Baba krejt i din

Rita Behadini

Jam rrit t’u mendu që baba din gjithçka
Se ashtu m’kanë msu
Që baba kurrë nuk i then premtimet
E as nuk jep premtime që s’mun i mban

Jam rrit t’u mendu që babës gjithçka i shkon për dore
Që për gjithçka
Ai e ka përgjigjen
Detyrat e matematikës e kimisë
Integrale, limite, matrica
Krejt i di

Baba jem krejt i di
Çka bojnë ata që s’kanë një babë si i jemi?

Baba veç me gatu s’di
Po edhe se kanë detyru kurrë
Se tanë ditën i ka pas durt n’rrezik
Edhe pse gjithmonë ka besu se
rrymën elektrike e ka mik

Baba jem krejt i di
Për besë
e ka ba një robot me lëvizë
e një derë të madhe e të hekurit me një klik
e hap
e mbyll

Baba jem ka qenë hero,
deri kur e ka thy t’parin premtim
E kjo ka ndodh kur jam rrit
dhe e kam kuptu që ai nuk ka fuqi mbinjerzore,
po është veç nji njeri

Baba jem krejt i din
Sa herë dikush ka msu çik e kujna jam
I kanë thurë lavde babës tim
“Je me fat” m’kanë thanë
“Që e ke babë”

Baba jem krejt i di,
kur e marrin vesh njerëzit emrin e tij
më thonë që normal që kam dalë si kam dalë
se e kam një babë të tillë.

Baba jem krejt i di,
edhe pse me kalimin e viteve
kam kuptu që e vërteta ndonjëherë ka bisht.

Baba jem ani se ka ditë me zgjidh integrale
S’e ka kuptu kurrë dashninë teme për poezinë
M’ka thanë gjithë që jam e prirun për sende ma t’mdhaja
Se ka kuptu që s’ka send ma t’madh se dashuria n’poezi
E që unë veç ashtu kam ditë me dasht
T’u i lanë letra e t’u ja sqaru që
Babë unë kështu jam

Baba jem krejt i din
Veç si mos me u lëndu prej fjalëve t’evladit t’vet
Këtë kurrë s’e ka msu
Se për besë e kemi lëndu
Atëherë kur e kemi pa që nuk asht mbinjeri
Jemi dëshpëru
E jemi largu, si fëmijë:
“Baba nuk po na kupton,
Na ma mirë se ai po dimë”

Po baba ka pas shumë durim,
ani se e kemi idhnu
e vujtjet tona vujtje të tij shumë shpesh janë ba.

Baba krejt i din,
Baba krejt m’i ka mësu,
Veç, që është vetëm njeri
Unë kurrë s’kam me besu.

Baba jem ka superfuqi
Se kur kam qenë e vogël
M’ka vërtetu që një hero
mbetet gjithmonë i tillë.

rita | çupja babit. / KultPlus.com

‘O nuk du bre t’bohem msuse’

Nga Rita Behadini

Për të luftuar për një kauzë duhet të ulesh dhe të lexosh, vetëm atëherë do mund t’ia shohësh problemit krejt anët, madje edhe të zbulosh se shumë prej perspektivave i ke pasur para syve por nuk i ke parë. E kur do lexosh do e kuptosh se “O nuk du bre t’bohem msuse” nuk është ofendim ndaj mësuesisë, po luftë ndaj patriarkatit që tenton pa ndalë ta bëjë gruan t’i përshtatet sistemit të krijuar prej burrave. Gratë nuk duhet t’i përshtaten sistemit, sistemi duhet t’u përshtatet grave. Kur do bëhen mësuese vajzat që vërtetë duan të bëhen, pa asnjë imponim, edhe sistemi i arsimit do shkëlqejë.

Të mos e gënjejmë veten, patriarkati ende udhëheq kryelartë në shumicën e familjeve në rajon. I njëjti patriarkat ka arritur t’i lë vajzat të pa shkolluara kohë më parë, se vajza ka qenë turp të dalë jashtë derës së shtëpisë e të di e kuptoj diçka ma tepër se sa burrat që e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë veten Zot. “Mos i mësoni djemtë tuaj të jenë Zoti, sepse nuk janë”, ka thënë Kaltrina Pacolli, e për besë ka shumë të drejtë, se ideja e tyre për pushtet ka lënë të vrara shumë gra, e të shtypura shumë të tjera.

Të parat që luftuan për edukimin e grave ishin vajzat që guxuan të jenë mësuese, andaj të jemi të qartë, pankarta që ngjalli aq shumë debat nuk është ofendim për mësuesinë, por është revoltë ndaj një patriarkati që imponon, ashtu si gjithmonë ka ditur ta bëjë.

Çmimin për gjithçka, e tregon vetë edhe historia, kanë ditur të ua mveshin grave. Kanë ditur ta konsiderojnë “morali i shtëpisë” e me këtë ja kanë prerë krahët në shumë gjëra tjera. “Mos, se marre”, ka vrarë shumë ëndrra vajzash. E ashtu si gjithmonë, patriarkati tash mendon se si t’ia përshtat gruas karrierën ashtu që prapë i njëjti mos me e humb “autoritetin”.

“Bonu msuse, orar i shkurtër, ke kohë për fëmijë e burrë, e tre muaj pushim verë”, është dëgju në çdo familje. Gratë thonë, duhet me pas kohë për t’i rritur fëmijët, e ky profesion bash ju shkon për shtat. Duan prapë ata të vendosin se çka është e mirë për gruan, që atyre mos me ua prish terezinë.

“O nuk du bre t’bohem msuse” është grusht ndaj po këtij patriarkati, është thirrje për gratë që t’i ndjekin ëndrrat e të bëhen çka ua do qefi. Andaj dhe “nuk u kuptua” dhe “u keqinterpretua” pankarta, sepse nuk ju konvenon.

Shtetet tjera e kanë kritikuar moti këtë dukuri, kanë ofruar pushim prindëror për të dy prindërit, kanë krijuar kopshte për fëmijët brenda kompanive që gratë që ushqejnë fëmijën me gji ta kenë afër fëmijën, kanë ofruar ditë pushim kur gruaja është me menstruacione, vetëm e vetëm që mos ketë pengesa në ngritjen e gruas në karrierë. Shteti, institucionet dhe kompanitë private duhet t’u përshtaten nevojave të grave sepse në një shoqëri të ndërtuar mbi nevojat e burrave, gratë vazhdojnë të jenë të shtypura. Nuk duhet gratë t’i përshtaten sistemit, sistemi duhet t’u përshtatet grave. / KultPlus.com

‘Prindërit shqiptarë janë egoistë, ju konvenon më tepër të jenë pastër para komshive se sa fëmija i tyre të ndjek ëndrrat’

Nga Rita Behadini

Kur isha më e vogël prindërit i porosisnin moshatarët e mi: “Mos u bëni si ajo, i fut hundët në çdo punë. Ngre zërin për krejt sendet, bën zhurmë. Me një lule nuk çel pranvera, do e marre veten në qafë se askush se merr”. Sot po të njëjtët prindër më dërgojnë ftesa për miqësi në facebook, m’i bëjnë love statuset edhe komentojnë “bravo”.

Veç atëherë kur unë reagoja e protestoja, ata nuk donin ta shihnin fëmijën e tyre të dale jashta normave shoqërore, se tjerët flasin. Ende nuk duan, veç suksesi kur është prej larg ju pëlqen, por ama s’janë të gatshëm për ta fut brenda derës shpisë rrezikun që vjen me të, prej të folurës së komshive normal. Besoj shumë se prindërit shqiptarë janë egoistë (më vjen keq). Ju konvenon më tepër të jenë pastër para komshive se sa fëmija i tyre të ndjek ëndrrat.

Ua presin krahët shumë herët. I detyrojnë t’u përshtaten rregullave shoqërore, vetëm që vetë ata “të jenë të lumtur”. Fëmijët tuaj nuk ua kanë borxh të bëhen kush ju mendoni se duhet të bëhen. Mjaft lindët fëmijë që të ketë kush të kujdeset për ju kur të plakeni, sepse edhe kjo është egoizëm. *ndjesë për jo modestinë* / KultPlus.com

Lahaj: Zot ruaje të madhërishmen tonë, ruaje nga burrecat që çojnë dorë në të, ruaje gruan

Ky vit ka qenë i bujshëm me raste mbi dhunën në familje.

Shumë gra ranë pre e burrave të tyre, e disa prej tyre edhe përfunduan me vdekje. Këto raste që ngjallin dhimbje e shqetësim, kanë bërë që shumë fytyra publike të reagojnë në mënyra të ndryshme.

Tenori i fashmëm, Rame Lahaj, ka reaguar përmes një statusi të shkruar në formë lutjeje, ku është lutur për gratë, motrat e nënat tona. Ku ndër të tjera i ka bashkangjitur edhe recitmin e poezisë së Kaltrina Pacollit, ‘Unë, kufoma e ardhshme’, të interpretuar nga Rita Behadini.

Zot ruaje, të shenjtën e të madhërishmën tonë,Zotin e tokës. Gruan! Zot ruaje nga hijenat dykëmbëshe, Zot ruaje nga burrecat që çojnë dorë n’të. Zot të lutem ruaje nënë e motrën tonë’, thuhet në postimin e tenorit. / KultPlus.com