Papa Françesku mesazh për të rinjtë në 10 vjetorin e vizitës në Tiranë: Ju jeni e ardhmja e rajonit të Mesdheut

Një dekadë pas vizitës historike të Papa Françeskut në Tiranë, Ati i Shenjtë i është drejtuar rinisë shqiptare, me një mesazh që promovon paqen dhe shpresën.

Tek sa po mbahet për herë të parë në Shqipëri takimi MED24, një iniciativë e Papa Françeskut për të bashkuar të rinjtë e Mesdheut, gjatë konferencës me temë: “Dialogu ndërfetar mund të luajë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e paqes”, Imzot Arjan Dodaj, ka prezantuar para të rinjve nga i gjithë Mesdheu, një video-mesazh të Atit të Shenjtë drejtuar të rinjve shqiptarë.

Papa Françesku thekson rëndësinë e bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit ndërfetar, duke i bërë thirrje të rinjve shqiptarë të vazhdojnë të jenë një shembull i mirë për rajonin dhe botën. Ati i Shenjtë tha gjithashtu se, takimi MED24 është një mundësi për të ndërtuar ura të reja dialogu dhe për të promovuar paqen dhe drejtësinë në rajonin e Mesdheut.

“Të dashur miq, të dashur të rinj shqiptarë dhe të Mesdheut,  Është për mua gëzim të di që ju jeni mbledhur në Tiranë, pikërisht 10 vjet pas vizitës sime në vendin tuaj të dashur, në vitin 2014. Nuk mund ta harroj dhe kujtohem për atë udhëtim të paharrueshëm, ku kam mundur të takoj popullin tuaj, një popull me larmishmëri portretesh, por i bashkuar nga kuraja. Siç ju thoja atëherë të rinjve: – “Ju jeni breznia e re e Shqipërisë”, – shtoj sot të dashur të rinj të pesë brigjeve të Mesdheut: – “Ju, breznia e re, jeni e ardhmja e rajonit të Mesdheut”. Të gjithë jemi shtegtarë të shpresës, që ecim në kërkim të së vërtetës, duke e jetuar fenë tonë ndërsa ndërtojmë paqen – e Paqja duhet të ndërtohet!

Hyji i do të gjithë njerëzit dhe nuk bën dallime mes nesh. Vëllazëria midis pesë brigjeve të Mesdheut që ju po ndërtoni është përgjigjja, – është përgjigjja –, është përgjigjja më e mirë, që ne mund t’u ofrojmë konflikteve dhe indiferencave, që vrasin, sepse: Indiferenca vret!

Mësoni së bashku që të lexoni shenjat e kohës. Soditni ndryshimin e traditave tuaja si një pasuri, një pasuri të kërkuar nga Hyji. Uniteti nuk është uniformitet dhe diversiteti i identiteteve tona kulturore dhe fetare është një dhuratë e Hyjit.  Pra, Unitet në Diversitet! Lejoni të rriteni në vlerësimin reciprok, siç dëshmojnë të parët tuaj.

Vendosni në qendër zërat e atyre, që nuk dëgjohen. Po mendoj më të varfërit, që vuajnë të qenit të konsideruar si barrë, ose si trazim. Po mendoj ata, që ndonëse të rinj, shpeshherë duhet të braktisin vendin e tyre për një të ardhme më të mirë. Kini kujdes për secilin: pasi nuk flitet për numra, por për persona dhe çdo person është i shenjtë. Flitet për fytyra, dinjiteti i të cilave duhet të jetë i promovuar dhe i mbrojtur: T’i biem mohit kulturës së frikës për të hapur portën e mikpritjes dhe të miqësisë!

Si një liqen i madh i Tiberiadit, që i është besuar përkujdesjes suaj, banoni brigjet e këtij pellgu, që ju bashkon – Mesdheu ju bashkon! Ju bashkon si një lulishte e bukur për t’u kultivuar. Ruani shpirtin e shërbimit në çdo situatë, kini kujdes për çdo krijesë, që iu është besuar duarve tuaja!

Mësoni të dini të ecni në gjurmët e martirëve tuaj! Kuraja e tyre është dëshmi e gjallë, që mund të frymëzojë angazhimet tuaja për t’iu rezistuar të gjitha dhunave, që shpërfytyrojnë njerëzinë tonë, siç diti të bëjë, vetëm 22 vjeçe, e Lumja Marije Tuci.

Ju besoj te Maria, Nëna e Këshillit të Mirë, që gjithmonë hedh vështrimin e Saj me dashuri dhe dhimbje mbi ngjarjet e tokës suaj. Mësoni nga Zemra e Saj e Papërlyer që të jeni shtegtarë të palodhur të shpresës e të ndiqni shenjat e Hyjit që Mesdheu të rigjejë fytyrën e vet më të bukur: atë të Vëllazërisë dhe të Paqes dhe që të mos jetë më një varrezë.”/ Top Channel/ KultPlus.com

Kryetari Rama nga Gara e Robotikës: Fëmijët e rinia janë thesari më i çmueshëm që kemi

Komuna e Prishtinës ka organizuar dhe sponsorizuar Garën e Robotikës për Fëmijë.

Kjo është bërë me qëllimin e mbështetjes së talenteve të reja në teknologji e inxhinieri.

Kështu u shpreh i pari i Kryeqytetit, Përparim Rama, i cili theksoi se “Gara e Robotikës është një rrugë emocionuese për fëmijët për të mësuar në mënyrë kreative dhe argëtuese”.

Fëmijët, tha ai, “zhvillojnë aftësitë e tyre në programim, ndërtim, dhe bashkëpunim në mënyrë të vërtetë krijuese”.

Rama u shpreh i gëzuar që po kanë mundësi të ndihmojnë “të rriten gjeni të ardhshëm të inxhinierisë dhe teknologjisë”./Klankosova/KultPlus.com

‘Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote’

Kanga e rinisë nga Migjeni

Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand` të shpërthejë me vrull…
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.

Thueja kangës, rini, pash syt e tu…
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu
me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga
prej ndjenjash të shkumbzueme q`i turbullon kanga.

Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi
Kumbi i zanit të përplaset për qiellë
dhe të kthejë prap te na, se hyjt ta kanë zili

e na të duem fort si të duem një diell.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote. /KultPlus.com

Rini, thueja kangës ma të bukur që di!

Poezi nga Migjeni

Kanga e Rinisë

Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand’ të shpërthejë me vrull…
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.

Thueja kangës, rini, pash syt e tu…
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu
me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga
prej ndjenjash të shkumbzueme q’i turbullon kanga.

Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi
Kumbi i zanit të përplaset për qiellë
dhe të kthejë prap te na, se hyjt ta kanë zili
E na të duem fort si të duem një diell.

Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote./KultPlus.com

Platforma Rinore e Kosovës, mjeti dixhital inovativ për të rinjtë e vendit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë bashkojnë forcat për të fuqizuar të rinjtë përmes mjeteve digjitale

Në një ceremoni të mbajtur sot në Muzeun Kombëtar të Kosovës, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, i dorëzoi ministrit të Rinisë Hajrulla Çeku, Platformën Rinore të Kosovës, një mjet dixhital inovativ që u mundëson të rinjve të kenë qasje në mundësitë e arsimimit, punësimit dhe angazhimit qytetar.

Kjo platformë e cila është e para e këtij lloji në Kosovë është rezultat i një bashkëpunimi të frytshëm ndërmjet OSBE, MKRS-së dhe OJQ-së “LENS”.

Kosovoyouth.com, është platformë me informacione dhe shpallje mbi mundësitë e fundit për arsimim, punësim dhe angazhim qytetar për të rinjtë e Republikës së Kosovës. Kjo platformë është e paraparë në programin e Qeverisë dhe planin operacional të Ministrisë, dhe falë punës profesionale të OSBE-së dhe NGO Lensit është aktive qe një vit. Lansimi i saj u bë si pjesë e Muajit të Rinisë të organizuar nga Ministria vitin e kaluar, dhe pas një viti menaxhim, testim dhe avancim nga ana e OSBE-së dhe NGO Lensit, Ministria e Rinisë është e gatshme që ta pranojë platformën, t’i rris kapacitetet për menaxhimin e saj dhe ta inkuadrojë në punën ditore të Departamentit të Rinisë” tha ministri i kulturës, Hajrulla Çeku, duke falenderuar po ashtu OSBE-në dhe Ngo Lens për punën e deri tanishme.

Ndërsa ambasadori Michael Davenport, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë tha që kjo platformë do të ju lehtësoj qasjen në punë dhe arsim të rinjve të vendit.

“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se interneti dhe teknologjia kanë ndryshuar shumë mënyrën se si punëkërkuesit kërkojnë mundësi punësimi dhe se si punëdhënësit i identifikojnë punonjësit; ata tani i drejtohen platformave online me një ndalesë për të gjetur mundësi angazhimi. Platforma Kosovare Rinore lehtëson qasjen në mundësitë relevante arsimore dhe të lidhura me punën, duke e bërë atë një mjet të përsosur për rritjen individuale dhe profesionale të të rinjve” shtoi ai.

Platforma është në dispozicion në të gjitha gjuhët zyrtare dhe mund të jetë e qasshme këtu: https://kosovoyouth.com/ /KultPlus.com

Në çfarë moshe largohen fëmija nga shtëpia e prindërve në Gjermani e shtete tjera

Më shumë se 30% e gjermanëve të moshës 15 deri në 24 vjeç nuk jetonin më me prindërit ose kujdestarët e tyre në vitin 2021, sipas të dhënave të publikuara të hënën (01.08) nga Zyra Federale e Statistikave të Gjermanisë, Destatis.

Kjo është përqindja më e lartë në 10 vitet e fundit, edhe pse vetëm një rritje modeste në përqindje prej pak më pak se 4% gjatë dekadës. Një total prej rreth 8.3 milionë të rinjsh u përfshinë në të dhënat, të cilat u prezantuan si pjesë e nismës së BE-së “Viti Evropian i Rinisë”.

Gjetjet vijnë një javë pasi Destatis zbuloi, se përqindja e popullsisë gjermane të moshës 15 deri në 24 vjeç ka arritur përqindjen e saj më të ulët që nga fillimi i të dhënave aktuale në 1950.

Çfarë tregojnë këto shifra?

Në Gjermani, të rinjtë janë larguar nga shtëpia mesatarisht në moshën 23.6 vjeç në vitin 2021, pothuajse tre vjet më herët se mesatarja e BE-së, sipas autoritetit të statistikave të BE-së, Eurostat.

Të rinjtë suedezë largohen nga shtëpia më të rinj, mesatarisht 19 vjeç. Portugalia ka moshën mesatare më të lartë për t’u larguar nga shtëpia në BE, me 33.6 vjeç.

Në Gjermani, gratë e reja mesatarisht largohen nga shtëpia më herët se burrat, me 27.6% të grave në grupmoshën që ende jetojnë në shtëpi krahasuar me 35.1% të burrave.

Gratë e reja që largohen nga shtëpia prindërore mesatarisht më herët se të rinjtë dominuan në të 27-ta vendet e BE-së në vitin 2021, sipas Eurostat.

Më pak martesa, bashkëjetesa dhe bebe

Destatis tha gjithashtu se numri i 15-24-vjeçarëve që bashkëjetonin ose martoheshin në vitin 2021 ishte më i ulëti në 30 vjet. Shifra prej 136,000 të rinjsh të martuar plotëson një rënie të shpejtë gjatë tri dekadave të fundit.

Në vitin 1991, kishte rreth 990,000 të martuar në këtë grupmoshë. Në atë periudhë kohore, rreth 9.6% e njerëzve të moshës 15 deri në 24 vjeç ishin të martuar.

Numri i prindërve në grupmoshën 15 deri në 24 vjeç gjithashtu ka rënë me gati 40% në Gjermani që nga viti 2011. Në vitin 2021, vetëm 2.4% e grupmoshës u bënë prindër. Kjo nuk ka ndryshuar shumë nga viti 2011 kur 3.7% e grupmoshës ishin prindër./DW

‘E kuptova që po plakesha kur një këngë e adoleshencës sime doli në radio si këngë e vjetër’

Shpesh harrojmë se koha kalon aq shpejtë dhe kur kthehemi pas në kohë, shohim gjithçka me një nostalgji të madhe. BuzzFeed ka publikuar deklaratat e disa personave anonim që tregonin momentin se kur e kishin kuptuar se nuk ishin më edhe aq të rinj, përcjell KultPlus.

-“Kur një këngë e adoleshencës sime del në radio si “këngë e vjetër. O Zot!”

-“Bleva një kokë të re lecke dhe mezi prisja të shkoja në shtëpi për ta përdorur. Aty kuptova diçka.”

-“E ndjeva veten plakë kur kolegët e mi më të rinj morën gjithë kohën e botës për të më shpjeguar mua kush ishte Cardi B. Unë në fakt e dija kush ishte dhe e njihja muzikën e saj, por u duka sikur kisha nevojë për sqarim.”

-“Kur unë dhe shoqja ime po planifikonim të shkonim në një koncert dhe për herë të parë në jetën tonë pyetën veten: A duam vërtetë të shkojmë për të qëndruar në këmbë?”

-“Kur kam fjetur vetëm 4 orë dhe pastaj jam nisur për punë. M’u duk sikur do vdisja. 10 vite më parë i jepja makinës 5 orë pas pune të premten për të takuar të dashurin tim, festonim gjithë fundjavën dhe kthehesha të hënën për në punë. Ishte rraskapitëse, por s’e kisha problem. Tani një natë pa gjumë dhe çmendem. Jam e vjetër.”

-“Kur djemtë me motorra më fusnin frikën në vend që të më emociononin si dikur. Më vjen t’i them të bëjë kujdes me atë shpejtësi. Ku shkoi rebelja brenda meje?!”

-“Kur nuk shërohesha më aq shpejt sa dikur.”

-“Kur shkova në club dhe të gjithë më dukeshin fëmijë.” / KultPlus.com

Pesë milionë euro shtesë për kulturën, trashëgiminë kulturore, rininë dhe sportin

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së fundmi ka bërë të ditur se sot në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike u ndanë pesë milionë euro për kulturë, trashëgimi kulturore, rini dhe sport, në mënyrë që këto fusha të fuqizohen akoma më shumë, përcjellë KultPlus.

“Përmes thirrjes publike do të përkrahen projekte artistike të organizatave dhe individëve (artistëve), ndërsa pjesë e skemës së mbështetjes do të jenë edhe teatrot e qyteteve, muzetë e bibliotekat komunale”, ka shkruar MKRS-ja.

Tutje, ata bënë të ditur se në kuadër të mbështetjes për kulturën, me vendim të veçantë qeveritar është krijuar edhe mundësia për blerjen e veprave artistike të artistëve vendorë.

Po ashtu, është konsideruar se kjo do të jetë hera e parë që MKRS do të hapë thirrje publike për subvencionimin e aktiviteteve në fushën e sportit.

KultPlus ju sjell njoftimin e tyre të plotë:

Pesë milionë Euro shtesë për kulturën, trashëgiminë kulturore, rininë dhe sportin.
Sot në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike u ndanë pesë milionë Euro për kulturë, trashëgimi kulturore, rini dhe sport. Përmes kësaj mbështetje shtesë synojmë fuqizimin e këtyre fushave pas vështirësive që shkaktoi pandemia.
2.5 milionë Euro do të ndahen për kulturë dhe trashëgimi kulturore. Përmes thirrjes publike do të përkrahen projekte artistike të organizatave dhe individëve (artistëve), ndërsa pjesë e skemës së mbështetjes do të jenë edhe teatrot e qyteteve, muzetë e bibliotekat komunale. Në kuadër të mbështetjes për kulturën, me vendim të veçantë qeveritar është krijuar edhe mundësia për blerjen e veprave artistike të artistëve vendorë.
Për mbështetjen e organizatave që janë aktive në sektorin e rinisë do të ndahen 500 mijë Euro. Përmes thirrjes publike do të përkrahen projekte që promovojnë fuqizimin ekonomik të të rinjve, përfshirjen në tregun e punës, ndërmarrësinë, rrjetëzimin dhe pjesëmarrjen aktive.
Ndërsa dy milionë Euro nga kjo masë e mbështetjes do të ndahen për zhvillimin e sportit. Kjo do të jetë hera e parë që MKRS do të hapë thirrje publike për subvencionimin e aktiviteteve në fushën e sportit. Skema e mbështetjes për sportin synon të përkrahë organizata dhe individë që promovojnë konceptin e ‘sportit për të gjithë’, sportistët, klubet sportive dhe federatat.
Thirrjet publike do të hapen së shpejti, ndërsa ne do t’ju mbajmë rregullisht të informuar për të gjitha detajet për të përfituar nga kjo skemë e mbështetjes. / KultPlus.com

Rinia jonë vizionare apo ëndrrimtare!?

Batjar HALILI (psikolog)

Dy muaj para mbarimit të vitit shkollor po bisedoja me gjimnazistët në lidhje me studimet dhe me jetën e tyre, duke i pyetur se çfarë do të bënin pas mbarimit të gjimnazit. Shumë nga ata, mos të them në masën  90% nuk e kishin idenë se cila ishte dega e tyre e preferuar dhe cili do të ishte profesioni i tyre i ardhshëm. Pelqyshmëri dhe ëndrra për jetën kishin shumë, por forma dhe mjete në dispozicion për t’i shndërruar këto ëndrra në vizion nuk kishin. Përgjigjigja e tyre e vetme ishte: “…s’e di, të shohim…” Këtu më lindi ideja që të bëja një shkrim për mungesën e vizionit te të rinjtë dhe fantazitë e tyre që u ngelin brenda kokës, pa arritur që të zbatohen për t’u bërë realitet sepse u mungojnë mjetet e konkretizimit të këtyre ëndrrave për t’i shndërruar në vizone.

Dallimi në mes të një vizioni dhe një ëndrre, është se vizioni është caku i dëshiruar që duhet të arrihet në të ardhmen brenda vlerave të bazuara në kompetencat themelore që zotron një i ri,  kurse ëndrra është një imazh për të ardhmen, pa një lidhje me situatën aktuale (konkrete).Ne përdorim vazhdimisht vizionin në një kuptim pozitiv, duke vendosur shumë mbiemra pas tij.

Pra, çfarë është vizioni? Ka shumë përkufizime të vizionit, por ne thjesht e përcaktojmë atë si “Imazhi i së Ardhmes”.  Ne e përdorim vizionin për të pasur një pasqyrë të qartë për të ardhmen. Vizioni është ai ku ne e shohim veten në të ardhmen, kurse ëndrra është ajo ku duam të jemi. Nëse ne nuk e shohim veten atje ku planifikojmë në të ardhmen, edhe nëse nuk kemi mundësi të jemi atje, do të thotë që kemi mungesë sigurie personale dhe kjo na bën që jemi njeri me dyshime e pa vizion të qartë.

Pra, shumë të rinj nuk e sqarojnë vetveten nëse mendimet e tyre për të ardhmen, janë një ëndërr apo shprehje e një vizioni?

A ka të rinj që pyesin veten e tyre sot si në pyetjet që vijonë?

A do të jem i lumtur pesë vjet më vonë? 

Kur do të fillojë një mëngjes pranvere i mbarë për mua që unë të jem i plotësuar në shumë dimensione?

Në cilën shtëpi do të zgjohem?

Deri kur të kem arritur frutet e punës sime?

A duhet të kem një partner për sa kohë nuk kam ende pavarësi ekonomike?

Çfarë lloj pune duhet të bëj dhe a është puna e duhur për mua?

A do të ndihem i lumtur dhe i suksesshëm? 

Si kalon dita ime në shtëpinë time, me familjen, punën dhe të gjitha detajet e tjera?

Sa më specifikisht t’i përgjigjen të rinjtë këtyre pyetjeve, aq më shumë ka gjasa që t’i përjetonjnë ato. Sa më e madhe të jetë pasiguria në tryezën e tyre të pyetjeve që ia bëjnë vetes, aq më shumë do të kuptohet se ky qëndrim nuk është një vizion, por një ëndërr.

Ndonjëherë çfarë doni që të ndodhë pas pesë apo dhjetë vjetësh nuk do të varet nga ju. Meqenëse e ardhmja juaj do të varet nga variabla të ndryshëm jashtë jush, do të keni më shumë gjasa të jetoni një jetë të tërhequr nga të tjerët në klasën e viktimave të besimit.

Pyetjet e para me të cilat ballafaqohem në shumë nga diskutimet e mia me nxënësit dhe të rinjtë, në punën time të përditshme, kur flas për vizionin janë si vijojnë:

Si mund ta përcaktoj të ardhmen time në një vend me një pasiguri të tillë siç është Kosova?

A ia vlen që të studiosh dhe të sakrifikosh kur e di shumë mirë që punë nuk do të gjesh dot?

A do të më pengojnë krizat dhe kushtet ekonomike që të shkoj aty ku unë dua të jem në të ardhmen?

Këto pyetje janë në të vërtetë reflektimi i qasjes fatale (pesimiste), “në kuptimin që e ardhmja ime varet nga gjëra të tjera e jo nga unë.”

Të kesh një vizion do të thotë të kesh një pasqyrë të qartë për të ardhmen. Nga momenti që mendojmë për atë lloj të ardhmjeje që duam, selektiviteti fillon me perceptimin. Burimet e nevojshme për të arritur të ardhmen që ne dëshirojmë,  janë veprime të bëra me selektivitet që ne ndërmarrim me anë të perceptimit dhe që na udhëheqin drejt së ardhmes që duam dhe mendojmë.

Selektiviteti në perceptim,  do të thotë  që të pasurit e objektivave të qarta për të ardhmen, do të na japë mundësi për ta arritur atë të ardhme që duam. Nëse nuk kemi një vizion, mundësitë dhe burimet do të na kalojnë  para syve, por ne nuk do t’i vërejmë ato./KultPlus.com