Lumturia

Në 70 vjetorin e lindjes, KultPlus ua sjell poezinë ‘Lumturia’ nga Roberto Benigni, shkuran KultPlus.

Lumturia, po lumturia!

Me që ra fjala për lumturinë, kërkojeni çdo ditë, vazhdimisht.

 Çdokush që po më dëgjon në këtë moment të vihet në kërkim të lumturisë, tani, në këtë moment, sepse është aty!

Ju e keni, ne e kemi. Na është dhënë të gjithve,

na është dhënë  kur kemi qënë të vegjël,

na e kanë dhënë si  një dhuratë.

Ishte një dhuratë aq e bukur sa e fshehëm,

siç bëjnë qentë me kockën kur e fshehin.

Disa prej nesh e kanë fshehur aq mirë

sa nuk e mbajnë mend se ku e kanë fshehur.

Por e kemi, e keni, shikoni,

shikoni në çdo qoshe, në thellësinë e shpirtit tuaj.

Hidhni çdo gjë në ajër, sirtaret,

komodinat dhe çfarë keni brenda në to,

do ta shihni që ajo do të dalë në dritë.

Provoni të hidhni kutitë, veshjet, shtatin,

ajo ndodhet aty.

Duhet të mendojmë gjithmonë për lumturinë

edhe pse ajo ndonjeherë na harron ne.

Ne nuk duhet ta harrojmë kurrë atë,

deri në ditën e fundit të jetës sonë. / KultPlus.com

Aktori Benigni pasi fitoi çmimin “Luani i Artë”: Nëse ndonjëherë kam fluturuar në çdo punë temen, kjo ishte veç falë partneres time

Nga Roberto Benigni

(gjatë marrjes së çmimit të Luanit të Artë në Festivalin e Filmit në Venecia. Një letër për të falënderuar partneren e tij të jetës, Nicoletta Braschi.)

“Në këtë moment dua t’i kushtoj një mendim Nicoletta Braschi, e cila asht këtu në sallë. Ne kemi ba gjithçka së bashku për 40 vjet. Unë di vetëm një mënyrë për me matë kohën: me ty ose pa ty. Tash a ta ndajmë këtë Luan, unë po marr bishtin, kështu të tregoj gëzimin tem, gëzimin tem tuj e tundë bishtin tem dhe ti merr pjesën tjetër; Mbi të gjitha mendoj se krahët janë të tutë, sepse nëse ndonjëherë kam fluturuar në çdo punë temen, kjo ishte veç falë teje, talentit tand, misterit, sharmit, bukurisë, feminitetit, fakti i të kenunit gru. Të jesh gru asht një mister që na meshkujt nuk e kuptojmë. Groucho Marx kishte të drejtë kur tha se “burrat janë gra që nuk ia kanë dalë”. Dhe kjo asht e vërteta. Nuk mund të isha si ti, Nikoletta. Nëse diçka të bukur dhe të mirë e kam ba në jetën teme kjo asht realizu gjithmonë falë dritës tande. E jona ishte një dashni me shikim të parë, në të vërtetë me shikim të përjetshëm”.

Përktheu: Arjola Zadrima / KultPlus.com

‘Festivali i Venecias’, Beningi vlerësohet me çmim karriere

Ceremonia hapëse e festivalit të filmit në Venecia u mbajt mbrëmjen e së mërkurës, duke shkundur zymtësinë e pandemisë së koronavirusit e duke nderuar yllin e kinemasë italiane, Roberto Benigni. Aktori dhe regjisori, i vlerësuar me Luanin e Artë për karrierën, u prezantua nga regjisorja Jane Caption, e cila tha se Benigni është shumë i nevojshëm në këto kohë të vështira.

Sakaq, artisti solli në skenë sharmin dhe humorin për të cilin është i famshëm.

“Dua të falënderoj të gjithë ata që më kanë dashur dhe kanë besuar tek ajo që unë bëj, pasi unë kam ardhur nga hiçi. Nga varfëria, një varfëri e mrekullueshme, aristokrate, por një varfëri vërtet e bukur”, deklaroi i emocionuar regjisori dhe protagonisti i “La vita e bella”. 

 “Është një nder i madh të jem president i jurisë së festivalit. Si një adhurues i kinemasë po pres me entuziazëm të shoh 21 filmat në garë, në festivalin me historinë më të gjatë”, deklaroi ai. 

Ndryshe nga Kana rivale, festivali më i vjetër i filmit në botë nuk e anuloi edicionin e vitit 2020 për shkak të krizës shëndetësore, por vetëm këtë vit yjet e kinemasë po rikthehen në fuqi të plotë, para pallatit të Lidos, në një shfaqje të mbështetjes për industrinë e goditur rëndë.  Një protokoll strikt kundër koronavirusit do të jetë në fuqi përgjatë maratonës 11-ditore./KultPlus.com