Romane fantazi, edukative dhe thrillers, romanet më të shitur ndonjëherë janë vepra shumë të famshme që shpesh janë kthyer në filma. Duke përjashtuar tekstet e shenjta dhe ato letrare, veprat e botuara fillimisht në disa vëllime të veçanta janë romanet më të shitur ndonjëherë.
Gruaja e Përjetshme (Ajo: Një histori e aventurës), 1887 – H. Rider Haggard: 83 milionë kopje të shitura
Ky roman i hapi rrugën zhanrit letrar historik të njohur si bota e humbur, që konsiston në zbulimin e një vendi të largët dhe të paeksploruar të lënë jashtë modernitetit. Nga ky libër u realizuan 10 filma i pari në 1899, i fundit në 2001.
Luani, Shtriga dhe dollapi (Il Leone, la Strega e l’Armadio), 1950 – CS Lewis: 85 milionë kopje të shitura
Ky është libri i parë i bazuar në sagën “The Chronicles of Narnia” dhe është më i njohuri, edhe falë filmit të vitit 2005, i cili pati një sukses mbarëbotëror. Lewis e shkroi këtë libër frymëzuar mbi të gjitha nga alegoritë e krishtera, por edhe nga mitologjia e grekëve dhe romakëve të lashtë apo nga mitologjia skandinave.
Kodi i Da Vinçit, 2003 – Dan Brown: 90 milionë kopje të shitura
“Kodi i Da Vinçit” është romani i katërt thriller i shkruar nga Dan Brown. Kjo vepër është plot simbolika dhe legjenda, të cilat kanë kontribuar në bërjen e librit shumë të famshëm dhe gjithashtu të kritikuar.
Ëndrra e dhomës së kuqe (Hónglóu Mèng), 1791 – Cao Xueqin: 100 milion kopje të shitura
Kjo vepër letrare u shkrua në Kinë gjatë sundimit të perandorit Qianlong. Libri përmban 120 kapituj në të cilët ka shumë personazhe dhe histori që ndërthuren me njëri-tjetrin. Romani është i rëndësishëm jo vetëm për personazhet dhe vlerën psikologjike, por edhe për përshkrimin e detajuar të shoqërisë aristokratike kineze të shekullit të tetëmbëdhjetë.
Alkimisti (O Alquimista), 1988 – Paulo Coelho: 100 milionë kopje të shitura
Paulo Coelho fitoi çmimin prestigjioz Grinzane Cavour me “Alkimistin”. Libri fillimisht u prit në mënyrë të vakët nga publiku, përpara se të bëhej një sukses tregtar në vitet 1990.
Dhe atëherë nuk kishte asnjë, 1939 – Agatha Christie: 110 milionë kopje të shitura
Me 110 milionë kopje të shitura në mbarë botën. Ky roman i suksesshëm është përshtatur në shumë versione nga kinemaja tek filmat vizatimorë, videolojërat dhe komedi.
Harry Potter and the Philosopher’s Stone 1997 – JK Rowling: 120 milionë kopje të shitura
Libri i parë në sagën e Harry Potter është libri më i shitur ndonjëherë, por gjashtë librat e tjerë kanë pasur gjithashtu sukses global, duke e vendosur veten në Top 20.
Hobbit (The Hobbit), 1937 – JRR Tolkien: 140 milion kopje të shitura
“Libri i Zotit të unazave” (1955) duhej të botohej në një vëllim të madh, por kriza ekonomike pas Luftës së Dytë Botërore e pengoi atë dhe më pas u botua me tre vëllime. “The Hobbit” u botua në 1937 dhe sot ka një rritje të shitjeve falë adaptimeve filmike të sagës.
Princi i Vogël (Le Petit Prince), 1943 – Antoine de Saint-Exupéry: 150 milion kopje të shitura
“Princi i Vogël” nuk konsiderohet realisht një roman i plotë, por gjithsesi është një histori e moshës madhore për djemtë që trajton shumë tema si kuptimi i jetës, dashuria dhe miqësia. Që nga botimi i parë e deri më sot, ky libër ka magjepsur brezat dhe është përkthyer në më shumë se 500 gjuhë dhe dialekte.
A Tale of Two Cities, 1859 – Charles Dickens: 200 milionë kopje të shitura
I vendosur në Paris dhe Londër, ky është një nga dy romanet historike të shkruara nga Charles Dickens me Barnaby Rudge. Pavarësisht se është libri më i shitur i të gjitha kohërave, sipas një sondazhi të kryer nga BBC ai është vetëm i 63-ti ndër librat më të dashur të të gjitha kohërave.
Autorja shqiptaro-amerikane Loreta Chekani është pak e njohur për lexuesin shqiptar, por për lexuesin e pasionuar pas romaneve historike ajo është në emër që thotë shumë.
Ditën e djeshme ajo është shpallur fituese e çmimit prestigjioz “VIVIAN”, i cili i akordohet romancierëve amerikanë. Ajo është shpallur autorja më e mirë e romanit historik për vitin 2021, për romanin e saj “Dhjetë Gjërat që urrej te Duka”, (Ten Things I Hate About the Duke).
Çmimet “VIVIAN”, janë niveli më i lartë I vlerësimit në trillimet romantike – “Ekuivalenti i industrisë së botimit të romancave me një Oskar”, thotë Chekani.
Në Dhjetor 2020, libri u zgjodh nga stafi i bibliotekës në të gjithë vendin për t’u përfshirë në listën mujore të LibraryReads të dhjetë librave më të mirë të botuar atë muaj. Dhe në janar 2021, “The Oprah Magazine” e quajti romanin e Chekanit të vitit 1995, “Lord of Scoundrels”, e renditi të pestin në listën e 27 Romaneve më të mira romantike të të gjitha kohërave
71 vjeçarja e cila jeton në Worcester botoi romanin e saj të parë, “Isabella”, në vitin 1987. Në atë kohë, ajo shkruante skenare për një kompani prodhimi video në Worcester, e cila e ndihmoi atë ta mësonte të ndërtonte dialog dhe të shkruante në mënyrë të përmbledhur.
Ngjarjet e librave të Chekanit janë vendosur të gjithë në epokën e Regjencës të Anglisë, rreth viteve 1795 deri në 1837. E vetëquajtur ” history nerd” (studiuese e fiksuar pas historisë) ajo thotë se punon shumë që ngjarjet në librat të jenë sa më afër realitetit të kohës. Dhe kjo këmbëngulje e ka çuar të studiojë në muzetë dhe bibliotekat e Londrës, ku ajo ka studiuar artin, hartat dhe artefaktet e viteve 1700-1800.
Koleksioni i vet Chekani përfshin një revistë të vitit 1833 që i tregon asaj saktësisht se çfarë kishin veshur disa qindra gra në dhomën e vizatimit të Mbretëreshës dhe që ndoqën darkën e Dukeshës së Cumberland.
Në romanin e saj “To young to marry” (Shumë e re për tu martuar) Chekani ka përdorur element biografikë të familje së saj, ku tregon historinë e martesës së gjyshes së saj në Shqipëri.
Chekani aktualisht është duke punuar në romanin e saj numër 23. / KultPlus.com
A mund të kuptohet fati i një shoqërie përmes librave që botohen, që shpërndahen apo censurohen? A është e vërtetë, në një kuptim të caktuar se shkrimtarët janë në gjendje të kuptojnë zhvillimet që nuk kuptohen nga shumica e njerëzve? Pra me pak fjalë:A janë ata të aftë të shohin përtej së tashmes?
Nga Dario Ronzoni
“Linkiesta”
Gjithçka nis me një makinë të forcave të armatosura gjermane që ndalet pranë Universitetit të Tybingenit në fillim të vitit 2018. Sapo panë targën, kalimtarët e rastit u shqetësuan: qyteti dhe veçanërisht kampusi (me një prirje drejt së majtës) ishin të njohur për armiqësinë e tyre ndaj ushtrisë dhe organeve të sigurisë kombëtar.
Mbi të gjitha, në atë kohë kishte pasur protesta kundër ngritjes në qytet të një qendre kërkimore për inteligjencën artificiale. Do të ishte një nga më të mëdhatë në kontinent, por që do të përfshinte edhe prodhuesit e armëve në zonë. Gjë që ishte e papranueshme për popullatën studentore.
Por atë ditë zyrtarët e ushtrisë ishin atje për një arsye tjetër. Siç e shpjegon një artikull i gjatë dhe i pabesueshëm në “The Guardian”, atyre iu desh të përcaktonin detajet përfundimtare të projektit “Cassandra”, një nga nismat më të çuditshme të ndërmarra ndonjëherë kohët e fundit dhe pikërisht për këtë arsye, një nga më të guximshmet.
Ushtarakët donin të krijonin një urë bashkëpunimi me një grup profesorësh universitarë, në mënyrë që këta të fundit t’i ndihmonin ata me mjetet e tyre, që të parashikonin shpërthimin e trazirave dhe luftërave në nivel ndërkombëtar. Asgjë të re, përveç faktit se në vend se t’i drejtoheshin politologëve apo shkencëtarëve të Inteligjencës Artificiale, ushtarakët po bisedonin me profesorët e letërsisë.
Basti ishte pikërisht ky:A mund të kuptohet fati i një shoqërie përmes librave që botohen, që shpërndahen apo censurohen? A është e vërtetë, në një kuptim të caktuar se shkrimtarët janë në gjendje të kuptojnë zhvillimet që nuk kuptohen nga shumica e njerëzve? Pra me pak fjalë:A janë ata të aftë të shohin përtej së tashmes?
Loja e përputhjeve midis parashikimeve që përshkruhen në romane, shpesh trillime shkencore dhe ngjarjeve që ndodhën në vitet pasuese është shumë sugjestionuese. Për shembull,armët bërthamore u parashikuan nga Uells që në vitin 1914.
Apo rasti i shkrimtarit anglez Xhon Bruner që në librin e vitit 1968 “Të gjithë në Zanzibar”, flet për Bashkimin Evropian që u krijua më vonë, rënien e industrisë së makinave në Detroit të SHBA-së, rritjen e Kinës si një fuqi globale, dhe fitoren në Shtetet e Bashkuara të “presidentit Obomi”.
Edhe me rastin e pandemisë së Covid-19, u gjetën gjurmë dhe parashikime për mbylljen e vendeve në karantinë, për mbajtjen masive të maskave dhe për koronavirusë të arratisur nga laboratorët që kanë një siguri maksimale.
Llogaritja e rastësive – ndërthurja e papritur e fantazisë dhe realitetit – është argëtuese. Por a ka kuptim krijimi i një projekti serioz rreth së ashtuquajturës “ndjeshmëri”e një shkrimtari, përveç pagimit të parave të taksapaguesve? Me sa duket, për disa ushtarakë gjermanë përgjigjja është:po.
Pas takimit me ushtarakët, grupi i profesorëve i udhëhequr nga profesori i letërsisë krahasuese Jyrgen Verteimer, ishte i pavendosur nëse do ta bënte apo jo publik këtë bashkëpunim. Ata kishin frikë nga reagimi kundër i studentëve, të cilët kanë qenë gjithnjë shumë të ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve të organeve qeveritare.
Dhe siç ishte logjike, ky projekt u prit nga një valë skepticizmi dhe me ironi. Por Verteimer mendoi të kundërtën. Ai ishte ndër të parët që e përqafoi idenë, gjithmonë i bindur se letërsia është “një sizmograf social”.
Në vitin 2014 ai i shkroi një letër Ursula Von der Lejen, asokohe Ministre e Mbrojtjes në Gjermani, duke i tregtuar se dhuna që shpërtheu në Nigeri për shkak të organizatës ekstremiste “Boko Haram” ishte parathënë nga një seri sulmesh ndaj librave, bibliotekave dhe shkollave.
“Studimi i fjalëve dhe letërsisë në përgjithësi,mund të bëjë të mundur parashikimin e konflikteve, dhe nëse është e nevojshme, parandalimin e tyre”-e përfundoi letrën ai.Von der Lejen nuk iu përgjigj kurrë Verteimer. Por profesori nuk u dorëzua:ai nisi të organizoje takime dhe diskutime për të përcaktuar një projekt të mundshëm bashkëpunimi.
Gjatë viteve 2015-2017 profesori pati takime me zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes për të hartuar projektin “Cassandra”. Në verën e vitit 2017, kur gjërat dukej se po ecnin, ai krijoi një ekip ku bënte pjesë edhe Florian Roge, një doktorant mbi botimet anti-demokratike nga koha e Republikës së Vajmarit dhe koleges së tij Izabel Holc.
Rasti ishte unik. Në mungesë të precedentëve apo modeleve të referencës, ishte e nevojshme të shpikej nga e para metoda e hetimit dhe analizës. Leximi i të gjithë librave të botuar – mijëra dhe shpesh në gjuhë të panjohura prej tyre – ishte një mision i paimagjinueshëm.
Të menduarit mbi një sistem për katalogimin e evolucioneve leksikore (për të kuptuar shkallën më të madhe ose më të vogël të agresionit), ishte një punë shumë e madhe dhe e pamjaftueshme, pasi nuk do të kishte qenë në gjendje që të kuptonte metaforat dhe përdorimet e specializuara të gjuhës.
Në këto kushte, ekipi i projektit “Cassandra”u fokusua tek studimi i të ashtuquajturës “infrastrukturë letrare”. Kjo do të thotë, të kuptosh se çfarë ndodh rreth një libri, duke studiuar recencën mbi të dhe duke analizuar reagimet si në nivelin politik ashtu edhe në atë shoqëror.
Edhe këtu ishte e nevojshme të bëheshin kërkime. Rezultoi se zgjidhja ishte jo fokusimi tek leximi i romaneve, por i kritikës dhe protagonistëve të skenës letrare në zonën në fjalë, për të kuptuar reagimet dhe mendimet.
Uole Sojinka, shkrimtari nigerian, ishte shumë i entuziazmuar të ndihmonte grupin, duke siguruar kontakte me autorë të tjerë, dhe vlerësime në media mbi botime të caktuara. Shkrimtarë të tjerë ishin të gatshëm ta takonin ekipin në ambasadat e tyre përkatëse, apo në vendet neutrale si Paris dhe Madrid. Madje, shumë prej tyre paguan nga xhepat e tyre.
Rezultatet e para dolën brenda disa muajsh. Në një analizë retrospektive, rezultoi se situata e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës ishte përkeqësuar që nga vitet 1980. Kjo u kuptua nga vëmendja e madhe që iu kushtua në atë kohë dramave të shkrimtarit serb Jovan Raduloviç, i cili në vitin 1983 kishte inskenuar një masakër të kryer kundër serbëve nga ustashët kroatë.
Ose fakti që 3 vjet më vonë u urdhërua dëbimi i të gjithë shkrimtarëve jo-serbë nga shoqatat kombëtare të vendit, ndërsa në dekadat në vijim nuk u botuan më romane me histori të miqësisë apo dashurisë midis personazheve serbë dhe shqiptarë, por ri-interpretime revizioniste të historisë të vendit.
Teza përfundimtare ishte e thjeshtë: konflikti i vitit 1998 ishte paraprirë dhe përgatitur në kohë edhe përmes një pune intensive kulturore dhe editoriale. Ministria gjermane e Mbrojtjes ishte e kënaqur me kërkimin. Metoda ishte premtuese.
Tani ekipi i Verteimer duhej të përqendrohej në një punë parashikuese, dhe jo më në rindërtimin e fakteve historike. Ai zgjodhi Algjerinë. Në vitin 2017, ky vend cilësohej i qëndrueshëm dhe i fortë, nuk ishte prekur nga Pranvera Arabe, dhe tregoi norma të ulëta të pjesëmarrjes në protesta.
Megjithatë bota letrare sugjeronte se diçka po lëvizte. Shenjat ishin të ndryshme:disa romane filluan të flasin për demonstrata të dhunshme të shpërndara më forcë nga policia, ribotimi i ditarit të Said Sadi, që mori pjesë në Rebelimin e Berberëve të vitit 1980bëri bujë, ndërsa romani i Bualem Sansal“2084” i botuar në vitin 2015, përshkruan një botë dystopike ku imponohet me forcë një diktaturë fetare.
Kjo e fundit ishte shumë domethënëse, pasi librat e Sansal janë ndaluar në Algjeri që nga viti 2006, por lexohen ende me shumë interes fshehurazi. Trazirat e vitit 2019, të cilat çuan në dorëheqjen e Buteflikës,provuan sërish se kjo metodë funksionon.
Parashikimet kishin rezultuar të sakta, por siç rrëfen vetë Verteimer, nuk kishte asnjë metodë për të përkthyer në një kod të qartë,një situatë që deri atëherë ishte thjesht një ndjenjë. U propozua një sistem matës nga 1 në 12, për të përcaktuar shkallën e rrezikut të elementëve të marrë në analizë.
Por ai ishte një klasifikim arbitrar, joshkencor, dhe në planin afatgjatë krejtësisht i padobishëm. Premisat ishin të mira, dhe ideja shumë magjepsëse. Por në një nivel operacional, kufijtë ishin të pakapërcyeshëm. Ndaj projekti “Cassandra” u pezullua në vitin 2020.
Nuk pati kurë një shpjegim zyrtar për këtë gjë. Sipas disa studiuesve, shkaqet duhet të gjenden tek shpërthimi i pandemisë së Covid-19, që shteroi fondet. Apo tek transferimi diku tjetër i disa prej zyrtarëve më entuziastë ndaj këtij projekti.
Por nuk mund të përjashtohet fakti që mund të ketë ndikuar mallkimi i emrit që mbart projekti:Kasandra. Siç dihet, në mitologjinë greke Kasandra ishte priftëresha e Apollonit e cila kishte fuqi parashikuese, por që më pas u dënua në mënyrë që të mos besohej më kurrë nga njerëzit. / bota.al / KultPlus.com