“Rojat e Taxhit”, me tekst të Rajiv Joseph e me regji të Altin Bashës dje u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
Aktorët Gazmend Gjoka dhe Lulzim Zeqja mbrëmë sollën një lojë intensive në një skenografi e kostumografi tejet të pasur. Si e tillë, shfaqja lëvizë në një kohë e vend të largët. Ajo prek vitin 1648 të Indisë.
Dy personazhet Humaxhuni dhe Baburi vijnë pranë hijes së ndërtesës Taxh Mahallit. Ata dhe të gjithë njerëzit e tjerë i ndanë vetëm një ditë deri në zbulimin e kësaj ndërtese. Atyre u është dhënë detyrë ta ruajnë këtë ndërtesë deri në zbardhjen e ditës, atëherë kur ky objekt do të ndriçohet nga rrezet e diellit. Të dytë duhet të punojnë nën urdhrat e mbretit Shah Xhahanit, por jo të dytë i pranojnë me të njëjtën bindje. Pikërisht këtu zbërthehet raporti ndërmjet individit në një shoqëri autoritariste.
Si roje perandorake, Humaxhuni i nënshtrohet një shërbimi verbues ndaj mbretit, derisa Baburi e bën të kundërtën e saj duke mos u pajtuar me këtë nënshtrim absolut. Bisedat e tyre zhvillohen vetëm një ditë para se njëra nga shtatë mrekullitë e botës, Taxh Mahalli të shfaqet pranë syve të botës. Deri më tani për bukurinë e saj ishin të vetëdijshëm njëzetë mijë punëtorë që për gjashtëmbëdhjetë vite kishin punuar në këtë ndërtesë, që cilësohet si një vulë e dashurisë, e simbol i përjetshëm i bukurisë. Por përjetësia e të bukurës duhej të mbetej e skalitur vetëm në këtë ndërtesë, i tillë ishte dekreti i mbretit që duhej të zbatohej nga rojet mbretërore. Për të mos pasur një bukuri të dytë si ajo e Taxh Mahallit, rojet urdhërohen të presin duart e njëzetë mijë punëtorëve. Dyzetë duar që kishin ndërtuar këtë ndërtesë, nuk do të mund të ndërtonin më asgjë në jetën e tyre. Baburi e ndjen fort peshën e fajit të zbatueshmerisë së këtij urdhri.
“Kjo do të thotë se e bukura u dënua me vdekje, e unë u bëra xhelat i saj”, i pëshpërit i mllefosur fjalët Baburit, i cili thotë se faji justifikohet kur urdhri vije nga lart. Pikërisht këtu Baburi nxjerrë mllefin më të madh për të vrarë mbretin, në mënyrë që e bukura të jetoj. Skenografia i lëviz aktorët sa në hijen e Taxh Mahallit në errësirë, Taxh Mahallin në dritën e ndritshme, deri tek një thertore, pastaj brenda grilave të burgut, e deri tek xhungla e lirisë nën cicërimën e zogjve të kaltër e ngjyrë të gjelbër. Skena dhe kostumet e kësaj shfaqje janë të realizuar nga Ilirjana Basha, kompozitor është Endri Sina, koreograf Gjergj Prevazi, ndërsa videoja është realizuar nga Florian Çanga.
Regjisori Altin Basha, tha se vepra është një lloj eksplorimi i marrëdhënies së shoqërisë autoritartiste përballë individit. Ai tregoi për KultPlus se kjo shfaqje në një format të tillë synon të përçoj një mesazh për të gjithë ata që e shohin shfaqjen, në mënyrë që teatri ta përmbush misionin e tij që t’i bëj njerëzit të mendojnë, që teatri të jetë jo vetëm një kënaqësi estetike por edhe një moment reflektimi për jetën e përditshme.
“Shoqëritë tona kanë vuajtur nga një trashëgimi autoritariste, pozicioni i individit përballë politikës shpesh herë është i cenuar, pra liria e individit. Dy personazhet kryesore gjinden pikërisht përballë një sfidë të cilën ata e përballojnë në mënyrë të ndryshme por me një kosto të jashtëzakonshme për jetën e tyre”, tregoi regjisori Basha.
Basha tutje tha se arti mund te jap një ndihmesë për të treguar se sa e rëndësishme është liria dhe e cila nuk duhet të humbet për hir të një besnikërie të verbër ndaj militantizmit.
“Mënyra se si ne përballemi me lirinë është një element shumë i rëndësishëm për shoqërinë sepse liria është thelbi i jetesës së individit. Duke qenë se ne e kemi jetuar edhe mungesën e lirisë, do të doja që njerëzit që vijnë në sallë ta kuptojnë se sa e shtrenjtë është humbja e saj, e sa e rëndësishëm është ruajtja me fanatizëm e të shprehurit të mendimit hapur, edhe pse ne nuk jetojmë në shoqëri autoritariste, shpesh cenohet liria e individit dhe ai vihet në modelimin e qëndrimeve të tij për hir të disa elementeve të tjera”, u shpreh Basha për KultPlus.
Duke qenë se regjisori Altin Basha është regjisori i shfaqjes tejet të suksesshme “I ligu për mend”, ai tha se Kosova mbetet një vend i dashur për të dhe se e ardhmja e çmueshme do duhej të ishte qarkullimi i vlerave mes Kosovës e Shqipërisë, pasi që kjo do ta ndihmonte skenën kulturore shqiptare në tërësi.
Për ta sjellë sa më të qartë mesazhin e kësaj shfaqje, e për të depërtuar në rrethanat e kohës së tekstit, aktorët në këtë shfaqje përballën me mjaft shumë sfida në aspektin psikofizik. Gazmend Gjoka tha se edhe pse ky rol ka pasur vështirësi dhe kërkon mjaft punë dhe duke qenë se shfaqje krijon një impakt me publikun atëherë është reagimi i publik, ai që justifikon gjithçka.
“Është një tekst impenjativ jo vetëm në kuptimin fizik por rëndësi merr edhe mesazhi që përçohet në publik nga autori dhe më pas edhe ajo që ka dashur të nxjerrë regjisori nëpërmjet gjetjeve dhe kërkesave profesionale që ka bërë ndaj aktorëve”, u shpreh aktori Gjoka.
Kjo shfaqje u shfaq premierë më 15 dhjetor në Teatrin Eksperimental në Tiranë, kurse ka udhëtuar edhe në disa qytete të Kosovës, si në Prizren, Gjakove dhe Prishtinë. Repriza e kësaj shfaqje do të jetë sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës duke filluar nga ora 20:00. /KultPlus.com