Mbahet takim për forcimin e rolit të grave për mbrojtjen nga dhuna në familje

Komisariati i Policisë Vorë ka zhvilluar ditën e sotme një takim me temë “Forcimi i rolit të grave dhe vajzave, për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore”.

Në takim morën pjesë punonjës të Komisariatit të Policisë Vorë, përfaqësues nga “Qendra për Zhvillimin e Grave”, “Qendra për Nisma Ligjore Qytetare”, dhe përfaqësues të Bashkisë Vorë.

Gjatë takimit u bashkëbisedua për forcimin e rolit të grave dhe vajzave, për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, apo dhuna me bazë gjinore. Përfaqësuesit e Komisariatit të Policisë Vorë shprehën se, ndonëse mbetet përgjegjësi e strukturave policore nxjerrja përpara përgjegjësisë ligjore e autorëve të dhunës në familje, në fakt ky është një fenomen kompleks, i cili, që të trajtohet me efikasitetin e duhur, ka nevojë për mbështetjen e qendrave dhe institucioneve të tjera me fokus social.

Gjithashtu, përfaqësuesit e Komisariatit të Policisë Vorë, ritheksuan gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre maksimal, për të trajtuar menjëherë dhe me kujdesin e duhur, çdo denoncim që ka si objekt, raste të dhunës në familje.

Nga ana e strukturave të Policisë, është punuar, jo vetëm në drejtim të evidentimit dhe të reagimit ndaj rasteve të dhunës në familje, por edhe për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konflikteve në familje. / KultPlus.com