Qendrim Badalli
“Ne jemi shumë të lumtur që e kemi Rolandin këtu në Qendrën Multimedia”, tha dramaturgu i njohur kosovar, Jeton Neziraj, gjatë prezantimit të dramaturgut të famshëm gjerman, Roland Schimmelpfennig, i cili ishte dje mysafir në Qendrën Multimedia në një diskutim rreth një orësh për jetën e tij profesionale, shkruan KultPlus.com
Diskutimi nuk ishte i zakonshëm, në fakt, ishte një diskutim dramaturgësh pa protokoll, ndryshe nga diskutimet që jemi të mësuar të shohim. Kur Schimmelpfennig kishte të nxehtë në sallë ai hoqi bluzën në komoditet dhe krejtësisht i lirë. Për një gjerman e për një artist nuk duhej të mungonte në tavolinë ndonjë birrë, ashtu siç nuk mungonte.
Dramaturgu Jeton Neziraj, i dha energji edhe më shumë ambientit shumë mirë të organizuar, kur gjatë hapjes çliroi gjithçka kur tha se ky organizim ishte financuar “kesh” nga Instituti Goethe, përmendje e mënyrës së financimit sa për ta shprehur frymën jokonvencionale që përshkroi gjithë debatin.
Dramaturgu Roland Schimmelpfennig, në fillim ka folur rreth nisjes së karrierës së tij e cila nuk ka qenë krejtësisht e zakonshme, në fakt është përcjellë edhe me disa kushtëzime objektive.
“Në fillim kam dashur të merrem me teatër, që kur kam qenë shumë i ri si adoleshent kam pasur miq që janë marrë me teatër, teatër për amator. Ka qenë një ide e mirë në fillim por mua më është dukur e pamundur që të jetoj nga teatri, nuk kam besuar që mund të bëjë diçka të tillë, në kuptim të parave. Kur e kam kryer shkollën kam shkuar në Stamboll, sepse në mes të shkollës dhe shërbimit civil e cila ka qenë alternativa e shërbimit ushtarak, kemi mundur të zgjedhim njërën. Në Stamboll jam takuar me miq turk që i pata njohur më parë në Gjermani. Dhe ata më thanë që kemi një punë për ty, ata më thanë që ti mund të jesh lektor i gjuhës gjermane në një gazetë atje.
Pastaj u ktheva në Gjermani dhe më treguan se po kërkoheshin studentë të regjisë dhe mendova se kjo është një gjë e mirë për mua. Kur jam kthyer si gazetar nga Turqia jam prezantuar në gazetat në Gjermani por ata nuk më ofruan punë, i kam pasur 20 vite kur më sugjeruan që më duhet të studioj diçka dhe kam filluar me regjinë sepse nga profesioni që kisha ishte e afërt me shkrimin e dramave”.
Ai tutje ka vazhduar duke treguar për dramën e tij të parë teksa është shprehur i rezervuar për ta vlerësuar njërën si më të mirë, qoftë për shkak se kjo do të nënvlerësonte cilësinë e të tjerave qoftë sepse suksesi i dramave është relativ në hapësira të ndryshme.
“Drama e parë që është botuar, sa për ta qartësuar, nuk do të thotë shumë nëse pranohesh nga një botues, ka qenë një dramë “Fish by fish”, pra kjo ka qenë drama e parë e imja që mund ta konsideroj si të suksesshme, dhe tani kur e lexoj prapë them se kjo është shkruar nga një student shumë i ri dhe shumë nervoz. Gjithsejtë i kam shkruar 55 drama, do të ishte shumë e padrejtë nga 54 dramave tjera nëse e zgjidhi një më të mirën. Si të suksesshme mund ti përmendi edhe “Dragoi Artë”, “Push and Push”, por kjo është relative, për shembull disa drama të suksesshme që i konsideroj, nuk kanë qenë të suksesshme edhe në Gjermani.”
Schimmelpfennig, është pyetur edhe për atë se ku dhe kur e sheh më të përshtatshme të shkruaj, teksa përgjigja e tij, si përgjigje e një dramaturgu me shumë eksperiencë, nuk befason.
“Tash shkruaj në shtrat sepse është më ngrohtë. Kryesisht tentoj të zgjohem në ora 9 apo në 10 në mëngjes dhe pastaj duhet të shkruaj deri në orën 2 ose 3 gjatë ditës. Punoj edhe natën por pi shumë dhe pastaj më duhet shumë të lekturojë”.
Dramaturgu i njohur gjerman ka folur shkurt edhe për kohëzgjatjen që atij i duhet për ta realizuar një projekt të tij.
“Nëse kam një ide të mirë, teknikisht më duhen tre muaj. Por derisa ta gjej idenë ose deri sa të gjej qasjen për idenë mundet me më marrë deri në një vit.”
Tutje, Schimmelpfennig ka folur edhe për çështjen e migrimit për të cilën ka thënë se nuk është temë ekskluzive në Gjermani por në gjithë Evropën Perëndimore.
“Çështja e migrimit është shumë prezente në shoqërinë gjermane. Sidomos në Evropën Perëndimore të gjithë duan të shkojnë, të lëvizin, me gjithë këta nacionalistë që po lindin është interesante të shkruash për ta, pra për migrimin. Kemi një histori të gjatë të migrimit duke filluar pas të 50-tave në Gjermani, kemi valën e parë të imigrantëve duke filluar në të 50-tat që ka filluar me punëtor spanjoll, këto familje janë në vendin tonë që 60-të vite këtu dhe ne nuk mund të flasim për ta si imigrant, ata kanë fëmijë që kanë lindur këtu.”
Duke diskutuar për relevancën kohore që duhet apo nuk duhet ta ketë një dramë, Schimmelpfennig, ka thënë se drama mund të mos ketë kohë por duhet ta ketë një pikë bazë, nga ku të gjithë janë të vetëdijshëm për atë se çfarë po jepet.
“Drama nuk duhet të ketë kohë, duhet të ketë një pikë të
fortë ku të gjithë e dimë se për çfarë po flasim, nuk ka të bëjë me shoqërinë
ku do të jepet shfaqja. Në anën tjetër natyrisht që nuk është e rëndësishme që
shfaqja të jepet në disa vende jo vetëm në Gjermani por për
shembull edhe në Francë, në Bolivi ose Taivan.”
Edhe fryma postmoderne që e reflekton një shfaqje teatrale ka qenë pjesë e
diskutimit të djeshëm. Schimmelpfennig, pasi bëri një dallim teknik në
organizimin e teatrove në Gjermani, shpjegoi edhe karakteristikat kryesore të
valës postmoderne.
“Duhet ta bësh dallimin mes një teatri lokal në një qytet të vogël dhe mes atij të qytetit të madh. Në Gjermani e kemi një sistem ku secili qytet financon teatrot dhe kemi teatrin kombëtar që është i financuar nga shteti. Kështu që në qytetet mesatare mund të gjesh diçka për fëmijë, diçka klasike, diçka komedi. Por kjo është vala postmoderniste, postramumatike, me tekste të gjata, me monologje, nuk ka karaktere më, nuk ka role më, nuk ka tregime, ka shumë muzikë, ka shumë britma, dhe kjo është bërë shumë e famshme, sepse të bën të ndihesh sikur je duke marrë pjesë në një leksion filozofie”.
Pas mbylljes së diskutimit në Qendrën Multimedia është vazhduar tutje më një koktej rasti. Edhe sonte do të ketë vazhdim të aktiviteteve tjera në këtë qendër. /KultPlus.com