Roma në kaos, italianët kërcënojnë të ikin për shkak të sjelljes së turistëve

Njerëzit në Romë po kërcënojnë të braktisin qytetin e tyre përgjithmonë për shkak të veprimeve “të egra” të turistëve.

Carlo Verddone, një regjisor italian, është i tmerruar nga pamja e turistëve të dehur në Romë që lëshojnë pantallonat për të urinuar publikisht për shkak të mungesës së madhe të tualeteve publike.

Së bashku me trafikun e pandërprerë, mbeturinat në rritje dhe mbishkrimet e shfrenuara, këto çështje po e shtyjnë Carlon, një romak që nga viti 1950, ta mendojë largimin përgjithmonë.

“E mendoj, vërtet, dy-tri herë në javë. Më lër të shpëtoj”, ka rrëfyer ai për mediat. “Nuk jam vetëm unë. Kam shumë miq që po mendojnë konkretisht të largohen nga Roma. Është hera e parë që ndodh”, tha ai më tej, shkruan Daily Star, transmeton Klankosova.tv.

Carlo e kritikoi sjelljen si “të turpshme” dhe “të paimagjinueshme” për një kryeqytet normal evropian, duke u bërë thirrje autoriteteve të vendosin më shumë tualete publike. Roma, e cila pati një rekord prej 35 milionë turistësh vitin e kaluar, nga 32 milionë në 2022, po përballet me këtë çështje.

Gëzuar ditëlindjen Romë! 2 777 vjet art, kulturë e histori!

Sot, 21 Prill 2024, festohen Krishtlindjet e Romës: legjenda thotë se ajo u themelua më 21 Prill 753 para Krishtit nga Romulus, një nga binjakët e ushqyer nga ujku pasi u braktis në Palatine.

Data e saktë rrjedh nga llogaritjet e kryera nga Lucius Taruzio Firmano në shekullin I para Krishtit, një mik i Ciceronit dhe Varros.

Megjithatë, gërmimet arkeologjike sugjerojnë një datim paksa të ndryshëm, duke vendosur themelet e qytetit midis fundit të shekullit të 8-të dhe fillimit të shekullit të VII para Krishtit.

Gjurmët e para të vendbanimeve të qëndrueshme datojnë në shekullin e VIII para Krishtit, në Palatin dhe në Kodrën Kapitol. Më vonë, bashkimi lindi Romën.

Roma e lashtë: një fuqi mijëravjeçare

Roma u zhvillua me shpejtësi, duke u bërë një fuqi dominuese ushtarake dhe ekonomike në Mesdhe. Gjatë gjithë historisë së saj, Republika Romake (509-27 pes) u zgjerua, duke pushtuar territore të gjera në Evropë, Azi dhe Afrikë.

Më pas, me ngritjen e Augustit, lindi Perandoria Romake (27 para Krishtit – 476 pas Krishtit), e cila arriti shtrirjen maksimale nën Trajanin (98-117 pas Krishtit).

Qytetërimi romak ka lënë një trashëgimi të pashlyeshme në fusha të ndryshme: ligj, arkitekturë, letërsi, filozofi, shkencë dhe teknologji.

Ndikimi i saj ka formësuar kulturën perëndimore dhe vazhdon ta ndikojë atë edhe sot.

Në 1871 Roma u bë kryeqyteti i Mbretërisë së Italisë. Që atëherë, qyteti ka përjetuar ndryshime të thella, duke u bërë një metropol modern dhe kozmopolit.

Ndërsa ruan të paprekur hijeshinë e saj të lashtë, Roma ka qenë në gjendje të rinovohet, duke u hapur ndaj sfidave dhe tendencave të reja të botës bashkëkohore.

Çdo vit, më 21 prill, Roma feston ditëlindjen me Krishtlindjet e Romës.

Pika kryesore e festimeve është Parada Historike, një procesion që kujton historinë e qytetit që nga themelimi deri në mesjetë.

Përveç procesionit, Krishtlindjet në Romë ofrojnë një shumëllojshmëri të gjerë iniciativash për të gjitha shijet: ekspozita, koncerte, shfaqje teatrale, vizita me guida në muze dhe vende arkeologjike, degustime të produkteve tipike dhe shumë më tepër. /atsh/ KultPlus.com

Kush i merr paratë që turistët hedhin në shatërvanin e famshëm në Romë?

Kush ka vizituar Romën, ka hedhur një monedhë në shatërvanin e famshëm, ashtu siç bëjnë mijëra turistë çdo ditë. Pyetja është – çfarë ndodh me kaq shumë para në fund?

Kjo traditë fitoi popullaritet në vitin 1954 falë komedisë “Tre monedha në shatërvan”, por filloi shumë më përpara.

Sipas besimit fillestar, një gotë ujë nga ky shatërvan nënkuptonte fat dhe një kthim të shpejtë në “Qytetin e Përjetshëm”, shkruan The Sun.

Sot këto para mblidhen nga punëtorët e organizatës bamirëse katolike “Caritas”, e cila i përdor për të blerë ushqime për të varfrit, si dhe për të realizuar programe të ndryshme sociale. Ndihma financiare arrin në më shumë se 200 vende në mbarë botën.

Nga shatërvani mblidhen çdo ditë rreth 3 mijë euro, që është rreth 1.26 milionë dollarë në vit./ KultPlus.com

Pas operës ‘Mrika’, Enver Hoxha e përgëzoi Prenkën dhe i kërkoi të bënte edhe një gjë tjetër

Në shtatorin e vitit 1942, Prenka shkoi për studime në Itali, ku u regjistrua në Konservatorin e Muzikës “Santa Cecilia” të Romës, në degën e klarinetës, të cilin e përfundoi me rezultate të larta” dhe kur u kthye në Shqipëri, pak pas mbarimit të Luftës, ai u arrestua dhe u mbajt disa kohë në burg, pasi një vëlla i tij, ishte vrarë duke luftuar kundra forcave komuniste.

Suksesi i madh i Prenkës me vënien në skenë të operas së parë shqiptare, “Mrika” ku asistoi vetë Enver Hoxha në shfaqjen që u dha në Tiranë në Institutin e Lartë të Arteve, ku doli në skenë ministri i Punëve të Brendëshme, Kadri Hazbiu dhe kur Enveri e përgëzoi për atë punë kolosale që kishte bërë dhe i kërkoi të bënte dhe një opera tjetër për Skënderbeun, Prenka iu përgjigj: “Shoku Enver, operat nuk janë si bukët që i fut në furrë…”?!

Por edhe pse i dha atë përgjigjie, Enver Hoxhës, Prenka iu vu punës dhe e shkroi operan “Skënderbeu”, por kur e solli në Tiranë për t’ja miratuar, i sollën shumë pengesa duke i kërkuar të hiqte disa pjes prej saj, gjë të cilën ai nuk e pranoi, kjo i solli shumë shqetësime, saqë më datën 9 shtator 1969, ai i dha fund jetës në mënyrë tragjike…?!

Ka qenë data 9 shtator e vitit 1969, kur në të gjithë qytetin e Shkodrës, u hap lajmi i hidhur se kishte vdekur në mënyrë tragjike, Prenk Jakova, një nga mjeshtrat e muzikës shqiptare, i cili kishte shkruar dhe vënë në skenë operan e parë shqiptare “Mrika”. Kush ishte Prenk Jakova, nga ç’familje rridhte, ku kishte studjuar dhe si arriti ai që të bëhej një nga kollosët më të mëdhenj të muzikës në Shqipëri?

Familja dhe mësuesit e parë
Prenk Jakova u lind në 27 qershor të vitit 1917 në qytetin e Shkodrës dhe origjina e familjes së tij është nga Gjakova. Gjyshi i Prenkës quhej Dedë Jakova dhe që në rininë e tij ai ishte i dhënë pas muzikës, duke luajtur me klarinetë në Kolegjin Saverian të qytetit të Shkodrës. Deda vdiq në moshë fare të re dhe ai la një djalë të quajtur Kolë, i cili nga kushtet e vështira ekonomike të familjes, u fut në punë si shegert në Pazarin e Shkodrës. Prenka ishte fëmija i parë i Kolë Jakovës, i cili në atë kohë punonte në një dyqan argjendarie dhe njëkohësisht njihte e këndonte mjaft mirë këngën popullore të ahengut shkodran, gjë e cila ndikoi shumë dhe në formimin e mëvonshëm të djalit të tij, Prenkës. Përveç Prenkës, Kola kishte dhe djemtë tjerë më të vegjël se ai në moshë, ku dy prej tyre: Deda e Çesku, punuan si fotografë e muzikantë. Që në moshën shtatë-vjeçare, i nxitur nga babai i tij, Prenka u aktivizua në role të ndryshme që viheshin në skenë nga Shoqëritë Teatrore të asaj kohe “Bogdani” dhe “Vllaznia”.

Arsimin fillor Prenka e mbaroi në vitet 1924-‘29 në shkollën “Skanderbeg” dhe më pas ai u regjistrua e vazhdoi mësimet në Liceun “Illyricum”, po në qytetin e Shkodrës. Nga dega klasike që Prenka studjoi në atë Lice, ai kaloi në degën e përgjithshme të gjimnazit të shtetit po në Shkodër, ku u diplomua në vitin 1935. Kur fillloi Liceun “Illyricum”, ai mori pjesë në bandën muzikore të shkollës, e cila më vonë u bë dhe banda e qytetit të Shkodrës, duke qenë klaniretist i saj. Në këtë periudhë Prenka u formua si muzikant dhe filloi të drejtojë disa grupe korale e formacione të vogla orkestrale, me anë të cilave nisi të stilizonte e përpunonte këngën e re popullore, si p.sh.: “Delja rudë”, “Hajredini”, “Besa e një trimi”, “Shkoj e vi flutrim si zogu”, etj. Dy nga mësuesit e parë të Prenkës prej të cilëve ai mori dhe mësimet e para në muzikë, ishin Martin Gjoka dhe Zef Kurti. Kur nuk ishte më shumë se 18-vjeç, Prenk Jakova u bë drejtuesi artistik i bandës muzikore të Liceut “Illyricum” dhe nxënësit e tij të parë ishin: Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Tonin Rrota, Zef Gruda etj. Në atë kohë që Prenka mori drejtimin e bandës së qytetit të Shkodrës, shkroi partiturat e para duke kompozuar marshe për bandë dhe potpuri këngësh popullore shkodrane.

Mësues në Bërdicë e Orosh
Në 2 janar të vitit 1936, Prenka u emërua mësues në fshatin Bërdicë të Prefekturës së Shkodrës. Lidhur me këtë, në kujtimet e vëllait të tij, Çeskut, midis të tjerash shkruhet: “Në atë fshat Prenka kreu jo vetëm detyrën e arsimtarit, por ai u kujdes dhe u mësoi këngën pothuaj të gjithë nxënësve të shkollës. Gjatë asaj kohe Prenka mësoi vetë pa pasur asnjë metodë dhe kitarrën, e kur i erdhën metodat nga jashtë, ai pa se aty nuk kishte asgjë të re nga ato që ai kishte mësuar nga nevoja. Në pushimet verore të vitit 1939, Prenka me kursimet e tij bleu një fizarmonikë të markës “Settimio Sopreni”, e cila kishte 80 base dhe metodën e saj. Brenda një kohe shumë të shkurtër Prenka e mësoi në mënyrë të përsosur atë instrument, në atë kohë njihej vetëm me veshë dhe jo me metoda. Pasi kishte mësuar të luante në mënyrë virtuoze me klarinetë, kitarrë dhe fizarmonikë, Prenka fitoi njohuri të mjaftueshme edhe në instrumentat e tunxhit e të drurit, mësimin e të cilave e kishte filluar që në gjimnazin e Shkodrës.

Në vitin 1939 Prenka u shkëput për herë të parë nga familja e tij, pasi u emërua mësues në fshatin Orosh të Mirditës. Në atë fshat, ai shkroi një pjesë për fizarmonikë të titulluar “Mall” dhe më pas edhe këngën “Fyelli i Bariut”, teksti i së cilës edhe sot ka ngelur i panjohur. Kjo shënoi provën e parë të Prenkës për të shkruar fjalët edhe melodinë së bashku, ashtu ishte koncepti i këngës popullore të ahengut shkodran. Pasi qëndroi për më shumë se një vit në Orosh, në 1940-ën, Prenka u transferua në qytetin e lindjes në Shkodër dhe në atë kohë ai shkroi një cikël këngësh për fëmijë dhe operetën me dy akte të titulluar “Kopshti i Xhuxhmaxhuxhëve”. Në vitin shkollor 1941-‘42, Prenka u transferua në Katër-kollë të Ulqinit dhe Oshos të Krajës, ku për të mos humbur aktivitetet artistike në qytetin e Shkodrës, ai e bënte çdo ditë me biçikletë vajtje-ardhje atë rrugë, duke përshkuar 50 km. Në Katër-kollë Prenka nuk qëndroi shumë, pasi në shtatorin e vitit 1942, ai shkoi për studime në Itali, ku u regjistrua në Konservatorin e Muzikës “Santa Cecilia” të Romës, në degën e klarinetës, të cilin e përfundoi me rezultate të larta”, thuhet në kujtimet e vëllait të tij Çeskut

Përgjegjës i Shtëpisë Kulturës
Fundi i vitit 1944, e gjeti Prenk Jakovën si mësues në qytetin e Shkodrës, ku atë e morën për të ndihmuar në aktivitetet që zhvillonte në atë kohë kori i Brigadës së Parë partizane në Shtëpinë e Rinisë, ku ai u emërua përgjegjës i saj. Në atë kohë Prenka u arrestua nga komunistët dhe u mbajt për disa muaj në hetuesi, pasi vëlla i tij u vra duke luftuar kundra forcave partizane të ndjekjes, në një fshat të Shkodrës.

Ish nxënësit e tij Çesk Zadeja e Tonin Harapi, të cilët më pas u bënë kollosët e muzikës shqiptare, në kujtimet për mësuesin e tyre Prenk Jakova, dëshmojnë se gjatë asaj periudhe Prenka shkonte në punë në orën shtatë të mëgjesit dhe punonte pa pushim deri në orët e vona të natës, me korin, solistët dhe instrumentistët e shumtë që kishte në patronazh.

Aq i prerë, strikt dhe konsekuent ishte Prenka në punën e tij me amatorët, saqë për të justifikuar mungesat e tyre në prova, ai u kërkonte vërtetim nga drejtoria e ndërrmarjes ose e shkollës, apo nga Komiteti Profesional. Në atë kohë me grupet që përgatiste, Prenka dha shfaqje të ndryshme, jo vetëm në qytetin e Shkodrës, por edhe në Ulqin, Cetinjë, Titograd etj.

Në vitin 1947, Prenka përgatiti dhe përpunoi një cikël këngësh të titulluar “Dasma Shkodrane”, me të cilat përveç shfaqjeve të suksesëshme që dha në Shkodër, u paraqit dhe në Festivalin Kombëtar që u zhvillua në Tiranë. Përveç asaj pune raskapitëse, Prenka gjente kohë dhe punonte përsëri edhe në shtëpinë e tij, duke u marë me përpunime këngësh popullore. Ajo periudhë shënon dhe formimin e plotë të Prenkës si muzikant në mënyrë autodidakte.

Në vitet 1948-1951, Prenka punoi si mësues i muzikës pranë shkollave “11 janari” dhe “Vasil Shanto” të qytetit të Shkodrës dhe nuk u shkëput për asnjë ditë nga provat e korit dhe orkestrës të Shtëpisë së Kulturës. Në atë kohë ai kompozoi këngën “Gruri i ri” me tekst të Dhimitër Shuteriqit, e cila u inskenua nga aktori Pjetër Gjoka bashkë me disa këngë të tjera që u paraqitën në Festivalin e vitit 1950 në Tiranë.

Shkruan operën e parë
Një nga kulmet e krijimtarisë së kompozitorit të famshëm Prenk Jakova, është konsideruar opera e parë shqiptare “Mrika”, e cila u shfaq për herë të parë në vitin 1958. Po si e ka zanafillën kjo opera dhe si arriti Prenka ta shkruante atë? Për këtë ngjarje të madhe të kulturës shqiptare, i vëllai i tij, Çesku, në kujtimet e tij midis të tjerash ka shkruar: “Në prag të çeljes së Festivalit të vitit 1952, ishin formuar kushtet që në muzikën shqiptare të hidheshin hapa të mëtejshëm, të cilat duhet ta kalonin pragun e këngës.

Kjo gjë vinte pasi ishin krijuar rrethanat me solistë të aftë dhe të përgatitur dhe me orkestër me formacion simfonik. Kështu në qershorin e vitit 1952, u thirr poeti Llazar Siliqi që të shkruante diçka mbi Hidrocentralin që po ndërtohej mbi lumin Mat. Në fillim ajo nisi si këngë dhe më pas mori formën e një veprimi me dy tablo të titulluar “Dritë mbi Shqipëri”, e cila u shfaq në korrikun e vitit 1952 në Tiranë.

Kjo ishte dhe embrioni i operës së parë shqiptare “Mrika”, që i filloi përgatitjet që nga data 2 maj e vitit 1958, ndërsa vënia në skenë filloi 12 nëntor të vitit 1958. Provat për atë shfaqje bëheshin paralelisht në Shtëpinë e Kulturës, në Teatrin e vjetër dhe në Teatrin e ri “Migjeni”, pas orës 15.00, të cilat vazhduan deri në datën 27 nëntor që u dha prova e përgjithshme. Pas kësaj pune të lodhshme, më 1 dhjetor 1958 u shfaq premiera e saj në Teatrin “Migjeni” dhe pas disa shfaqjesh në atë qytet, më 27 e 28 dhjetor ajo u dha në sallën e Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë. Në atë shfaqje asistoi dhe Enver Hoxha së bashku me pjesën më të madhe të udhëheqjes e trupin diplomatik të akredituar në Tiranë.

Në fund të shfaqjes doli në skenë Kadri Hazbiu, i cili pasi falenderoi të gjithë artistët e saj, ngriti një dolli të veçantë për Prenk Jakovën. Vënia në skenë e operas “Mrika”, pati një jehonë të madhe edhe jashtë Shqipërisë, si në Itali, Suedi, Çekosllavaki etj, gjë e cila u mësua prej letrave e telegrameve të shumta që i erdhën Prenkës nga këto shtete. Një personalitet i artit nga Praga që merrej me historinë e operas botërore, me anë të një letre e përgëzoi Prenkën për suksesin e arritur me amatorët shkodranë dhe i kërkoi atij t’i dërgonte pamfletin, afishet, fotografitë e reklamat e shfaqjes”, ka shkruar në kujtimet e tij për suksesin e operas “Mrika”, i vëllai i Prenkës, Çesku.

Shokët e pasionet e Prenkës
Ish-nxënësit e Prenkës, Zadeja, Harapi, Gruda, Rrota, Daija etj., që më vonë u bënë mjeshtrit më të mëdhej të muzikës shqiptare, në kujtimet për mësuesin e tyre, kanë treguar se Prenka ka qenë një njeri shumë i thjeshtë dhe në vitet 1945-‘49 ai pati disa oferta për të shkuar në Tiranë, por i refuzoi ato sepse nuk ndahej dot nga Shkodra dhe Shtëpia Kulturës e atij qyteti. Po kështu ai e refuzoi edhe ofertën që iu bë në vitin 1953 për të ardhur si dirigjent në Tiranë. Disa vite më vonë Prenka refuzoi edhe disa oferta për të vazhduar studimet e larta në Pragë apo në Moskë. Sa herë që ai kthehej nga ndonjë turne i zhvilluar jashtë shtetit, në valixhen e tij gjeje vetëm albume muzikore dhe partitura, si dhe grepa peshku për shokët e tij amatorë të gjuetisë me të cilët ai shkonte shpesh në Bunë dhe Liqenin e Shkodrës.

Prenk Jakova gjithashti ishte i pasionuar pas futbollit shkodran dhe kur u ndërtua stadiumi “Vojo Kushi”, ai shkroi marshin e Sport-Klub “Vllaznisë”, të cilin e këndonin shpesh tifozeria e zjarrtë shkodrane. Ndonëse në mosha të ndryshme, shokët e miqtë më të ngushtë të muzikës për Prenkën, ishin: Kolë Jakova, (klarinetist e mësues), Loro Kovaçi, (ish-klarinetist) Gjon Karma, (ish-flautist) Pjetër Gjoka, (tenor dhe aktor) Ndoc Shllaku, (violinist) dhe Pjetër Gjergji, kitarrist e këngëtar. Më pas shokë dhe bashkëpuntorë të ngushtë të Prenkës u bënë dhe dirigjenti Mustafa Krantja, kompozitori Tonin Harapi dhe sidomos poeti Llazar Siliqi.

Kërkesa e Enver Hoxhës ndaj Prenkës
Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare “Mrika”, gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun. Një nga funksionarët e lartë të qytetit të Shkodrës, i cili ka qenë prezentë në atë bisedë të Prenkës me Enver Hoxhën, dëshmon: “Pas atyre fjalëve të Enver Hoxhës, Prenka iu përgjigj: ‘mor shoku Enver, puna e operas nuk është si bukët që i fut kur të duash në furrë’. Pas përgjigjies së Prenkës, Enver Hoxha filloi të qeshte dhe dha porosi që t’i plotësoheshin të gjitha kushtet Prenkës, me qëllim që ai të vinte në skenë operën “Skënderbeu”, kujton ish funksionari i lartë lidhur me bisedën e Enver Hoxhës me Prenkë Jakovën.

Pas atij takimi, Prenka filloi duke punuar nga mëngjezi deri në orët e vona të natës, për të realizuar atë që i kishte vënë si detyrë Enver Hoxha. Ai e shkroi të gjithë muzikën e operas “Skënderbeu” dhe për disa muaj me rradhë u mor vetëm me ndarjen e muzikës turke nga ajo arabe, gjë e cila deri në atë kohë konfondohej nga shumë kompozitorë. Kur e përfundoi muzikën e saj dhe e solli për miratim në Tiranë, Prenkës i nxorrën shumë pengesa dhe ata që ishin ngarkuar për vlersimin e saj, i kërkonin të shkurtonte disa pjesë që sipas tyre stononin. Prenka refuzonte në mënyrë kategorike për ta bërë atë dhe i vetmi që i doli në mbrojtje ishte Fadil Paçrami, i cili në atë kohë kishte dalë hapur kundër metodave të vjetra e konservatorizmit. Ndonëse opera “Skënderbeu” u shaq dhe pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjëndjen shpirtrore të tij. Kjo gjë ndodhte në një kohë, kur Prenka kishte nënën e tij të paralizuar në shtëpi, e cila ia rëndoi së tepërmi gjëndjen e tij shpirtërore.

Vdekja tragjike e Prenk Jakovës
Nga këto strese që iu krijuan, më 9 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Në ceremoninë e varrimit të tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte krijuar vetë katër dekada më parë. Krijimtaria muzikore që la Prenk Jakova, është shumë e pasur e konsiston në dhjetra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzkë filmash e deri tek operetat e operat. / KultPlus.com

Stadiumi Air Albania gati për të pritur gladiatorët për finalen e madhe të Ligës së Konferencës

Roma do të përballet me Feyenoord në finalen inauguruese të UEFA Europa Conference League në Arenën Kombëtare të Tiranës, takim i cili luhet sot me fillim nga ora 21:00, shkruan KultPlus.

Stadiumi i Tiranës do të hy në histori përgjithmonë, kjo pasi do të jetë finalja e parë që zhvillohet në histori të UEFA Europa Conference League.

Roma, si një nga skuadrat më të mëdha në Itali, konsiderohet favorit në këtë takim, me trajnerin Jose Mourinho i cili ka një karrierë të bujshme në Europë dhe veçanërisht në finalen e Europës.

Feyenoord në anën tjetër, arriti që si ekip jo-favorit të kalojë në finale të kësaj gare dhe tani kërkojnë që të përmbyllin në mënyrën më të mirë të mundshme këtë ekspeditë në Evropë, konkretisht duke ngritur trofeun në Tiranë.

Një ditë më parë, tifozëritë e të dyja palëve janë përballur me policinë shqiptare, ku pati edhe trazira dhe njerëz të lënduar.

Sot pritet që stadiumi i Tiranës të jetë i stërmbushur dhe të zhvillohet një ndeshje e madhe. /KultPlus.com

10 kuriozitete por Koloseumin e Romës

1. Përmasat.

Koloseu është një ndërtesë në formë elipsi, e gjatë 189 metra, e gjerë 156 metra dhe mbulon një zonë rreth 24 mijë metra kartorë. Koloseu mund të mbajë një kacapitet prej 50 mijëspektatorësh.

2. Ndërtesa.

Ndërtimi i Koloseut kërkoi pak më shumë se 5 vite, nga viti 75 deri në vitin 80 pas lindjes së Krishtit.

3. Emri.

Fillimisht u emërtua “Amfitearti Flavian”. Emri “Koloseu” u vendos përgjatë mesjetës, ndoshta për shkak të vendndodhjes pranë statujës së “Gjigandit” të Neronit. Sipas legjendës, ai shkonte në një tempull pagan ku adhuronte djallin. Në fund tëçdo ceremonie, prifti i pyeste ndjekësit e tij, “Colis Eum?” (Do you love Him?).

4. Ekzistojnë 80 hyrje, nga të cilat njëra njihet si “Hyrja e vdekjes”.

Në mënyrë që të mbante 50 mijë spektatorë, duhet të sigurohej edhe një sistem i mirë i hyrjeve dhe daljeve. Ndaj, u krijuan gjithsej 80 hyrje, një nga të cilat njihet si “Hyrja e vdekjes”.

5. Kishte ashensorë për kafshët.

Hipogeum ishte një shtesë e mëvonshme e amfiteatrit. Ai funksiononte fiks si një anije, me rrota, sisteme, litarë dhe tuba.

6. Pishina e Koloseut.

Në pishinë organizoheshin gjithashtu dyluftime, por kishin mëpak sukses krahasuar me ndeshjet e gladiatorëe. Për ta mbushur hapësirën e pishinës me gjithë gjërat e nevojshme, duheshin tëpaktën 7 orë.

7. Koloseu është qendra e shumë filmave romantikë.

Shumë filma romantikë janë xhiruar në zonën e Koloseut, si dhe brenda tij. Shumë, ama jo filmi “Gladiatori”. Ishin të shumta arsyet pse drejtori i filmit “Gladiatori”, Ridley Scott, vendosi tëmos e filmonte filmin brenda Koloseut në Romë.

8. Ka gjithë kushtet për mbrojtjen nga shirat.

Për të plotësuar nevojat e gjithë qytetarëve, u krijua një sistem i posaçëm për të mbuluar gjithë arenën dhe për të mbrojtur spektatorët në raste shiu. Mekanizmi i krijimit të këtij sistemi u krijua nga marinarë specialë.

9. Hyrja në lojëra ishte falas.

Nëse nuk mundeshe ta paguaje dot biletën për të parë ndeshjet, ama të pëlqente gjaku në arenë dhe ishe nga Roma, kaq mjaftonte. Për të promovuar politikat e kohës, drejtuesit e Koloseut i lejonin hyrjet falas të gjithë romakëve.

10. U organizua për të plotësuar gjithë kërkesat për rehati nga plebenjtë.

Një arritje e jashtëzakonshme nga planifikuesit romakë, u bë për të siguruar që kjo pikë referimi publike të kishte të gjitha lehtësitë. Ujësjellësit ruanin ujin, i cili u mobilizua përgjatëKoloseut për përdorim public përmes tubave që kalonin nëpër mure./Express/ KultPlus.com

Roma anulon festimet e fundvitit për shkak të pandemisë

 Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri deklaroi sot se do të hartohen planet për ngjarjet publike në natën e Vitit të Ri, ndërkohë që bashkia do t’i japë përparësi mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.

“Koncerti i Vitit të Ri? Do të zyrtarizojmë publikisht një vendim orët e ardhshme, por plani është që të merret shumë seriozisht kërkesa e qeverisë për monitorimin e situatës”, tha Gualtieri.

“Prandaj ka shumë të ngjarë që të mos ketë ngjarje festive kolektive, pasi kjo do të krijonte turma. Në këtë fazë të pandemisë një gjë e tillë do të ishte e pakujdesshme”, theksoi ai.

“Evolucioni i pandemisë është në sytë e të gjithëve dhe ne nuk duhet të lëmë vigjilencën tonë”, shtoi kryebashkiaku.

“Qeveria ka të drejtë në zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ne gjithashtu duhet të luajmë rolin tonë”, theksoi ai. / KultPlus.com

105 vjeçarja mund Covidin dhe merr dozën e tretë të vaksinës

Margherita Fiorenza ka lindur në vitin 1916, ka përjetuar dy luftëra botërore, epideminë spanjolle dhe tashmë dhe Covid-19. Margerita Fiorenca, supergjyshja nga Roma ka mbushur 105 vjeç vetëm pak ditë më parë.

Nipi i saj shprehet për mediat se pavarësisht moshës ajo është shumë e kthjellët dhe mban mend shumë gjëra të jetës së saj, përfshirë bombardimet dhe jetës si e pastrehë për një farë kohe. Tani ajo jeton në një azil për të moshuarit por të afërmit dhe kryebashkiaku kanë shkuar të festojnë ditëlindjen e saj.

Një vit më parë ajo rezultoi pozitive me Covid por nuk u sëmur pasi nuk kishte simptoma. Gjyshja tashmë ka marrë dozën e tretë të vaksinës kundër Covid dhe mendon se pandemia do të kalojë si çdo gjë tjetër./abcnews.al / KultPlus.com

Fotografja Eriselda Xhaferri pjesë e ekspozitës “Zëri i shpirtit” në Romë

Në datën 16 nëntor fotografja durrsake Eriselda Xhaferri do të performojë në Romë në ekspozitën e artit kolektiv “Zëri i shpirtit”, që do të mbahet në Via del Corso 528 në ora 17.00.

Organizuar nga shoqata socio-kulturore “Bota blu”, që ka presidente operatoren sociale Mihaela Mitrut dhe që është e specializuar në promovimin e artistëve të huaj që jetojnë në Itali, ekspozita do të zgjasë tre ditë, duke përfshirë – veç fotografisë – edhe vizatimin e pikturën.

Xhaferri e përshkruan kështu Unin e saj bioprofesional: “Kam ardhur në Itali në 2001-shin. Kam nisur të fotografoj prej pasionit, më pasionon përpjekja për kapjen e shpirtit, grimcat e ndryshme përmes fytyrave, objekteve e gjithçkaje që rrethon mjedisin përreth e brenda qenies njerëzore”.

Aktivizuar në evente artistike shqiptare e shumëetnike në Itali, pjesë e grupit shqiptar në Ekspozitën universale Milano 2015, aktiviste shoqatash, Eriselda vendos në qendër të fotove të saj gruan që kërkon të mbajë të paprekur vokacionin e vet gjinor brenda një shoqërie që përpiqet ta kapë në rrjetën e prototipit të asaj që duhet të kënaqë kohën e të tjerëve.

Së fundmi ka marrë pjesë në mostrat në Galerinë Arca di Noesis e Sguardo di donna (“Vështrim gruaje”) – ku u rendit mes finalistëve me foton “Pritja” -, mbajtur në Romë.

Themeluar në 2015, “Bota blu” organizon shpesh evente për të promovuar kulturën e traditat e të huajve në Itali. Merr pjesë në konkurset për thithjen e fondeve në kuadrin e organizimit të shfaqjeve e formimit të rinjve, duke bashkëpunuar me ente publike e private. Presidentja Mitrut është zgjedhur në 2019 si drejtuese e Qendrës Dëgjimore bashkiake romane  dhe bashkërendon konsultën për të huajt në Minibashkinë VII.

“Bota blu” vepron edhe kundër dhunës dhe mbron të drejtat e punëtorëve. / KultPlus.com

A të çonin të gjitha rrugët në Romë?

Nga Benjamin Plackett

Në kulmin e fuqisë së saj, Perandoria Romake zotëronte një rrjet rrugor që shtrihej nga Gjibraltari deri në kënetat e Mesopotamisë. Siç e thotë edhe vetë shprehja e vjetër popullore: “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë”. Por a ishte vërtet kështu?

Përgjigja nuk është aq e lehtë, sa të thuhet “po” ose “jo” pa asnjë mëdyshje. Ajo është paksa më e komplikuar se sa kaq. Në vitin 2015, tre  studiues të “Moovel Lab”-it, një ekip ekspertësh urbanistë gjermanë, hodhën një rrjet uniform prej gati 500 mijë pikash në një hartë të Evropës.

Këto pika nuk përfaqësonin qytetet e lashta apo moderne, por ishin thjesht vende të rastësishme nga të cilat mund të niste dikur një udhëtim drejt kryeqytetit perandorak. Më pas ekipi përdori një algoritëm për të llogaritur rrugën më të mirë për të shkuar në Romë, duke përdorur rrugët moderne nga secila prej atyre pikave fillestare.

Rezultatet e tyre treguan një rrjet hipnotizues rrugësh që të çonin vërtet në Romë, dhe rrugës ato lidhnin edhe qytete të tjera të mëdha si Londra, Kostandinopoja (Stambolli i sotëm) dhe Parisi, të cilat ishin gjithashtu pjesë e perandorisë së lashtë.

Lajmet mbi këtë lloj harte u bënë virale. Por, në fakt ai eksperiment nuk vërtetoi se të gjitha rrugët të çojnë në Romë. Nëse studiuesit do të kishin bërë të njëjtën gjë, por në vend të Romës do të llogaritnin se cilat ishin rrugët prej nga ku mund të mbërrihej më shpejt në Berlin apo Moskë nga të njëjtat 500 mijë pika, harta do të tregonte një sërë rrugësh po aq të gjera që çonin në ato qytete.

“Studimi ynë nuk i dha përgjigje pyetjes nëse të gjitha rrugët të çojnë vërtet në Romë. Ai ishte një eksplorim në masën 99për qind të asaj pyetjeje”, tha Philipp Schmitt, një nga ekspertët e grupit. Gjithsesi ai eksperiment na tregon ende diçka për qëndrueshmërinë e rrugëve romake.

Shumica e infrastrukturës rrugore në Evropës është ende e projektuar në mënyrë të tillë që të lidhë qytetet kryesore me kryeqytetin italian, duke qenë potencialisht një trashëgimi e perandorisë së dikurshme. Studiues të tjerë, kanë zbuluar gjithashtu se kjo gjë është e vërtetë.

Harta e krijuar nga “Moovel Lab” shqyrtoi mënyrën më të mirë për të mbërritur në Romë duke përdorur rrugët moderne. 

“Ne i kemi përdorur modelimet kompjuterike për të parë rrugët më të mundshme apo më logjike që lidhin dy pika të caktuara, dhe pastaj e krahasojmë atë me njohuritë tona mbi rrugët romake, për të parë nëse ato janë të ngjashme”, thotë César Parcero-Oubina, arkeolog i peizazheve në Institutin e Shkencave të Trashëgimisë në Madrid të Spanjës. 

“Rrugët e sotme janë shpesh të njëjta në shumicën e rasteve me ato të dikurshmet”.

Pra, shumë prej autostradave të Evropës me shumë korsi, janë pasardhëset e rrugëve romake. Gjithsesi kjo ka ndryshuar vitet e fundit, thekson Oubina.

Sot autostradat e reja shmangin vendet e populluara për të kursyer para në procesin e shpronësimeve. Kjo do të thotë që disa autostrada sot nuk ndjekin trajektoren e rrugëve të vjetra romake”, nënvizon ai.

Dhe, kjo na çon tek pyetja në fjalë: Cila ishte logjika e romakëve në ndërtimin e rrugëve? A të çonin vërtet të gjitha rrugët në Romë?

“Kjo varet nga rëndësia e rrugës. Logjika se si funksiononte një perandori e lashtë nuk është aq e ndryshme nga një vend modern. Romakët nuk ishin aq të ndryshëm nga ne; ata thjesht po përpiqeshin që të minimizonin rrugët për të kursyer kohë”, shprehet Ubino.

Rrugët kryesore ishin vija të drejta sa herë që këtë e lejonte peizazhi gjeografik, dhe ato lidhnin qytete të rëndësishme me qytete të tjera të rëndësishme. Këto rrugë ishin të mundshme vetëm pasi një vend të ishte aneksuar siç duhet nga romakët dhe të ishte nënshtruar çdo kundërshtimi ushtarak, përndryshe do të kishte qenë e pasigurt për të udhëtuar në rrugë të tilla.

Në ditët e para pas pushtimit të një krahine, kur barbarët (jo-romakët) po i rezistonin ende pushtimit, romakët do të përdornin rrugët më të sigurta dhe që përshkonin më pak zonat me pyje të dendura apo male. Ndërkohë, kur në një krahinë të aneksuar mbizotëronte paqja, këto rrugë formuan një lidhje jetike për të shpejtuar tregtinë dhe për ta mbajtur ushtrinë në vijën e frontit të furnizuar mirë me trupa dhe furnizime ushqimore.

Në kulmin e saj, rrugët e Perandorisë Romake përshkuan kontinentet për të lidhur qytete dhe qyteza të rëndësishme me kryeqytetin e saj. 

“Rrugët kryesore lidhnin vende të rëndësishme, dhe kështu në një mënyrë a tjetrën, të gjitha mbaronin ose fillonin në Romë. Por nuk është se duhet të kalonit përmes Romës kur udhëtonit nga Londra në Paris, vetëm sepse këtë e lejonte rrjeti”, thekson Oubina.

Këto rrugë kryesore ishin krijuar për lëvizjen e karrocave me rrota dhe kafshëve. Pra, ishin shumë më të sofistikuara sesa shtigjet plot me baltë. Ato u ndërtuan me shtresa të ndryshme si dhe shkëmb, dhe më në fund me pllaka të mëdha guri në majë. Ato nuk ishin të sheshta, por në formë kubi për të lejuar kullimin e duhur. Pastaj vinin rrugët e tjera dytësore që nuk ishin të asfaltuara. Ato lidhnin më shumë qytete dhe qyteza, në vend se të ofronin ndonjë lloj rruge për në Romë. Atëherë, të gjitha rrugët romake të çonin në Romë? Jo tamam, por ato më të rëndësishme të çonin përfundimisht atje. Premisa e pyetjes mund të jetë gjithsesi e gabuar, sepse shumica e njerëzve që shkonin në Romë nuk ndiqnin rrugët tokësore.

Lidhja përmes detit ishte shumë më e dobishme, sepse ishte më e shpejtë dhe më e lirë. Për shembull nëse dëshironit të udhëtonit nga Iberia perëndimore në Romë, atëherë me siguri që do të hipnit në një anije dhe jo mbi një kalë apo karrocë. / bota.al / KultPlus.com

Roma nuk do të organizojë ‘Eurovision 2022’

Roma nuk do të ketë mundësinë të presë festivalin europian të këngës Eurovision për vitin 2022.

Kompeticioni prestigjioz i këngës që u fitua nga grupi Maneskin vitin e kaluar do të mbahet në Itali, por jo në “qytetin e përjetshëm”, siç ishte parashikuar më herët. Motivi është se nuk ka ambientin e duhur për të pritur një ngjarje të tillë dhe për këtë arsye në listë janë 5 qytete të tjera si Milano, Bologna, Pesaro, Rimini dhe Torino, transmeton KultPlus.

Sipas disa burimeve për mediat italiane, autoritetet lokale në Romë kishin propozuar Pallatin e Sportit si vendin ku mund të organizohej Eurosong 2022, por teknikët e EBU që merren me organizimin e eventit e kanë refuzuar duke thënë se nuk përmbush disa nga kushtet e nevojshme.

Më pas, bashkia ka propozuar disa vende alternative mes të cilave dhe Cinecitta apo Panairin e ri të Romës, por asnjë prej tyre nuk është konsideruar e përshtatshme. / KultPlus.com

Monologu i aktores Marbjena Imeraj rikthehet në Romë

“E kam shkruar dhe rishkuar disa herë këtë tekst, duke ripërballuar faza të dhimbshme të jetës sime, nga dhuna që kam përjetuar që 7 vjeçe tek vetëvrasja e motrës sime. Dhe e kam rishkruar sërish kur vendosa ta sjellë në skenë, sepse tjetër gjë është ta shkruash dhe tjetër gjë ta rrëfesh, ashtu si tjetër gjë është të interpretosh një personazh dhe tjetër gjë të vësh në skenë jetën tënde”.

Kështu është shprehur aktorja shqiptare Marbjena Imeraj për median italiane Il Mesaggero. Monologu i saj “Shqipëri-Itali vetë ikje” shfaqet në Romë këtë 7 gusht.

Marbjena është një aktore italo-shqiptare e birësimit roman. Ajo lindi në Shkodër.

Është e katërta nga gjashtë vajzat e lindura nga një baba kolonel ushtrie dhe një nënë ekonomiste dhe, që kur ishte e vogël, ajo gjithmonë ka ëndërruar të ishte aktore. Endrrën e saj megjithatë, Marbjena duhej ta linte mënjanë për një kohë të gjatë për shkak të diçkaje shumë më të madhe se ajo.

Në moshën vetëm dhjetë vjeç po përjetonte luftën civile të shkaktuar nga rënia e regjimit komunist. Familja e saj i përkiste klasës më të lartë të shoqërisë dhe papritmas nuk zotëron më asgjë.

Një rritje e shënuar nga shumë vështirësi dhe momente dramatike të tilla si dhuna e pësuar në moshën shtatë vjeç.

Gjatë adoleshencës së saj ajo humbi shoqen e saj më të mirë vetëm për të zbuluar se ishte detyruar të prostituonte në Itali. Menjëherë pas kësaj dhe një luftë civile.

“Të bëhej aktore” ishte ëndrra që e mban gjallë dhe që do ta çonte në Itali, ku ajo do të zbulojë se ai vend i ëndërruar dhe shumë i dëshiruar nuk është aq mirëpritës për ata që vijnë nga një vend si saji.

Zbarkon në Abruzzo dhe është e gatshme të ndërtojë një jetë për veten e saj, por paragjykimet, racizmi dhe diskriminimi e pengojnë rrugën e saj, por nuk e qetësojnë forcën e saj të shpirtit, gjithashtu e prekur thellësisht nga humbja e një motre që bëri vetëvrasje në Shqipëri.

Megjithë traumën që nuk do ta kapërcejë kurrë, Marbjena përpiqet të ecë përpara dhe më në fund arrin në Romë, ku fillon studimet për aktrim dhe i jep formë ëndrrës së saj, e cila, pak nga pak, bëhet realitet.

Dhe jeta nuk do të rresht së e habituri edhe në atë moment, kur dashuria për një grua do ta befasojë. / KultPlus.com

“Qyteti që po vdes”, qyteza në veri të Romës kërkon mbrojtje nga UNESCO

Në majë të një shkëmbi në mes të një lugine rreth 100 kilometra në veri të Romës, ndodhet qyteti mahnitës i Civita di Bagnoregios.

Qyteti ka mbijetuar për rreth 3,000 vjet, por tani ai po lufton me kërcënimin nga rrëshqitjet e dheut që mund të jenë shkatërruese për të, duke e zhdukur. Mund të duket si një vendndodhje e përsosur për kartolina, por mbijetesa e saj deri tani nuk është asgjë më pak se një mrekulli.

Civita di Bagnoregio ka qenë nën kërcënim nga rrëshqitjet e tokës dhe erozioni që kur u themelua nga Etruskët për arsye ushtarake midis viteve 600-280 para Krishtit. Për fat të keq qyteti mesjetar e ka quajtur veten “qyteti që po vdes” (“la città che muore”), por mbijetesa deri më tani është mundësuar nga këmbëngulja e banorëve.

Shtresimi i argjilës është arsyeja pse Civita di Bagnoregio është kaq e brishtë, dhe e prirur ndaj rrëshqitjeve të tokës dhe erozionit.

Që nga viti 2000, banorët e qytetit kanë filluar betejën e tyre për të shpëtuar shtëpitë dhe për ta mbrojtur nga fenomenet natyrore dhe deri më tani, ka funksionuar. Pandemia ka ndikuar që në këtë zonë të pushojë edhe lëvizja e turistëve. Qyteza për momentin për shkak të izolimeve është shndërruar në një zonë fantazmë ku në rrugët me kalldrëm dëgjohet vetëm tingulli kambanës.

Mund të jetë një befasi që pika historike mahnitëse nuk ishte një atraksion i madh turistik derisa në vitin 2013 nisi  të tarifonte me 1.50 euro hyrjen për vizitorët. Tarifa që atëherë është rritur në 5 euro.

 “Nga 40,000 turistë në 2009, në  vitin 2019 mbërritën mbi një milion vizitorë. Është  e qartë se kjo ka sjellë përfitime të shumta ekonomike, hapjen e aktiviteteve dhe vende të reja pune. Ardhja e pandemisë në mars 2020 na detyroi të mbyllim biletarinë dhe si pasojë kemi probleme të mëdha me buxhetin e komunës sepse tarifa e hyrjes në qytet prej 5 eurosh na lejoi të bënim ndërhyrje (mjedisore) dhe t’u jepnim privilegje qytetarëve tanë,” – u shpreh kryetari i bashkisë Bagnoregio, Luca Profili.

Civita di Bagnoregio është  kandidat për t’u bërë  pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Italia paraqiti propozimin në janar dhe pret që UNESCO të vendosë në qershor të vitit të ardhshëm./express/ KultPlus.com

Koloseu sërish me një arenë luftimesh

Një teatër i madh popullor, i pajisur me teknologjitë më të përparuara, ashensorë mallrash dhe makineri të ndërlikuara skenografie për t’i dhënë jetë shfaqjeve më emocionuese, gjuetisë, luftimeve, madje edhe betejave detare, kjo është sfida për rindërtimin e arenës më të famshme romake.

I kërkuar nga flavianët, që e përuruan atë në vitin 80 pas Krishtit dhe i ndërtuar në vetëm tetë vjet aty ku Neroni kishte dashur një liqen të madh për “Domus Aurea”-n e tij, Koloseu ose “teatri i gjuetisë”, siç e quanin romakët në të vërtetë, e kishte qendrën e tij pikërisht te arena prej druri, një platformë dërrase, e cila, në kohërat antike, ishte 76 x 44 metra dhe e mbuluar me rërë.

“Do të jetë një arenë super teknologjike dhe, në të njëjtën kohë, e lëvizshme dhe jo invazive”, siguron arkeologu Daniele Manacorda.

Sipas tij, fillimi i punimeve është afër dhe publiku do të ketë mundësi të kuptojë plotësisht përdorimin dhe funksionimin e kësaj ikone të botës antike. /atsh/ KultPlus.com

Heshtjet e Romës

Nga Corrado Augias

Gjatë gjithë jetës sime, e kam dëgjuar vetëm tre herë trokitjen e hapave në rrugët e heshtura të Romës. Hera e para ishte kur isha fëmijë, me mbërritjen e amerikanëve. Kishte marrë fund frika e sulmeve dhe bombave. Të vetmet makina që qarkullonin ishin jeep-at, trokitjet e hapave femërore jepnin një tingëllimë feste, i bënin jehonë jetës që kishte rifilluar. Hera e dytë ishte në vitin 1973, kur për shkak të luftës së Yom Kippur-it u vendos një kursim i rreptë i konsumit të karburantit; njerëzit dilnin në këmbë, ishte rikthyer zhurma e hapave. Hera e tretë ka qenë këto ditë, për arsyet që i dimë. Por nuk ka qenë vetëm trokitja e hapave; janë shtuar aromat e luleve dhe gurgullima e ujit në shatërvane, edhe ajo e harruar prej kohësh.

Kemi patur zinë, do të kemi pasoja ekonomike që shpresojmë të mos jenë dramatike; por kemi patur edhe dhuratën e heshtjes së një qyteti, që është më kot poterexhi.

Them më kot, sepse Roma nuk ka qenë asnjëherë një metropol i vërtetë dhe as nuk do të jetë ndonjëherë. Në rang metropoli është Nju Jorku, është Londra, por pas rënies së perandorisë në shekullin V – kur kishte arritur dimensione të konsiderueshme dhe, siç thuhet, një milion banorë – Roma ka qenë gjithmonë diçka më shumë se sa një vendbanim i shpërndarë rrënojash të lavdishme, por të lëna pas dore. Madje do të ishte zhdukur nga skena njësoj si Athina, si Antiokia, nëse nuk do i kish dhënë jetë pushteti i Papëve që asaj perandorie donin t’i jepnin vazhdimësi, duke nisur që nga titulli i dhënë perandorit: Pontifex Maximus.

Kur në 20 shtator 1870, bersalierët hynë në Porta Pia, qyteti numëronte pak më shumë se 200 mijë banorë; pjesa e saj më e gjallë dhe e banuar, ishte reduktuar në rrugët e Gjashtëqindës të mbyllura në Ansa del Tevere, në qendër në Piazza Navona, me geton hebraike në kushte higjenike të frikshme. Rrënojat e Romës perandorake shtriheshin gjysmë të groposura ose të dëmtuara prej shtesave ndërtimore, të përdorura si bottega, banesa apo si vende për shfryrjen e kënaqësive trupore.

Ishte kjo përzierje e madhështisë dhe gjërave të turpshme, e kryeveprave dhe shëmtive që tërhoqi vizitorët dhe artistët e veriut. Zbritën në Romë të tërhequr prej shkëlqimit dhe transparencës së jashtëzakonshme të atmosferës, por edhe prej heshtjes së varrit që mbizotëronte në rrënojat e qytetit të vjetër. Hija e fantazmave dhe fantazive e bënte Romën një prej kryeqyteteve të romanticizmit. Kështu e pa shkrimtari i madh francez, René de Chateaubriand. I ardhur në Romë për herë të parë në fillim të shekullit Tetëqind, ai e përshkruante kështu atmosferën e natës: “Më kishin rekomanduar të shëtisja nën dritën e Hënës. Ylli i natës përhapte dritën e tij mbi shkretinë e Romës; ndriçonte rrugë pa banorë, gardhe, sheshe, kopshte ku nuk kalon askush, manastirë ku nuk dëgjohet më zëri i murgjve, kisha të heshtura dhe të shpopulluara si rrugëkalimet e Koloseumit”. Pikërisht në Koloseum shkrimtari shoqëron një ditë shoqen e tij, madame de Beaumont, e cila ishte e sëmurë rëndë: “Ishte një prej atyre ditëve të tetorit, që mund të shihen vetëm në Romë. Ajo ngriti sytë; e hodhi ngadalë vështrimin drejt atyre rrugëkalimeve të vdekur prej shumë vitesh, që kishin parë vetë shumë vdekje; rrënojat ishin të zbukuruara me lule të zverdhura të vjeshtës, të zhytura në dritën e natës”.

Në po të njëjtën mënyrë do ta shihnin Romën Stendhali gjatë “Shëtitjeve romane” dhe Giacomo Leopardi, i cili Romën nuk e dashuroi kurrë. Kur vuri këmbë në moshën 24 vjeç dhe ishte hera e parë që la “varrezën e urryer” të Recanatëve. I vetmi vend që e prekte deri sa të shpërthente në lotë ishte varri i Tassos në kishën e Sant’Onofro al Gianicolo. Për pjesën tjetër, Roma e zhgënjente si për imazhin, që e kishte krijuar duke lexuar klasikët, si për letrarët romakë të kohës që i dukeshin injorantë të pagdhendur.

Heshtjes së qytetit i korrespondonte ajo fshatit që e rrethon. Askush nuk ka ditur ta rrëfejë më mirë se sa G. G. Belli që në sonetin “Er deserto” e përshkruante në mënyrë të mrekullueshme heshtjen e trishtë.

Heshtja e një qyteti që duket i vdekur, thyhej një herë në vit prej karnevaleve që magjepsën Dymanë dhe që Gëte në “Udhëtimin italian” e përshkruan kështu: “Karnevalet e Romës nuk janë një festë që i ofrohet popullit, por një festë që populli ia ofron vetvetes”.

Pastaj erdhi Roma e Giolittit dhe 50-vjetorit të parë të Mbretërisë (1911), Roma e zymtë e shkatërrimeve të Musolinit, Roma e pasluftës e kaosit të ndërtimeve të favorizuara prej kryebashkiakëve të vetëkënaqur demokristianë, Roma e dolce vita-s, Roma e shkretë e ditëve të fundit. Një rikthim i heshtur në origjinë. / KultPlus.com

Roma në bllokadë koronavirusi, atraksionet e zbrazura të “qytetit të përjetshëm”

Përveç veriut të Italisë, bllokada e emergjencës së epidemisë është vendosur tashmë thuajse në të gjithë vendin.

Në një reportazh të agjencisë Ansa tregohen masat e marra për ndalimin e qarkullimit në qendrën turistike të vendit, ku ushtria ruan gjendjen e zbrazëtisë.

114 njësi ushtarake janë dislokuar në të gjithë vendin për kontrollin e masave të përmbajtjes së virusit COVID-19. / Ndertim.info / KultPlus.com

Shqiptarja e Teatrit Historik të Romës këndon “Himnin e Flamurit” (VIDEO)

Mexosopranoja e njohur lirike, pjesë e Teatrit Historik të Romës, Irida Dragoti, përmes një video rrëfen nga Italia situatën atje.

“Situata në Itali është shumë e rëndë, çdo ditë ka lajme të trishta, por ne po mundohemi të kemi shpresë. Gjatë kësaj kohe në shtëpi po mundohemi të jemi me familje, të bëjmë sport, muzikë e të jemi afër njëri-tjetrit. Këtë izolim duhet ta shohim pozitiv.”

Këngëtarja bën apel për më shumë kujdes ndaj COVID-19.

Krejt në fund të mesazhit ajo e këndon edhe refrenin e Himnit të Flamurit. / KultPlus.com

Alberta Troni dhe soprano Ana Lushi u prezantuan me koncert në Romë

Me rastin e 20 vjetorit të Festës së Çlirimit, Ambasada e Republikës së Kosovës organizoi koncertin me muzikë klasike me pianisten e njohur nga Kosova Alberta Troni dhe sopranon shqiptare që jeton në Romë,  Ana Lushi. Koncerti u organizua në teatrin prestigjioz Torlonia në Romë dhe u ndoq nga pjesëtarë të trupit diplomatik në Romë, njerëz të politikës, medias, kulturës dhe miq e dashamirës të Kosovës, të ftuar nga ambasada.

Në këtë koncert u interpretuan vepra të kompozitorëve të shquar si Bach, Mozart e Verdi si dhe pjesë muzikore nga kompozitorë të njohur shqiptarë.

Në fjalën e saj përshëndetëse në fillim të koncertit, ambasadorja e Kosovës në Itali Alma Lama tha se 12 qershori është një ditë e madhe në historinë e Kosovës pasi shqiptarët për herë të parë shijuan ajrin e lirisë. Më tej ajo tha se Ambasada në Romë, gjatë mandatit të saj është munduar të promovojë gratë artiste, siç janë dy zonjat e shkëlqyera muzikante, pianistja nga Prishtina Alberta Troni, dhe sopranoja me origjinë nga Shqipëria Ana Lushi.

Publiku duartrokiti gjatë ekzekutimit në piano të pjesëve muzikore të pianistes nga Prishtina Troni, dhe interpretimin lirik të pjesëzave muzikore nga sopranoja Ana Lushi, veçanërisht ato shqiptare si “Dielli ka perendue” të Prenk jakovës, Suite Ilire e kompozitorit Kaçinari si dhe këngët shkodrane tradicionale “Kenke nuri i bukurisё dhe Un’ o ty moj tё kam dashtё”.

Koncerti me muzike klasike u organizua nga Ambasada, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Kosovës dhe Universitetin e Prishtinës./KultPlus.com

Filmi i 10 nominimeve Oscar bën që turistë të shumtë të vizitojnë Meksikën

Suksesi i filmit Roma të regjisorit meksikan Alfonso Cuaron, ka bërë që të ndizet një pelegrinazh i vërtetë i fansave drejt rrugëve të qytetit të Meksikos, ku skenat edhe janë filmuar.

Xhirimet e filmit janë kryer mes 2016 dhe 2017, në lagjen Roma sur apo Roma jugore, ku vetë regjisori ka kaluar fëmijërinë.

Kur ka kaluar pak kohë nga premiera e tij dhe filmi meksikan mban tani 10 nominime për ceremoninë e çmimeve Oscar.

Dhe kjo ka bërë që të jenë të shumtë turistët, por edhe gazetarët, që përshkojnë rrugët ku skena të filmit janë realizuar.

“Njerëzit filluan të vinin në dhjetor, ata bënin foto dhe shumë pyetje”, thotë Gloria Monreal.

“Filmi na pëlqeu shumë. U intriguam që në fillim dhe vendosëm të vinim dhe të vizitonim shtëpinë, sepse ishte edhe afër hotelit tonë”, tha Esteban Alvarez, turist.

Shtëpia me numrin 22 në rrugën Tepejit, është më e kërkuara. Ajo mban tashmë edhe një pllakatë ku shkruhet, këtu është filmuar Roma.

Por, kur shkojnë atje fansat edhe mësojnë se kjo nuk është shtëpia e vërtetë ku Cuaron ka jetuar.

Regjisori ka jetuar një derë më tej, në numrin 21, por ndryshimet e bëra nga pronarët e mëvonshëm, kishin qenë shumë të mëdha ndaj edhe regjisori kish zgjedhur shtëpinë e ish fqinjit. Ai kishte rikrijuar më pas fasadën origjinale të shtëpisë së tij, për të filmuar skenat. /Tema / KultPlus.com

Pamje të mrekullueshme, Roma zbardhet nga bora pas gjashtë vitesh (Foto)

Një stuhi e rrallë dëbore ka mbuluar Romën duke e zbardhur qytetin për të herë të parë pas gjashtë vitesh dhe duke shkaktuar probleme me transportin dhe duke mbyllur disa shkolla.

Autoritetet lokale kërkuan ndërhyrjen e ushtrisë për pastrimin e rrugëve, përcjell shqiptarja.com.

Banorët e gjetën qytetin të zbardhur kur u zgjuan në mëngjes pasi erërat siberiane që kanë mbërthyer Evropën, i ulën nën zero temperaturat, duke iu marrë jetën të paktën katër personave, siç pretendohet.

Koloseu, shatërvani i Trevit dhe monumentet e tjera të “Qytetit të Përjetshëm”, që nga Vatikani e deri buzë lumit Tevere, kanë dhuruar disa pamje spektakolare bukurie të kryeqytetit italian.

Çfarë shkruhet nën statujën e Skënderbeut në Romë (FOTO)

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, figura më e shquar në historinë e shqiptarëve, gjendet kudo në botë. Këtë vit Skënderbeu shënohet edhe 550-vjetori i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar.

Një ndër statujat e Skënderbeut gjendet edhe në Romë, ku ky vend ka shkruar edhe një frazë poshtë statujës.

Nën statujën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut në Romë shkruhet:

“Roma përkujton 500 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut, mbrojtësit të Qytetërimit Perëndimor”. / KultPlus.com

Sislej Xhafa, pjesë e ekspozitës së ardhshme në Il Palazzo del Quirinale

Për herë të parë, Il Palazzo del Quirinale në Romë do të mirëpresë një ekspozitë të artit bashkëkohor.

Pallati i njohur, një prej tri rezidencave zyrtare të Presidentit të Republikës së Italisë, nga tetori do të jetë vendi ku do të hapet ekspozitë “Da io a noi: la città senza confini” (Nga unë tek ne: Qyteti pa kufij)
Ekspozita në fjalë mirëpret edhe dy artistët shqiptarë: Sislej Xhafa dhe Adrian Paci.

Shpërndarë në 10 objekte të Appartamenti di Alessandro VII Chigi, 22 artistë sjellin punët e tyre artistike në Itali.

Ekspozita fokusohet tek koncepti “anësor”, duke përdorur gjuhë të ndryshme të artit – videoja, Instalacioni, skulptura, piktura, fotografia. Në kohën moderne, problem i artit mbetet tranzicioni mes personales dhe kolektives, si të shndërrohet një imagjinatë personale në një eksperiencë kolektive e grupore. Periferitë janë vende të lëna anash, pa kufij. Artistët e ftuar në këtë ekspozitë janë dëshmitarët e këtij ambienti.

Kuratorja Anna Mattirolo ka përzgjedhur për ekspozitë edhe emrat Luca Vitone , Gianluca and Massimiliano De Serio, Flavio Favelli , Mona Hatoum , Maurizio Cattelan , Grazia Toderi , Alberto Garutti , Lara Almarcegui, mes tjerësh.
Ekspozita hapet me 24 tetor dhe do të qëndrojë e hapur deri me 17 dhjetor. / KultPlus.com