisur më 20 shtator ndërsa përfundon sonte më 25 shtator, shkruan KultPlus.

Rina Krasniqi luajti dy role të të dyja gjinive në filmin “Virgjëresha Shqiptare”, dhe fitoi çmimet për aktorin dhe aktoren më të mirë.

Kjo është hera e parë në historinë e “PriFest” që një aktor i merr të dyja këto çmime.

Edicioni i 14-të i “PriFest”-it i dedikohet drejtoreshës së ndjerë, Vjosa Berisha. / KultPlus.com

‘Virgjëresha Shqiptare’ mbyll ‘PriFest’, shpaloset fati i gruas shqiptare nëpërmjet dokeve kanunore

Era Berisha

Filmi që ka bërë bashkë aktorët nga Kosova e Shqipëria zë vend në Shqipërinë e vitit 1958, kur një vajzeje i duhet të sakrifikojë dashurinë e jetës së saj për të vënë drejtësinë në vend. Personazhi i Luanes që vjen nën interpretimin e aktores Rina Krasniqi portretizon njërën ndër traditat tona shqiptare, e që në këtë rast vjen si më e dhimbshmja. “Burrneshat”, janë gratë që sakrifikuan jetën e tyre duke jetuar e vepruar si burra deri në fund të jetës dhe në një moment apo tjetër dëshmohet për rëndësinë që këto gra kanë në trojet shqiptare. Me këtë temë sa të brishtë por aq edhe të guximshme, na shfaqet një histori që nuk e hasim dhe aq shpesh në këtë mënyrë në kinematografinë shqiptare. Andaj, skenaristja Katja Kitendorff, regjisori Bujar Alimani si dhe kasta e mrekullueshme e aktorëve sollën para publikut një temë kaq të veçantë për popullin shqiptar me rastin e premierës së filmit “Virgjëresha shqiptare” në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘, shkruan KultPlus.

Pak minuta para se ora të shënonte 21:00, ishin të pranishmit ata që dalëngadalë po hynin brenda hapësirës së Kino Armatës. Ishte një radhë tejet e gjatë e një interesim i paparë deri më tani, për të parë filmin e për të shijuar kryeveprën e regjisorit Alimani. E koha që ky film i shumëpritur nga të pasionuarit për traditat shqiptare dhe jo vetëm, të niste, më në fund erdhi. E vetmja dritë nga ekrani i madh në sallë, do të ishte foleja e publikut përgjatë gjithë 120 minutave.

Qysh në skenën e parë, shikuesi rrëmbehet me lumturinë, ndjesinë e paqes dhe lirinë e portretizuar nga disa fëmijë që luajnë mes vete afër liqenit, por shumë shpejt kokën e fusin edhe mospëlqimet e disa çunave për prezencën e vajzës së vetme të pranishme, Luana, e cila bëri që lojën ta fitojnë kundërshtarët e tyre. Është viti 1958 dhe Luana si vajzë e vogël në atë vend takon Agim Shalën, i cili njashtu kritikohet nga çunat e fshatit se ai është asgjë tjetër pos një armik i popullit ngaqë babai i tij, Zef Shala jeton në qytet dhe me këtë rast ai pëson nga ata një lëndim të vogël në kokë nga guri i gjuajtur në drejtim të tij, por shumë shpejt Luana i vjen në ndihmë dhe shkojnë tek shtëpia e tij, aty ku nëna e Agimit, një mjeke me profesion, ia pastron plagën dhe nis të tregojë një tregim, tregim ky që në mënyrë simbolike do të jetësohet përgjatë gjithë filmit.

Luanës, vajzës së qetë me sy kafe si gështenjë, papritmas i përmbyset e gjithë bota. Babai i saj, ia vë një gjerdan në qafë e i tregon që ajo është e “dhanun” te Flamur Fiku, derisa vdekja t’i ndajë. Ai gjerdan do të jetë dëshmitari i gjithë fëmijërisë së Luanës, derisa ajo të rritet e të kalojë nëpër rrugëtime që do të ndryshojnë krejt rrjedhën e jetës së saj. Por deri atëherë, ajo dhe Agimi, takohen fshehurazi diku afër buzës së shkëmbit, aty ku Luana i dhuron bukë e në shkëmbim ai e mëson të lexojë. Takimet e tyre nuk zgjasin shumë, por për aq sa rrinë bashkë, lindin edhe ndjenja të njëjta mes tyre.

Filmi tregon historinë e tyre, të cilët rriten së bashku në fshat por historia e tyre familjare i mban të dy në një shkëmb të varur, por që megjithatë miqësia e tyre do të mbahet e ruajtur për plot 10 vite. Aktorja Rina Krasniqi e sjell Luanen, personazhin kryesor që vazhdimisht rrëshqet nëpërmjet sfidave dhe gropave të krijuara në jetën e saj, por që stabilitetin e saj e arrin atëherë kur zëri i saj bëhet fuqia më e madhe të cilën ajo e posedon.

“Ne nuk jemi kafshë, andaj kemi nevojë për Kanun. Kjo është e vërteta. Lexoje, mësoje Kanunin. Bindu rregullave. Djalin nuk ke me e pa ma”, qenë fjalët e babait të Luanes, drejtuar saj, pasi që fjalët se ata të dy takoheshin vetëm, kishin nisur të qarkullojnë nëpër fshat.

Skenat e radhës vijnë si një pushtim i fuqishëm që shpalosin anët e errëta të fatit të vajzave që rriten në fshat. Një familjare e afërt e Luanës, Angelika, është vrarë nga babai i saj, për arsye të shkeljes së rregullave dhe “çnderimit” të saj, pa martesë. Kjo ndodhi e trondit gjithë familjen deri në rrënjë dhe kësisoj bëhet një “mësim” për Luanën dhe fatin e saj, nëse edhe ajo mendon të ndjek të njëjtën rrugë.

Është viti 1968 dhe Luana, tanimë një e rritur ende është akoma kokë e këmbë e dashuruar me Agimin. Ai ndodhet në shërbimin ushtarak, por kthehet shpejtë dhe duket se asgjë nuk mund t’i ndajë këta të dy. Kur ai merr vesh se Luana së shpejti do të bëhet nuse, ai tenton që ta bind për t’u arratisur nëpërmjet kalimit të liqenit të Shkodrës. Por Luana është kokëfortë e kryelartë, e i thotë që ai të niset vetë.

Ndërkohë, në shtëpinë e saj, ajo kushton 1400 grosh. Ky është çmimi i saj si nuse për Flamur Fikun, i cili në takimin e parë të vetëm me të, e ngacmon seksualisht, duke i thënë se “dëshiron ta dijë a është e ndershme”, e i thotë sa ka dëgjuar ca fjalë për një dashnor. Ai tutje i thotë se do t’i mësojë asaj ca rregulla të reja, ngaqë nuk di të sillet në një mënyrë të caktuar, siç dëshiron ai.

Këtë akt, e dëgjon dhe e sheh duke ndodhë edhe vetë babi i Luanes, i cili në tentim e sipër për ta larguar Flamurin nga shtëpia e për ta ndalur martesën për shkak të sjelljes së tij, ai vritet me pushkë nga Flamuri, i cili tutje konstaton se e ka bërë për vetëmbrojtje. “Nuk e kam vra unë por turpi i vajzës suaj e ka vra”, thotë ai në mes të tjerash.

Pa një burrë mbi katër shtyllat e shtëpisë, tanimë jeta e Luanes është në duart e familjarëve të afërt të saj. Xhaxhai i saj dhe të afërmit e tjerë e shpërfillin gjakmarrjen për babanë e saj dhe tutje vendosin që martesën ta qojnë deri në fund. Dhe për ta vazhduar martesën, ajo “testohet” se a është ende e virgjër apo jo. Pasi që del të jetë e “ndershme” ajo është e lirë të martohet me të fejuarin e saj, Flamurin.

Dashuria është ajo që triumfon mbi të gjitha. Luana nuk dëshiron të shkojë nuse në një shtëpi ku gjaku për babanë e saj nuk është marrë. Ajo vendos që të largohet me Agimin dhe familjen e tij, por që fatkeqësisht nuk del të jetë zgjidhja e duhur. Babai i Agimit vdes nga pushkatimi në liqenin e Shkodrës, ndërsa Luana shpëton, dhe në breg e gjen gjerdanin që vjen si një “mallkim” për të. Ajo e pati heq para se të hyjë në ujë por tanimë e merr në dorë dhe përfundimisht vendos që të hakmerret për vrasjen e babait të saj. Ndërkaq, Agimi në këtë kohë është i arrestuar dhe i rrahur në qeli.

Është një moment mes vdekjes dhe të qenurit e gjallë por e vdekur përbrenda. Luana zgjedh këtë të fundit.

Filmi me skenar të Katja Kitendorff, trajton tema mjaft komplekse, dualistike. Ka konceptin ‘burrnesha’ si koncept e nocion ekzistues i Kanunit, që është një nga shtyllat kryesore të këtij filmi. Jo vetëm për ‘burrneshën’ e brendshme të Luanes, por edhe atë të jashtme, në momentin që legjitimohet vendimi i saj për tu bërë pikërisht e atillë.

Luana tanimë si burrneshë, me flokë të prera, me veshje të burrit, e me pushkë në dorë, niset të marrë hakun. Para derës së shtëpisë të Flamur Fikut, në një pozicion gati në mes të ballit, ajo e vret Flamurin me vetëm një plumb. Luana tanimë nuk është nuse për t’u “dhanë” por është “burri” i shtëpisë dhe është personi që motrën e vetë e jep nuse për dashurinë e një djaloshi që kërkon dorën e motrës. Një dashuri të cilën Luana nuk pati fatin ta jetojë.

Karakteri i fuqishëm i Luanes krijohet si rrjedhojë e vendimeve, sakrificave, vizionit dhe gjindshmërisë në momente vendimtare dhe të vështira në jetë, tipare këto që i “përkasin” vetëm një burri. Por, Luana është ajo që i ka të gjitha këto tipare, që s’i patën as edhe familjarët e saj, me ç’rast në një moment të fuqishëm ajo iu drejtohet atyre duke i thanë: “Ju nuk ishit aq burra me marr gjakun për babën tem.”

Shtysa e brendshme mentale e shpirtërore është forca e çlirimit dhe emancipimit, e cila rrjedhimisht në këtë kontekst, e bënë karakterin e Luanes të marrë vendime bazuar në racionalitetin e fakteve, parimeve morale dhe vizionit të së ardhmes.

Përmes këtij filmi është shpalosur para botës një sakrificë e dashurisë për një qëllim të lartë siç është drejtësia në vend. Sakrifica, besimi, komunikimi e respekti, janë shtyllat kryesore të dashurisë.

Pamundësia e marrjes së vendimeve, vendosjes së drejtësisë apo ruajtja e trashëgimisë duke qenë një grua, cilësohen si disa nga arsyet se pse një grua, lejuar nga Kanuni, merr vendimin që të bëhet burrneshë. Prandaj, dhe është një ndër trajtat më dualistike në jetën e atyre grave, gjersa ato të detyruara sakrifikojnë veten e tyre që të fitojnë për herë të parë të drejtat e barabarta në rrethin familjar dhe shoqëror.

‘Besa’ është një normë e virtyt moral, i cili qëndron konstant përgjatë gjithë historisë shqiptare. Mbrojtja e saj është pothuajse e përjetshme në kontekstin e mbajtjes së një ndërgjegjeje të pastër. Luana është një vajzë e cila e mbron me mish e shpirt këtë virtyt, i cili rrjedhimisht lidhet me premtimet e dhëna ndaj familjes dhe ruajtjes së nderit familjar.

Është Luana ajo e cila tani bënë jetën e një “burri”. Pozicioni i uljes, pirja e rakisë, mbajtja e pushkës, veshja, qëndrimi, karakteri, duket se nuk qenë të vështira për t’u portretizuar nga aktorja Rina Krasniqi. Me orën e babit në dorë të saj, ajo tani ka detyrën që të qetësojë gjakrat mes dy familjeve. Dhe këtë e arrin në mënyrë të jashtëzakonshme.

Tani krejt çka mbetet është paraqitur në vitin 1990. Tanimë, djem e vajza luajnë afër liqenit dhe nuk ka më dallime në mes tyre. Ndërkohë, Luana takohet edhe një herë me dashurinë e saj të parë e të vetme dhe pas kaq shumë kohësh, shikimet mes tyre rrezatojnë plot mall e dhimbje.

Me një copë qelqi është krejt ajo se me çfarë mahnitshëm mbyllet skena e fundit. Në bjeshkë të malit, në vendin e tyre të fshehtë, me qiellin e pastër si uji sipër saj, Luana drejton atë copë drejt diellit dhe gjen paqen në brendësinë shpirtërore të saj, edhe pse copa e zemrës së saj do të mbetet përherë e thyer.

Pastaj, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta ato që në publik dëgjoheshin në një masë tejet të madhe dhe vazhduan për një kohë të gjatë. Ndërsa, pas shfaqjes së filmit ishte ekipi i “Virgjëresha shqiptare”, anëtarët e së cilit dolën në skenë për një fjalë rasti.

“Faleminderit shumë që keni ardhur sonte për të parë premierën e filmit që njëkohësisht përmbylli këtë festival. Është një nder i madh për mua për të japë premierën e filmit këtu sonte. Ky është një film për gratë e forta dhe gjegjësisht është edhe një dedikim për gruan e fortë, Vjosa Berisha”, ka thënë producentja Anita Elsani.

Kurse, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të filmit ‘Virgjëresha shqiptare’, të pranishëm ishin aktorët: Alban Ukaj, Rina Krasniqi, Kasem Hoxha dhe Shkurte Sylejmani, producentja Anita Elsani si dhe këngëtarja Eda Zari.

“Herën e parë që lexova për virgjëreshat shqiptare ishte në një artikull në ‘New York Times’ dhe gjithashtu në disa gazeta gjermane dhe më lanë shumë përshtypje. U futa më thellë në këtë temë dhe kjo ishte atëherë në vitin 2008. Prindërit e mi janë nga Prizreni dhe unë kam lindur në Gjermani, por me luftën e humbëm lidhjen me zonat në Shqipëri dhe Kosovë. Doja të rilidhesha në një moment artistik, kështu që iu afrova një shkrimtareje gjermane dhe ajo më pyeti pse do të shkruante një histori shqiptare, kështu që i thashë se ajo është një shkrimtare shumë e mirë dhe është mirë të ekzistojë një këndvështrim nga perëndimi mbi fenomenin. Ne filluam procesin e zhvillimit dhe ishim shumë të suksesshëm me këtë. Por ishte shumë e vështirë dhe një proces i gjatë për të realizuar një film shqiptar nga Gjermania. Pak nga pak, e kemi përfunduar. Dhe na u deshën 10 vjet, sepse është një strukturë e pazakontë. Gjithçka është xhiruar në Shqipëri dhe Kosovë me aktorë shqiptarë dhe kosovarë. Jam e kënaqur që tani gjithçka ka përfunduar dhe tani mund ta nxjerr në botë.” – Anita Elsani

“Ky film mua më ka rritur shumë edhe profesionalisht edhe personalisht si njeri, qenie e aktore. Ka qenë një proces jashtëzakonisht i rëndë por njëkohësisht shumë i mirëfilltë e i dashur për mua për arsye se e kemi bërë me shumë pasion e motiv shumë të madh. Kur njoftohesh me njerëz të nivelit profesional, atëherë edhe ti lartësohesh profesionalisht. Aq sa ka qenë e vështirë, aq ka qenë edhe e lehtë, sepse ka rrjedhë gjithçka si një lum. Është një nga eksperiencat më të veçanta në jetën time. Kemi xhiruar tre muaj gati dhe shpeshherë mbes pa fjalë kur e mendoj se çka kemi kaluar gjatë procesit të xhirimeve. Ne i kemi parë edhe njerëzit që jetonin me të vërtetë atje, në ato skena që ju i shihni në film dhe kjo ka qenë shumë ndihmuese për mua.” – Rina Krasniqi

“Dëshira ishte që muzikalisht tema të rrumbullakoset me një tingull dhe ai tingulli të jetë në vendin e duhur, kohën e duhur. Kemi pasur edhe një ngërç të vogël sepse tema e punës bazohet në një këngë që është e folkut të jugut, asaj pjese të repertorit toskë dhe interesantja ishte qe ndodheshim në veri, që e bënë këtë edhe më epike. Por, i mirë qe edhe bashkëpunimi me kompozitorin kryesor, që ka bërë një ngjizje efikase dhe emocionale, duke afruar kuadrin pranë rolit kryesor, dhe nga ana tjetër është kapur çasti më i fuqishëm emocional.” – Eda Zari

“Kur kam biseduar me Anitën për të luajtur Fikun, që është një burrë në moshë dhe vetë fakti që djali im në film, nuk ka dallim shumë të madh në moshë me mua, ka qenë diçka në të cilën unë kam dyshuar. E dija që grimi bëhej por nëse nuk gjetet një farë ritmi i brendshëm, grimi shkon poshtë. Ndonëse mund të dish ecjen e posaçme, pozitën e trupit, ritmin e posaçëm të brendshëm e jashtëm, përsëri është diçka që nuk mund të gënjehet kur shikohet në sy. Dhe aty e kam pasur ndoshta edhe dyshimin më të madh. Dyshoja se a mund ta arrij të ndërtoj një marrëdhënie që kur personazhi futet në një shtëpi fisnike shqiptare të asaj kohe, vërtetësia e tij të jetë e shpalosur në atë mënyrë që i duhet filmit. Kam qenë goxha skeptik dhe nga paranoja ime, i kam bërë presion të gjithëve. Nuk kam pasur një vetëbesim të duhur por unë kam përcjell shumë rrethanat dhe besa e kam vjedhë ecjen e Arben Camajt, trajneri i kuajve në film.” – Alban Ukaj

“Fillimet e filmit tek ‘Virgjëresha shqiptare’ kanë qenë interesante, e sidomos kur e kujtoj audicionin. Kam parë shumë aktorë të tjerë dhe nuk kam besuar që mund të hyj në një film kaq të gjatë si ky, andaj ka qenë shumë e bukur për mua. Në fillim nuk është se i kam besuar shumë vetës për të arrirë deri aty por falë ndihmës së Anitës dhe Bujarit, që më kanë ndihmuar shumë për të kaluar këtë sfidë, unë ia kam arritur. Roli i Luanës si fëmijë, është një rol shumë sfidues por unë kam arritur të njoh një burrneshë që më ka ndihmuar shumë në rol, e ajo është Rina Krasniqi. Ajo më bëri të besoj se burrneshat ekzistojnë dhe ato janë shumë të forta. Ndihem shumë e lumtur që jam në film.” – Shkurte Sylejmani

“Të qenit shqiptar dhe të jetuarit si shqiptar në Gjermani, e për të bë filma në Kosovë e Shqipëri, është një sfidë me vete, por është shumë e bukur. Në Shqipëri si dhe në Kosovë, është një dashuri tjetër për të bërë filma dhe kjo ndoshta vjen nga mundësitë e pakta që kemi. Unë vij këtu dhe luaj me një pasion krejt tjetër, sepse e gjej këtë dashuri këtu dhe ajo të rrëmben shumë lehtazi dhe i harron të gjitha. Por ndoshta kjo është ajo që na mban me këmbë në tokë, ajo që na bënë të dashurojmë filmin.” – Kasem Hoxha

Kujtojmë se filmi ”The Albanian Virgin” pas premierës botërore në edicionin e 37-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, në kategorinë zyrtare të konkursit ndërkombëtar, ka fituar dy çmime kryesore, “Çmimin Special të Jurisë” si dhe “Çmimin Ekumenik”.

Po ashtu, “Virgjëresha Shqiptare” ka triumfuar edhe në Festivalin e Filmit në Ostend, duke fituar “Çmimin e Publikut”.

Gjithashtu, aktorja Rina Krasniqi me rolin e saj në “Virgjëresha Shqiptare” është shpërblyer me ‘Special Mention’ në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cabourg.

Në filmin ”The Albanian Virgin” luajnë: Rina Krasniqi, Astrit Kabashi, Gresa Pallaska, Aurita Agushi, Fatlume Bunjaku, Alban Ukaj, Shkurte Sylejmani, Lum Veseli, Mimoza Azemi, Rebeka Qena, Blerta Surroi, Valmir Krasniqi, Viktor Zhusti, Nik Xhelilaj, Lulzim Zeqja, Igli Zarka, Jonida Vokshi, Gezim Rudi, Erjon Hodo, Ersiljano Xhelollari etj. / KultPlus.com

Aktorja Rina Krasniqi shpërblehet me ‘Special Mention’ në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cabourg

Filmi ”The Albanian Virgin” nën regjinë e Bujar Alimanit pas premierës botërore në edicionin e 37-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, në kategorinë zyrtare të konkursit ndërkombëtar ku fitoi dy çmime kryesore, tashmë është shfaqur edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cabourg të Francës, shkruan KultPlus.

Ndërsa, aktorja Rina Krasniqi që luan rolin kryesor në këtë film ka bërë të ditur se ajo është shpërblyer me ‘Special Mention’ nga juria e madhe e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Cabourg.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Mirënjohëse dhe e nderuar që mora një “Përmendje Speciale” nga juria e madhe e @festivaldecabourg për rolin e Luanës në filmin ‘Virgjëresha Shqiptare’ gjatë ceremonisë Swann D’or.

@lucasnbravo @abergesfrisbey @juliapiaton @alexandremattiussi9 @stephdegroodt @sylviesylvie1991 @hortensedesteve @anamariavartolomei_ @sebastienlifshitz

Jeni me te miret 💥

Merci @diorbeauty @franckprovostparis për prekjet e bukura / KultPlus.com

Filmi ‘Virgjëresha Shqiptare’ triumfon në Festivalin e Filmit në Ostend

Filmi “Virgjëresha Shqiptare” ka triumfuar në Festivalin e Filmit në Ostend, duke fituar Çmimin e Publikut, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, protagonistja Rina Krasniqi ka bërë të ditur edhe për çmimin e fituar.

“Faleminderit kastit dhe ekipit tim të mrekullueshëm, ekipit dhe njerëzve punëtorë që e mbështetën këtë projekt të përzemërt që nga dita e parë. Dhe mbi të gjitha, faleminderit publikut të bukur belg, i cili mbushi shfaqjet tona dhe na bekoi me këtë çmim të mrekullueshëm! Dhe kështu udhëtimi vazhdon!”, shkroi Krasniqi në “Facebook”.

Filmi zë vend në Shqipërinë e vitit 1958, ku një djalë dhe një vajzë rriten së bashku në të njëjtin fshat. Ata janë miqtë më të mirë. Luana është vajza e një njeriu shumë të respektuar, Agimi biri i tradhtarëve të cilët u ndaluan nga qyteti nga komunistët. Pavarësisht nga këto rrethana të pafavorshme, të dy ruajnë miqësinë e tyre për 10 vjet. Si një grua e re Luana përjeton gjithnjë e më shumë se të jesh grua është një mallkim dhe ndërmerr veprime të pazakonta, i jep fund situatës së saj si viktimë dhe fiton fuqinë për të vendosur vetë. /KultPlus.com

Shndërrimi në një burrneshë, aktorja Rina Krasniqi tregon për sfidat e këtij roli

Era Berisha

Tash e sa kohë, kinematografia e Kosovës po vazhdon të lulëzojë çdo ditë e më shumë, qysh nga loja mjeshtërore e aktorëve kosovarë e deri tek veçantia vizuale e shkrepjeve të regjisorëve tanë që shkathtësinë e tyre e plasaritin para publikut me një vrull pasionant e aq inspirues, me ç’rast kjo ndërlidhje ekuilibruare ka rezultuar që historia e Kosovës të jehojë në çdo cep të botës, aty ku frymon dashuria për teatrin dhe filmin, shkruan KultPlus.

Një nga filmat më të suksesshëm këtë vit është edhe “Virgjëresha shqiptare-burrnesha”, me skenar të Katia Kittendrof e regji të Bujar Alimanit, film ky që audicionet i pati realizuar qysh më 17 qershor të vitit 2019, për të arritur deri tek premiera botërore në edicionin e 37-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, në kategorinë zyrtare të konkursit ndërkombëtar si dhe duke dalë fitimtar me dy çmime të rëndësishme.

E aktorja Rina Krasniqi, e cila në film mban rolin kryesor, atë të Luanes, në një intervistë ekskluzive për KultPlus tregon për rrugëtimin e saj qysh nga ftesa e regjisorit Alimani, momentet më intime dhe interesante përgjatë xhirimeve, emocionet pas përfundimit të xhirimeve të filmit, rëndësinë e rolit që ajo ka bartur në këtë film, ndjenjat më të sinqerta pas suksesit që mori filmi, premierën e filmit në Shqipëri, si dhe detaje unike që ajo aq përzemërsisht dëshiron t’i ndajë me publikun.

Filmi “Virgjëresha shqiptare-burrnesha”, nën regjinë e Bujar Alimanit pas premierës botërore në edicionin e 37-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, në kategorinë zyrtare të konkursit ndërkombëtar, u shpërblye me çmimet si: Çmimi Special i Jurisë si dhe Çmimi Ekumenik.

Filmi që ka bërë bashkë aktorët nga Kosova e Shqipëria zë vend në Shqipërinë e vitit 1958, kur një vajzeje i duhet të sakrifikojë dashurinë e jetës së saj për të vënë drejtësinë në vend. Personazhi i Luanes që vjen nën interpretimin e aktores Rina Krasniqi portretizon njërën ndër traditat tona shqiptare, e që në këtë rast vjen si më e dhimbshmja. “Burrneshat”, këto gra që sakrifikuan jetën e tyre duke jetuar e vepruar si burra deri në fund të jetës, në një moment apo tjetër dëshmohet për rëndësinë që këto gra kanë në trojet shqiptare. Me këtë temë sa të brishtë por aq edhe të guximshme, na shfaqet një histori që nuk e hasim dhe aq shpesh në kinematografinë shqiptare. Andaj, skenaristja Kitendorff, regjisori Alimani si dhe kasta e mrekullueshme e aktorëve sollën para publikut një temë kaq të veçantë për popullin shqiptar.

Një film kaq i përfolur si ky, tregon historinë e një djali dhe një vajze, të cilët rriten së bashku në një fshat por historia e tyre familjare i mban të dy në një shkëmb të varur, por që megjithatë miqësia e tyre është ruajtur për plot 10 vite. Aktorja Rina Krasniqi e sjell Luanen, personazh ky kryesor që vazhdimisht rrëshqet nëpërmjet sfidave dhe gropave të krijuara në jetën e saj, por që stabilitetin e saj e arrin atëherë kur zëri i saj bëhet fuqia më e madhe të cilën ajo e posedon.

Aktorja Rina Krasniqi me plot sharm e sinqeritet tregon se si ajo është ndjerë aq e privilegjuar dhe krenare që i është besuar një rol i tillë kryesor që shfaq këtë histori aq të ndjeshme, të dhimbshme por njëkohësisht edhe të bukur, qenësore e mjaft potente. Me një përgjegjësi mbi supe dhe e shoqëruar me plot dashuri e pasion të përbashkët nga ana e regjisorit, ajo filloi punën për këtë film, të cilën të dytë e kanë pritur me shumë ngazëllim.

Teksa ishin shfaqur trajtat mjaft kompleske, të dhimbshme, të bukura e të mrekullueshme brenda skenarit të realizuar nga një punë dhjetë vjeçare e skenaristes që kishte investuar, aktorja Krasniqi momentin e ftesës së regjisorit e cilëson si njërin nga momentet më të paharrueshëm e njëkohësisht më të goditshim për të, ku ajo realizoi realitetin e peshës së madhe të cilën ajo do të duhej ta barte gjatë jetësimit të karakterit të Luanes, e aq më shumë kur ajo edhe mendonte për rrugëtimin e ardhshëm e të paharrueshëm që do e përcillte atë gjatë muajve të radhës.

Filmi i cili trajton tema mjaft komplekse, dualistike, ka konceptin ‘burrnesha’ si koncept e nocion faktik ekzistues i Kanunit, që aktorja e konsideron si një nga shtyllat kryesore të këtij filmi. Jo vetëm për ‘burrneshën’ e brendshme të Luanes, por edhe atë të jashtme, në momentin që legjitimohet vendimi i saj për tu bërë pikërisht e atillë. Ajo tutje thotë se karakteret e fuqishme krijohen si rrjedhojë e vendimeve, sakrificave, vizionit dhe gjindshmërisë në momente vendimtare dhe të vështira në jetë, andaj ndoshta në mungesë të fjalorit më diverziv, shpeshherë këto tipare janë futur në kornizën e të ashtuquajturit “burrëri”. Por, kjo shtysë e brendshme mentale e shpirtërore në fakt për Rinën është forca e çlirimit dhe emancipimit, e cila rrjedhimisht në këtë kontekst, e bënë karakterin e Luanes të marrë vendime bazuar në racionalitetin e fakteve, parimeve morale dhe vizionit të së ardhmes. Gjithashtu, ka edhe shumë elemente tjera substanciale që kanë theksuar rëndësinë e madhe të këtij roli për Rinën, andaj ajo edhe ndjehet shume falënderuese.

Përmes këtij filmi është shpalosur para botës një sakrificë e dashurisë për një qëllim të lartë siç është drejtësia në vend dhe Rina mishërimin me karakterin e cilëson plotësisht determinues, njëlloj si mendësinë dhe realitetin e personazhit të Luanes, që është shpalosur në mënyrën më të sinqertë. Rina na tregon se të gjithë njerëzit sakrifikojnë pjesë të ndryshme të dëshirave të tyre, për një qëllim më të lartë, qoftë ajo në relacion me familjen, dashurinë, vendin, drejtësinë etj. Andaj, varësisht nga rrethanat, periudhat kohore, mentalitetin e vendit, këto elemente mund të variojnë, mirëpo esenca gjithnjë mbetet e njëjtë për të. Sakrificën, besimin, komunikimin e respektin, ajo i konsideron si shtyllat kryesore të dashurisë. Ndërkaq, për sytë e karaktereve të ndryshme që bartin rrëfime e histori të bazuara në fakte, ajo thotë se secili nga ne gjithsesi do e gjej veten përmes tyre. Por, në momentin që mëshirohemi me biografinë, jetën e karakterit, në një mënyrë të patjetërsueshme, Rina thotë se ndahet edhe një pjesë e qenies tonë njerëzore me të, në mënyrë që edhe personazhi të ndjehet i kompletuar.

Si në secilin film, pas përfundimit të xhirimeve, janë ato emocionet e ndjenjat më të gjalla e të përafërta me aktorët që i bëjnë ata të ndihen të plotësuar. Rina na shpalos se pas jo vetëm këtij projekti por edhe secilit nga ta, ajo ndjehet medoemos e plotësuar por gjithashtu asaj i shfaqet edhe ndjenja për të punuar më shumë, për të evoluar, për tu përsosur, mësuar e rritur përmes profesionit. Pra, për të është gjithnjë konstante. Andaj, dhe puna mentale, intelektuale, fizike e shpirtërore e aktorëve, për të asnjëherë nuk mbaron, duke u paraqitur kështu kërkesa e nevoja të reja, që mundësojnë një balancë të shëndetshme me vetveten. Me një modesti të lartë, ajo thotë se puna fantastike në këtë projekt është rezultat i të gjithë pjesëtarëve të kastës së aktorëve që me të vërtetë i përkasin një niveli tejet të lartë.

Duke pasur parasysh se “Virgjëresha shqiptare-burrnesha”, përfshin shumë karaktere të ndryshme, Rina tutje na shpalos se respekti dhe dashuria e madhe mes të gjithë karaktereve të luajtura nga kasta e aktorëve, ka krijuar një harmoni të jashtëzakonshme e të bukur gjatë xhirimeve, gjë kjo të cilën e ka bërë punën e Rinës, akoma më të lehtë dhe jo shumë të lodhshme. Ndërkohë, për karakterin e Luanes me gjithë barrën, seriozitetin dhe rëndësinë enorme me të cilën duhet trajtuar, Rina tregon se është një karakter që nuk mund të peshohet se sa i lehtë apo i rëndë mund të jetë, njëlloj si nuk mund të peshohet as edhe ndonjë skenë, por për të nëse pasioni, ambicia dhe motivi për punë është prezent e përherë potent, atëherë gjithnjë puna që krijohet, do të rrjedhë me shumë lehtësi.

E për karakteristikat më të veçanta të burrneshave shqiptare si dhe për bartjen mbi supe të një termi të tillë në film, Rina shpalos se padyshim që në fakt për të ishte një ndër privilegjet më të mëdha në jetën e saj, për të përfaqësuar dhe bartur peshën e të qenurit një burrneshë nëpërmjet filmit. Ajo shfaqjen në mënyrën më të dinjitetshme e reale, sakrificën ndërshekullore të cilën ato gra e kanë bërë përgjatë etapave të ndryshme historike, i cilëson si aspak të lehta. Pamundësia e marrjes së vendimeve, vendosjes së drejtësisë apo ruajtja e trashëgimisë duke qenë një grua, cilësohen si disa nga arsyet se pse një grua, lejuar nga Kanuni, merr vendimin që të bëhet burrneshë. Prandaj, dhe është një ndër trajtat më dualistike në jetën e atyre grave, gjersa ato të detyruara sakrifikojnë veten e tyre që të fitojnë për herë të parë të drejtat e barabarta në rrethin familjar dhe shoqëror. Fortësinë e karakterit të tyre, ftohtësinë e pashoq, ruajtjen e normave morale e të cilësuara si “hyjnore”, Rina i konsideron si trajta që ato gra i kanë bërë përgjatë historisë e që në fakt asaj edhe i kanë lënë mbresa të paharrueshme.

“’Besa’ është një normë e virtyt moral, i cili qëndron konstant përgjatë gjithë historisë shqiptare. Mbrojtja e saj është pothuajse eternale në kontekstin e mbajtjes së një ndërgjegjeje të kristaltë. Luana është një vajzë e cila e bart poashtu dhe mbron me mish e shpirt këtë virtyt, i cili rrjedhimisht lidhet me premtimet e dhëna ndaj familjes dhe ruajtjes së nderit familjar. Është një faktor standard në jetën e saj, dhe vendimtar për veprimet të cilat ajo i ndërmerr”, thotë Krasniqi.

Sipas saj, ajo veten e ka gjetur në të gjitha parimet morale të integritetit personal apo mendësisë së karakterit të Luanes. Rebelizmi i saj, kërshëria për dije, dashuria për familjen, sakrifica për mbrojtjen e nderit personal dhe familjar, lufta për drejtësi e barazi, e shumë faktorë tjerë, janë parimet të cilat Rina i çmon dhe mbron vlerën e tyre. Por ka dhe shumë elemente tjera të cilat janë divergjente në raport me karakterin e Luanes dhe të Rinës, duke kujtuar se si çdo njeri, rrëfimi jetësor apo situata, përjetohet apo mendohet ndryshe nga secili njeri.

Meqenëse, filmi fitoi Çmimin Special të Jurisë si dhe Çmimin Ekumenik, Rina ndan me ne edhe emocionet që i dhuruan asaj këto dy çmime si dhe rëndësinë që ato mbajnë tek ajo.

“I gjithë ekipi i filmit jemi jashtëzakonisht të lumtur dhe krenarë për punën e madhe, të palodhshme e me plot pasion që kemi bërë për këtë projekt. Premiera e filmit në Varshavë është mirëpritur nga juria speciale dhe publiku i Polonisë në një mënyrë të pabesueshme, duke përqafuar e ndjerë kështu rrënjësisht idenë e historinë e Burr’neshave Shqiptare, por edhe historinë e gjithë kombit tonë në etapa të ndryshme kohore. Çmimi Special i Jurisë dhe Çmimi Ekumenikal, çmime këto ndër më të rëndësishmet të kategorisë kryesore në festivalin e Varshavës, determinojnë suksesin e parë të shënjuar për rrugëtimin e këtij projekti special, i cili sapo ka filluar. Është doemos një arritje e madhe të vlerësohemi në këtë nivel nga Juria prestigjioze e festivalit, dhe kjo na motivon edhe më shumë që jehona e historive tona të prek gjithë cepat e botës, në rrugëtimin përgjatë festivaleve dhe premierave tjera që do realizohen gjatë procesit të distribuimit të filmit”, thotë Krasniqi.

Për interpretimin e rolit të Luanes, Rina tregon se ka kaluar në një fazë të gjatë, të thellë dhe mjaft të rëndë kërkimi shpirtëror, mental e intelektual, nëpër amplituda të shumta emotive e madje edhe transformime fizike në mënyrë që të pasqyrohet dhe ti jepet mish e shpirt trajtës më të sinqertë e origjinale. Për këtë aspekt, Rina thotë se ndjehet e bekuar dhe tejet e nderuar për arsyes se historitë e sakrificave të grave shqiptare dhe roli hyjnor i tyre në shoqërinë tonë janë elemente faktike dhe determinuese për gjithë kombin, e që tanimë manifestohen në mënyrën më të mirë të mundshme nëpërmjet sukseseve të kinematografisë shqiptare, të cilat sipas Rinës, po jehojnë në mbarë botën.  

“Kam marrë shumë mësime dhe jam ngritur profesionalisht e personalisht përgjatë xhirimit të këtij projekti. Këshillat gjatë punës me Drejtorin e Fotografisë, Jörg Widmer, nga producentja, Anita Elsani si dhe regjisori Bujar Alimani, nuk do i harroj kurrë, sepse më kanë formësuar e përmbushur shumë. Mendoj që puna në projekte filmike jep hapësirë gjithnjë për mësime dhe implementim të risive e përsosjes në aktrim. Nga publiku kam marrë kritika tejet pozitive, gjë që më bënë të qëndroj gjithnjë e me shumë ndaj modestisë personale, dhe sa më larg egocentrizmit profesional. Jam tejet falënderuese nga e gjithë mbështetja e sinqertë që na është dhënë nga kolegët, publiku dhe profesionistët e industrisë”, shpalos Krasniqi.

Ajo tutje na tregon disa nga momentet më të veçanta që ka kaluar në xhirimet e filmit si dhe disa nga mësimet më të mira që i ka mësuar përgjatë këtij rrugëtimi.

“Një ndër momentet më të veçanta ka qenë gjatë procesit të mësimit të kalërimit, ku çdo ditë jam ballafaquar me sfida, e histori të magjishme si nga trajnerët, ashtu dhe nga eksperienca direkte me kuajt. Që nga vegjëlia e kam adhuruar kalërimin dhe kuajt, dhe me këtë projekt, mu realizua edhe kjo ëndërr. Me kolegët kemi kaluar një prej netëve më të bukura kur kemi xhiruar në liqenin e Shkodrës, në një ndër skenat më të vështira të filmit, sepse ishim gjithë natën deri në orët e para të mëngjesit brenda në ujë, por shakatë e mbështetja ndaj njëri-tjetrit ishin gjithnjë prezente, dhe kjo nate e ‘vështire’ u shndërrua ndër më të bukurat e gjithë xhirimit. Gjithashtu, momenti kur ‘Luana’ pret flokët e saj, do jetë një skenë dhe ditë të cilën nuk do e harroj asnjëherë. Shumë emocion, shumë dashuri dhe një respekt i jashtëzakonshëm nga ekipi”, tregon Krasniqi.

Në çdo projekt apo rol, përgjegjësia, rëndësia dhe serioziteti i trajtimit të tij, sipas saj, duhet të jetë i një niveli sublim. Rina thotë se bie në dashuri me çdo karakter të cilin ajo e portretizon, sepse të gjithë punohen me dashuri shume të pastër. Roli i ‘Luanes’ për Rinën, ishte ndër të preferuarit e saj për shkak të amplitudave eksperimentale në të cilat ka kaluar Rina përgjatë realizimit të tij, eksperiencave e momenteve të paharrueshme përgjatë muajve të xhirimit, duke u krijuar një ndër etapat më interesante në jetën e aktores.

Për Krasniqin, filmat nuk kanë të bëjnë me mesazhe, aq sa kanë të bëjnë me ndjesinë të cilën duhet t’i zgjohet audiencës. Karakteri i Luanes, cilësohet se është i hapur t’u jap enormitet ndjesish e perceptimesh publikut, ashtu siç ata i pranojnë apo ndjejnë. Por disa nga trajtat të cilat Rina mendon se duhet vënë në pah, janë pesha e gruas në shtyllën shoqërore, familjare dhe të vendit.

Fortësia legjitime, sublime, karakteriale dhe qenësore e këtyre grave si dhe sakrificat e heroizmi i tyre, nuk duhen të harrohen nga historia.”

Filmi “Virgjëresha shqiptare-burrnesha” erdhi edhe në Shqipëri më 15 tetor të vitit të kaluar. Se si e priti publiku shqiptar premierën e këtij filmi, e tregon dhe vetë Krasniqi.

“Premiera e filmit në Shqipëri u prit në mënyrë jashtëzakonisht fantastike nga publiku jonë. Shumë emocione, dashuri e krenari përgjatë portretizimit dhe rrëfimit të historive/temave të ndryshme që shtjellohen brenda filmit. Interesimi ishte aq i madh saqë nuk kishte hapësirë të mjaftueshme në kinema. I gjithë ekipi i filmit mezi presim qe shumë shpejt të bëjmë dhe premierën e filmit në Kosovë dhe kinematë rajonale”, shpalos Krasniqi.

Sipas saj, çdo aktor/e ka trajtat, talentin dhe tiparet që i veçojnë e i bëjnë autentik ndaj njëri-tjetrit, prandaj gjithnjë duhet përsosur puna me aftësitë dhe armët profesionale të talentit të cilat janë në dispozicion. Puna me kolegë, sipas saj, bënë që ashtu si çdo instrument që është i veçantë, në fund të krijohet një harmoni simfonike e cila manifestohet në finalizimin e projektit, qoftë ai filmik apo teatral.

“Aktrimi ashtu sikur dhe muzika që më ka përcjellë që nga mosha 4 vjeçare, janë pasionet e mia më të mëdha. Çdo sferë e artit është platformë e hapësirë ku qenia ime gjen prehje, dhe si e atillë më përmbush në çdo aspekt. Ëndrrat e çdo njeriu, kur konkretizohen me punë, ambicie dhe motiv të pandalshëm, në çdo ulje-ngritje jetësore, në fund arrijnë të realizohen. Është e domosdoshme që asnjëherë të mos e harrojmë vlerën tonë dhe asnjëherë të mos ndalemi përgjatë pengesave të cilat parashtrohen para nesh. Familja, lumturia dhe integriteti i principeve personale janë të vetmet parime e norma të cilat asnjëherë nuk do i sakrifikoja për asnjë gjë”, thotë Krasniqi.

Po ashtu, se çfarë e çoi Rinën në këtë rrugë të veçantë karriere që e nisi qysh në moshën katër vjeçare në fushën e muzikës, për të ndikuar kështu në zhvillimin e saj si artiste, e tregon vetë ajo që e cilëson investimin e nënës së saj në përsosjen e saj artistike dhe profesionale, si një ndër shtysat më të mëdha në jetën e saj.

“Kontaktet e mia fillestare me skenën dhe artet filluan në moshën katër vjeç si këngëtare për fëmijë, gjë që ndikoi në rritjen dhe zhvillimin tim si artiste për vitet në vijim duke marrë pjesë edhe në arte të tjera të bukura, të tilla si vallëzimi, piktura dhe shkrimi. Investimi i madh i nënës time në përsosjen time artistike dhe profesionale është ndër shtysat më të mëdha në jetën time, gjë që kë bërë që këto cilësi dhe talente të zhvillohen në mënyrë të shëndetshme, me plot pasion dhe motiv. Aktrimi vjen si rrjedhojë e përzgjedhjes së profesionit i cili përfshin të gjitha trajtat e lartcekura; këndimi, vallëzimi, shkrimi, sporti, luajtja në instrumente si dhe plot elemente fantastike të cilat mua personalisht më bëjnë të lumtur dhe të përmbushur”, thotë ajo.

Kinematografia e Kosovës së fundmi është njëra ndër degët artistike që po lulëzon më së shumti në Kosovë ku sukseset e fundit të filmave vendorë po arrijnë suksese të jashtëzakonshme nëpër botë duke u bërë një shtysë e madhe për rrugëtimin e kinematografisë kosovare. Ndërsa, Rina për këtë aspekt ndjehet mjaft e lumtur që ekziston një potencial artistik aq i lartë dhe krijues.

“Sukseset dhe rëndësia artistike e filmave si ‘Zgjoi’, ‘ Vera andrron Detin’, ‘Në kërkim të Venerës’, filmit tonë ‘ The Albanian Virgin’, por dhe shumë projekteve tjera të prodhuar ndër vite, dhe projekteve të së ardhmes, është vendimtar në hapjen e rrugës për zhvillimin kulturor të shtetit tonë në çdo nivel, cofte shoqëror, social, politik, ekonomik etj. Jam krenare dhe përplot motiv për të ardhmen e kinematografisë kosovare/shqiptare, për lulëzimin dhe meritokracinë e mirëfilltë të suksesit që talenti i artistëve tanë po korrë, e do lihet si trashëgimi për gjeneratat e ardhshme, ashtu që motivi dhe dashuria për artin e këtyre gjeneratave, të jetë gjithnjë e në ngritje, e jo e kundërta”, shpalos Krasniqi.

Krejt për fund, ajo tregon se përgjatë vitit 2022, pritet të bëhet premiera e filmit “Illyricvm”, që është një bashkëprodhim mes Kroacisë, Italisë, Sllovenisë, Bosnjës dhe Kosovës, e që po pritet me shumë ngazëllim nga ana e tyre. Përveç këtij projekti, Rina aktualisht po punon edhe në disa projekte të tjera të cilat do realizohen në Belgjikë, por për të cilat ajo nuk mund të flasë më shumë për shkak të rregullave të produksionit. Megjithatë, vitin 2022, ajo po e konsideron si një vit mjaft të frytshëm, gjë kjo që e bënë atë të ndjehet mjaft e lumtur për shkak se po hapen sërish rrugët e bashkëprodhimeve rajonale dhe ndërkombëtare në fushën e kinematografisë.

“Profesionalisht dua të vazhdoj të rritem dhe të evoluoj. Të punoj me njerëz të talentuar. Të arrij të frymëzoj njerëz rreth meje për të bërë gjëra të mira, produktive dhe inspiruese. Por mbi të gjitha të kemi shëndet, dashuri, humanizëm dhe bashkërisht të ndihmojmë në zhvillimin e vendit tonë përmes kulturës dhe artit, ambasadorëve më të mirë të vendit”, thotë Krasniqi e cila e përmbyll intervistën me shpalosjen e ëndrrave dhe sukseseve kryesore, të cilat ka dëshirë t’i realizoj. / KultPlus.com

срочный займ онлайн

‘Virgjëresha Shqiptare’ me premierë botërore në Varshavë, shpalos para botës fatin e gruas shqiptare

Xhemile Hysenaj

Gjithçka zë vend në Shqipërinë e vitit 1958, kur një vajzeje i duhet të sakrifikojë dashurinë e jetës së saj për të vënë drejësinë në vend. Bëhet fjalë për filmin ”The Albanian Virgin” (Virgjëresha Shqiptare) i realizuar nën regjinë e Bujar Alimanit, film ky që ka bërë bashkë aktorët nga Kosova e Shqipëria e që për herë të parë do të ketë premierën botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë.

Ndër traditat tonat shqiptare, ajo më e dhimbshmja lidhet me ”Burrneshat”, me këto gra që në një moment të caktuar për arsye të ndryshme, sakrifikuan jetën e tyre duke jetuar e vepruar si burra deri në fund të jetës. Kjo temë, edhe pse deri vonë e pranishme në trojet shqipfolëse, nuk e kemi hasur shpesh të trajtuar në kinematografinë shqiptare. Ishte skenaristja Katja Kitendorff dhe regjisori Bujar Alimani të cilët u bënë bashkë dhe realizuan filmin që trajton pikërisht këtë temë shumë të ndjeshme për popullin shqiptar. Në një intervistë për KultPlus, regjisori Alimani ka shpalosur më shumë detaje në lidhje me rrugëtimin dhe të ardhmen e këtij filmi kaq të përfolur.

Filmi zë vend në Shqipërinë e vitit 1958, ku një djalë dhe një vajzë rriten së bashku në të njëjtin fshat. Ata janë miqtë më të mirë. Luana është vajza e një njeriu shumë të respektuar, Agimi biri i tradhtarëve të cilët u ndaluan nga qyteti nga komunistët. Pavarësisht nga këto rrethana të pafavorshme, të dy ruajnë miqësinë e tyre për 10 vjet. Si një grua e re Luana përjeton gjithnjë e më shumë se të jesh grua është një mallkim dhe ndërmerr veprime të pazakonta, i jep fund situatës së saj si viktimë dhe fiton fuqinë për të vendosur vetë.

”Bëhet fjalë për besën por edhe mosbesën. Në këtë kontekst, karakteret janë të prekshëm sepse nuk idealizohen. Shqipëria ndërkohë është futur në periudhën komuniste dhe kontradiktat janë të mëdha. Konfliktet ftohen të zgjidhen me armë, por në fund mbizotëron arsyeja dhe humanizmi”, thekson regjisori Alimani për KultPlus.

Të trajtosh një temë të tillë siç janë ”Burrneshat”, në vetëvete ngërthen një sfidë e ndoshta edhe një frikë të madhe. Edhe për regjisorin Alimani ka qenë dyshues në fillim kur i është propozuar ky projekt. ”Nuk është një temë e lehtë, pastaj është trajtuar disa herë qoftë në fiksion, poashtu edhe në dokumentare. Skenari më ka pëlqyer. Në të përfshihen shumë karaktere dhe kishte pak erë edhe nga realizmi magjik. Çdo të thotë kjo?! -Ngjarjet herë zhyten në realitet e herë duket sikur nuk kanë lidhje me të. Ky gërshetim më ka pëlqyer shumë. Në film ka doza të forta lirike dhe kjo e bën filmin më të ngrohtë pavarësisht temës së ‘nxehtë” që trajton”, shprehet tutje Alimani për KultPlus.

”The Albanian Virgin” apo ”Virgjëresha Shqiptare” ka realizuar xhirimet në dy periudha, në verën e vitit 2019 si dhe në shkurt të vitit 2020. Ndërkaq, sa i përket përzgjedhjes së kastës së aktorëve në film, Alimani ka pohuar të jetë tejet i kënaqur me punën e tyre dhe se përzgjedhja nuk ka qenë e vështirë pasi veçse ka njohur punën e shumicës prej tyre. Ai poashtu ka potencuar se kasi i aktorëve që interpretojnë në film kanë dhënë më të mirën e mundshme në lojën e tyre skenike.

Në pyetjen se a ka pasur dyshime se si do të pritet nga audienca ky film që trajton këtë temë kaq të ndjeshme, Alimani ka thënë se në çdo gjë që bën, dyshimi nisë nga niveli 0, dhe sipas tij çdo gjë është e diskutueshme. Për të ka rëndësi që shikuesit ta vlerësojnë filmin, por më e rëndësishme se kaq, për regjisorin është komunikimi me audiencë ndërmjet filmit, pasi, siç është shprehur tutje ai, nëse filmi ka arritur të përcjellë emocion, mendon se kanë bërë një punë mjaft të mirë.

”Përpara çdo hapi të shtyrë nga çdo qëllim apo situatë, të vërë arsyen qoftë edhe duke e paguar shtrenjtë. Personazhi kryesor në film sakrifikon dashurinë e jetës së saj për një qëllim të lartë siç është drejtësia në vend. Por kur duhet ta thellojë akoma më shumë këtë, tërhiqet dhe vë në funksion arsyen”, shprehet Alimani për KultPlus.

Filmi, për të cilën tashmë dihet se premierën botërore do ta ketë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, do të vijë si premierë edhe në Tiranë pikërisht pas përfundimit të këtij festivali. Ndërsa, përsa i përket shfaqjes së filmit edhe në Kosovë, regjisori Alimani nuk ka dhënë ndonjë datë të saktë por ka treguar se nuk do të jetë e largët shfaqja e filmit edhe për publikun kosovar. Ku ndër të tjera, ka theksuar të jetë shumë mirënjohur ndaj Qendrës Kinematografike Kombëtare të Kosovës pasi është hera e tretë që kjo e fundit ka mbështetur projektet e regjisorit.

Regjisori Alimani, edhe pse karrierën e tij si regjisor e ka filluar në moshën 33 vjeçare, suksesi i tij në këtë fushë tashmë është dëshmuar, ai brenda dhjetë viteve ka realizuar katër filma të metrazhit të gjatë, filma këta që të gjithë patën premierat e tyre në festivale prestigjioze botërore.

Në filmin ”The Albanian Virgin” luajnë: Rina Krasniqi, Astrit Kabashi, Gresa Pallaska, Aurita Agushi, Fatlume Bunjaku, Alban Ukaj, Shkurte Sylejmani, Lum Veseli, Mimoza Azemi, Rebeka Qena, Blerta Surroi, Valmir Krasniqi, Viktor Zhusti, Nik Xhelilaj, Lulzim Zeqja, Igli Zarka, Jonida Vokshi,Gezim Rudi ,Erjon Hodo, Ersiljano Xhelollari etj. / KultPlus.com

Filmi ‘Virgjëresha shqiptare-burrnesha’ me premierë botërore në Festivalin e Filmit në Varshavë

Filmi ”The Albanian Virgin” nën regjinë e Bujar Alimanit do të ketë premierën botërore këtë vit në edicionin e 37-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, në kategorinë zyrtare të konkursit ndërkombëtar, përcjell KultPlus.

Lajmi u bë i ditur nga aktorja Rina Krasniqi, e cila në film mban rolin kryesor, atë të Luanës.

‘Nuk mund ta shprehë sa krenare jam që më në fund po e publikojmë para botës, një projekt kaq të përzemërt. Kaq shumë njerëz punëtorë për të falënderuar”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social Facebook.

Filmi zë vend në Shqipërinë e vitit 1958, ku një djalë dhe një vajzë rriten së bashku në të njëjtin fshat. Ata janë miqtë më të mirë. Luana është vajza e një njeriu shumë të respektuar, Agimi biri i tradhtarëve të cilët u ndaluan nga qyteti nga komunistët. Pavarësisht nga këto rrethana të pafavorshme, të dy ruajnë miqësinë e tyre për 10 vjet. Si një grua e re Luana përjeton gjithnjë e më shumë se të jesh grua është një mallkim dhe ndërmerr veprime të pazakonta, i jep fund situatës së saj si viktimë dhe fiton fuqinë për të vendosur vetë. / KultPlus.com