Kanë filluar xhirimet e filmit “Pikë uji”, në rolet kryesore Gresa Pallaska, Astrit Kabashi e Arben Bajraktaraj

Me skenar të Doruntina Bashës, Robert Budina e Akola Daja e me regji të Robert Budina kanë filluar xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë “Pikë uji”, xhirime që për momentin janë duke u realizuar në Pogradec, shkruan KultPlus.

Bëhet e ditur se në këtë film me role kryesore janë përfshirë tre aktorë të mrekullueshëm si; Gresa Pallaska, Astrit Kabashi e Arben Bajraktaraj, kurse ky projekt filmim është bashkëprodhim mes Shqipërisë, Italisë Rumanisë e Kosovës me produksionet Rafilm- Avanpost, Redibis dhe Iliria Film./ KultPlus.com

3 gazetare dhe një redaksi televizioni, filmi i Robert Budinës për lirinë e medias u dha premierë

Regjisori i njohur shqiptar Robert Budina shfaqi sot në Tiranë filmin e tij të ri artistik titulluar “Katrori i Pushtetit”.

Në qendër të filmit janë 3 gazetare dhe një redaksi televizioni, të përfshirë në raportimin e lajmeve, teksa përballen me krimin, korrupsionin dhe vet hallet e jetës së tyre.

Premiera e parë iu kushtua gazetarëve, të cilët, sipas studimeve, ndeshen përditë me kërcënimet e shumanshme, pagat e ulëta, autocensurën dhe shpërdorimin politik.

Filmi më i ri artistik i regjisorit të njohur Robert Budina “Katrori i Pushtetit” i kushtohet lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes.

Një kriminel lirohet befas nga dënimi me burgim të përjetshëm dhe një politikan i shquar vdes papritur në vilën e tij, ndërsa redaksia e varfër e lajmeve të Televizionit Era, EraTV, nuk pranon të shitet të këmbim të lirisë së raportimit, edhe pse me gazetarë të papaguar mirë dhe me një mori hallesh familjare.

Gazetaret në role, aktoret Ema Andrea, Dasara Xhangolli dhe Sara Smaja, të drejtuara nga kryeredaktori i tyre, artisti i njohur Neritan Liçaj, rendin pas lajmeve të politikës, kriminalitetit dhe ekonomisë, por prapa çdo muri goditen, kërcënohen dhe pengohen nga politikanët, kriminelët dhe të korruptuarit.

“Tre vajzat gazetare zbulojnë një korrupsion të madh shpirtëror të kësaj shoqërie dhe të gjitha së bashku përpiqen të formojnë atë puzzle-n e duhur dhe të gjejnë se çfarë duhet të bëjnë me këtë gjë që kanë zbuluar. Janë vënë përballë një dileme të madhe, por në gjithë në këtë përpjekje ato kanë pengesa të jashtëzakonshme. Këtë thotë edhe titulli i filmit: media përballë politikës, krimit dhe biznesit” – thotë regjisori i filmit, Robert Budina.

Filmi “Katrori i Pushtetit” është, sipas tij, një shenjë respekti për sakrificat e gazetarëve shqiptarë, që nuk pranojnë të keqpërdoren dhe refuzojnë të mbërthehen nga intrigat e pushteteve të tjera.

Premiera e parë e filmit iu kushtua gazetarëve, ata ishin spektatorët e parë të tij dhe shumë prej tyre e gjetën veten në të.

Një prej tyre ishte pedagogu i gazetarisë në Universitetin e Tiranës, më herët fitues një çmimi vjetor për gazetarinë investigative, kur raportoi një rast korrupsioni me fondet publike.

“Reporterët e terrenit në Shqipëri, ata që kanë kontakt të menjëhershëm me lajmin, kanë disa sfida përpara. Sfida e parë është me pronarët e tyre, të cilët nuk i kanë në anën e tyre. Pronarët janë në anën e biznesit të tyre dhe shpesh herë në anën e pushtetit. Sfida e dytë është pushteti, i cili është sigurisht përballë tyre, dhe përpiqet t’i deligjitimojë, t’i pengojë dhe t’i linçojë ata. Sfida e tretë është marketingu, i cili përpiqet gjithashtu që t’a përzjejë informacionin me reklamën, me propagandën, me marrëdhëniet publike etj. Këto tre sfida janë të mjaftueshme që profesioni i gazetarit të bëhet tejet i lodhshëm dhe sfidues për reporterët, megjithë pasionin që ata kanë për të vërtetën” – thotë zoti Bregu.

Autorët pohuan se filmi artistik “Katrori i Pushtetit” përpiqet të shpjegojë shembullin shqiptar të raporteve midis medias nga një anë dhe politikës, biznesit dhe krimit nga ana tjetër.

Regjisori Budina thotë se ka arritur të krijojë një film artistik, brenda të cilit ndriçohet dhe bëhet i dukshëm realiteti i hidhur i pushteteve të dhunshme, që lidhin me fije të fshehta për t’i penguar gazetarët në detyrën e tyre për lajme të sakta dhe të pacensuruara, raporton VoA.

“Ne menduam që të tregojmë historinë e tre gazetareve gra e vajza, me besimin se atyre u duhet besuar më shumë fuqi në vendim-marrje, gjë e cila është ende dobët në Shqipëri. Unë besoj se gra më të forta në Shqipëri do të bëjnë shoqëri, institucione dhe demokraci më të fortë. Përvoja ka treguar se, kur janë në detyra të rëndësishme vendim-marrëse, ato marrin vendime më të drejta se burrat” – thotë regjisori Budina.

Filmi “Katrori i Pushtetit” hyn në redaksitë e lajmeve, në tryezat e tyre të punës, studiot e montazhit dhe të debateve, në furgonat e gazetarëve, që nxitojnë drejt vendngjarjeve të krimit, hyn edhe në shtëpitë e reporterëve, me fëmijë, prindër dhe me halle si gjithë qytetarët e tjerë.

Po ashtu hyn edhe në vilat e politikanëve, brenda spitaleve dhe jetimoreve, nëpër kafene dhe mjedise të tjera, ku tema e ditës është mbijetesa përballë abuzimeve të shumëllojshme të pushteteve, që dhunojnë jetesën e qytetarëve./KultPlus.com

Me plis në Festivalin e Filmit të Estonisë (FOTO)

Mbrëmë u dha premiera botërore e filmit “Streha mes reve” e regjisorit Robert Budina, në Estoni shkruan KultPlus.

Premiera botërore e këtij filmi është bërë në kuadër të festivalit “Tallin Black Nights Film Festival”, ku ky filmi është në konkurrim zyrtar në edicionin e 22-të.

Ndërsa ajo që ra në sy ishte kasta e aktorëve të cilët pas përfundimit të premierës së filmit u ngjitën në skenë me plis në kokë.

Pjesë e kastës së aktorëve janë: Arben Bajraktaraj, Esela Pysqyli, Bruno Shllaku, Irena Cahani, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili dhe Virus Shala.

KultPlus, sjellë fotografi nga ky moment./ KultPlus.com

Filmi i Robert Budinës premierë në “Tallin Black Nights Festival”

“Streha mes Reve”, filmi i dytë me metrazh të gjatë i skenaristit dhe regjisorit shqiptar Robert Budina, do të ketë premierën e tij botërore në konkurrimin zyrtar të Festivalit të Filmit Tallin Black Nights.

Ai vjen si njē financim i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në bashkëprodhim me RTSH. I themeluar në vitin 1997, Tallin Black Nights Film Festival është zgjeruar së shumti duke u kthyer në një prej festivaleve më të mëdhenj të Europës Veriore dhe një ndër platformat më të përqendruara rajonale të industrisë së filmit, duke mirëpritur më shumë se 1000 të ftuar dhe përfaqësues të fushës dhe më shumë se 160 gazetarë nga e gjithë bota.

Përgjatë ditëve të tij shfaqen rreth 250 filma të gjatë dhe më shumë se 300 filma me metrazh të shkurtër dhe të animuar duke shënuar një publik prej më shumë se 80 mijë vetësh çdo vit. Në vitin 2017 festivali është mbuluar në 71 gjuhë të ndryshme të botës me një mesatare të mbullimit mediatik prej 1.1 miliardë njërëz.

Në vitin 2014 festivali ka marrë akreditimin e FIAPF për realizimin një konkurrimi zyrtar ndërkombëtar çka e ka futur atë në të ashtuquajturën Kategoria A e festivaleve të filmit, ndërmjet 14 të tillëve në gjithë botën. Por më e rëndësishmja ai cilësohet së bashku me Festivalin e Kanës, Venecias dhe Berlinale si ndër 4 më të rëndësishmit në përzgjedhjen e filmave të konkurrimit kryesor. Ndaj përzgjedhja e fimit të regjisorit Robert Budina, në kategorinë zyrtare të këtij Festivali sjell me vete edhe mundësinë e madhe për kinematografinë shqiptare për të qënë pjesë e rëndësishme e industrisë së filmit në Europë dhe në botë.

“Doja të realizoja një film intim, personal të realizmit magjik në kufijtë e përrallës ku koha ka ndaluar dhe historia jonë mund të ketë ndodhur, ndodh, ose do të ndodhë. Kjo ngjarje nuk mund të ndodhte veç mes malesh dhe natyrës së vërtetë, virgjërisë, bukurisë, pastërtisë, qetësisë, aty ku e ka origjinën njëriu dhe ku ka lindur historia e tij”, është shprehur regjisori Robert Budina, i cili e ka xhiruar atë në Luginën e Valbonës dhe Dragobisë.

Në filmin “Streha Mes Reve”, interpreton aktori me famë ndërkombëtare, Arben Bajraktaraj (i njohur për: Taken, Harry Potter dhe Deathly Hallows) në rolin kryesor, atë të Besnikut. Filmi tregon historinë e Besnikut, një bari që vuan nga një çrregullim mendor, i cili po kujdeset për të atin, një ish komunist, në një fshat në Shqipërinë malore të Veriut. Atje ku fetë e ndryshme kanë gjetur një mënyrë për të bashkëjetuar paqësisht, Besniku është një musliman i devotshëm, nëna e tij ishte katolike dhe vëllai i tij u kthye në besimin ortodoks në Greqi.

Edhe pas zbulimit se xhamia e vjetër e fshatit ishte një kishë dhe se ndërtesa ishte në të vërtetë e ndarë nga dy fetë në të kaluarën, qetësia e jetës së përditshme mund të ruhet vetem me ndihmën e Besnikut. Megjithatë, pas vdekjes së babait të tij, ndryshimet drastike kërcënojnë familjen e Besnikut dhe bariu është i detyruar të krijojë rrugën e tij.

Filmi është financuar nga QKK dhe prodhuar nga producentja Sabina Kodra (Era film) në bashkëprodhim me RTSH dhe Cristian Nicolescu, Rumani (Digital Cube). Streha mes Reve u xhirua nga Drejtori i fotografisë së Radu Jude, Marius Panduru (i cili gjithashtu ka xhiruar filmin “Album”, triumfues në festivalin e filmit të Sarajevës në 2014), montazhier Ştefan Tatu (Wolf) dhe Kompozitor Marius Leftărache. Kasti filmik përbëhet po ashtu nga Esela Pysqyli, Irena Cahani, Bruno Shllaku dhe Osman Ahmeti dhe të drejtat ndërkombëtare trajtohen nga Distribucioni Gjerman i Pluto Film. Filmi do të ketë premierën në Shqipëri në datën 13 Dhjetor 2018, shkruan Gazeta Shqip./ KultPlus.com