Kompania me bazë në San Francisko, OpenAI, e cila ka krijuar ChatGPT, ka investuar në kompaninë 1X, që prodhon robotë humanoidë për të realizuar një version fizik të inteligjencës së tyre artificiale.
Tashmë janë publikuar edhe pamje se si do të dukej një robot i tillë me inteligjencë artificiale, i cili veç veprimeve të thjeshta fizike, do të ishte i gatshëm të bashkëveprojë me njerëzit e të komunikojë me ta. Roboti i quajtur EVE është programuar të punojë së bashku me qeniet njerëzore. Ai është i aftë të lëvizje objekte e t’i paketojë ato.
OpenAI ka investuar 23,5 milionë dollarë për të ndërtuar këtë robot dhe ai pritet të dalë në treg këtë verë. Ky investim ka nxitur edhe rivalitetin me robotin Tesla të Elon Musk, për të cilin ende nuk ka nisur prodhimi. “1X do të rrisë produktivitetin përmes përdorimit të teknologjisë së sigurt dhe të avancuar. OpenAI Startup beson se 1X do të ndikojë tejet pozitivisht në të ardhmen e punës”, tha Brad Lightcap, COO i OpenAI dhe menaxher i OpenAI Startup Fund. Ekspertët janë shprehur se roboti EVE dhe 1X, mund të kryejnë edhe punën e infermierëve.
Ekspertët besojnë se modelet që do të krijohen me ChatGPT të përfshirë do të transformojnë mënyrën e ndërveprimit të njerëzve me robotët.
“Ky kombinim do të sjellë një ndryshim të madh pasi robotët do të kuptojnë se çfarë ne duam, do të veprojnë në mënyrë shumë komplekse. Ata do të jenë në gjendje të veprojnë në mënyrë shumë më dinamike, t’i përgjigjen ndryshimeve të mjedisit dhe të planifikojnë se çfarë do të bëjnë në të vazhdim. Ata nuk do të ngecin në probleme që dalin jashtë skenarit, por përkundrazi do të jenë në gjendje të mendojnë hapat që duhet të ndërmerren. Në të ardhmen ne do t’i kontrollojmë robotët thjesht duke folur me ata dhe ata do të na përgjigjen. Kjo do të zgjerojë ndjeshëm hapësirën për të cilën ata do të jenë në gjendje të na vijnë në ndihmë”, tha George Strakhov, shefi i kompanisë së reklamave DDB EMEA. / a2cnn / KultPlus.com