Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka kremtuar sot 77 vjetorin e saj, ku edhe si zakonisht për katër vite me radhës është duke u bërë ndarja e çmimit “Pjetër Bogdani”, shkruan KultPlus.
Çmimi “Pjetër Bodgani” u nda për herë të parë në vitin 2017, për kontributin e çmueshëm në zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare.
Këshilli drejtues i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në shenjë falënderimi për personat dhe institucionet vendore dhe kombëtare të cilët në angazhimin e tyre kanë ndikuar në avancimin e biblotekave të Kosovës ka ndarë çmimin “Pjetër Bodgani” për profesorin nga Kalifornia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Robert Montoya.
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ia dorëzoi çmimin profesorit universitar, derisa Montoya u ftua edhe për një fjalim rasti.
“Faleminderit shumë të gjithëve për fjalët e juaja, dua të falënderoj të pranishmit që janë këtu por veçanërisht kolegët e mi. Sot është një ditë e rëndësishme për Bibliotekën e Kosovës pasi feston 77 vjetorin e krijimit. Bibliotekat në përgjithësi janë një pjesë esenciale e një vendi”, filloi ai.
Profesori universitat vuri theks të madh në imagjinatën, dhe madje tha se një person, një komunitet dhe një vend nuk është asgjë pa imagjinatën.
“Ne nuk jemi këtu vetëm të shënojmë një ditë të një institucioni ose diçka e ngjashme, por është një ditë që ne duhet të festojmë. Biblioteka e Kosovës është një koncept që kosovarëve iu duhet, kur e mbështesim BKK-në, ne po mbështesim Kosovën”, vazhdoi ai.
Në fund, Montoya shfaqi shpirtin e tij modest, ku edhe tha se nuk është mësuar të marrë mirënjohje të tilla, por ndjehet shumë i nderuar nga ky çmim.
Gjatë kësaj ceremonie u ndanë edhe disa mirënjohje për persona që kanë dhënë kontribut në zhvillimin e veprimtarive brenda bibliotekës dhe jashtë saj. /KultPlus.com