Rok Gera dhe Julieta Shkreli, në një foto në ditën e martesës së tyre

Nga Albert Vataj

Ndërsa e sheh foton e këtij çifti të 90 viteve më parë (25 shkurt 1935), përpiqesh të kuptosh se për cilin qytet të Evropës është fjala, dhe cilët janë këta njerëz të famshëm në këtë foto, në këtë foto ku gjithçka tregon një nivel të lartë të asaj që përfaqëson. Çdo detaj që tregon stolisjen e tyre në këtë ditë solemne, për kohën duket sikur ata kanë dalë nga një shtëpi të famshme mode.

Jo, ky çift kanë dalë nga një shtëpi shkodrane, dhe ata janë zonjë dhe zotëri të vërtetë shkodranë. Ky imazh tregon qasjet e kahershme të këtij qyteti për të qenë, jo vetëm qendër e konsullatave dhe përfaqësive të huaja, por edhe një kryeqendër e traditave të të gjitha fushave, duke shenjuar në pjesën dërrmuese të tyre si fillesë shqiptare në këtë qytet, por edhe një përkatësi qytetarie dhe klasi, të denja për çdo vend tjetër të Evropës.

Kjo foto është më shumë se si e tillë, është historia e një çifti unik, është ceremoniali i një martese e mbetur në imazh, si një faqe e shkëlqimtë e atyre shembujve që identifikojnë Shkodrën si një qytet të madh dhe shkodranët si shënjim i qytetarisë dhe klasit të lartë.

Rok Gera (1901-1969) ishte një nga mendjet më brilante që ka nxjerrë Shkodra. Një ekonomist i formuar në Vjenë, i cili la gjurmë të thella në administratën shtetërore shqiptare. Ai shërbeu si ministër i Ekonomisë Kombëtare dhe ministër i Financave në vitet ’30, duke dëshmuar aftësi të jashtëzakonshme në menaxhimin e financave publike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Më 25 shkurt 1935, ai u martua me Julieta Shkrelin, vajzën e tregtarit të njohur Lec Shkreli. Julieta, e edukuar në një kolegj prestigjioz në Dubrovnik, spikaste për inteligjencën e saj të jashtëzakonshme dhe kulturën e gjerë. Ajo ishte një grua e një elegance të rrallë, e rrethuar nga luksi, por e mbushur me finesë intelektuale dhe shpirt artistik. Njohëse e përsosur e letërsisë botërore, zotëronte serbo-kroatishten, gjermanishten dhe italishten me një elokuencë të pashoqe. Përveç kësaj, ishte piktore e talentuar, luante në piano, notonte në distanca të gjata në liqen, kalëronte me hijeshi dhe kishte një shpirt të madh bamirësie.

Rok Gera, i njohur për integritetin e tij të lartë dhe virtytet që mishëronte, u bë viktimë e egërsisë komuniste, e cila e burgosi dy herë, pikërisht për aftësitë, ndershmërinë dhe parimet që ai përfaqësonte. Për sistemin që synonte mediokritetin dhe nënshtrimin, një mendje e tillë ishte e rrezikshme. Ai mbeti një simbol i elitës së zhdukur shqiptare, një figurë që meriton të kujtohet dhe vlerësohet.

(Foton dhe detaje për bashkëshortët, janë të huazuara)/ KultPlus.com

‘Moj e mira te pojata, hije të paskan flokët e gjata’ (VIDEO)

Rok grupi kosovar MAK u formua në vitin 1973 dhe si grup ka funksionuar deri në vitin 1978.

Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet pionier i rok muzikës kosovare dhe ka merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vend.

Haki Misini, është i vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë dhe Mehmet Tupella konsiderohet ende i zhdukur.

KultPlus, sot po e sjell këngën “Moj e mira te pojata”, një ndër këngët më të famshme të këtij grupi që kanë lënë gjurmë të thella në muzikën shqiptare:

Moj e mira te pojata
Moj e mira o, te pojata, hije te paskan flokt e gjata
Hije t’paskan o, flokt e gjata, shkurtoj pak e tu preft nafaka

Syri yt vasho si filxhani, vetllat t’holla eh sikur gajtani
Shtati yt vasho si selvie, goja jote o si kutie
(Uh dala t’plastë)

Shumë o djal jam bo merakë zëmra don me m’plasë në bark
Smut jam kanë o qe sa javë nuk je ardhë me m’pa
Te kishe ardhë o dej te arra ish qu dada t’kish dal para
Po s’je ardhë o me m’pa mu prandaj mo s’të du

A s’ma falë vash syrin e zi e, ta run baca si synin e tij e
A s’ma falë vash gojën ni herë e, ta shijoj vetëm ty arblere

Uh djal i dadës
Djalë kam ra në krahror tan, shejë në faqe mos me m’lanë,
Shejë në faqe mos me m’lanë, nana më qorton
Dalim në bashqe me shetit, trëndofilet me i ujit
Du me m’than vetëm një fjalë, se të dua djalë… / KultPlus.com