Festivali Ndërkombëtar i Operas – Rame Lahaj, sjell mbrëmjen e parë muzikore të edicionit të 4-të, dedikuar muzikës shqipe. Mbrëmja “Nexmije Pagarusha”e cila për çdo vit zë vend të veçantë në programin e RLIOF, mbahet sonte në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, nga ora 20:30. Hyrja është e lirë për të gjithë ata që duan të shijojnë muzikën e mirfilltë shqipe, sjell në një format unik.
Në harmoni perfekte me temën “T’knoft zemra”, kjo mbrëmje e festivalit sjell në skenën e ngritur në qiellin e hapur të sheshit “Skënderbeu” artistët ndërkombëtarë: mezo-sopranon e njohur nga Egjipti, Farrah El Dibany e cila do të këndojë në gjuhën shqipe.
Kryevepra të muzikës shqipe gjatë kësaj mbrëmje do të interpretohen edhe nga sopranot Adelina Thaçi e Kaltrina Miftari si dhe baritoni Artur Vera.
Artistët në skenë do të shoqërohen nga Keli Bank nga Tirana, me anëtarë: Genti Shahini – pianist, Emiliano Dhimo- bateri, Roni.Gjura – double bass, Xhino Daja – trumpetë, Ilir Vorpsi, trombon dhe Brikel Guga – tenor saksofon.
RLIOF ju pret në zemër të kryeqytetit për një mbrëmje të paharruar me muzikë shqipe./ KultPlus.com
Ekspozita “Athua ëndërr ishe ti” e mbajtur në Galerinë e Fakultetit të Arteve mbrëmë hapi siparin e edicionit të katërt të festivalit Ramë Lahaj Intenational Opera Festival, i cili këtë radhë para publikut sjell të gërshetuar artin pamor me atë muzikor, shkruan KultPlus.
“Athua ëndërr ishe ti” është ekspozitë nga koleksioni i privat i biznismenit Rasim Mrlakut, e kuruar nga Arta Agani, që përmban vepra të artistëve të njohur si: Adem Kastrati, Engjëll Berisha, Hamdi Bardhi, Muslim Mulliqi, Nysret Salihamixhiqi, Rexhep Ferri, Simon Shiroka dhe Zake Prelvukaj.
Kjo ekspozitë që mbart në vete histori të trefishtë: atë të artistëve, të veprave artistike dhe të vetë koleksionuesit hulumton simbole të thella të gjuhës universale përmes së cilave artistët shpërfaqin ëndërrat, dashurinë dhe nostalgjinë.
Duke u nisur nga togfjalëshi i Festivalit RLIOF “T’knoftë zemra”, zemra në këtë ekspozitë paraqitet si simbol i emocioneve, veçmas të dashurisë, përmes së cilës zbulohen edhe simbole të tjera të koduara që në prapavijë të pikturave paraqesin, dëshirat, pasionet, ëndërrat dhe nostalgjinë e artistit.
Në ceremoninë hapëse të kësaj ekspozite mori pjesë Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i cili para të pranishmëve u shpreh tejet emocionues që përmes kësaj ekspozite po ndiente energjinë e artistëve të cilët nuk jetojnë më.
“Dua ta përgëzoj Ramë Lahajn që ka sjellë këtë koleksion fenomenal këtu. Faktikisht na ballafaqon me të kaluarën, me një spektër të mrekullueshëm të artistëve, të cilët i ka përmbledhur i nderuari Rasim Mrlaku. Sot e ndiejmë energjinë e artistëve, gjithë kjo energji e mrekullueshme që koleksionuesi i mirëfilltë i ka bërë bashkë, duke i prezantuar së bashku me të nderuarin Ramë Lahaj i cili tashmë sjellë talentë nga e gjithë bota në aspektin e muzikës, duke organizuar edhe një numër të madh të workshop-eve për të mirën e vendit tonë, të rinisë sonë, për t’i shtyrë brezat tonë përpara.”, ka thënë kryetari Rama.
Ndërsa kuratorja e ekspozitës Arta Agani u shpreh falënderuese që i është dhënë rasti për të prezantuar para publikut një ekspozitë të tillë me vepra madhore në kuadërt të festivalit RLIOF.
“Falënderoj Ramë Lahajn që më dha rastin të punoj me vepra kaq madhore, të cilat për ne që jemi të botës së artit, janë shumë, shumë të rëndësishme sepse i takojnë një gjenerate që na ka mësuar se çka është arti vizual. Po ashtu, e falënderoj në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës që i kanë dhënë rastin njerëzve dhe publikut të gjerë të përjetojë bashkëdyjëzimin e dy fushave të artit, dy fushave shumë të rëndësishme që janë arti pamor dhe arti muzikor. Falënderoj edhe Rasim Mrlakun që i ka mundësuar publikut kosovar edhe qytetarëve një rrugë të re, një shteg të ri, siç është ai i tregut të artit, i cili tek ne është shumë i paktë apo in ekzistent” ka thënë kuratorja.
Kuratorja Agani më tej tha se ndihet e përulur para këtyre veprave sipas saj historike, pasi shënojnë kohën në të cilën janë krijuar, kohë e cila paraqet lulzimin e artit bashkëkohor.
“Shumë lehtë më kanë dalë para meje pikërisht këto vepra të cilat janë në një formë ose tjetrën simbole të ndryshme të cilat varirojnë, prej simboleve më të fshehta që janë ta maskuara prapa maskave të ndryshme, kafshëve të ndryshme, fasadave e deri te ato që janë shumë evidente. Por besoj që narrativa që është ndërtuar është e qartë edhe e thjeshtë sepse kushdo që e sheh këtë ekspozitë do t’i shoh edhe emocionet”, ka thënë më tej Arta Agani.
Ndërsa vetë koleksionuesi, Rasim Mrlaku i falënderoi të gjithë të pranishmit duke i ftuar që të shijojnë ekspozitën duke e përjetuar secili në mënyrën e tij.
“Piktura është një gjë të cilën vetëm e konsumon dhe ndien, pra nuk mund ta përshkruash me fjalë kështu që ju ftoj të gjithëve t’i shihni pikturat dhe t’i shijoni ato. Falënderoj Ramë Lahajn që na mblodhi këtu të gjithëve përmes hapjes së kësaj ekspozite. Faleminderit të gjithëve”, ka thënë Mrlaku.
Ndërsa tenori i famshëm shqiptar, Ramë Lahaj, ftoi edhe institucionet që të marrin shembull nga mirësia e qytetarëve të vendit të cilët ndër vite kanë kontribuar për krijimin e kushteve për mbajtjen e festivalit.
“Faleminderit të gjithë atyre që kanë kontribuar për të na ndihmuar, sepse siç dihet na mungon infrastruktura në çdo aspekt. Për këtë ekspozitë në Galeri është ndërhyrë disa herë. Gjithë ky proces bëhet veç me dashurinë e shumë njerëzve që na rrethojnë duke filluar prej komunës, dhe mbështetjes institucionale. Duke e ditur që mungon infrastruktura, ajo çka unë e çmoj jashtëzakonisht shumë janë resurset humane. Janë një pjesë e madhe e qytetarëve të Prishtinës kudo që na shohin, e na ndihmojnë. Për festivalin kanë ofruar edhe parkingje pa pagesë. Mirësia e këtij populli është fantastike. Shpresoj shumë që këtë lloj mirësie ka mbërri ta kuptojë edhe politika për të ndihmuar me një infrastrukturë që na nderon dhe na përfaqëson ashtu siç duhet” ka thënë tenori Lahaj.
Ndërsa artistja Zake Prelvukaj në një prononcim për KultPlus tha se ndihet e nderuar që veprat e saj në këtë ekspozitë u sollën përkrah piktorëve me veprat e të cilëve ajo është rritur.
“Sot është vërtetë një ekspozitë e veçantë e një koleksionuesi. Pa dyshim që është një gjë e mrekullueshme. Vepra që flasin shumë, sepse i mirë edhe është gjetur titulli “Athua ëndërr ishe ti”. Është lidh me ëndërr, sikur të ishte ëndërr. Edhe ne do të shndërrohemi dikur në ëndrra, mirëpo ëndërra të gjalla që i shohim. Unë mendoj që jam shumë e privilegjuar sonte sepse këtu janë veprat e profesorëve, të cilët si fëmijë i mitur i kam parë në shtëpinë tonë gjithmonë. Unë jam rritur me këta piktorë e tash unë jam pjesëmarrëse bashkë me ta (sot vetëm unë jam gjallë prej tyre). Unë jam shumë më e re se ata, faktikisht jam një fëmijë i tyre”, ka thënë artistja Prelvukaj.
Ekspozita për publikun do të qëndoj e hapur nga 22 Korriku deri më 31 Korrik, prej orës 12:00- 19:00, në Galerinë e Fakultetit të Arteve./ KultPlus.com
Rame Lahaj, Charles Castronovo e MUrat Karahan do të jenë pjesë e mbrëmjes gala në kuadër të RLIOF që do të mbahet më 2 gusht në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Për këtë prurje artistike është bërë e ditur nga vet organizatorët, ku njoftimi i plotë është i abashkangjitur më poshtë.
A jeni gati për ‘TRE TENORËT’?
Vetëm edhe pak ditë na ndajnë nga mbrëmja magjike e artit operistik në kryeqytet
Tre emra të skenave prestigjioze, Rame Lahaj, Charles Castronovo e Murat Karahan bëhen bashkë për të na dhuruar një natë plot emocion nën moton ‘T’knoft zemra’.
Nën dirigjimin e Sasacha Goetzel, shoqëruar nga Orkestra e Operas së Kosovës.
Ramë Lahaj International Opera Festival (RLIOF) përmes një njoftimi ka bërë të ditur se protagonistë të mbrëmjes muzikore ‘Opera Night’ do të jenë çifti italian, tenori Riccardo Della Sciucca dhe soprano Sara Rossini, të cilët do të interpretojnë para publikut në skenën e amfiteatrit të Bibliotekës Universitare.
Sipas njoftimit të festivalit, Riccardo Della Sciucca u bë i njohur pasi mori çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar të Operas “Adriana Maliponte” dhe “Angelo Loforese” në Milano. Pastaj zhvilloi talentin në ‘Accademia di Perfezionamento per Cantanti Lirici’ në teatrin ‘La Scala’ ku debutoi në rolin e Nadir në ‘Ali Baba and Forty Thieves’. Në vitin 2020, debutoi në ‘Teatro del Maggio Musicale Fiorentino’ në rolin e Cassios në shfaqjen operistike të Verdit ‘Otello’ nën dirigjimin e maestro Zubin Mehta, shfaqje e cila u transmetua drejtpërdrejt në RAI5.
Riccardo ka interpretuar në skena të shumta ndërkombëtare, duke portretizuar Rodolfon në operan ‘La Bohème’ të Puccinit në Qendrën për Arte Performuese ‘Hyogo’ në Japoni si dhe rolin e Arturos në shfaqjen operistike ‘Lucia di Lammermoor’ të Donizettit, në Festivalin e Salzburgut më 2022.
Ndërsa, Sara Rossini ka diplomuar në ‘Conservatorio G. Verdi’ në Milano, duke u zhvilluar pastaj në akademinë e ‘Teatro alla Scala’. Karriera e saj përfshin çmime në konkurse prestigjioze si Konkursi Ndërkombëtar i Operas ‘Umberto Giordano’, Konkursi Ndërkombëtar ‘Spiros Argiris’ dhe në Konkursi AsLiCo. Ka debutuar në role të rëndësishme në shtëpi operistike në gjithë Evropën dhe përtej, duke përfshirë Mimi në ‘La Bohème’, Lauretta në ‘Gianni Schicchi’ dhe Sophie në ‘Werther’.
Krahas arritjeve operistike, Sara Rossini dallohet edhe si soliste në vepra simfonike dhe koncerte vokale. Si soliste ka interpretuar në vepra si “Petite Messe Solennelle” e G. Rossinit në ‘Teatro alla Scala’etj.
Mbrëmja muzikore ‘Opera Night’ do të mbahet më 24 korrik, në ora 20:00, në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com
Në kuadër të edicionit të katërt të RLIOF do të hapet edhe një ekspozitë me kuratore Arta Aganin, ekspozitë që do të përfshijë kryevpera të artistëve të njohur shqiptarë, si: Adem Kastrati, Engjëll Berisha, Hamdi Bardhi, Muslim Mulliqi, Rexhep Ferri, Simon Shiroka dhe Zake Prelvukaj, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë do të hapet më 22 korrrik dhe do të rri e hapur deri më 31 korrik.
Më poshtë është njoftimi i plotë i RLIOF.
Ekspozitë në RLIOF 4: A Thua Ëndërr Ishe Ti
Bashkohuni me ne në ekspozitën e veçantë ‘A thua ëndërr ishe ti’ që shënon fillimin e rrugëtimit të edicionit të 4-të të Festivalit Ndërkombëtar të Operas – Rame Lahaj.
Kuruar nga Arta Agani, ekspozita shpërfaq kryevepra të koleksionit privat të biznesmenit Rasim Mrlakut, përfshirë ato të artistëve të njohur si Adem Kastrati, Engjëll Berisha, Hamdi Bardhi, Muslim Mulliqi, Rexhep Ferri, Simon Shiroka dhe Zake Prelvukaj.
Ekspozita hulumton simbolet e thella dhe shpesh të fshehura që artistët përdorin për të përfaqësuar ëndrrat, dashurinë dhe nostalgjinë. Duke eksploruar këto tema përmes pikturës, ‘A thua ëndërr ishe ti’ synon të zbulojë gjuhën universale të simboleve që flet për thellësitë e përvojës njerëzore. Pikturat e koleksionit të z. Mrlakut përfshijnë një gamë të gjerë temash dhe shprehjesh; megjithatë disa prej tyre në veçanti lidhen për nga poetika që përmbajnë e që korrespondon me festivalin dhe temën e sivjetme ‘T’knoft zemra’.
Hapja për publikun nga 22 Korriku deri më 31 Korrik
Trashëgimia e Nexhmije Pagarushës është e pashmangshme për të ardhmen e muzikës në vendin tonë. Andaj, ajo nuk kishte si të mungonte edhe mbrëmë në një nga ngjarjet më të mahnitshme të muzikës në vendin tonë, në Rame Lahaj International Opera Festival që mbrëmë edhe përmbylli edicionin e 3-të, shkruan KultPlus.
Magjia e këngëve të Nexhmije Pagarushës, erdhi fuqishëm nga pesë artistë shqiptarë. Melodi që të prekin shpirtin, këngë që të kthenin pas në kohë e interpretime që të linin pa frymë, bashkë me një prezencë madhore të publikut që kishin ardhur për të treguar respektin e tyre ndaj trashëgimisë muzikore të saj, u bënë ajka e kësaj mbrëmje.
Hapjen e festivalit e bëri Keli Band, (Brikel Guga – Saxophone, Emillian Dhimo – Drums, Roni Gjura – Doub/bass dhe Genti Shahini – Keyboard), një grup muzikor i talentuar që përfshinte muzikantë profesionistë që bashkuan forcën e tyre për të krijuar një përvojë unike muzikore. Ata sollën në mënyrë të mahnitshme këngën ‘Baresha’, të të madhes, Nexhmije Pagarusha. Ende pa kaluar tek këngët e tjera, ishin tingujt e kësaj kënge që çuan në këmbë publikun duke transmetuar emocione të forta tek ta.
Në vazhdim, këngët e Pagarushës, të cilat janë një pjesë e çmuar e kulturës muzikore shqiptare, u paraqitën në një formë të paparë deri më tani. Interpretimi i tyre i ri, i frymëzuar nga tingujt e ‘blues’ dhe ‘jazz’, sollën një dimension të ri emocional në këto vepra të njohura. Zëri i bukur dhe i fuqishëm i artistëve solistë i bëri këto këngë të rrëfejnë përsëri historinë e tyre me një pasion të jashtëzakonshëm.
Kaltrina Miftari, Adhurim Grezda, Ardiana Bytyqi, Gerald Murrja dhe Besarta Murtezani, ishin pesë artistët që na rikthyen edhe njëherë ikonën e muzikës shqiptare, me zërin e tyre të magjishëm.
Me ‘Një lule’ të Pagarushës, të kënduar me plot pasion nga Kaltrina Miftari, u nis mbrëmja e kësaj nate. Miftari, këndoi edhe një këngë tjetër menjëherë pas të parës, të titulluar ‘Sytë për ty i kam të njomë’. Këngëtare e re, por që me zërin e saj unik na ktheu pas në të kaluarën, tek muzika e ‘vërtetë’ që koha e sotme rrallëherë e ka.
Pas Miftarit, skenës i’u bashkua edhe Ardiana Bytyqi, që me zërin e saj bëri për vete gjithë pjesëmarrësit, sa që edhe duartrokitjet zor i mbanin për fund, por me ngulm përcollën gjithë interpretimin e saj.
Bytyqi, këndoi dy këngë të njëpasnjëshme, duke e nisur me ‘Hopa nina na’ e duke e përfunduar me “Gitarja”.
Veçantia iu dha kësaj nate edhe me hyrjen e tenorit, Gerald Murrja në skenë, i cili këndoi fuqishëm këngën “Mërgimtari”. Kjo këngë preku telat e zemrës së publikut, e sidomos shqiptarëve nga diaspora, të cilët e mbindjejnë më së miri atë.
Amfiteatri i Bibliotekës Universitare i tejmbushur me prezencën e njerëzve, bëri q ëshumë nga ta të qëndronin në këmbë. Përkundër koncertit dy orësh, publiku nuk u lodh as me qëndrimin në këmbë, përkundrazi po e shijonte koncertin në maksimum.
Në fund, skenës iu bashkuan edhe sopranoja, Besarta Murtezani dhe baritoni, Adhurim Grezda.
‘Kur më shkon si zog n’hava’ dhe ‘Pse më tradhton’, kënduar nga Besarta Murtezani dhe kënga ‘I dehur jam’, interpretuar fuqishëm nga Adhurim Grezda, e emocionuan edhe më fort publikun.
Krejt për fund, të gjithë artistët bashkë, zunë vend në skenë për të sjell një kolazh këngësh.
‘Kur një ditë të kthehesh ti’, ‘Hajde dalim nga pazari’, ‘Mora testin’, ‘O moj bukuroshe’, ‘Perëndeshë e bukur je’, ‘Çil njat’ zemër plot kujtime’ dhe ‘Prishtinë e dashur’, ishin të shtatë këngët e kënduara bashkërisht nga të pesë muzikantët që mahnitshëm shënuan edhe mbylljen e edicionit të tretë të Festivalit ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’.
Pas përfundimit të festivalit, me emocionet më të forta, për KultPlus foli tenori Gerald Murrja, i cili u shpreh mjaftë i lumtur për pjesëmarrjen e tij në një ngjarje të tillë.
Është një nder dhe krenari e madhe që kemi pasur një artiste kaç të madhe si Nexhmije Pagarusha. Fati jonë i madh është që Ramë Lahaj na ka mbledhë të gjithëve bashkë, si nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia ashtu edhe artistët ndërkombëtarë’, u shpreh Murrja i cili tutje tha që është një ndjesi fantastike kur shihet se si emri i Kosovës ngrihet sa më lartë nëpër botë.
Nata e mbrëmshme nuk ishte hera e parë e Gerald Murrjës në festivalin ‘RLIOF’ andaj kjo pritje kaç e madhe e publikut për të nuk ishte befasi, por ishte diçka e shijuar edhe më parë.
“Unë kam qenë edhe vitin e kaluar si pjesë e Masterclassit, por edhe në natën kushtuar Nexhmije Pagarushës. E di që në Kosovë të gjithë e kanë idhull Nexhmije Pagarushën, kështu që e prisja këtë atmosferë, madje prisja edhe më shumë, që të rrinin njerëzit edhe nëpër ambientet e jashtme”, përfundoi Murrja.
Pas Murrjës, për KultPlus foli edhe baritoni, Adhurim Grezda, i cili njëjtë si Murrja, kishte qenë edhe më herët i pranishëm në festivalin e Ramë Lahajt, dhe se edhe për të ishte e pritshme një atmosferë e tillë.
“Gjithmonë është kënaqësi pjesëmarrja në një festival të tillë, në këtë rast, në një mbrëmje të veçantë për mbretëreshën e këngës shqipe, tashmë të ndjerë, Nexhmije Pagarushës. Për mua nuk është hera e parë që prezantohem në këtë festival, pasi që prej edicionit të parë kam qenë pjesë e tij”, u shpreh Grezda.
Ky koncert, me interpretimin unik të këngëve të Nexhmije Pagarushës, tregoi se muzika ka fuqi të paimagjinueshme për të lidhur brezat dhe kufijtë kulturorë, duke shënuar një frymë të re dhe inovative në skenën muzikore shqiptare.
Edicioni i 3-të i Rame Lahaj International Opera Festival i cili nisi më datë 21 korrik, do të mbetet në kujtesën e të gjithë atyre që ishin pjesë e tij. / KultPlus.com
Rame Lahaj International Opera Festival sonte sjell mbrëmjen e pestë muzikore të titulluar ‘Nexhmije Pagarusha’, përcjell KultPlus.
Këngët e Nexhmije Pagarushës do të vijnë në përpunim tejet të veçantë dhe origjinal, për të zgjuar tek secili prej jush përjetime e momente unike siç vetëm muzika e saj dinte t’i zgjonte.
Artistët që do të interpretojnë në këtë mbrëmje janë: Kaltrina Miftari, Adhurim Grezda, Ardiana Bytyqi, Gerald Murrja, Besarta Murtezani, drejtuar e shoqëruar nga Keli Band.
Koncerti ‘Nexhmije Pagarusha’ mbahet sonte, e Hënë, 31 Korrik, nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare (objekti në afërsi të Institutit Albanologjik). / KultPlus.com
Zëri i talentëve të rinj, të përzgjedhur nga vetë legjenda e muzikës operistike, Maestro Francisco Araiza, jehoi në mbrëmjen e katërt të Festivalit Rame Lahaj International Opera Festival, është bërë e ditur nga RLIOF.
“Në koncertin e së shtunës mbrëma, publiku shijoi rrugëtimin muzikor që rezultoi nga Masterklasa me Maestro Araizën, i cili ka qëndruar në kryeqytet që nga fillimi i edicionit të 3-të të festivalit operistik, për të ndarë eksperiencën e tij me zërat e së ardhmes.
RLIOF e ka një prej qëllimeve kryesore promovimin e gjeneratës së re dhe ndërlidhjen e tyre me botën. Mbrëmja ‘New Generation’ u dha rastin solistëve nga vende të ndryshme të botës, si Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Ukraina etj, që t’i bashkohen misionit tonë.
Koncerti ‘New Generation’ u përmbyll me ndarjen e certifikatave të Masterklases me Maestro Araizën, por udhëtimi i këtyre talentëve nuk mbaron në Prishtinë. Mbështetja e RLIOF për zërat e ‘Gjeneratës së re’ vazhdon edhe pas përfundimit të festivalit”, thuhet në njoftimin e RLIOF!/ KultPlus.com
Koncerti ‘New Generation’ mbahet sonte, e Shtunë, 29 Korrik, nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare (objekti në afërsi të Institutit Albanologjik), shkruan KultPlus.
Tash një javë, studentët fatlumë të festivalit RLIOF kanë përvetësuar mjeshtërinë profesionale të mikut tonë Maestro Francisco Araiza. Mjeshtri ynë i vokalit i ka dhënë formë mbrëmjes së sontme me talentët e gjeneratës së re, të cilët do të performojnë pasi kanë përcjellë klasat e Maestro Araiza, thuhet në njoftimin e RLIOF, shkruan KultPlus.
Muzikantët e mbrëmjes ‘New Generation’ janë përzgjedhur nga vetë Maestro Araiza, një profesionist i fushës dhe një artist me vokal të jashtëzakonshëm. Ne e falenderojmë shumë për angazhimin e tij të palodhur e të vazhdueshëm që nata e sotme ta emocionojë publikun me një repertor të mrekullueshëm./ KultPlus.com
Nata e tretë e ‘RLIOF’ solli pranë vetes tre artistë të huaj, që me veçantinë e tyre artistike i dhanë magji këtij koncerti, shkruan KultPlus.
Me një profesionalizëm të pashoq, treshja e huaj e përbërë nga Leonor Bonilla, Mert Sungu dhe Simon Mechlinski, bashkë me shqiptaren Ardita Bufaj, bënë të mundur realizimin e një performance të jashtëzakonshme përpara publikut kosovarë.
Talenti, puna, përkushtimi, praktika e dhënia e shpirtit në skenë quan performancën e këtyre artistëve deri tek e ‘përsosura’ që rrallëherë gjendet mes nesh.
Kjo mbrëmje muzikore u nis me zërin e mrekullueshëm të Simon Mechlinski, interpretimi i të cilit dridhi sallën e dha emocionet më të forta në publik.
‘Ah per sempre…’, e Mechlinski-t, ngjalli një përjetim të thellë tek secili pjesëmarrës, duke u dhënë atyre, entuziazmin më të madh për të dëgjuar vëmendshëm edhe interpretimet e tjera pasuese.
Pas duartrokitjeve të forta e brohorimave të pandalshme të publikut, skenës i’u bashkua edhe sopranoja, Leonor Bonilla, një vajzë shumë pozitive që me buzëqeshjen e saj ngjitëse, bëri për vete gjithë pjesëmarrësit, ende pa e filluar mirë shfaqjen.
Përshtypjet e mira të publikut nuk i hodhi poshtë por i lartësoi edhe më shumë me performancën unike të këngës së saj ‘Una voce poco fa’.
Veçantia e shfaqjes nuk përfundoi këtu, pasi ajo erdhi lehtas edhe me bashkëpunimin mes dy muzikantëve, Bonillas dhe Mechlinski, me këngën ‘Pronta io son’. Me veçoritë e stilin unik të të dyve bashkë, u forcua edhe më shumë e i dha drita kësaj nate muzikore.
Pas përfundimit të interpretimit të këngës së përbashkët nga të dy artistët paraprak, skenës së Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, i’u bashkua edhe Mert Sungu. Tenori, Mert Sungu erdhi nga Turqia vetëm për të realizuar këtë interpretim, e që rezultoi të jetë mjaft magjepsës.
Kënga e parë e Sungut, nga të pestat në total, ishte ‘La donna e mobile’, i cili me të parën paraqitje, ndezi flakë publikun në sallë.
Duartrokitjet i stoponte vetëm interpretimi i këtyre artistëve, pasi diçka tjetër nuk i ndalonte dot.
Surpriza më e madhe e kësaj nate solli edhe përmbylljen e koncertit, kur përpara publikut doli edhe njëherë baritoni, Simon Mechlinski, duke kënduar një këngë shqipe.
Kënga ‘Dashnor tu bana’ preku në telat e zemrës audiencën kosovare, duke bërë ata të brohorasin pandalshëm e të duartrokasin furishëm.
Koncerti ishte unik që në fillesë e gjer në mbarim. Secili nga këta muzikantë performuan në skenë me nga pesë këngë.
Leonor Bonilla përpos këngës ‘Una voce poco fa’, këndoi edhe katër këngë të tjera, ‘O luce di quest’anima’, ‘Je veux vivre’ Romeo et Juliette’. Ndërkaq, këngët ‘Pronta io son’ dhe ‘Tornami a dir che m’ami’, i pati në bashkëpunim me Sungun dhe Mechlinskin.
Përpos bashkëpunimeve me njëri-tjetrin, tenori, Mert Sungu këndoi edhe këngët, ‘E serbato questo acciaro’, ‘Me llaman la primorosa’ dhe ‘Non t’amo pio’.
Ndërsa, Mechlinski përformoi me këngët, ‘Votre Toast’, ‘Alla,Alla’ dhe ‘Dashnor tu bana’.
Pas përmbylljes së koncertit, sopranoja me origjinë meksikane, Lonor Bonilla u shpreh e lumtur për pjesëmarrjen në një koncert të tillë dhe se kjo shfaqje për të ka qenë shumë e veçantë, pasi që me këtë shfaqje edhe shkeli për herë të parë në Kosovë.
“Ndihem pafund e lumtur qe jam këtu edhe pse është hera e parë që ndodhem në Kosovë. Edhe pse për një kohë të shkurtër kam qenë këtu, mezi pres të kthehem përsëri”, u shpreh Bonilla për KultPlus.
Ndërkaq, artisti tjetër, Simon Mechlinski, u ndje pafundësisht i lumtur për koncertin, dhe krahas kësaj edhe për të është hera e parë që ndodhet këtu, në Kosovë.
“Është hera e parë në Kosovë por prapë se prapë më pëlqen shumë. Nesër më duhet të kthehem për në vendlindjen time por nuk do ta lë pa u kthyer prapë për vizitë në Kosovë”, u shpreh Mechlinski.
I pyetur se si ju duk vizita në Kosovë, ai tha që Kosova i pëlqeu shumë dhe përpos vendeve të bukura e njerëzve pozitivë që gjeti këtu, edhe ushqimi ishte fantastik.
Përpos artistëve të huaj që performuan natën e sotme për audiencën kosovare, për KultPlus nuk la pa folur edhe pianistja shqiptare, Ardita Bufaj, e cila e kompletoi skenën me talentin e saj.
Bufaj, fillimisht falënderoi tenorin Ramë Lahaj për ftesën e bërë e më pas doli edhe tek publiku, dhe mikpritjen e bërë nga ta.
“Ne kemi përfunduar koncertin e titulluar ‘Opera Night’ ku unë së bashku me tre artistët e tjerë ishim ftuar sot nga tenori i mirënjohur, Ramë Lahaj, të cilin e shfrytëzoj rastin ta falënderoj shumë. Ndërkohë, mendoj që me duartrokitjet e zjarrta të publikut, ia kemi dalë dhe kemi finalizuar një punë të fuqishme”, përfundoi Bufaj.
Kjo performancë e shkëlqyer me këta katër artistë të mrekullueshëm solli edhe fundin e natës së tretë të këtij koncerti të quajtur ‘Opera Night’.
Kujtojmë që “Ramë Lahaj International Opera Festival” ka nisur me datë 21 korrik dhe do të vazhdojë rrugëtimin deri më datën 31 korrik. / KultPlus.com
Rame Lahaj International Opera Festival po vjen me mbrëmjen e tretë muzikore të titulluar ‘Opera Night’.
Koncerti ‘Opera Night’ mbahet sonte, e enjte, 27 Korrik, nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare (objekti në afërsi të Institutit Albanologjik).
‘Opera Night’ mbrëmja që i dedikohet tërësisht muzikës së mirëfilltë operistike, vjen në festivalin RLIOF për ta pasuruar programin e festivalit. Në këtë mbrëmje në skenë do të ngjiten solistë të skenave operistike, të cilët për publikun e gjerë sjellin një repertor premierë në pjesën më të madhe të tij.
Këtë herë do të prekim belcantizmin në të gjitha ngjyrimet e tij, përmes zërave të jashtëzakonshëm të sopranos Leonor Bonilla, tenorit Mert Sungu dhe baritonit Simon Mechlinski, shoqëruar në piano nga Ardita Bufaj.
RLIOF mban emrin e tenorit të mirënjohur kosovar, Rame Lahaj, i cili falë eksperiencës dhe namit të tij në komunitetin botëror të operas sjellë para publikut shqiptar emra të mirënjohur të muzikës operistike. Më shumë detaje për festivalin mund t’i gjeni në website-in e RLIOF. / KultPlus.com
Rame Lahaj International Opera Festival vazhdon sonte me koncertin e dytë me radhë për këtë edicion, përcjell KultPlus.
I titulluar ‘Ensemble Evening’, ky koncert për protagonist do të ketë kontratenorin e njohur iranian, Cameron Shahbazi.
Koncerti ‘Ensemble Evening’ mbahet sonte, e Martë, 25 Korrik, nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare (objekti në afërsi të Institutit Albanologjik).
‘Ensemble Evening’ në edicionin e 3-të të RLIOF do të sjellë jo vetëm një artist, por mbi të gjitha një histori, një mesazh, një reflektim. Të tilla emocione dhe shumë më tepër se kaq, do t’i dëgjoni të shprehur në timbrin melodik dhe unik të kontratenorit Cameron Shahbazi, gërshetuar me personalitetin e tij të spikatur, i cili i shoqëruar në piano nga Sophia Munoz, sjellë në skenën e RLIOF për gjithë publikun tonë të dashur, një repertor premierë.
Kryefjalë e kësaj mbrëmjeje muzikore është figura e gruas, nënës, motrës, të dashurës, mikes e kujtdo të shenjtë për ne. Përtej çdo sakrificë, vetëmohimi e mundimi, simboli femëror shprehet i gdhendet nga personaliteti i Cameron Shahbazit.
Mbrëmja e dytë muzikore e RLIOF është konceptuar rreth temës së edicionit të sivjetmë ‘Opera për Liri’ (Opera for Freedom), nëpërmjet së cilës festivali i vetëm operistik në vend synon ta shtjellojë idenë e përfshirjes së artit operistik si ndërmjetësues për ta promovuar e mbrojtur lirinë, të drejtat e njeriut dhe ato sociale.
RLIOF mban emrin e tenorit të mirënjohur kosovar, Rame Lahaj, i cili falë eksperiencës dhe namit të tij në komunitetin botëror të operas sjellë para publikut shqiptar emra të mirënjohur të muzikës operistike. Më shumë detaje për festivalin mund t’i gjeni në website-in e RLIOF. / KultPlus.com
Gala Mbrëmja ‘Rame Lahaj & Friends’ ndalet edhe një herë në zemër të Prishtinës, me yjet e operas, përcjell KultPlus.
Programi qëndror i edicionit të 3-të festivalit ndërkombëtar ‘Rame Lahaj’ risjellë para publikut tenorin kosovar të skenave botërore, nën shoqërinë e miqve të tij si: sopranon e njohur Yulia Suleimanova, tenorin Alessandro Safina e baritonin Massimo Cavalleti.
Nën dirigjimin e Pier Giorgio Morandi, shoqëruar nga Filharmonia e Kosovës, në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, ju pret një natë magjike.
Gala Mbrëmja “Rame Lahaj & Friends” nis rrugëtimin e pesë netëve muzikore të Festivalit Ndërkombëtar të Operas.
Biletat për Gala Night Rame Lahaj & Friends po shiten shumë shpejt! Edhe 4 ditë na ndajnë nga koncerti. Siguroje biletën tënde këtu: https://www.rave-travel.com/tickets-en.nspx?eventid=2616 dhe pikat fizike të shitjes. / KultPlus.com
RLIOF është duke shpalosë programin e edicionit të sivjetmë, dhe në kuadër të këtij edicioni do të prezantohet edhe një ekspozitë që ka për qëllim ruajtjen e natyrës, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë do të prezantohet në Galerinë e Fakultetit të Arteve dhe njoftimin e plotë mbi këtë ekspozitë mund ta lexoni më poshtë.
Rrnofsh sa malet!
Ç’të mbjellësh do të korrësh. “Kultura jonë e përçmon botën.” shkruan Michel Serres duke ju drejtuar qytetërimit perëndimor në veprën e tij të mirënjohur “Kontrata Natyrore”. Në të vërtetë, për shekuj me rradhë, natyra është përdorur si një burim i pashtershëm përfitimi ose si pronë për tu zaptuar dhe për tu këmbyer pastaj sërisht për përfitime. Pasojat nga kjo, shterimi i burimeve të ujit, tokat e ndotura, specie të florës dhe faunës që po zhduken, formësojnë jetën tonë. Bimët dhe kafshët kanë mbetur pothuajse pa frymë në hapësirat urbane të Kosovës. Shumica e peizazheve të bukura të natyrës së egër, janë të ndotura nga mbetjet plastike dhe mbeturinat. Po në këto territore, ka një sërë bimësh endemike si, Solenantë Krasniqi (solenanthus krasniqii) ose çaji i malit (sideritis scardica), të cilat janë në rrezik zhdukje për shkak të veprimtarisë njerëzore dhe zjarreve, përpara se për to, të mblidhen mjaftueshëm të dhëna për database-t botërore.
Çfarë mund të propozojnë praktikat artistike për të ndryshuar këtë prespektivë të zymtë? Imagjinata e nxitur nga pikturat e peizazhit si gjini, mund të na frymëzojë të lidhemi me gjallesat përtej njerëzores nga të cilat rrethohemi dhe të mos nënçmojmë rëndësinë e tyre. Që në lashtësi, pikturat e peizazhit kanë ndikuar fort në mënyrën se si njerëzit vëzhgojnë, lidhen, përvetësojnë dhe imagjinojnë tokën. Qasjet e ndryshme të peizazhit Kosovar, të paraqitura në “Rrnofsh sa malet”, na zbulojnë përjetime herë të grysura e herë shumëngjyrëshe, të provokuara nga këto pamje. Shumë male të Kosovës vazhdojnë të magjepsin artistë të brezave të ndryshëm. Por mbi të gjitha, këto vizione artistike nxjerrin në pah atë çfarë duhet të kultivohet në të ardhmen, një kulturë që vlerëson bashkëjetesën e botës me të gjitha të mirat e saj. Prandaj, ekspozita jonë e Festivalit RLIOF, me tematikën “Opera për Liri” – duke mbështetur betejën e mbrojtjes së mjedisit krahas zgjidhjes së shumë konflikteve njerëzore – vjen me uratën, Rrnofsh sa malet!/ KultPlus.com
Tashmë ka filluar shpalosja e pjesëmarrësve në edicionin tretë i RLIOF, dhe artistja e radhës që është prezantuar se do të jetë e pranishme në këtë festival që organizohet nga Ramë Lahaj, është sopranoja ukrainase Yulia Suleimanova, shkruan KultPlus.
Për këtë është bërë e ditur nga faqja zyrtare e festivalit, dhe më poshtë po sjellim njoftimin e plotë.
Sopranoja ukrainase Yulia Suleimanova është një nga këngëtaret më premtuese të brezit të saj. Ajo ka lindur në Kherson, Ukrainë.
Pas diplomimit në Konservatorin Shtetëror të Shën Petersburgut, ajo u regjistrua në Akademinë e Këngëtarëve të Rinj të Operas Mariinsky në vitin 2014, dhe në vitin 2023 ajo u bë anëtare e Kompanisë Mariinsky Opera. Znj. Suleimanova ka magjepsur audiencën e Teatrit të njohur Mariinsky në shumë role kryesore si Violetta Valéry (La Traviata), Gilda (Rigoletto), Pamina (Die Zauberflöte), Norina (Don Pasquale), Zerlina (Don Giovanni), Nannetta (Falstaff), Elvira (L’italiana në Algjeri), Mademoiselle Silberklang (Der Schauspieldirektor) dhe shumë të tjera. Në verën e vitit 2018, ajo bëri debutimin e saj në Festivalin e Salzburgut si Prilepa në “Mbretëresha e Spades”. Në verën e vitit 2023 bën debutimin e saj si Micaëla në Oper Steinbruch.
Znj. Suleimanova fitoi çmimin e dytë në Konkursin II Ndërkombëtar të Këngëtarëve të Operës së Re pa Kufij në vitin 2015 dhe çmimin e parë në Konkursin e Vokalistëve të gjithë Ukrainës Oxana Petrusenko në 2008 dhe 2009./ KultPlus.com
Dje është mbajtur nata gala e festivali “Ramë Lahaj International Opera Festival”, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Lahaj ka bërë të ditur se këtë festival i ka dedikuar nënës së ndjerë.
Postimi i plotë:
“Festivali RLIOF asht festivali të cilin ja kam dediku nanës së ndjerë, ndaj pavarësisht vështirësive që hasim në procesin e ngritjes së tij, unë ju premtoj se do të vij çdo verë me ju përqafu nga skena, për dashninë e respektin që ma keni dhanë këto vite. I juaji, Rame”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Pas dhjetë ditësh festival, me shumë koncerte e punëtori të ndryshme, sot përmbyllet ‘Rame Lahaj international Opera Festival’. Ky festival do të kurorëzohet me koncertin ‘Ramë Lahaj & Friends’ i cili do të mbahet në sheshin ’Skëndërbeu’ në Prishtinë ku do të performojnë artistë të njohur vendorë e ndërkombëtarë, përcjell KultPlus.
Për t’i paraprirë këtij koncerti, sot ‘RLIOF’ ka mbajtur një konferencë, ku përveç organizatorëve ishin të pranishëm edhe artistët që do të ngjisin skenën në natën e sotme.
Hapjen e konferencës e bëri koordinatorja artistike e këtij festivali,Ulpiana Alijaj, e cila fillimisht shprehet e lumtur për prezencën e të ftuarës speciale, sopranos, Pretty Yendee.
“Në të gjitha këto mbrëmje keni mundur të shijoni gjithëpërfshirjen e publikut, keni mundur të shijoni një muzikë shumë të larmishme por patjetër që ajo çka sot konkludojmë është pikërisht galaja ‘Ramë Lahaj & friends’, ku jemi vërtet të nderuar të këmi si përfaqësues të skenës botërore duke nisur pikërisht nga sopranoja Pretty Yendee, orchestra e dirigjiar nga mjeshtri Valerio Galli, kemi baritonin Franco Vassallo, kemi pjesëmarrjen shumë të veçantë të këngëtares Erza Muqolli, kemi pjesëmarrjen e sopranos Anna Bondarenko, e cila vjen ekskluzivisht nga Ukraina dhe që është një pjesë shumë e veçantë e festivalit të natës së sotme dhe sigurisht edhe maestro Jean Bernard Thomas i cili ka patur një punë shumë intensive përgjatë këtyre ditëve”, u shpreh Aliaj në fjalimin hyrës.
Më pas, fjalën e mori i pari i këtij festivali, Ramë Lahaj, i cili falënderon të gjithë ata që e përkrahën dhe e bënë të mundur mbajtjen e këtij festivali e së sipas tij që do të ndihmojë në krijimin e një culture operistike në Kosovë.
“Ajo që unë e ndjej dhe ajo që më bën krenr është që kjo gala quhet ‘Ramë Lahaj & friends’ që do të thotë që të gjithë këtu janë miq për mua, dhe kjo nënkupton shumë më shumë sesa vetëm të bërit një concert, shumë më shumë se sa të bërit një festival sepse i kam vënë vetes një qëllim bashkë me kolegët e mi për të krijuar një kulturë operistike edhe në Prishtinë edhe në Kosovë.”, u shpreh mes tjerash Ramë Lahaj.
Mbështetëse shumë e madhe e mbajtjes së këtij festivali këtë vit ishte edhe Komuna e Prishtinës, e në veçanti kreu i saj, Përparim Rama, i cili ishte i pranishëm në panelin e kësaj conference.
“Sot është nata përmbyllëse, pra , nata gala në sheshin ‘Skëndërbeu dhe përmbi 2500 bileta janë shitur për natën e sotme që do të thotë se ka nevojë të madhe për ngjarje të tilla, pra ka nevojë Prishtina që të transformohet në një kryeqytet të artit.”, deklaroi Rama.
Fjalën e mori edhe e ftuara special e kësaj mbrëmje e cila pranoi të jetë pjesë e festivalit pak ditë më parë. Ajo e përshkruan si një befasi ftesën që i erdhi nga Ramë Lahaj, që ajo të perfomojë në Kosovë për herë të parë.
“Ramë më pyeti se si jam dhe menjëherë me ftoi të vij në Kosovë për t’u bërë pjesë e koncertit pasi kishte nevojë për mua dhe unë pranova t’i ndihmoj mikut tim të vjetër”, deklaroi Yende, përcjell KultPlus.
Ndërkaq, dirigjenti italian, Valerio Galli, thotë se ndjehet tejet falënderues për këtë organizim të cilin ai e quan fantasik dhe që jo shpesh mund të gjendet kudo nëpër opera apo koncerte të tilla.
“Koncerti i sotëm do të ketë shumë repertory sepse do të kalojmë nga Mozarrt, Rossini, Puccini , të gjitha këto muzikë të mrekullueshme shqiptare, kështu që për mua ka qenë një kënaqësi e veçantë që të njihem nga afër me këtë lloj muzike.”, u shpreh Galli ku ndër të tjerash tha që ndjehet i privilegjuar që do të performojë në një skenë me artistë të këtij kalibri.
Kurse baritonit, Franco Vassallo, iu desht një shikim në sy i Ramë Lahajt për të marrë vendimin për të ardhë në Kosovë krahas thirrjes së tenorit kosovar që duhej të vinte sepse publiku këtu është i hapur dhe entuziast ndaj pritshmërisë së kësaj muzike.
“Përmes shikimit të tij më rikujtoi që melodrama në Itali sot është bërë me të vërtetë një zhanër i cii konsiderohet pak snob për të treguar ndonjëherë në lloj klasi social, por kur në të vërtetë në lindjen e Verdit viheshin në skenë operat e tij si ‘Nabuko’ të cilën do ta kemi edhe sot në mbrëmjen tonë, melodrama ishte një spektakël i popullit dhe për popullin sepse përfshinte një entuziazëm të tillë të cilën tash e përceptoj këtu, dhe kjo është diçka shumë e bukur.”, tha Vassallo sot në konferencën e ‘RLIOF’”
E sigurisht që nuk mund të mungonte ai që dha shumë nga vetja për gjatë këtyre 10 ditëve të festivalit, mjeshtri i zërit, Jean Bernard Thomas i cili ritheksoi që është shuëm i lumtur që i kaloi 10 ditë ktu.
‘Jam shumë i lumtur që do të performoj sonte dhe do të bashkëpunoj me artistë të mrekullueshëm si Ramë, Franco dhe Pretty sepse e njoh atë si një profesioniste të shkëlqyer dhe shpresoj që do të jem i ftuar edhe në vitin e ardhëm.”, tha Bernard Thomas.
Sivjet, pjesë e këtij edicioni të ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ është edhe këngëtarja shqiptare, Erza Muqolli e cila ndonëse e re në moshë, ka shënuar suksese të mëdha në fushën e muzikës ndërkombëtare.
“Për mu është shumë kënaqësi me qenë në këtë festival, sepse me ardhe edhe me perform në vendin tim s’ka më mirë”, tha Erza duke falënderuar Ramën që e ka bërë pjesë të këtij festivali.
E pranishme në këtë konferencë ishte edhe sopranoja ukrainase Anna Bondarenko, e cila dëgjoi për këtë festival pasi u largua nga lufta në vendin e saj dhe erdhi në Evropë. Ajo falënderon publikisht Ramë Lahajn për ftesën.
Koncerti ‘Ramë Lahaj & Friends’ fillon nga ora 20:30./ KultPlus.com
Talentët e rinj, ata që janë në fillim të karrierës dhe ata që tashmë kanë vendosur hapat e parë në fushën e operës, mbrëmë patën mundësinë të performojnë në koncertin ‘New Generation’ si kurorëzim i punës një-javore në punëtorinë e mjeshtrit të zërit, Jean Bernard Thomas, i cili njëherësh punon edhe më zërin e Ramë Lahaj, përcjell KultPlus.
E për të folur për punën e tij me talentët e rinj shqiptarë, me të cilët punoi përgjatë këtyre ditëve, në qendër të skenës u ftua, Jean Bernard Thomas, i cili përveç që vlerëson lart talentët, flet edhe për mikpritjen e vendasve në këto ditë të qëndrimit të tij në Kosovë.
“Unë nuk e flas gjuhën tuaj por unë jam shumë i lumtur që jam këtu dhe i ftuar nga Ramë Lahaj, për të parë se si është Kosova sepse më herët kam dëgjuar për këtë vend, ndoshta kisha krijuar përshtypje të gabuara sepse njerëzit më flisnin, dhe tani unë e njoh Kosovën dhe mund të flas për Kosovën. Jam vërtet i surprizuar që në këtë vend kaq të vogël nuk ka asnjë ndryshim me Parisin apo me Milanon, por ndryshimi me njerëzit këtu mendoj që është në zemrën tuaj, jeni njerëzit më të sjellshëm në gjithë botën”, tha Bernard Thomas në fillim të fjalimit të tij.
Tutje ai shtoi se ka parë një potencial të madh gjatë shtatë ditëve në të cilat ka punuar më artistët e rinj në këtë festival.
“Unë mund ta ndjej këtë tek ata njerëz që duan ta bëjnë operën profesion të tyre, duke provuar të gjitha nivelet si nivelin e lartë, të mesëm dhe të ulët duke e dashur muzikën me gjithë zemrën e tyre dhe për këtë jam shumë i lumtur që Rama më tha të vij këtu në Kosovë disa herë, sepse këtu ka shumë talentë”, shtoi ai teksa vazhdoi se i ka shijuar shumë ditët e tij këtu.
Ndërkaq ai dha edhe lajmin se duke parë kapacitetin e artistëve këtu, shkollën lirike të cilën supozohej ta ndërtonte në Itali do ta zhvendosë dhe do ta ndërtojë në Kosovë, në atë mënyrë që t’u japë më shumë mundësi atyre që duan ta zhvillojnë edhe më tutje këtë profesion.
E ky lajm i tij u pasua me shumë duartrokitje në publik, e më pas ju dha mundësia artistëve të rinj të performojnë veprat e përzgjedhura.
Koncertin, i pari e filloi Harris Bajraktari me ‘Notte e giorno faticar’ të gjeniut të muzikës, Wolfgang Amadeus Mozart, duke u përcjellur më pas nga Urta Haziraj me operën ‘Lámero, saro costante’ të po të njëjtit kompozitor.
Koncerti vazhdoi edhe me artistët e rinj, Bledar Domi, Anna Tafani dhe Shaban Behramaj të cilët, njëri pas tjetrit interpretuan operat, ‘Il lacerato spirito’ të Giusepe Verdit, ‘Oh! Quante volte’ të Vincenzo Bellinit dhe ‘Caro Mio Ben’ të Tommaso Giordani.
‘New generation’ vijoi me sopranon, Kaltrina Miftari, e cila në minutat e fundi është bindur nga maesto Jean Bernard Thomas për të dalë në skenë. Ajo interpretoi operën ‘Donde lieta usci’ të Giacomo Puccinit, përcjellë nga sopranoja Gesu Zefi, e cila solli para publikut të ‘RLIOF’ operën ‘L’altra notte in fondo al mare’ të Arrigo Boitos.
Më pas, tenori shqiptar, Gerald Murrja performoi ‘Dalla sua pace’ të Mozart. ‘Je veux vivre’ e kompozitorit francez Charles Gounod erdhi për publikun nga sopranoja italiane, Chiara Salerno. Ndërkaq, në vijim u interpretua opera ‘Caro nome’ e Verdit, operë kjo e sjellë nga sopranoja Rovena Xhelili, për të vazhduar më pas me ‘O isis und Osiris’ të cilën e interpretoi Xheildo Hyseni. E krejt në fund në skenë u ngjit sërish sopranoja Kaltrina Miftari e cila solli operën ‘Un bel di, vedremo’.
E për ta përmbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme, të gjithë artistët së bashku, sollën një interpretim rrëqethës të këngës ‘Rrjedh në këngë e ligjërime’, këngë kjo që ngriti në këmbë publikun, të cilët i shpërblyen me duartrokitje të gjata.
Më pas, në skenë u ngjit i pari i këtij festivali, Ramë Lahaj, i cili përveç që falënderoi të gjithë ata që kanë punuar gjatë këtyre ditëve të festivalit, e sidomos maestron Bernard Thomas, zbuloi edhe befasinë e mbrëmjes, atë të ardhjes së një ndjekësi të madh të tij nga Shqipëria.
Elvis Kalemi, edhe pse për arsye të ndryshme nuk mundi të jetë pjesë në mesin e artistëve të përzgjedhur, atij ju dha mundësia të këndojë në skenë e më pas duke ju bashkëngjitur edhe vetë Jean Bernard Thomas.
“Elvisi nuk është selektu me këndu, por mua më ka bërë përshtypje një gjest i tij, edhe pse ai nuk është selektu në fund kur ai e merr vesh, i sjell profesorit një dhuratë, është thjesht një pije, për ta falënderuar atë për gjithë punën gjatë këtyre ditëve”, u shpreh Lahaj, duke i liruar më pas skenën vetë Elvisit, i cili më pas përçoi emocione të mëdha në publik.
I pranishëm në mesin e publikut që kishin ardhë për ta shijuar këtë mbrëmje ishte edhe këshilltari në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Liburn Jupolli, i cili për KultPlus tha se ardhja e mjeshtrit të zërit, Jean Bernard Thomas, është një vlerë e shtuar jo vetëm për “Rame Lahaj International Opera Festival’ por për gjithë komunitetin e muzikës.
“Në vazhdën e gjithë zhvillimeve që po ndodhin në vend duke përfshirë edhe edicionin e dytë të mahnitshëm me program të ‘RLIOF’, në të njëjtën kohë edhe në zhvillimet që po ndodhin me zhvillimin e institucionit më të ri në vend, atë të Operës së Kosovës, Jean është një prurje shumë e mirë dhe një mik i ri shumë i mirë për të gjithë komunitetin tonë artistik dhe për të gjitha institucionet e muzikës”, tha Jupolli.
Ai më tutje komentoi edhe idenë e Bernard Thomas për ndërtimin e shkollës lirike në Kosovë duke vlerësuar se do t’i ndihmonte komunitetit të operës në Kosovë.
“E para njëherë si ide është shumë e mirë, çfarëdo iniciative që shkon drejt edukimit të gjeneratave të reja sidomos në opera është shumë e vlefshme, kështu që një kontribut i tillë do të ishte shumë i mirëpritur sidomos kur vjen prej profesionistëve të kalibrit të maestros. Kështu që është diçka që e mirëpresim, jo vetëm si ministri e Kulturës por po besoj që është e mirëpritur nga i gjithë komuniteti dhe do ishte një kompliment besoj interesant dhe i mirë ndaj shkollës e cila vetëm se ekziston në Universitetin e Prishtinës”, përfundoi Jupolli për KultPlus.
Pas përfundimit të koncertit foli edhe sopranoja Urta Haziraj, e cila shprehet tejet e kënaqur për pjesëmarrjen e saj në këtë mbrëmje dhe për përzgjedhjen e saj në mesin e të gjithë atyre që kishin marrë pjesë në punëtori.
“Ka qenë një natë shumë e bukur, një koncert me vepra tejet të vështira teknikisht, gjë me të cilën kemi punuar me maestron. Jam ndje jashtëzakonisht mirë, kjo është një mundësi shumë e mirë për secilin nga ne që kemi marrë pjesë. Me maestron kemi punuar për një javë dhe përgjatë këtyre ditëve kemi punuar teknikisht nga ora 10 deri në orën 18:30 varësisht nga numri i pjesëmarrësve. Normalisht ka qenë edhe pak e lodhshme duke e marrë parasysh që kemi punuar me një teknikë krejtësisht të re, por në fund u korr me një sukses te madh”, u shpreh Haziraj.
Ndërkaq Shaban Behramaj, falënderon festivalin ‘RLIOF’ për mundësinë e dhënë për të punuar me një profesor operistik të këtij kalibri.
“Unë kam kaluar jashtëzakonisht mirë, kam mësuar gjëra të reja për të cilat jam shumë falënderues dhe kjo natë ishte kurorëzimi i punës tonë të përbashkët me profesorin dhe pa diskutim që është një kënaqësi shumë e madhe edhe pse koha prej një jave është shumë e shkurtë me i realizu ato që profesori ka kërkuar nga ne, por jemi munduar maksimalisht që punën që e kemi bërë gjatë kësaj jave për çdo ditë me e shpërfaq sonte para publikut”, u shpreh Behramaj për KultPlus, duke shtuar më tutje që ndjehet tejet i lumtur për përzgjedhjen e tij për të performuar në këtë mbrëmje.
Tutje për KultPlus foli edhe Anna Tafani, e cila kishte ardhur nga Australia, atje ku jeton dhe vepron, për të marrë pjesë në këtë punëtori, e ftesë kjo e cila fillimisht i ka ardhur nga vetë presidenti i këtij festivali, Ramë Lahaj.
“E vlerësoj tej mase shumë sepse ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, kemi mësuar shumë, punëtoritë kanë qenë intensive në gjithë javën dhe maestro ka punuar nga ora 10 e mëngjesit, deri në 7 të mbrëmjes dhe gjithsecili ka pasur kohën e vetë që të mësonte, ne kemi mësuar shumë edhe duke dëgjuar të tjerët dhe performanca e sotme ishte rezultat i gjithë punës që kemi pasur. Jam shumë e lumtur dhe jam shumë krenare dhe për Ramën dhe për gjithë ekipin që kanë marrë këtë iniciativë sepse është shumë e rëndësishme për të gjithë artistët e rinj të kenë këtë mundësi që të punojnë me një mjeshtër zëri nga jashtë dhe të kenë mundësi të performojnë para publikut”, deklaroi Tafani, e cila më pas tha se është një kënaqësi shumë e madhe dhe ndjehet tejet falënderuese sepse ishte një koncert shumë i bukur dhe i ndjeshëm për të.
Kurse sopranoja, Kaltrina Miftari, tha se punëtoritë e tilla janë shumë të leverdishme për artistët në Kosovë dhe festivali ‘RLIOF’ po bën një punë shumë të mirë në këtë aspekt.
“Për mua ka qenë shumë frytdhënës bashkëpunimi me maestron Jean Bernard Thomas gjatë gjithë javës qe e lamë pas. Si artiste me pervojë të gjatëe në skenë, mendoj që asnjëherë nuk duhet të mendojmeë se mesimi përfundon ndonjëherë sidoms në muzikë. Një artist i vërtetë është gjithmonë në kërkim të njohurive dhe eksperiencave të reja”, u shpreh Miftari për KultPlus.
Ndërkaq, ‘Rame Lahaj International Opera Festival do të përmbyllet me mbrëmjen gala më 31 korrik në sheshin ‘Skëndërbeu’ në Prishtinë, e ku do të performojnë artistë të njohur vendorë e ndërkombëtarë./ KultPlus.com
Sonte në festivalin ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ do të mbahet koncerti i radhës, përcjell KultPlus.
Në këtë mbrëmje do të bëhet prezantimi i studentëve të cilët përgjatë këtyre ditëve të festivalit kanë pasur mundësinë të punojnë me mjeshtrin e vokalit Jean Bernard Thomas.
Ramë Lahaj ka ftuar artdashësit ta ndjekin këtë festival duke falënderuar Bernard Thomas për puënn e tij gjatë këtyre ditëve.
Postimi i plotë:
ash e një javë, studentët fatlumë të festivalit kanë qenë nën mësimin e mikut tonë Jean Bernard Thomas. Mjeshtri ynë i vokalit është ‘fajtor’ për natën e sotme, ku talentet e reja do të performojnë pasi kanë përcjellë klasat e Jean Bernard Thomas dhe janë përzgjedhur nga vetë ai, një profesionist i fushës dhe një artist me vokal të jashtëzakonshëm. E falenderojmë shumë për angazhimin e tij të palodhur e të vazhdueshëm që nata e sotme të ketë një repertor të mrekullueshëm.
Arta Jashari, Zana Abazi, Mirlinda Koci, Klodjan Kaçani, Armand Likaj, Granit Musliu dhe Mennan Bërveniku kanë sjell mbrëmë një natë që gjurmët e saj i ka lënë të pashkoqitura nga kujtesa e gjithsecilit. Me një repertor të mrekullueshëm dhe vepra që erdhën për herë të parë në skenën tonë, nata e tretë në kuadër të “Ramë Lahaj International Opera Festival”, ka krijuar një urë lidhëse mes zërave sa të ndryshëm aq edhe energjik, që me fuqinë dhe vrullin e tyre jo të zakonshëm, kanë mbështjellë këtë natë që vjen dedikim ndaj ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.
Fillimisht, ajo se çka dallohej qysh në hyrje të këtij koncerti ishte numri tejet i lartë i të pranishmëve të cilët kanë mbushur sallën qosh më qosh. As karriget e shtuara në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare nuk mjaftuan për t’i ulur të gjithë të pranishmit. Ndonëse qëndrimi në këmbë është tejet i lodhshëm, ishte publiku në pjesën e fundit ai që qëndroi nga nisja e këtij koncerti e deri në fund. Ndërkohë, nata e tretë e këtij festivali ka sjellë edhe disa ndryshime të vogla por që patën efektin e tyre. Reflektori në ngjyrë rozë në prapavijë veçse i ka shtuar hijeshi skenës, ndërkohë reflektorët në ngjyrën e portokalltë dhe verdhë që ishin të vendosura anash përgjatë hapësirës, i kanë dhënë një llojllojshmëri të bukur, dukjes në sallë. Në anën tjetër, ishin dritat e ngrohta përballë skenës dhe ato anash që kanë ndriçuar akoma më shumë vendin duke bërë që edhe veshjet e secilit interpretues të duken të mahnitshme.
Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘RLIOF’ e nisi koordinatorja artistike e festivalit, Ulpiana Aliaj e cila u shpreh se kjo natë do ta ketë një repertor të mahnitshëm që publiku do ta shijojë.
“Jemi me të vërtetë të lumtur që sot e nderojmë një këngëtare e cila përfaqëson jo vetëm artin e të kënduarit por artin e magjisë së zërit të saj dhe gjithçkaje që ajo përfaqëson. Jemi të kënaqur që në këtë mbrëmje përveç të gjithave, festojmë sot edhe përvjetorin e kompozitorit Çesk Zadeja. Për nder të tij, për herë të parë në skenën tonë do të kemi prezantimin e një mori veprash që interpretohen nga artistët tanë të mrekullueshëm, zëra që përfaqësojnë denjësisht vendin tonë. Do të shijoni një larmi shumë të madhe të veprave që i përkasin këtij repertori shqiptar”, thotë ajo.
Të pranishmit dukshëm ishin të entuziazmuar për programin e veçantë që kishin mundësi ta shikonin ende pa nisur koncerti. Ndërkohë, para se melodia e parë të jehonte nëpër zemrën e secilit, ishte skena ajo që mori vëmendjen e plotë. E mbushur me mikrofona të ndryshme e të nevojshme për audion perfekte dhe pianon bardh e zi të vendosur sipër, skenës tash i mungonin vetëm artistët shqiptarë dhe zërat e tyre buçues dhe diversiv.
Ishin 17 vepra që absolutisht kanë përthekuar këtë natë me magjinë që sollën nga momenti në moment. “Eja vashë”, “Romancë”, “N’mes dashurive”, “O ju male t’nalta”, “Mori e bukura e mërhitur”, “Kjo shtëpi me ballë në erë”, “Te kroni”, “Ndalu që të flasim”, “Doli dielli doli hana”, “Dy kupa”, “Aria e Kalorit”, “Oh ky tregim…”, “Zemër e dashur”, “Djaloshare”, “Mall”, “Fjalët e qiririt” “Aria e Plakut flokëbardhë”, erdhën njëra pas tjetrës dhe me to së bashku u shfaq edhe diversiteti i mahnitshëm i zërave të artistëve, intensiteti i së cilave ka dalë edhe jashtë katër mureve.
Sopranoja Arta Jashari, sopranoja Zana Abazi, sopranoja Mirlinda Koci, tenori Klodjan Kaçani, baritoni Armand Likaj, tenori Granit Musliu si dhe pianisti Mennan Bërveniku kanë ndezur flakë skenën me interpretimin e tyre të një repertori krejtësisht të mbushur me vepra shqiptare. Veprat e kompozitorëve si: Lola Gjoka, Çesk Zadeja, Prenk Jakova, Zef Çoba, Avni Mula, Endri Sina, Rauf Dhomi, Tonin Harapi, Pirro Çako e Limoz Dizdari, kanë ardhur në një mënyrë që as s’do përshkrim. Mjaftonte të dëgjoje ritmin në publik që herë pas here i bashkëngjitej tekstit të secilës këngë, për të kuptuar se ky koncert ka përçuar emocione të jashtëzakonshme.
Herë në dyshe e herë në solo, mbrëmja kulmoi me kryevepra të njëpasnjëshme. Dukja mbresëlënëse e tri sopranove si dhe prezenca skenike që dy tenorët, baritoni dhe pianisti posedonin, kanë bërë që çdo tingull e çdo melodi të bëhej dyfish edhe më e bukur e të ndjehej akoma edhe më shumë. Lëvizjet e duarve të tyre, lëvizjet e kokës në kahje të ndryshme në një gërshetim të pakrahasueshëm me vijën melodike që pianisti e sillte vazhdimisht në një mënyrë të pashoq, ka dëshmuar se skena kulturore në Kosovë ka një dashuri e pasion të paepur për mbrëmje të mirëfillta klasike.
Edicioni i dytë i këtij festivali dukshëm ka sjellë surpriza unike kësaj here, dhe mbrëmja e ditës së djeshme qe e tillë. Interaktiviteti mes artistëve, zërat gërshetues të tyre dhe shikimet e ëmbla që pasonin në skenë, ishin vetëm disa nga copëzat magjepsëse që këtë natë e bënë aq të afërt e aq të ngrohtë për audiencën. Dëshmi për këtë ishin edhe duartrokitjet e shumta e të zgjatura pas secilës këngë, e herë edhe ato që lëshoheshin pak para se kënga të gjente fundin e saj.
Krejt në fund, ishte tenori Ramë Lahaj që njëkohësisht është themeluesi i festivalit ‘RLIOF”, si dhe sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi, ata të cilët iu bashkëngjiten skenës për të lënë gjurmën e fundit për këtë natë. Vepra “Lule Borë” nga gjithsej tetë artistë ngriti publikun në këmbë për një përmbyllje sa të lezetshme aq edhe të fuqishme. Fishkëllimat e zgjatura në shoqërimin e duartrokitjeve nga ana e publikut, ishin ato që dëgjoheshin më së shumti e kjo veçse solli edhe buzëqeshjet e artistëve në skenë, si një sinjal që puna e tyre e palodhshme do të mbetet gjithmonë e vlerësuar dhe do të mbahet mend përherë.
Baritoni Armand Likaj për KultPlus foli rreth emocioneve të tij pas një koncerti të tillë.
“Duke dashur dhe duke vlerësuar këtë festival operistik, për mua ishte një mbrëmje dhe eksperiencë shumë e bukur. Duke parë investimin që është bërë, duke parë angazhimet e një stafi fantastik, realisht më jep këtë përgjegjësi për të realizuar një koncert të tillë që besoj se treguesi më i mirë për këtë ishin duartrokitjet e publikut. Jam ndjerë gjithmonë mirë kur është përmendur emri i Nexhmije Pagarushës dhe unë kam pasur fatin dhe e them me krenari që e kam njohur edhe nga afër. E mbaj mend që diku duhet ta kem të regjistruar nga Akademia e Shkencave të një koncerti, përqafimin e saj që të ngroh”, shpalos Likaj.
Sipas tij, ai sa më shumë po rritet profesionalisht, po kupton vlerën e mirëfilltë të artit tonë dhe muzikës së artistëve shqiptarë.
“Unë mbrëmjen e hapa me një baladë të të madhit, profesorit tim Zef Çoba, pastaj kur interpretova pjesën e dytë ishte romanca aq e bukur, aria “Dasma arbëreshe” e po një emrit të madh siç është Rauf Dhomi, pastaj edhe dueti aq i dashur i Prenk Jakovës me sopranon Arta Jashari, dhe krejt në fund ishte vepra pak e dhimbshme por kështu ishte ideja e organizimit. Prania e shumë artistëve që sot përfaqësojnë Kosovën kudo në botë është e bukur dhe pa diskutim që ishim të nderuar gjithsecili nga ky publik e sidomos nga ata që qëndruan në këmbë për një kohë të gjatë dhe për këtë mendoj që duhet një vullnet i lartë e një dashuri që ky popull e ka dhe prandaj ky popull meriton shumë”, përfundon ai.
Po ashtu, tenori Granit Musliu tregoi rreth ndërveprimit me artistët e tjerë në këtë mbrëmje.
“Ka qenë një mbrëmje fantastike dhe të gjithë artistët jemi ndjerë shumë mirë. Është gjithmonë kënaqësi e madhe për të kënduar para një publiku shumë të ngrohtë kosovar dhe jemi shumë të lumtur që ky festival gjendet në Kosovë dhe fton artistë nga Kosova që të kthehen e të këndojnë për publikun e Kosovës në skenën kosovare. Me të gjithë artistët njihem personalisht dhe jam shumë i lumtur që të ndaj skenën me ta. Mbrëmja u bë edhe më e mirë sidomos kur kemi kënduar këngën e fundit por kryesisht veprat kanë qenë të kompozitorëve shqiptarë dhe natyrisht që është kënaqësi që të këndoj në gjuhën time. Zërat kosovarë dhe shqiptarë gjithmonë më kanë lënë përshtypje dhe e di që Kosova dhe Shqipëria ka zëra shumë të bukura e njëlloj vlen edhe për muzikantët. Fatkeqësisht kushtet nuk janë ideale mirëpo për mua kjo mbrëmje ishte një veçanti e madhe e sidomos duke pasur parasysh repertorin e mahnitshëm” , ka thënë ai.
Gjithashtu, sopranoja Mirlinda Koci ka thënë se është ndjerë e lumtur që ka kënduar në këtë natë dedikuar ndaj Nexhmije Pagarushës.
“Kjo mbrëmje ishte një ndjenjë shumë e veçantë. Jam shumë e lumtur që këndova sonte në natën e Nexhmije Pagarushës e sidomos edhe kur këndova vepra shqipe. U gëzova shumë për faktin që performova në mesin e artistëve shqiptarë të njohur. Pjesa ime e parë ka qenë që mua më ka fjet në zemër qysh prej kur kam filluar ta studiojë por gjithashtu edhe vepra “Fjalët e qiririt” që e këndoj kolegu Klodjan ishte shumë e veçantë. Sonte më ka lënë përshtypje publiku që ka qenë një numër i madh dhe kur dola për herë të parë në skenë, jam befasuar shumë dhe jam ndjerë shumë mirë që muzika klasike ndiqet dhe nga publiku”, thotë Koci.
Ndërsa, sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi ka thënë për KultPlus se mbrëmje ishte një mrekulli më vete.
“Koncerti sonte ishte shumë i mirë. Ishte e mrekullueshme të shohësh shoqërinë tënde duke performuar në skenë e sidomos në pjesë shqiptare, kështu që jam ndjerë shumë bukur. Të gjitha veprat e interpretuara ishin shumë të mira dhe mua personalisht më pëlqeu shumë interpretimi i Zanës, i Mirlindës e natyrisht edhe i Artës. Ishte me të vërtetë një mrekulli dhe besoj që s’ka nder më të madh sesa kjo ndaj Nexhmijes. Vetë fakti që unë vij shumë rrallë në Kosovë, me i taku krejt përnjëherë është një përshtypje shumë e mirë”, ka thënë Kajtazi.
“Ramë Lahaj International Opera Festival” gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 2 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e katërt e këtij festivali vjen më datë 28 korrik nën emërtimin “New Generation” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com
“Ramë Lahaj International Opera Festival”, festivali i parë Operistik në Kosovë po ngjallë emocione të forta te publiku. Artistët që do të jenë pjesë e këtij festivali, janë artistë të dëshmuar dhe me magjinë e tyre do ta përthekojnë secilën natë të këtij edicioni, shkruan KultPlus.
Themeluesi i këtij festivali, tenori i famshëm, Ramë Lahaj është kujdesur që të sjell sa më shumë veçanti e madje edhe të mbuloj zbrastësitë që ekzistojnë në skenën tonë muzikore.
Duke pas parasysh mungesën e madhe në Kosovë dhe rajon të një instrumenti shumë specifik siç është Harpa, RLIOF këtë vit po sjell në Prishtinë harpistin e shquar italian Antonio Ostuni i cili do t’i bashkohet Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës në një mbrëmje gala “Rame Lahaj & Friends” dhe njëkohësisht do të mbajë një Masterclass 3 ditor me studentët e Harpës dhe Pianos.
Ndërkaq, sot në faqen zyrtare të festivalit është publikuar edhe një video ku shihet se Ostuni po mban një punëtori me pianistët dhe ata që kanë pak njohuri mbi harpën.
Më poshtë gjeni postimin e plotë:
Të studiosh harpë në Kosovë ose Shqipëri është e pamundur, pasi ky instrument nuk është pjesë e platformave edukative muzikore as në nivelin e shkollës së mesme e as në atë universitar akademik.
Duke e ditur rëndësinë e këtij instrumenti kaq specifik e delikat dhe të domosdoshëm për një orkestër të mirëfilltë, Rame Lahaj International Opera Festival ka sjellë në Kosovë harpistin Antonio Ostuni, i cili po e mban këtyre ditëve një masterclass me pianistët dhe ata që kanë pak njohuri mbi harpën. Ostuni është profesor i harpës në Conservatorio V.Bellini në Catania. Ai është poashtu pjesë e shumë orkestrave të rëndësishme. Ostuni vjen për herë të parë në Kosovë në kuadër të RLIOF dhe ne jemi shumë të lumtur që përpos masterclassit ai do t`i bashkangjitet Filharmonisë së Kosovës në Galanë finale të festivalit tonë, me 31 korrik. / KultPlus.com
Data 21 korrik shënoi nisjen e edicionit të dytë të festivalit të parë Operistik në Kosovë, “Ramë Lahaj International Opera Festival”. Ky edicion i cili me prurjet e tij po ngjallë emocione të forta te publiku, i cili në secilën mbrëmje po e mbush sallën plotë, nuk do të ishte special pa një mbrëmje dedikuar Bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarushës, shkruan KultPlus.
Kanë kaluar dy vite prej kur Nexhmije Pagarusha nuk është në mesin tonë fizikisht, por artistët siç është Ramë Lahaj, kujdesen që magjia e saj të jetë prezentë përherë në mbrëmje të tilla ku jehon muzika e mirëfilltë.
Andaj, sonte më datë 26 korrik në kuadër të festivalit RLIOF, do të jetë një mbrëmje e dedikuar plotësisht për Nexhije Pagarushën.
Në këtë mbrëmje do të performojnë: Arta Jashari, Zana Abazi Ramadani, Mirlinda Koci, Klodjan Kaçani, Armand Likaj dhe Granit Musliu, shoqëruar në piano nga Mennan Bërveniku.
Tenori Ramë Lahaj është shprehur se festivali do të ishte i mangët pa një mbrëmje që i dedikohet Nexhmije Pagarushës e cila sipas tij jeton e frymon rreth nesh përmes thesarit muzikor që ajo na ka lënë.
“Kanë kalu 2 vite prej kur zemra jonë Nexhmije Pagarusha nuk është më në mesin tonë për të ardhë e për të na mbështetë edhe fizikisht në mbrëmjet tona, ashtu siç bënte dikur edhe pse shëndeti e kishte rënduar.
Ajo jeton e frymon rreth nesh, e kemi përditë e në çdo çast me vete përmes thesarit muzikor që ajo na ka lënë. Festivali do të ishte i mangët pa një mbrëmje që i dedikohet të madhes Nexhmije Pagarusha, andaj ju ftoj të gjithëve që sonte ta kujtojmë së bashku muzikën e shpirtin e saj, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Kosovë, prej orës 20:00.
Sonte do të kujtojmë edhe të madhin e muzikës shqiptare Çesk Zadeja, në 95 vjetorin e tij me shumë vepra premierë enkas për natën e sotme, që do të performohen nga Arta Jashari, Zana Abazi Ramadani, Mirlinda Koci, Klodjan Kaçani, Armand Likaj dhe Granit Musliu, shoqëruar në piano nga Mennan Bërveniku”, ka shkruar Lahaj në Facebook. / KultPlus.com
Një mbrëmje mbresëlënëse e mbushur plot me melodi shqipe rezultoi nga koncerti i Adhurim Grezdës dhe bendit “Don’t listen to your neighbors”, të cilët mbrëmë promovuan albumin e tyre të emërtuar “Udhëtim në kohë”, pikërisht në natën e parë të hapjes së edicionit të dytë të festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival”. Një udhëtim në kohë nëpër këngë të vjetra shqiptare që vinë të aranzhuar në një stil perfekt, e përjetuan të gjithë të pranishmit që u pushtuan ëmbëlsisht me prekjen madhështore të secilit tingull, shkruan KultPlus.
Edicioni i dytë i këtij festivali nisi mbrëmë me një stil mjaft unik të elementeve të xhazit të përcjellura përmes aranzhimeve të sofistikuara. Ky koncert dukshëm pati pranë një numër të madh të artdashësve të cilët me padurim prisnin daljen në skenë të artistëve që do të performonin në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. Me një ndriçim të ngrohtë në dy qoshet e skenës si dhe ato në distancë përbri skenës, reflektorët e kaltër të vendosura përreth sallës si dhe dritat në prapaskenë që ndërronin sa herë që publiku bëhej pjesë e koncertit, ishin ato që vinin në pah akoma më shumë interpretimin e veçantë të instrumentistëve në skenë. Me një logo të dizajnit në prapavijë dhe dritën natyrale që bie pingul në mes të hapësirës, të pranishmit mbushën sallën qosh më qosh, teksa disa nga ta edhe qëndruan në këmbë nga fillimi e deri në fund.
Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘RLIOF’ e nisi koordinatorja artistike e festivalit, Ulpiana Aliaj e cila u shpreh se ndjehet mjaft e nderuar që salla ishte e mbushur plot.
“Jemi vërtetë të nderuar që sot po e nisim edicionin e dytë të ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’. Sa mirë të shohësh këtë sallë kaq të mbushur me të rinj, me artistë, me diplomatë dhe të gjithë ata që përfaqësojnë të gjitha kategoritë dhe që mbi të gjitha, vlerësojnë artin, e për këtë ju jemi shumë mirënjohës. Edicionin e dytë e nisim sot me një mbrëmje specifike dedikuar dhe kushtuar muzikës shqipe, një gjerdan shumë i vlefshëm për kulturën, artin dhe traditën tonë”, thotë Aliaj.
Për të pranishmit të cilët janë adhurues të muzikës unike të bendit “Don’t listen to your neighbors”, në hyrje të hapësirës ishin të vendosura rishtazi edhe një numër i madh i CD-ve, brenda të cilave gjendej edhe albumi më i ri i tyre. Ndërkaq, para se koncerti të gjente nisjen e tij, skena ishte ajo që ishte e mbushur plot në secilin cep. Instrumentet diversive pas pak do të gjallëroheshin nga një formacion i zgjeruar, pak më ndryshe sesa treshja tashmë e njohur e këtij bendi. Njëri pas tjetrit, dalja e tyre në skenë u shoqërua me një duartrokitje të paparë nga ana e publikut.
Gjithsej trembëdhjetë këngë pushtuan atmosferën që nga fillimi e gjerë në mbarim. Fiks në orën 20:15 u lëshua tingulli i parë dhe zëri i mrekullueshëm i baritonit Adhurim Grezda nuk u ndal për asnjë çast. Me një veshje elegante, secila notë muzikore i shkrihej natyrshëm zërit të tij të butë dhe njëkohësisht të fuqishëm, që në ndërlidhje me audion aq të pastër të instrumenteve, ky koncert dëshmoi për një çiltërsi të jashtëzakonshme autentike.
Kënga arbëreshe “Ishte një ditë e muajit t’majit”, “Valle arbëreshe”, kënga qytetare përmetare “A kanë uj’ ato burime”, poezia “Kroi i fshatit tonë”, kënga popullore e Shqipërisë së mesme “Jam bandill, trim i fortë”, kënga popullore korçare “25 gërsheta”, kënga popullore elbasanase “Malenake”, “Hala s’të ra ndërmend”, kënga qytetare shkodrane “Tash sa ditë e mot”, këngë qytetare beratase “Asaman, trëndafili i çelës”, kënga popullore durrsake “E vika Deti”, “Valle e Shqipërisë së mesme” si dhe “Mallëngjimi”, jehuan edhe përtej mureve të çdo shpirti të pranishëm. Kjo më së miri dallohej edhe atëherë kur secili person arriti që të krijojë ritme herë pas here në publik të cilat krijonin një gërshetim të mrekullueshëm mes artistëve dhe artdashësve.
Ndërkohë, anëtarët e tjerë që janë pjesë e këtij albumi si: Dalvin Mamusha në violinë, Endrit Xërxa në kitarë, Visar Kuçi në bas kitarë dhe mandolinë, Ervis Çaushi në fizarmonikë, Fatjon Miftari në piano, Ardian Bakalli në daulle si dhe Tanju Sulejman në perkusion, kanë sjellë copëza magjie përbrenda secilës këngë. Çdo herë ndryshe në stilin e tyre, ata arritën që këtë mbrëmje ta ndezin flakë e publikun ta bëjnë për vete lehtazi. Njëlloj si emërtimi i albumit, “Udhëtim në kohë”, ky koncert ishte me të vërtetë i tillë. Këngët e vjetra shqiptare dhe popullore janë ringjallur për të lënë gjurmë të dukshme moderne.
Edhe pse teksti këndohej pothuajse nga gjithsecili i pranishëm, ishte vija melodike ajo që kishte ndërruar formë dhe kjo veçse është mirëpritur nga audienca që me duartrokitje të shumta ka mirëpritur secilën këngë. Me buzëqeshje në fytyrat e secilit dhe lëvizjet e tyre në vend, ritmi i tyre trupor ishte i të njëjtit nivel me atë në skenë. Këngë pas kënge, duartrokitje pas duartrokitje e instrument pas instrumenti, kjo mbrëmje dëshmoi për një nevojë të pashtershme që ka skena kulturore në Kosovë.
Është vetëm edicioni i dytë i këtij festivali, por tashmë netët e radhës po priten me padurim që të vinë sa më shpejt në kryeqytet. Krejt kjo dëshirë e dalluar erdhi nga kjo mbrëmje që dëshmoi për kapacitetin e lartë të profesionistëve shqiptarë të cilët me muzikën e tyre krijuan një mbrëmje magjike.
Baritoni Adhurim Grezda për KultPlus foli rreth emocioneve të tij pas një koncerti të tillë.
“Ideja e albumit ka ardhur gjatë periudhës pandemike dhe atëherë kohën e gjallëruam shpirtërisht me muzikë dhe njëkohësisht arritëm të përzgjedhim trembëdhjetë këngë për këtë album. Kryesisht këngët që i zgjedh janë këngë që i përshtaten vokalit tim dhe janë këngë që të gjithë i njohin. Shumica nga këngët janë nga Berati, Shkodra, Durrësi, Korça, një është valle arbëreshe dhe normalisht kënga ‘Mallëngjimi’ nga Muharrem Qena”, thotë ai.
Sipas tij, emërtimi i albumit “Udhëtim në kohë” ka ardhur nga ideja se nëpërmjet muzikës së dikurshme të vjen muzika bashkëkohore.
“’Asaman, trëndafili i çelës’ është një këngë që e kam dëgjuar qysh fëmijë dhe kam nostalgji sa herë e dëgjoj andaj dhe këtyre këngëve i ka ardhur momenti që t’i punojmë në mënyrë profesionale”, thotë Grezda.
Po ashtu, kitaristi Endrit Xërxa tregoi pak për procesin e krijimit të një albumi si dhe përshtypjeve të tij për këtë mbrëmje.
“Normalisht ka qenë një emocion i madh për të qenë në skenë duke marrë parasysh që nuk jemi marrë vetëm me aranzhimin e këngëve por jemi marrë edhe me incizimin e tyre, dizajnimin e kopertinës, me ftesën për instrumentistë të tjerë ngase nuk kemi qenë vetëm ne si trio dhe pas krejt kësaj pune është shpërblyer mundi jonë. Në secilën këngë, ne kemi ndërhyrë me aranzhimet tona më moderne, por ka edhe këngë që ne ia kemi ndërruar komplet formën vetëm teksti ka mbetur siç ka qenë, p.sh poezinë “Kroi i fshatit tonë” e kemi shndërruar në këngë dhe llogaritet si me qenë një këngë e re”, thotë ai.
Gjithashtu, violinisti Dalvin Mamushaj e vlerësoi kohën pandemike si një kohë që ka rezultuar mirë për diçka, e në këtë rast, në krijimin e albumit të tyre.
“Ishte një kënaqësi me të vërtetë e veçantë që sonte ishim pjesë e festivalit të Ramë Lahajt dhe patëm rastin të prezantojmë punën tonë dy vjeçare. Ka qenë një periudhë e vështirë në fillim pasi që patëm edhe pandeminë por në këtë rast ka pasur edhe të mirat e veta ngaqë kemi pasur mundësinë të sjellim punën tonë. Në këtë rast kemi ardhur me një formacion më të zgjeruar dhe ka qenë një ndjenjë tjetër për neve e po ashtu edhe për publikun sepse kanë mundur të dëgjojnë shumëllojshmërinë e ngjyrave”, shpalos Mamushaj.
“Ramë Lahaj International Opera Festival” gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 4 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e dytë e këtij festivali vjen më datë 24 korrik nën emërtimin “Opera Night” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.
Në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, sot është mbajtur konferenca hapëse e festivalit ‘Ramë Lahaj International Opera Festival, shkruan KultPlus.
Koordinatorja artistike e këtij festivali, Ulpiana Alijaj e mori fjalën e para ku u shpreh e lumtur për hapjen e edicionit të dytë të RLIOF duke e cilësuar si një ndër festivalet më të shëndetshme dhe më të rëndësishme për ta vënë jo vetëm Kosovën por edhe artin operistik në një piedestal evropian por edhe më gjerë.
“Në festivalin tonë këtë edicion do të paraqesim një gamë shumë të gjerë të repertorit operistik, por nisur ky edhe nga thelbi dhe muzika shqipe dhe të cilës i kemi dhënë një vend shumë të rëndësishëm dhe që jo më kot e nisim sot festivalin tonë me ‘Ensamble evening’ dhe me një lëvrim të mirë të muzikës folklorike shqiptare e sjellë kjo në një mënyrë shumë të rafinuar nga “Don’t listen to your neighbours” për të vijuar pas me një mbrëmje speciale në kuadër të ‘Opera night’ ku do të kemi dy kolegë nga Italia, sopranoja Erika Grimaldi dhe tenori Leonardo Caimi shoqëruar nga pianisti kosovar Mennan Berveniku i cili vjen enkas për këtë event”, tha Alijaj duke dhënë detaje për programin operistik të këtij festivali.
Po ashtu me datën 26, do të ketë mbrëmje të dedikuar enkas për repertorin e këngëtares Nexhmije Pagarusha.
“Në këtë mbrëmje do të celebrojmë edhe një kompozitor shumë të rëndësishëm shqiptar siç është Çesk Zadeja në 95-vjetorin e lindjes së tij dhe në këtë kuadër do të kemi edhe vepra që do të jenë premierë për skenën kosovare edhe për skenën shqiptare, pasi kemi sjellë vepra të cilat janë premierë në skenën e festivalit tonë”, tha Alijaj e cila tutje tregoi se më datë 28 do të jetw një mbrëmje shumë interesante, konkludimi i një pune intensive, i cili përmbyllet me koncertin e ‘New Generation’ dhe ofrohet nga e gjithë puna që do të zhvillohet gjatë këtyre ditëve nga mjeshtri i zërit, Jean Bernard Thomas shoqëruar në piano nga Fjorda Veizaj dhe për të arritur kulmin e festivalit në datën 31 në sheshin ‘Skënderbeu’ ku përkrah tenorit Lahaj dhe miqve të tjerë do të performojw për herë të parë në trojet shqiptare një soprano e nivelit ndërkombëtar siç është Angela Gheorghiu.
Më pas fjalën e mori vetë themeluesi i festivalit, Ramë Lahaj i cili falënderoi të gjithë ata që e bënë të mundur realizimin e ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ e që këtë vit shënon edicionin e dytë.
“Ajo që më bën të vazhdoj dhe ta përballoj tërë këtë stres është që në shoqërinë tonë të fillojë një lloj tradite ose një festival i natyrës së tillë, që jo vetëm që se ka pasë Kosova por as rajoni. Ajo që më shtyn për me jep tërë këtë energji është dëshira për ta realizuar një festival i cili do të kthehet në traditë dhe do të jetë pjesë e pandashme sepse jam i sigurt që i duhet edhe institucioneve të Kosovës, sidomos nëse flasim për operan, meqë jemi në planifikim të ndërtimit të Institucionit të Operas”, u shpreh Lahaj i cili shtoi se me këtë festival ka dashur të paraprijë, të ndihmojë dhe t’i dalë në ndihmë të gjithë talentëve rinj, që e kanë talentin, por mundësinë të dalin jashtë, të punojnë me trajnerë e kanë pothuajse të pamundur, përcjell KultPlus.
Në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrualla Çeku i cili u shpreh shumë i nderuar për prezencën e tij në këtë panel.
Ministri Çeku deklaroi se Kosova që nga viti i kaluar ka bërë hapa konkretë në themelimin e Institucionit të Operas së Kosovës dhe nga ky vit ka proceduar me funksionalizim të këshillit, me staf, me program vjetor dhe zhvillim të kapaciteteve infrastrukturore.
“Puna e komunitetit artistik që përfshin edhe kontributin e Ramë Lahaj dhe kolegët e tij vendorë e ndërkombëtar në festival ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, që është unik në Kosovë e rajon po e vendosë Kosovën në rrafshin operistik ndërkombëtar gjë të cilën Ministria e Kulturës e vlerëson shumë në veçanti në aspektin e diplomacisë kulturore”, u shpreh Çeku, e i cili thotë poashtu se Ministria e Kulturës e vlerëson faktin që Ramë Lahaj si artist i skenës botërore operistike kthehet në Kosovë dhe kontribuon përmes festivalit dhe fondacionit ‘Rame Lahaj’.
Në panelin e konferencës hapëse të festivalit ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ foli edhe i pari i Prishtinës, Përparim Rama.
“Ky festival operistik ofron kontribut të rëndësishëm e të drejtpërdrejtë në pasurimin e jetës kulturore të kryeqytetit duke bërë Prishtinën një platformë të rëndësishme të artit operistik meqë festivali ‘RLIOF’ është i vetmi në Kosovë dhe rajon me strukturë të tillë ku përveç programit të pasur dhe artistëve kulminantë, punohet edhe me talentët e rinj për të ndihmuar institucionet kulturore të Kosovës”, tha Rama.
Përparim Rama u shpreh po ashtu se me këtë festival dhe me ngjarjen kulminante më 31 korrik në sheshin kryesor të Prishtinës, jo vetëm që publikut u ofrohet një program me cilësi të lartë artistik të këtij zhanri, por ardhja e artistëve të shquar e promovon Prishtinën në arenën ndërkombëtare, në aspektin më të rëndësishëm, atë të artit dhe të kulturës.
E për fund, fjalën e mori mjeshtri i zërit, Jean Bernard Thomas, i cili njëherit është edhe trajnuesi i Ramë Lahaj dhe që në këtë festival ka ardhur të ushtrojë edhe shumë talentë të rinj kosovarë.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu për të marrë pjesë në festivalin e Ramë Lahaj, të cilin e kam njohur pak vite më parë dhe siç e dini unë jam trajnuesi tij, ne punojmë sëbashku ai është tenor edhe unë jam po ashtu tenor. Unë jetoj shumë larg nga këtu dhe po i thosha Ramës dy ditë para se të vija këtu që njerëzit më flisnin keq për Kosovën dhe jam shumë i surprizuar të shoh si janë evropianët këtu dhe se sa zëra të mirë ka këtu”, tha Jean Bernard Thomas, i cili pas përfundimit të konferencës filloi punëtorinë e tij.
Ramë Lahaj International Opera Festival, i vetmi festival i llojit të tij në rajon, prezanton edicionin e tij të dytë i cili do të zhvillohet në datat 21.07-31.07.2022. Synimi i festivalit është të ndërtojë një urë mes skenës kosovare dhe asaj ndërkombëtare, të nxitë dhe të ofrojë një mjedis ku artistë të rinj premtues zhvillohen dhe ekspozohen, duke hedhur kështu themelet e një tradite të artit të operas./ KultPlus.com