Ministri Çeku për vdekjen  e autorit Adem Gashi: Do të kujtohet si një njeri i cili ka krijuar vepra të cilat janë shndërruar në himne

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka ngushëlluar familjen e shkrimtarit dhe poetit Adem Gashi, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook, Ministri Çeku ka thënë se ai do të kujtohet gjithmonë si një njeri i cili vazhdimisht ka krijuar vepra të cilat u shndërruan në himne këngësh dhe që me ëndje do të vazhdojnë të dëgjohen edhe në të ardhmen.

Më poshtë është postimi i plotë i Ministrit Çeku në facebook:

E nderuara familja Gashi,

Me pikëllim e pranova lajmin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit dhe poetit të shquar, Adem Gashi. Ikja e tij do të lërë mungesë në krijimtarinë letrare por veprimtaria e tij artistike e lënë si trashëgimi do të mbetet referencë për brezat e ardhshëm.

Shkrimtarin Adem Gashi do ta kujtojmë gjithmonë si një njeri modest, atdhedashës e punëtor të zellshëm, i cili vazhdimisht ka krijuar vepra të cilat edhe u shndërruan në himne këngësh që me ëndje i kemi dëgjuar dhe do t’i dëgjojmë edhe në të ardhmen.

Me ndarjen e tij nga jeta, jo vetëm letërsia shqipe, por e gjithë bota letrare ka humbur një prej figurave emblematike dhe frymëzuese.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik.

Hajrulla Çeku

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit/KultPlus.com

Ministri Çeku pret në takim ekipin kampion të futsallit në Kosovë, FC Prishtina 01

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku sot ka pritur në takim ekipin kampion aktual të futsallit në Kosovë, FC Prishtina 01, shkruan KultPlus.

Ministri Çeku, pjesëtarët e FC Prishtina 01, i ka përgëzuar për suksesin e fundit ndërkombëtar, ku është kualifikuar në mesin e 16 ekipeve më të mira të Ligës së Kampionëve.

“Ministri Çeku ka pritur sot në kabinet ekipin kampion aktual të futsallit në Kosovë FC Prishtina 01, të kryesuar nga kryetari i klubit Bledion Bryma.

Bashkë folën për sukseset e klubit dhe sportit të futsallit në Kosovë, për zhvillimet aktuale në sport, ndërsa Ministri i përgëzoi për suksesin e fundit ndërkombëtar.

FC Prishtina 01 është kualifikuar në mesin e 16 ekipeve më të mira të Ligës së Kampionëve, pas triumfit si e para në grupin kualifikues. Në fazën ‘Elite Round’, do të përballen me kampionët e Portugalisë, Benfica, Kairat Almaty të Kazakistanit dhe Doboveci i Sllovenisë.

Ata kanë fituar të drejtën e organizimit të ndeshjeve të këtij grupi në Prishtinë, dhe në vendin tonë prej 29 nëntor deri më 3 dhjetor do të zhvillohet një tjetër ngjarje e madhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

MKRS uron festën e Kurban Bajramit me disa fotografi nga Xhamia e Gërmovës në Viti

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka uruar festën e Kurban Bajramit me disa fotografi nga Xhamia e Gërmovës në Viti, shkruan KultPlus.

Postimi i plotë nga MKRS:

“Ju urojmë festën e Kurban Bajramit me disa fotografi nga Xhamia e Gërmovës në Viti, që u shpëtua nga degradimi i tërësishëm.

Ky aset me vlera të mëdha të trashëgimisë kulturore po u nënshtrohet ndërhyrjeve emergjente për të vazhduar me ato restauruese.

Gëzuar Kurban Bajramin, harmoni dhe shëndet në familjet tuaja!“, thuhet në njoftim. /KultPlus.com

MKRS organizon koncert për Ditën Ndërkombëtare të Rock n’ Roll

Me datën 13 korrik, në Ditën Ndërkombëtare të Rock n’Roll, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon koncert ku do të performojnë Florent Abrashi, Mitrovica Rock School dhe Nuclear Doom, shkruan KultPlus.

Koncerti do të mbahet në hapësirën e parkingut të vogël të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në Prishtinë, nga ora 19:00.

Ndër themeluesit e rrymës ishte dhe legjendari Elvis Presli (Presley), i cili u bë idhull i adoleshentëve dhe të rinjve.Stili i veshjes, manierat dhe lëvizjet e tij u bënë model imitimi.

Në fillim të viteve 1960, doli një stil i ri rokenrolli , pop-rock-u.

Dekada e fundit është konsideruar epoka e artë në zhvillimin e kulturës së rok-ut. /KultPlus.com

Adem Gashi laureat i Çmimit për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në një ceremoni solemne, ka bërë dhënien e Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe për Çmimet Vjetore për Letërsi, shkruan KultPlus.

Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” i ndahet Adem Gashit.

Gashi filloi fjalimin e tij ku në mënyrë sipërfaqësore falënderoi Ministrin Çeku për këtë çmim.

Fjalimin e tij ai e vazhdoi duke treguar për kohën kur ai punonte si një këshilltar në Ministrinë e Kulturës, për ta përfunduar në fund duke u shprehur i lumtur për çmimin e fituar. /KultPlus.com