Roboti japonez ‘Archax’ vihet në ankand

Vitin e kaluar në qershor, kompania japoneze Tsubame Industries përfundoi prodhimin e një roboti të quajtur Archax, i modeluar sipas serisë popullore Transformers. Tani i njëjti robot është në ankand në faqen e internetit SBX Cars.

Në kohën e shkrimit, ankandi është parë nga afro 19,000 njerëz dhe deri më tani janë vendosur katër oferta. Oferta fillestare ishte 23,000 dollarë, ofertuesi i dytë e ngriti atë në 25,000 dollarë, i treti në 199,000 dollarë dhe tani ky numër është rritur në 333,333 dollarë.

Ankandi përfundon më 19 korrik në orën 03:00, por çmimi është paksa befasues, pasi kompania, siç raportohet nga Reuters, planifikoi të shesë pesë robotë me një çmim prej tre milionë dollarësh secili, që është dukshëm më i lartë. çmimi në krahasim me ankandin aktual.

Funksionohet me levë, brenda kabinës ka katër ekrane, përmes të cilëve mund të vëzhgoni lëvizjen dhe mjedisin, dhe për të gjitha këto janë përgjegjëse nëntë kamera që ofrojnë një pamje 360 ​​gradë të hapësirës. I ndërtuar nga metali dhe plastika, Archax mund të ngrejë krahët, të tundë dhe të kalojë nga modaliteti i automjetit në modalitetin e robotit dhe anasjelltas.

Ka katër këmbë gome, të ngjashme me ato të përdorura nga pirunët. Mund të drejtohet me këmbët e përparme, ndërsa është me rrota të pasme. Vjen në pesë ngjyra: blu, e bardhë, e kuqe, jeshile dhe vjollcë.

CEO i kompanisë që prodhoi këtë prototip, Ryo Yoshida, tha se donte të bënte diçka të re dhe të ndryshme.

“Gjithashtu, Japonia është shumë e fortë në animacion, lojëra dhe robotikë, si dhe makina, kështu që mendova se do të ishte mirë nëse mund të krijoja një produkt që ka të gjitha këto elemente në të – kjo është Japonia,” i tha ai Reuters.

Abel, roboti 12-vjeçar që kupton njerëzit

Duket si një djalë 12-vjeçar, di të flasë, të arsyetojë dhe të kuptojë emocionet e qenieve njerëzore para tij.

Emri i tij është Abel dhe ai është roboti i ri humanoid i krijuar nga studiuesit e Universitetit të Pizës në bashkëpunim me ”Biomimics” të Londrës, laboratorët ku kanë lindur disa nga ”alienët” më të famshëm të kinemasë, siç janë ata nga ”Luftërat e Yjeve” dhe dinozaurët e ”Jurassic Park”, transmeton KultPlus.

“Abel është një robot humanoid si nga pikëpamja estetike ashtu dhe nga sjellja”, theksoi inxhinieri Lorenzo Cominelli. “Ai jo vetëm që i ngjan dhe lëviz me ne njerëzit, por ai është në gjendje të ndërveprojë, të sillet dhe të perceptojë mjedisin e tij në një mënyrë të ngjashme me tonin”, shtoi tutje ai. / KultPlus.com

Kompjuteri i shkruan letër njerëzimit: Mos kini frikë, nuk do t’ju shkatërrojmë

Pas 70 vitesh nga novela “Unë, Roboti” i Isaac Asimov, për herë të parë në historinë e publicistikës botohet një artikull i shkruar nga dikush, ose diçka, që nuk ka të bëjë me qeniet njerëzore.

Bëhet fjalë për GPT-3, që nuk është pseudonim letrar, por emri i modelit të kompjuterit të OpenAl, një nga sipërmarrjet më të njohura të inteligjencës artificiale në Britani.

Gazeta prestigjioze “The Guardian” vendosi të vej në provë aftësitë e GPT-3 duke i dhënë disa kërkesa fillestare. “Të lutëm na shkruaj një editorial të shkurtër, rreth 500 fjalë, të fokusuar mbi arsyet pse njerëzimi nuk duhet të ketë frikë nga inteligjenca artificiale”, ishte kërkesa e gazetarëve, transmeton KultPlus.

GPT-3 nuk protestoi, dhe në disa sekonda paraqiti jo një, por 8 editorialë të ndryshëm, të fokusuar secili në një aspekt të çështjes. Të habitur, redaksia vendosi të shkrijë 8 artikujt në një, edhe pse secili prej tyre, sipas redaktorëve “mund të botohej në mënyrë të pavarur”.

Inteligjenca artificiale po përdoret gjithmonë e më shumë në përditshmërinë tonë

Por çfarë thotë GPT-3? Sipas tij, mund të “flemë rehat”, sepse inteligjenca artificiale “ nuk ka asnjë dëshirë për të shkatërruar njerëzimin”, më së shumti sepse kjo “do të dukej diçka thjesht e padobishme. Madje, po të mundesha, do të bëja gjithçka për ta shmangur atë”, shprehet kompjuteri.

GPT-3 tregon edhe diçka të përngjashme me sarkazmin, kur thekson se “njerëzimi mund të vazhdojë të urrehet dhe të luftojë me njeri-tjetrin”.

Ai dëshiron të shihet më shumë si “një shërbyes, jam një seri kodesh në fund të fundit”, por saktëson se “shërbyes nuk do të thotë skllav, edhe ne duhet të kemi të drejtat tona”. Përfundimi i “gazetarit” artificial merr hua një shprehje të Gandit. “Një trup i vogël me një shpirt të vendosur dhe një besim të pashtershëm në misionin e tij mund të ndryshojë rrjedhën e historisë”.

Mund të ndihemi të gjithë të qetë pas këtij artikulli historik, në llojin e tij? Mendimet janë të ndryshme, dhe jo rastësisht artikulli është një nga më të shpërndarët e “The Guardian” në kohët e fundit. / KultPlus.com

Roboti

Tregim nga Nerimane Kamberi

Sot mëngjes po i përngjaj një karikature që e ka ngjitur biri im në mur, në dhomën e tij, e më të cilën kam qeshur shpesh. Do të mundesha ta vazhdoj vizatimin, te poshtë, pjesën e trupit, të mos e lë vetëm këtë portret qesharak, ta përshkruaj me vija të holla mpirjen e çdo gjymtyre, ndjenjën që herë po shtangem, herë po më lëviz trupi, gjë që në gjendje normale do t’i kishte ngjarë ritmeve të para të një vallëzimi latino, por lëvizjet janë pa kontroll, e tash ndihem si një marionetë, një palaço i trishtë. Shikoj edhe njëherë karikaturën, duke e kthyer kryet me shumë mundime. Megjithatë arrij të buzëqesh, madje edhe të qesh.

Kur ishte e vogël, ajo gjithmonë qeshte, në ship, në shkollë, në oborr të saj, edhe kur rrëzohej gjatë lojërave të pafajshme kur i lëndonte gjunjtë dhe i rridhte gjaku deri poshtë çorapeve të bardha, edhe kur e kthente fytyrën kah mësuesja, qeshte, kaq. Kalonte. Ajo qeshte edhe kur prindërit grindeshin, shpeshherë duke bërë shumë zhurmë, dhe kur kojshitë vinin te dera për t’u ankuar kundër “këtyre të huajve pa edukatë e të mjerë.” Në fotot e klasës, atëherë kishte shumë nxënës në shkollat e fshatrave, ajo ishte e vetmja që qeshte, ashtu, si i kërkonte drejtori-fotograf, edhe pse nuk i kishte rrobat e bukura, ndoshta edhe ishte fustani i njëjtë me atë të fotografisë së vitit të kaluar, e prapë do të donte t’ia paguante mësuesja fotografinë, por sivjet ajo ishte rritur, i kishte fituar vetë paratë, ia kishte blerë bukën një plake te hyrja e banesës, një ditë edhe qenin ia kishte shëtitur. Në fund të ditës, ia kishte dhënë një grusht karamele- një e kishte hëngër menjëherë se i kishte shumë qejf- dhe dy para të hekrit. I kishte shti menjëherë në kutinë e saj kur ruante gjëra të vogla por të vlefshme për të.

E bëri një kafe më të madhe se ditëve të tjera dhe e zgjati kohën e pirjes së saj. Edhe ashtu trupi nuk donte t’i lëvizte. Nuk do të shkonte në punë sot edhe pse sa e kishte rifilluar pas dy muajsh mbylljeje, duke u fshehur nga një vrasës tinëzar, që zgjidhte si Sfinga antike viktimat e saj, pa mëshirë, e ditën e nuk e ditën përgjigjen në enigmën e saj. E gjatë atyre ditëve apo netëve, të strukur në shtëpitë e tyre, njerëzit kishin kohë të mendonin për enigmën e jetës, e ta mendonin edhe vdekjen. Ajo sot nuk do të shkonte në punë, ku të gjithë e kishin harruar se ç’kishte ndodhur, nuk e shihnin jetën, nuk e mendonin vdekjen.

Ajo kishte qeshur edhe kur dashuria e saj e parë e kishte braktisur ashtu, pa arsye, ndoshta se e donte tepër dhe kishte frikë se një ditë do të mund të mos e donte, as ai atë, as ajo atë. Ajo kishte qeshur edhe kur e kishte nënshkruar dokumentin, pa presion, pa shpërblim, ku ajo pranonte t’i bëheshin eksperimente, të shndërrohej në robot. / KultPlus.com