Fotografi nga Parisi viziton ekspozitën e artistit Sadri Morina: U godita menjëherë nga intensiteti i veprave të tij

Flonja Haxhaj

Një ditë nga vizita e tij në Prishtinë, fotografi nga Parisi, Romain Thibaudat ia kushtoi ekspozitës së parë personale të artistit Sadri Morina që po qëndron e hapur në KultPlus Caffe Gallery.

Fotografi Thibaudat thotë se për ekspozitën e artistit Morina kishte dëgjuar nga një shok i tij artdashës as 24 orë pasi kishte mbërritur në Prishtinë, e më pas kishte vendosur që fotografitë e ekspozitës ‘Vena Vaditëse’ të jenë pjesë e koleksionit të fotografive që ai i realizon nëpër vende të ndryshme të botës.

“Unë u godita menjëherë nga intensiteti i veprave të tij, osmoza e ngjyrave të tij që varionin nga errësira në dritë, nga e nxehta në të ftohtë, secila duke shprehur një emocion të ndryshëm, duke reflektuar një formë melankolie.”- thotë fotografi thibaudat për KultPlus.

Sadri Morina, autori i ekspozitës ‘Vena vaditëse’. /Foto: Romain Thibaudat

“Universi i tij i thellë dhe simbolik që na fton të dyve të bëjmë një hap prapa nga bota jonë ose nga vetja jonë, të shkëputemi dhe të vendosim veten në “pauzë”. por gjithashtu na fton të tregojmë mprehtësi për të soditur yjet, planetet, me pak fjalë për të vëzhguar atë që na rrethon. ”- shton më tutje ai.

Romain Thibaudat, i cili thotë se filloi të merrej më fotografi në moshën 14-vjeçare, në këtë fushë të artit u përkushtua edhe më shumë pas moshës 17-vjeçare kur u regjistrua në shkollën e fotografisë ‘Lycée Brassai’ në Paris.

Fëmijët duke peshkuar në portin e Cienfuegos në Kubë. /Foto: Romain Thibaudat

“Fillimisht fillova të bëj fotografi të natyrës së vdekur, të cilat më pëlqenin t’i vë në skenë, të luaja me dritat dhe ngjyrat, të krijoja atmosfera të ndryshme.” – thotë fotografi Thibaudat duke shtuar se tani është i fokusuar më shumë tek arkitektura dhe fotografia e reportazhit.

E dashurinë për fotografinë ai e kishte përforcuar edhe më shumë duke ndjekur rrugët e fotografëve që lanë gjurmë në këtë fushë siç janë Marc Riboub dhe Sabastiao Salgado.

Babë e bir në një motoçikletë në qytetin e Shirazit në Iranin jugor. /Foto: Romain Thibaudat

“E adhuroja veçanërisht fotografin humanist Marc Riboub si dhe fotografin franko-brazilian Sebastiao Salgado që mes tyre më solli dëshirën për të udhëtuar sa më shumë nëpër botë dhe më lejoi të kap momente të jetës nëpër vende si Irani, Kuba, Gjeorgjia.” – deklaron Thibaudat për KultPlus.

Ndërkaq, disa nga fotografitë e tij, Romain Thibaudat i kishte shfaqur në ekspozitën e tij të parë ‘Cuban Express’ në ‘Galerie Echmomusee’ në Paris./ KultPlus.com


Një zonjë e moshuar duke mbledhur copa të vogla druri, në mes të rrënojave buzë Detit të Zi, në qytetin e Potit në Gjeorgji. /Foto: Romain Thibaudat