“Puthja e bukës”, romani i autores së njohur spanjolle Almudena Grandes, ka ardhur në gjuhën shqipe nën përkthimin e Namik Dokles dhe mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
“Puthja e bukës” është romani i njërës prej shkrimtareve më të famshme të Spanjës, në të cilin përplasen dhe kryqëzohen jetët dhe fatet e shumë njerëzve, duke shkaktuar shumëllojshmëri konfliktesh, sa personale, po aq edhe shoqërore.
QKLL e përkufizon këtë roman si shumë tërheqës mbi të sotmen tonë. Në të ngrihen pyetjet: Ç’po ndodh me njerëzit e thjeshtë, të gjendur në syrin e ciklonit të krizës, si po e përballojnë të gjithë ata, çifte dhe të vetmuar, baballarë dhe fëmijë, pleq dhe të rinj, si mund të bëhet dashuria njerëzore një formë e rezistencës?
Me një delikatesë fine, por njëherësh edhe me një thellësi tronditëse, autorja shfaq të gjitha vështirësitë, mungesat dhe pasiguritë, me të cilat përballen personazhet e romanit. Të gjitha këto ndodhin vetëm në një lagje tipike të Madridit.
Namik Dokle eshtë mbështetur nga QKLL jo vetëm në rolin e përkthyesit por edhe atë të shkrimtarit. Ai ishte një prej 6 autorëve përfitues të “Fondit të Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj”, ku libri i tij “Vallëzim me hënën”, u përkthye në spanjisht nga Maria Esperanza Roces González./atsh/ KultPlus.com
Libri i fundit i shkruar nga shkrimtari i madh Ismail Kadare “Kur sunduesit grinden” është finalist për International Booker Prize 2024. Në këtë libër bëhet fjalë për një bashkëbisedim telefonik, i cili, ndonëse ka ndodhur gati një shekull më parë, vazhdon të zbërthehet e të interpretohet ende sot në mënyrat më kundërthënëse.
Në një vështrim të parë, krijohet përshtypja se kureshtjen për librin e mbajnë gjallë dy bashkëbiseduesit: Stalini dhe Pasternaku. Nga një shqyrtim më i thellë, një personazh i tretë, më pak i njohur se ata, poeti Osip Mandelshtam, ndonëse nuk merr pjesë në bisedim, zë vendin kryesor në të.
Është fati i tij i hidhur, në të vërtetë fati i qindra shkrimtarëve të njohur e më pak të njohur, që vuajtën nën komunizmin bolshevik. E vërteta e tyre tragjike, në vend të harresës, pret ringjalljen e saj. Tani që ky rend ka rënë, hapja e arkivave dhe dosjeve të tij është çështje e ditës./ BalkanWeb/ KultPlus.com
Në fundprillin e vitit 1957 lexuesi shqiptar mori romanin e shkrimtarit amerikan Teodor Drajzerit “Një tragjedi amerikane” në dy vëllime, të shqipëruar nga Bujar Doko. Po nga ky autor në vitin 1965 u përkthye dhe u botua romani “Gjeniu”. Të dy veprat janë ribotuar disa herë në vendin tonë. Ato janë përkthyer e botuar edhe në Prishtinë.
“Një tragjedi amerikane” u botua në dhjetor 1925 në dy volume. Me këtë vepër, Drajzer krijoi një rrëfim prekës dhe në të njëjtën kohë të fuqishëm mbi rininë në shoqërinë industriale amerikane. Për vite të tëra, Drajzer kishte mbledhur të dhëna mbi histori të ndryshme të djemve të rinj të dëshpëruar për një vend në shoqëri. Në veçanti, vëmendjen e autorit e tërhoqi çështja e Chester Gillette. Në rajonin Herkimer, Nju Jork, në vitin 1906, Gillette nxori për shëtitje në liqen të dashurën e tij shtatzënë dhe e la të mbytej. Autori i krimit makabër u zbulua shumë shpejt dhe Gillette u dënua me vdekje në karrigen elektrike, vendim që u zbatua në mars 1908.
Gillette ishte personazhi mbi të cilin u krijua Klajdi i Drajzerit. Një i ri i cili fillon punë në fabrikën e xhaxhait të tij dhe që dyzohet mes ndjenjës për një vajzë të thjeshtë dhe ambicies për lidhje me një vajzë të shoqërisë së lartë. Ambicia rezulton më e fortë. Klajdi mëson për shtatzëninë e të dashurës punëtore dhe vendos ta heqë qafe, në kuptimin e parë të fjalës. Klajdi e lë vajzën shtatzënë të mbytet në liqen, megjithatë shpresat e tij për t’u bërë pjesë e shoqërisë së lartë mbyten bashkë me vajzën: Klajdi arrestohet, dënohet dhe ekzekutohet në karrigen elektrike.
Për të shkruar romanin e njohur, Drajzer bëri muaj të tërë kërkime në të dhënat gjyqësore dhe raportimet e gazetave mbi çështjen Gillette-Brown. Qëllimi i Drajzerit nuk ishte të tregonte një histori pasioni dhe krimi, një histori të një vrasësi gjakftohtë. Ndërsa lexon librin, nuk i shpëton dot një lloj keqardhjeje për Klajdin, edhe pse krimi që kreu është makabër. Klajdi ishte fajtor, por edhe viktimë në të njëjtë kohë, viktimë e sistemit, kohës, shoqërisë në të cilën jetoi./Hejza/KultPlus.com
Në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit ka qenë i ftuar shkrimtari italian Gianni Palagonia, i cili sapo ka sjellë në shqip, përmes shtëpisë botuese “Dritan”, romanin “Shqiponja dhe Oktapodi”, përkthyer nga Ajsela Koka.
Romani trajton historinë e një polici italian, i i cili pasi përmbyll misionin e asgjësimit të Brigadave të Kuqe të Reja, caktohet për të punuar në Shqipëri. Rrugëtimi i tij nga Italia e pasur në Shqipërinë e varfër e përball me plot surpriza e realitete tashmë të harruara në jetën e përditshme, që e kthejnë pas në Siçilinë e fëmijërisë së tij, por edhe me fenomene të zhdukura me kohë në botën perëndimore, si Kanuni. Natyrisht që puna e lidhur me grupet kriminale do ta përballë me sfida e probleme të tjera sociale. Por “vendi i shqiponjave” do t’i hyjë aq thellë në zemër, sa një pjesë të tij e merr me vete përgjithmonë.
Siç thotë shkrimtari dhe gazetari italian, Carlo Lucarelli, “Ka disa realitete një hap larg nesh, që tashmë i kemi harruar. Gianni Palagonia na i rikthen me forcën e një stili “noir”, pasionin e një dashurie të madhe dhe strukturën joshëse të një romani të jashtëzakonshëm”.
Në fakt, Gianni Palagonia është pseudonimi i një polici, i cili sjell një histori të vërtetë në formën e një romani, bazuar mbi historinë e transferimit të tij, për punë, në Shqipëri./atsh/KultPlus.com
Atje sipër, në një pllajë, ishin të shpërndarë tridhjet apo dyzet mullij me erë. Sapo i vuri re, Don Kishoti u kthye nga shërbëtori i tij dhe i tha: – Fati po na ndihmon që të kryejmë punët tona më mirë se çdo ta dëshironim, sepse, ja miku im Sanço Pança, ku po na shfaqen përpara nja tridhjet apo pak më shumë gjigantë të shpërmasuar, me të cilët do të ndeshemi në një luftë të vërtetë, për t’i shërbyer perëndisë, duke shfarosur nga faqja e tokës këtë farë të keqe.
– Ç’gjigantë, mor zotëri? – pyet Sanço. – Ata që shihen atje, larg, me gjymtyrë mjaft të gjata – e sqaron i zoti. – Mor zotëri, ato që duken atje larg, nuk janë gjigantë, por mullij ere dhe ato që duken si duar, janë në fakt, krahët që duke u rrotulluar nga era, vënë në lëvizje gurët e mullirit. – Siç po duket – përgjigjet Don Kishoti – ti nuk je shumë i dhënë pas aventurës: ata janë gjigantë, dhe nëse ti ke frikë mund dhe të tërhiqesh mënjanë e të fshihesh, ndërkohë që unë do të përfshihem në një betejë të furishme dhe të pabarabartë me ta. Dhe, sapo tha këto fjalë, ai goditi me mamuze kalin e tij, Rosinantin, pa dëgjuar fare thirrjet e dëshpëruara të shërbëtorit të tij, Sanços, që përsëriste pa pushim se ato gjëra që ai po sulmonte, pa më të voglin dyshim ishin thjesht mullij me erë dhe jo gjigantë. Por ai ishte aq i thithur nga ideja se ata ishin gjigantë, saqë jo vetëm nuk dëgjonte më thirrjet e Sanços, por as nuk e pastroi më shikimin dhe kur ishte fare pranë tyre, por përkundrazi po ulëriste: – Mos ja mbathni o frikacakë, o krijesa të poshtra, sepse ai që po ju sulmon është thjesht një kalorës i vetmuar.
Në këtë kohë filloi të fryjë pak erë dhe krahët e mëdhenj të mullijve filluan të rrotulloheshin ngadalë. Duke parë një gjë të tillë Don Kishoti thirri: – Ju mund të lëvizni edhe më shumë krahë se ai gjiganti njëqindkrahësh (Briarée), por ju do të paguani për këtë. Dhe duke thënë këto fjalë, e gjithë qenia e tij u pushtua nga kujtimi për damën e tij, Dulqinën, me dëshirën-kërkesë për t’i qenë pranë si shpëtimtare ndaj këtij rreziku të madh. Dhe, duke u mbuluar me mburojë dhe me ushtën gati për luftim, ai u turr përpara me një galop të Rosinantit, për të arritur tek mulliri i parë, në njërin krah të të cilit nguli shtizën e tij. Por në këtë kohë era filloi të fryjë me aq forcë, sa që e bëri ushtën copë-copë, duke përplasur përtokë dhe kalorësin e kalin e tij. Sanço Pança, i shushatur mbi gomar, shpejtoi për të ndihmuar të zotin dhe kur ishte pranë tij, konstatoi se goditja kishte qenë aq e fortë sa zotëria akoma nuk po arrinte të lëvizte.
– Më ndihmoftë perëndia – tha Sanço – a nuk ju thashë që të kishit mendjen në atë që po bënit, sepse që ata nuk ishin veçse mullij me erë, asnjeri nuk mund ta mohojë, me përjashtim të atij që në kokë i fryn erë tjetër. – Hesht, miku im Sanço – u përgjigj Don Kishoti – objektet e luftës janë shpesh sende në një shndërrim të vazhdueshëm. Prandaj, unë mendoj, madje kjo është vetë e vërteta, që ai dijetari Freston, që më vodhi kabinetin dhe librat e mi, i transformoi ato gjigantë në mullij, për të më hequr nga dora lavdinë, pas një fitoreje të sigurtë. E tillë është dhe armiqësia e tij e madhe ndaj meje. Por, në fund të fundit, këto marifete të ndyra nuk mund të triumfojnë kundër mirësisë së shpatës sime. – Perëndia bëftë për ne sa mundet – u përgjigj Sanço Pança dhe e ndihmoi atë t’i hypte Rosinantit që ishte dhe ai i përplasur përdhe… /KultPlus.com
“Marisë i erdhën prindërit atë natë. E shikonin se si dergjej si një kufomë pranë syve të tyre dhe nuk ka gjë më të rëndë se prindi ta shikojë fëmijën e tij të varur nga droga. Por edhe unë kisha shumë probleme. Herë pas here dëgjoja një zhurmë të çuditshme dhe nuk arrija ta kuptoja se çfarë ishte. I shikoja edhe pacientë përreth, ishin ca pleq që thithin faqet brenda gojës dhe lëshonin ca kërcitje të çuditshme me gjuhë. Ata nuk më vinin re mua, sepse nga dhimbjet kishin humbur në mendimet e tyre. E pashë edhe një të vdekur të shtrirë afër tyre, por ajo nuk kishte aspak rëndësi. Unë e mbaja shikimin te prindërit e Marisë dhe nuk doja që ata të më vërenin. Isha fshehur dhe arrija vetëm t’i dëgjoja, duke i vjedhur me sy. Këtu e kuptova sa shumë e doja Marinë. Nga ky shkak zemra ime pomponte gjak vetëm për Marinë. “Të dua! E di që ke probleme. E di që je e thyer. Zot, po të lutem, mos e thyej vajzën time!”, ishin fjalët e nënës së Marisë. Babi i saj qëndronte mbrapa dhe e gërryente veten për brenda, për çudi asnjë pikë loti nuk rrodhi nga sytë e tij. Dukej si burrë i fortë që i qëndron stoik dhembjes. U ula në korridor, e mbështeta kokën për muri. Ndieja një dëshpërim të papërshkruar. Kurrë më keq nuk jam ndierë, veçse në kohën e luftës së Kosovës…” /KultPlus.com
Arti i bashkon njerëzit, e këtë gjë e bëri si shumë herë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, ku mbrëmë u mblodhën bashkë miq, njohës të kulturës dhe artdashëspër të parë nga afër e mes tjerash edhe për të diskutuar rreth promovimit të romanit të shkrimtarit dhe përkthyesit, Elvi Sidherit me titull ‘Dremit Lyhnidi në Vezullim’, shkruan KultPlus.
Ky është një krijim që i kushtohet thelbësisht liqenit mahnitës të Ohrit, ku autori përherë ka gjetur frymëzimin e tij, në jetë e letërsi, pikërisht në Lyhnidin e lashtë të Ilirisë, por gjithashtu njëherësh edhe kulturave, popujve, gjuhëve, dashurive e historive shekullore dhe qindravjeçare që janë ngjizur në brigjet e këtij pellgu të përjetshëm me ujë vezullues.
Ndër të tjera në këtë promovim morën pjesë drejtori i Qendrës Kulturore Maqedonase në Tiranë, muzikanti, Origjanski Zlatko, gjithashtu edhe zëvendës ambasadori i Kroacisë në Kosovë, z. Nedjeljko Špilek.
Hapjen e bëri edhe njeriu për të cilën u mblodhën një numër i konsiderueshëm njerëzish, pra, Elvi Sidheri.
“Sot jam unë pikërisht arsyeja që jeni mbledhur këtu. Ky është romani im i pestë, pra, si jubilar dhe prandaj e vlerësoj edhe më shumë. Të gjithë ju të pranishmit këtu jeni njësoj për mua dhe më keni nderuar me paraqitjen e juaj. Ky roman synon pikërisht të tregojë dhe ndërtojë urat kulturore midis shqiptarëve dhe popujve e kulturave fqinje, e kjo mbrëmje është mirëfilli e tillë”, tha Sidheri duke falënderuar KultPlus për mundësinë e promovimit të librit dhe gjithashtu pati një përshëndetje të ngrohtë edhe për nënën e tij, e cila mori pjesë pikërisht në krijimin e shkrimin e këtij libri.
Çamëri Ceraja, si pjesë e moderimit, lexoi edhe një pjesë nga libri për t’i dhënë edhe hijeshinë e duhur një promovimi, me ç ‘rast të gjithë të pranishmit mund të dëgjonin edhe një copëz nga ky libër.
Sidheri pas çdo leximit shpjegoi edhe pjesët të cilat i lexoi Ceraja. Në pjesën e parë u fol për historinë mes dashurisë së një korçari dhe një gruaje nga Struga, pikërisht në luftën e dytë botërore, ku në mesin e shumë ndodhive e sfidave, e pas 43 viteve dashuria e origjinës është thelbi i gjithë librit në radhë të parë.
Përballja e parë me kufirin shqiptaro-jugosllavo-maqedonas
“Përballja e parë me kufirin shqiptaro-jugosllavo-maqedonas është pikërisht pjesa kur edhe fillon libri. Është një kufitar shqiptar gjumash që ende është në mendësinë e regjimit, një kufitar arrogant serb dhe një kufitar maqedonas që ndjehet Zot në vendin e vet, pasi është shpallur pavarësia. Edhe një shqiptar që kthehet në vendin e vet, Ohër. Ngjarjet vazhdojnë në shumë kohë, përfshihen disa histori në Ohër, përmes ngjarjeve e motiveve të ndryshme. Jam munduar që ta mbuloj në mënyrën sa më reale këtë, pasi kam qenë i pranishëm me nënën time në këtë kohë, e në mënyrën më gjakftohtë të tregojë të vërtetën”, thotë autori.
Shpërngulja e shqiptarëve drejt lindjes
Siç thotë autori, ne si komb dijmë pak për shpërnguljet e shqiptarëve, dhe si të tilla ai është munduar që në një lloj forme ti paraqes edhe në libër.
Çamëri Ceraja, u aktivizua edhe një herë tjetër për të lexuar një pjesë nga librit, të shkurtër, që të mos jetë lloji i promovimit “monoton” me lexime të shpeshta dhe pa diskutime, ku edhe lexoi për të gjithë të pranishmit një pjesë nga librit, që kishte edhe shprehje në gjuhën maqedonase.
Drejtori i Qendrës Kulturore të Maqedonisë në Tiranë, Origjanski Zlatko, përpos që ishte i pranishëm në këtë promovim, ai mori pjesë edhe si moderator, ku patjetër që edhe një herë tjetër Elvi, si përthyes që është, u shfaq në skenë për të përkthyer atë se çfarë Zlatko thonte.
“Ndjehem i nderuar që jam këtu sot. Kam mësuar shumë nga Tirana, por di vetëm të porosisë ushqim atje në gjuhën shqipe. Çfarë kuptimi ka Tirana për mua? Tirana për mua është sikurse ka qenë Parisi për Kadarenë, thënë më së miri. Përkundër që kam një punë dilomatike në Shqipëri, jam dashuruar me Tiranën dhe punën time, mbi të gjitha banorët e njerëzit”, tha ai.
Tutje, Zlatko u shpreh se shumë njerëz habiten me punën e tij, derisa mendon që ka një recet speciale për këtë aspekt.
“Fatmirësisht, puna po shkon mirë. E sot me muzikantët, sa herë që vijnë aty edhe bëjmë muzikë bashkë edhe kam filluar që të bëjë muzikë shqiptare. Lidhja ime me Tiranën është ndryshe, jo vetëm nga puna”, thotë Zlatko.
Libri, i cili është më i përqendruar në Ballkanin Perëndimor, ndryshe nga librat e tjerë të Elvitit, qëndron, pra, duke mos e parë shqiptarin si të izoluar, dhe sipas tij, ne jemi mesdhetarë dhe jo aq malësorë sa mendojmë.
Ky promovim, ngërthente në vete diçka më ndryshe se promovimet e tjera, kishte të bënte më shumë me diskutime rreth romanit dhe shqiptarëve në përgjithësi, e për këtë interaktiviteti i publikut ishte aty prezent.
Frymëzimi i autorit
Fitnete Tuda, e njohur për këngën e saj “Shi bie në Tiranë”, u shpreh e lumtur që po merr pjesë në këtë promovim, dhe tregoi se ishte lindur e rritur në Strugë, pikërisht në Ohër.
“Jam buqëliqenase dhe e dashuruar si Lasgushi në liqenin, që më frymëzon vazhdimisht. Edhe pse jam rritur në Kosovë e ndjej mungesën e ujit gjithmonë. Kur Elvi më tha titullin e romanit, u ndjeva shumë kureshtare për këtë. Dihet se ajo zonë është e pasur, e kanë jetuar në brigjet e atij liqeni disa fise ilire, është rruga e vjetër, ku kalon nga Shqipëria në Strugë e Ohër dhe vazhdon tutje. Elvi, si një njohës i mirë i historisë, besoj se në roman do të kemi shumë tekste historike”, tha Tuda, duke e pyetur autorin se pse e vendosi ngjarjen në brigjet liqenit të Ohërit?
Elvi, i cili kishte jetuar në Tiranë për një kohë, kujton edhe kohën kur kënga e Fitnetes “Shi bie në Tiranë”, është himn i pashpallur atje. “Kam qenë gjimnazist kur kishte dalë kjo këngë, e Tirana shkon me shi, dhe kur kishte dalur ajo këngë, unë e mbaj mend suksesin e saj të menjëhershëm. Kur hyra në klasë, të gjitha vajzat po e këndonin atë, dhe këtu fillon edhe historia e kësaj kënge”.
Tutje, ai thotë se arsyeja pse e ka shkruar titullin e shpjegon se frymëzimi ka qenë i drejtpërdrejt nga poezia e Lasgush Poradecit, ku sipas tij, është poezia më e bukur dhe më e prekshme e Lasgushit.
“Frymëzimi është drejtpërdrejt kjo poezi dhe për këtë arsye kam zgjedhur që të shkruaj. Ne jemi shumë të lidhur me Korçën, pasi e kemi prejardhjen atje. Gjithë fëmijëria ime lidhet me Pogradecin, ku kemi kaluar shumë pushime atje, liqeni aty është përtritës, e deri në vitet 90′ kur futeshe në liqen thuhej se edhe mund ta pish si ujë, pasi aq i pastër ishte. Pogradeci ka qenë një mrekulli si qytet, e për këtë kam vendosur që ta shkruaj këtë roman”.
“Popujt e Ballkanit njihen shumë pak mes vete”
Ndër folësit e shumtë që morën pjesë në diskutimin mbi librin ‘Dremit Lyhnidi në Vezullim’, ishte edhe zëvendës ambasadori i Kroacisë në Kosovë, Nedjeljko Špilek, sigurisht nën përkthimin e Elvit.
“Poezia, si poet që jam vetë, nuk është e lehtë për t’u përkthyer. Jam i hapur edhe unë për bashkëpunime. Shpresoj që autorët bashkëkohorë kroatë të promovohen në Kosovë. Sado që mendojmë se jemi të mirë, shqiptarët në Kosovë me shqiptarët në Kroaci, ne nuk njihemi siç duhet. Ky është problemi i popujve të Ballkanit. E pikërisht përmes kulturës mund të njihemi më mirë mes veti, letërsia është mënyra më e mirë për të arritur këtë. Njerëzit e letërsisë flasim një gjuhë të përbashkët, ndonëse kemi gjuhë të ndryshme, kjo është gjëja më thelbësore”, përfundoi ai.
Mbylljen e këtij promovimi e bëri, drejtoresha e gazetës online për kulturë, Ardianë Pajaziti, e cila ndër të tjera tha e falënderoi dhe uroi Elvin për promovimin e librit të tij.
“Është kënaqësi në fakt që në këtë promovim kemi edhe njerëz nga fusha të ndryshme, e për këtë kultura po vazhdon që të dëshmojë gjithmonë se lidh ura mes njerzish e popujsh”, u shpreh ajo.
Libri, i cili vit pas viti vazhdon të diskutohet çdo herë nëse do t’i mbijetojë kohës moderne, asaj të internetit, po vazhdon të mbetet stoik dhe si i tillë promovime të ndryshme po ndodhin në mbarë botën. /KultPlus.com
Romani “Të lirë” nga Lea Ypi është një ndër 20 librat më të mire të vitit 2021. Mediat shkruajnë se “Të lirë” është cilësuar si libri më i mirë i biografisë dhe kujtimeve.
Romani është përzgjedhur në listën e ngushtë për çmimin ‘Baillie Gifford’ në letësri. Vepra autobiografike rrëfen tranzicionin e jetës së një vajze të vogël 11-vjeçare të paralelizuar me tranzicionin politik të një shoqërie dhe shteti komunist, Shqipëria.
Lea në librin e saj është 11-vjeçarja për të cilën, socializmi shqiptar i stilit sovjetik mbante premtimin e një të ardhmeje të paracaktuar, një garanci sigurie mes shokëve entuziastë.
Në libër Ypi jep një pamje fëmijërore të regjimit komunist të shkatërruar të Shqipërisë. Imazhet që ngjall Ypi si kanaçet boshe të Coca-Cola të çmuara shumë, rradhët e bukës dhe një statujë bronzi e Stalinit, e prerë kokën nga protestuesit do të ngelet për shumë kohë si kujtimi i asaj periudhe në sytë e një fëmije.
Së fundmi romani “Të lirë” i autores dhe akademikes shqiptare Lea Ypi është botuar në gjuhën shqipe. /KultPlus.com
Autorja shqiptaro-amerikane Loreta Chekani është pak e njohur për lexuesin shqiptar, por për lexuesin e pasionuar pas romaneve historike ajo është në emër që thotë shumë.
Ditën e djeshme ajo është shpallur fituese e çmimit prestigjioz “VIVIAN”, i cili i akordohet romancierëve amerikanë. Ajo është shpallur autorja më e mirë e romanit historik për vitin 2021, për romanin e saj “Dhjetë Gjërat që urrej te Duka”, (Ten Things I Hate About the Duke).
Çmimet “VIVIAN”, janë niveli më i lartë I vlerësimit në trillimet romantike – “Ekuivalenti i industrisë së botimit të romancave me një Oskar”, thotë Chekani.
Në Dhjetor 2020, libri u zgjodh nga stafi i bibliotekës në të gjithë vendin për t’u përfshirë në listën mujore të LibraryReads të dhjetë librave më të mirë të botuar atë muaj. Dhe në janar 2021, “The Oprah Magazine” e quajti romanin e Chekanit të vitit 1995, “Lord of Scoundrels”, e renditi të pestin në listën e 27 Romaneve më të mira romantike të të gjitha kohërave
71 vjeçarja e cila jeton në Worcester botoi romanin e saj të parë, “Isabella”, në vitin 1987. Në atë kohë, ajo shkruante skenare për një kompani prodhimi video në Worcester, e cila e ndihmoi atë ta mësonte të ndërtonte dialog dhe të shkruante në mënyrë të përmbledhur.
Ngjarjet e librave të Chekanit janë vendosur të gjithë në epokën e Regjencës të Anglisë, rreth viteve 1795 deri në 1837. E vetëquajtur ” history nerd” (studiuese e fiksuar pas historisë) ajo thotë se punon shumë që ngjarjet në librat të jenë sa më afër realitetit të kohës. Dhe kjo këmbëngulje e ka çuar të studiojë në muzetë dhe bibliotekat e Londrës, ku ajo ka studiuar artin, hartat dhe artefaktet e viteve 1700-1800.
Koleksioni i vet Chekani përfshin një revistë të vitit 1833 që i tregon asaj saktësisht se çfarë kishin veshur disa qindra gra në dhomën e vizatimit të Mbretëreshës dhe që ndoqën darkën e Dukeshës së Cumberland.
Në romanin e saj “To young to marry” (Shumë e re për tu martuar) Chekani ka përdorur element biografikë të familje së saj, ku tregon historinë e martesës së gjyshes së saj në Shqipëri.
Chekani aktualisht është duke punuar në romanin e saj numër 23. / KultPlus.com
Ishte prill 1917 kur Shtetet e Bashkuara i shpallën luftë Gjermanisë dhe Austrisë. Gjatë rekrutimeve, shumë vullnetarë ishin djem dhe studentë të rinj, përfshirë Ernest Hemingway, atëherë vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç.
Ai u regjistrua si shofer i ambulancës, por për shkak të një defekti në shikim, u dërgua në Fossalta di Piave. Dhe, me këtë rast ai do të takojë bukuroshen Agnes von Kurowsky, një infermiere 26 vjeçare e Kryqit të Kuq Amerikan në spitalin e Milanos.
Natën midis 8 dhe 9 korrikut 1917, ndërsa u jepte cigare dhe çokollatë ushtarëve në llogore, plagoset nga një austriak. Më 15 korrik u transportua me tren në Milano, ku ishte vendosur spitali i Kryqit të Kuq Amerikan, ku u takua me Agnesën. Falë kurave, u arrit të parandalohet që Hemingway të humbte këmbën. I riu Ernest mbeti në Milano për tre muajt e ardhshëm; ajo i dha një dorë për ta ndihmuar të rifitonte ndjeshmërinë ndaj këmbës së tij të dëmtuar.
Sapo doli nga spitali, Hemingway u kthye në Bassano del Grappa, Agnesa u bashkua me të dhe ai i premtoi se sapo të ktheheshin në Amerikë, ata do të martoheshin. Sapo mbaroi shërbimin e tij vullnetar ushtarak në janar 1919, Hemingway u kthye në Amerikë në Oak Park, ku vazhdoi të shkruante. Ai dhe Agnesa mbajtën një korrespondencë për disa muaj, por në mars të të njëjtit vit një letër nga ajo i dha fund marrëdhënies “Djalë i dashur … unë jam dhe do të jem gjithmonë shumë e moshuar, dhe kjo është e vërteta, dhe unë nuk mund të harroj faktin se ju jeni thjesht një djalë, një fëmijë. Ndër të tjera mendoj se nuk jam gati të martohem”.
Jemi në vitin 1951, Ernest Hemingway është tani një shkrimtar i famshëm. Ndërkohë, Agnesa gjen një punë në një librari në Key West të Floridës. Hemingway shpesh kthehet në shtëpinë e tij në Key West, ku shpesh gjen frymëzimin e duhur. Fati provon përsëri, i çon në të njëjtin vend, por të dy nuk do të takohen më kurrë.
Romani “Lamtumirë armë” tregon një histori të luftës dhe dashurisë. Lufta për të cilën po flasim është Lufta e Parë Botërore, më saktësisht po flasim për Betejën në Caporetto. Protagonist është Frederic Henry, një i ri amerikan që u regjistrua në ushtrinë italiane si vullnetar: ai ka gradën toger dhe kujdeset për ambulancat dhe transportin e të plagosurve. Shoku i tij më i mirë është mjeku Rinaldi, i cili në atë kohë po kërkon një infermiere angleze, Catherine Barkley, e cila humbi të dashurin e saj vitin e kaluar, por kur ai e prezanton vajzën me Frederikun, midis të dyve shkaktohet një tërheqje estetike ndërsa për britanikët është diçka më romantike dhe e thellë. /gazetasi/ KultPlus.com
Pas botimit në disa gjuhë (frëngjisht, anglisht, serbisht, sllovenisht), romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, i përkthyer nga Liliana Cuka, u botua edhe në italisht. Botuesi i njohur italian nga Roma “Armando Editore”, romanin e nxori me titullin:
“Per te terra mia – Le confessioni di Gjon Nikola Kazazi” (Për ty vendi im, rrëfimet e Gjon Nikollë Kazazit).
“Është një vepër e shkruar ne një mënyrë të pabesueshme intensive” vlerëson botuesi italian dhe shton se titulli “Te përkas ty, o toka ime”, mund te jete slogani mbi te cilin autori ndërthur një përmbajtje të dendur, me bashkëbisedues me vlera, ku ndodhet një vend i tronditur, i ndërlikuar, i dhunuar, ne te cilin politika dhe feja janë ne gare për te kapur hapësirat e tyre dhe për te bere prozelitizem. Reflektimi me përmbajtje te larte, i cili e drejtojnë lexuesin ne mendimet e rafinuara te autorit për te krijuar me pas përshtypjet e veta personale.”
Ballina e librit përcillet me vlerësimin:
“Murtaja vazhdon të përhapet, mbyllen kufijtë, shfaqet mosbesimi ndaj pushtetit dhe ndaj Zoti, lind nevoja për të organizuar një ‘rezistencë’ morale dhe efektive kundër një autoriteti, qëllimi i të cilit është të asgjësojë dinjitetin dhe nderin e një populli, në mënyrë qe të krijojë një “njeri të ri perandorak”, pa rrënjë. Është një histori, tepër e fortë dhe e pasur me ide filozofike, flet për një lidhje të pazgjidhshme midis një populli dhe tokës së tij, dhe në të njëjtën kohë është histori besimi dhe mosbindjeje, si mjet për të arritur emancipimin e shpirtit, gjithmonë në fillin e hollë te herezisë. Është njëkohësisht edhe lufta kundër ndjenjës së mungesës së fuqisë, ndjenjë të cilën njeriu ndien përballe një epidemie misterioze dhe kërcënuese në të cilën gjenden shumë ngjashmëri me aktualitetin. “Liri ose vdekje” është udhëkryqi para të cilit ndodhen protagonistët e kësaj vepre, robër të një bote ku si politika, ashtu dhe feja pretendojnë hapësira dhe asimilime.” / KultPlus.com
Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja
‘Për kë bie kambana’ është roman nga autori Ernest Hemingway i botuar në vitin 1940. Ai tregon historinë e Robert Jordanit, një i ri amerikan në Brigadat Ndërkombëtare i bashkangjitur në një njësi guerile republikane gjatë Luftës Civile spanjolle. Si një dynamiter, ai është caktuar për të hedhe ne ere një ure gjatë një sulmi në qytetin Segovia.
Ky roman është konsideruar si një nga veprat më të mira të Hemingway.
Ernest Hemingway në romanin e tij, temën na jep të realizuar me përshkrimin e situatave dhe ngjarjeve nëpërmjet personazheve, të cilët nuk janë të shumtë, e kryesisht tema boshtore dhe lëvizjet realizohen nëpërmjet kryeheroit të romanit Robert Xhordanit, i cili është i projektuar si misionar, pra misioni i tij dihet, i cili është rrëzimi i një ure, i caktuar nga urdhërat e eprorëve të tij.
Në romanin “Për kë bie kambana”, Hemingway me një grup personazhesh, pjesëmarrës të ngjarjeve dhe zhvillimeve kryesore thurë tërë ngjarjet dhe skenat që vërshojnë romanin fund e krye. Hartimi i planeve dhe strategjive e veprimeve për luftë bëhen kryesisht në një vendstrehim, në një shpellë ku protogonistët ndihen të sigurt. Aty të udhëhequr nga idetë dhe strategjitë e kryeprotogonistit Robert Xhordani, do të improvizohen skena dramatike që më pas edhe tërë protogonistët do të jenë pjesë e po atyre skenave.
Ernest Hemingway ishte gazetar dhe shkrimtar i shquar amerikan i shekullit të XX, fitues i Çmimit Nobel dhe Pulitzer, po ashtu autor i romanit të famshëm, “Plaku dhe deti”. Ai shquhej për pasionet e tij të gjuetisë dhe peshkimit.
Ernest Hemingway lindi 21 korrik 1899 në Çikago. Babai i tij ishte mjek kurse për pasion kishte peshimin. Nëna e tij ishte muzikante dhe ëndërronte ta kishte vajzë foshnjën që më pas mori emrin Ernest. Hemingway e kaloi fëmijërinë dhe rininë pas peshkimit dhe gjuetisë. Ndërkohë, filloi të merret me gazetari pranë gazetës “Kansas City Star”. /KultPlus.com
Romani “Ditar i Shkurtër Kufijsh” i shkrimtarit shqiptar Gazmend Kapllani është bërë frymëzim për kompozitoren e famshme britanike, Cheryl Frances-Hoad.
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko është shprehur se, “Kompozitorja e famshme britanike, Cheryl Frances-Hoad, ka kompozuar një pjesë të re (titulluar “Tales of the Invisible”), të cilën do ta ekzekutojë me kuintetin e saj të klarinetave, bazuar në prologun e romanit “Ditar i Shkurtër Kufijsh” të shkrimtarit shqiptar Gazmend Kapllani”.
“Romani është përkthyer në shumë gjuhë
dhe është përshtatur për skenë teatri në Danimarkë, Greqi dhe Kili”, njoftoi
Majko.
Vetë shkrimtari Gazmend Kapllani ka shprehur kënaqësinë e jashtëzakonshme për këtë lajm
“Kam kënaqësinë e jashtëzakonshme të ndaj me lexuesit e mi lajmin se kompozitorja e famshme Britanike Cheryl Frances-Hoad ka kompozuar një pjesë të re (titulluar “Tales of the Invisible”), të cilën do ta ekzekutojë me Kuintetin e saj të Klarinetave, bazuar në prologun e romanit tim të parë “Ditar i Shkurtër Kufijsh” (A Short Border Handbook, në anglisht)”, ka theksuar Kapllani.
“Romani im është përshtatur për skenë teatri në Danimarkë, Greqi dhe Kili, por kjo është hera e parë që shërben si pikë referimi dhe frymëzimi për një kompozitor/e të famës botërore. Mirënjohje”, është shprehur Kapllani, i cili ka shpërndarë edhe lajmin e publikuar nga “The Guardian”. /atsh/ KultPlus.com
Romani “Loja, shembja e qiellit” i shkrimtarit Bashkim Shehu, përkthyer në italisht nga Paolo Rago, me titullin “La rivincita” (Shpagimi), tashmë po qarkullon në Itali nga Botimet Rubbettini, përcjell KultPlus.
“Loja, shembja e qiellit” ishte romani që i dha shkrimtarit Bashkim Shehu çmimin letrar “Balkanika” duke e çmuar si shkrimtari më i mirë i Ballkanit në vitin 2015.
“Loja, shembja e qiellit” meritoi çmimin special të jurisë të Prix Méditerrané Etranger, më 2018, pas botimit të tij në frëngjisht.
Më 27 qershor u bë edhe prezantimi i parë i këtij romani në Fano, në Itali, në prani të autorit Bashkim Shehu dhe me mbështetjen e prof. Matteo Mandala, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar “Passaggi”.
Romani “Loja, shembja e qiellit” u botua në shqip nga Botimet Toena në vitin 2013 dhe po gjatë këtij viti u vlerësua me çmimet: “At Zef Pllumi” dhe “Autori më i mirë i vitit”. / KultPlus.com
Arkitekti dhe piktori Maks Velo, ka treguar se ishte ai që ia kishte sugjeruar Ismail Kadaresë që romanit “Kronikë në gur” t’ia vendoste këtë titull.
Në një intervistë për emisionin CODEX në KTV, Velo ka rrëfyer historinë se si Kadare i kishte kërkuar atij ta lexonte atë roman, – atëherë në dorëshkrim, – dhe t’i sugjeronte ndonjë titull.
Ideja e Velos që ai të titullohej “Kronikë në gur”, ishte pranuar më pas nga Kadare. I botuar më 1971, “Kronikë në gur” mbahet si një nga veprat më të rëndësishme të Ismail Kadaresë./KultPlus.com
Në sallën e promovimit të improvizuar në kuadër të edicionit të 20-të të Panairit të Librit në Prishtinë kanë zënë vend sot edhe dy vëllimet e romanit “Valsi i dashurisë” nga Jetlira Avdijaj, botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica”, shkruan KultPlus.
Panairi i Librit në Prishtinë si çdo vit nuk harron që të iu ofrojë hapësirë edhe shkrimtarëve të ri të cilët po fillojnë që të krijojnë vepra të cilat po kërkohen nga lexuesit. Pikërisht si pjesë e gjeneratës më të re të shkrimtarëve, shkrimtarja Jetlira Avdijaj solli promovimin e romanit të saj më të ri “Valsi i Dashurisë”.
Promovimi i dy vëllimeve të romanit, i cili tërhoqi vëmendjen e vizitorëve të panairit ishte një befasi e këndshme për autoren. Ajo ishte përgatitur për botimin e librit por jo edhe për promovimin e tij pikërisht në kuadër të panairit, të cilin ajo e konsideron një pasuri.
“Panairi është një pasuri e cila një herë në vit prezantohet dhe i dedikohet të gjithëve. Të gjithë që marrin pjesë në të pasurojnë njohuritë e tyre, me një fjali më shumë, një titull, një libër, prandaj edhe është kënaqësi e veçantë që unë e kam bërë promovimin e librit pikërisht këtu në panair”, tha ajo për KultPlus.
Romani “Valsi i dashurisë”, i cili mund të mendohet se trajton vetëm temën e dashurisë fsheh prapa tij edhe tema të tjera të cilat shkrimtarja i sheh si aktuale në Kosovë. Një libër që ndërthur në mënyrë të përsosur jetët e njerëzve që marrin frymë në botë krejtësisht të ndryshëm.
““Valsi i dashurisë” trajton sfidat, sakrificat, krimin e organizuar, ndjenjat e mbi të gjitha fuqinë kolosale të dashurisë. Libri trajton edhe tema të tilla si krimi, lufta që ndodh brenda familjeve tona prej kundërthënieve, armiqësive që nuk marrin fund pavarësisht se sa shumë ne mundohemi që ato të përfundojnë e sidomos për dashurinë dhe shpresën e cila i mbanë në këmbë dy personazhet kryesore”, tha autorja.
Sipas autores një copë nga jeta e secilit lexues, fshihet në aventurat e rrezikshme të protagonistëve në libër. Libri sjellë historinë e një studentes e cila bie në dashuri me një agjent sekret.
Pikërisht ky libër ka qenë një ndër librat që i ka marrë më së shumti kohë për ta shkruar shkrimtares Jetlira Avdijaj, ndërsa zbuloi për KultPlus, se ajo u ka dërguar shtëpive botuese edhe libra të tjerë të cilët tashmë i ka përfunduar e që priten të publikohen së shpejti.
Në mesin e këtyre librave është romani “Premtimi”, një roman i cili trajton dashurinë në disa aspekte, duke vënë në pah një premtim të dhënë i cili mbetet për të parë nëse do i mbijetojë sfidave që sjellë jeta. Po ashtu në botim është dërguar edhe libri “Simfonia e fundit”, një simfoni e cila po ashtu trajton dashurinë e cila në këtë libër është në presion të vazhdueshëm nga plumbat, një dashuri që kërkon sakrifica.
Gjatë ditëve sa do të zgjasë panairi do të ketë edhe promovime të librave të tjerë, ndërsa për të gjithë të pasionuarit pas librave panairi do të jetë i hapur deri më 10 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com
Shkrimtari shqiptar nga Tetova i cili jeton në Vjenë të Austrisë botoi romanin e tij të parë me titull “1803” në gjuhët gjermane dhe atë suedeze. Ky roman u botua në shqip në vitin 2016.
Besim Xhelili emigroi në Austri në vitin 1998, ku dhe sot e kësaj ditë jeton e vepron. Deri më tani ka botuar në gjuhën shqipe 7 vëllime me poezi dhe një roman, i cili do të vazhdojë me dy pjesë të tjera, duke u bërë kështu një trilogji. Ai gjithashtu është prezantuar në disa antologji shqipe dhe gjermane, është anëtar i PEN Klubit austriak, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, një ndër themeluesit dhe anëtar i kryesisë së Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, ndër themeluesit dhe kryetar në periudhën 2011-2015 i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, me seli në Vjenë dhe pritet në një të ardhme të afërt anëtarësimi i tij në Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.
Për krijimtarinë e shkrimtarit dhe poetit Xhelili kanë shkruar shumë kritikë letrarë dhe njohës e përcjellës të shkrimeve të tij. Ai dallohet për aktivitetet e ndryshme letrare e kulturore në diasporë, duke lënë vragë e shembull të mirë të ruajtjes e zhvillimit të gjuhës shqipe, identitetit shqiptar, pasurisë kombëtare dhe vlerave shpirtërore patritotike. Bashkëpunon me thuajse të gjitha shoqatat relevante shqiptare në diasporë, por dhe me qarqet e rëndësishme letrare dhe kulturore austriake, me shkrimtarë e krijues vendas e të huaj në Austri etj.
Një ndër qëllimet e tij madhore është prezantimi dhe përfaqësimi i denjë e i mirëfilltë i kulturës shqiptare, i letërsisë moderne shqipe, para së gjithash i asaj që krijohet në diasporë, përballë shoqërive vendase ku janë vendosur shqiptarët në diasporë.
Me botimin e romanit “1803” në shqip dhe suedisht u realizua një ëndërr e tij e kahmotshme, kurse tani pritet përurimi i kësaj vepre në Austri, Gjermani, Zvicër dhe Suedi. Përkthimin në gjermanisht e bëri albanologu nga Universiteti i Gracit Kurt Gostentschnigg, kurse atë në suedisht e bëri albanologu Ullmar Qvick.
Ky roman në të dy gjuhët mund të gjendet në internet si libër i shtypur dhe si libër elektronik (E-Book), duke kërkuar me emrin dhe mbiemrin e autorit për shembull në Amazon etj., ose në libraritë lokale gjithandej globit. Librat mund të porositen dhe dërgohen në gjithë botën. Numri ISBN në gjuhën gjermane: 9783746066134 dhe në atë suedeze: 9789176997864. Autori mund të kontaktohet edhe gjithandej në rrjetet sociale ose duke vizituar webfaqen e tij personale www.besimxhelili.at, si dhe përmes postës së tij elektronike [email protected]./ KultPlus.com
Të enjten më 14 dhjetor me fillim nga ora 12:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, bëhet promovimi i romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, shkruan KultPlus.
Ky roman i shkruar nga Stefan Çapaliku me dy vëllimet e botuara në harkun e një viti, ka ndarë me ne një periudhë njëzetvjeçare prej një kohe të çmendur, e cila kaloi si një sëmundje e gjatë dhe sfilitëse mbi trupin e një vendi të varfër e të pashpresë siç qe Shqipëria komuniste.
Romani është botim i Botimeve Fishta./ KultPlus.com
Han Kang, fituesja e fundit e Çmimit Ndërkombëtar “ Man Booker” do të sjellë dimensione të dyfishta të pikëllimit dhe kujtesës në romanin e ri që do të titullohet “The White book”, përcjellë KultPlus.
Ky libër vjen i përkthyer nga Deborah SmithDo ndërsa do të publikohet në Amerikë nga Hogarth në vitin 2019, shkruan The Economist, përcjellë KultPlus.
Një grua endet nëpër rrugët me borë në një qytet evropian i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore pësoi një zhdukje të madhe të njerëzve. Gjatë kësaj periudhe kur qyteti braktiset, ajo kujton vëllanë dhe motrën që nuk i takoi kurrë: fëmija i parë i nënës së saj vdiq “më pak se dy orë në jetë”. Vajza e vogël kishte një fytyrë të bardhë.
Han Kang një shkrimtar nga Korea e Jugut në këtë libër sjellë dimensione të dyfishta të pikëllimit dhe kujtesës, duke ballafaquar përjetimin personal me atë historik. Në këtë libër më 128 faqe ajo ka arritur të modifikoj një libër dimri të përbërë nga fragmente të bukura dhe tërheqëse. Proza e saj shfaqet në një sekuencë jashtëzakonisht të lëvizshme të meditimeve mbi shkatërrimin, zhdukjen dhe rilindjen. Në mes të imazheve të akullit dhe hirit, orizit dhe kripës, reve dhe hënës, te të gjitha “gjërave të bardha” që nënkuptojnë vajtim në traditat koreane dhe në traditat e tjera aziatike, gruaja mëson se si “të ndez një qiri për të gjitha vdekjet dhe shpirtrat që ajo mund t’i kujtoj, duke përfshirë edhe shpirtin e saj”./ KultPlus.com