Nga Deutsche Welle
“Ajo ishte fort e guximshme, fliste arabisht dhe berberisht. Ishte një grua tërheqëse, një grua e pavarur që na tregonte sa e sa rrëfime nga fëmijëria e saj”.
Kur Leila Slimani flet për gjyshen e saj, seç ka një afsh të shënueshëm në zërin e saj. Më i fundit roman i saj, “The Country of Others”, është frymëzuar nga jeta e gjyshes së saj, një grua leshverdhë, sykaltër, nga Franca, që shkoi të jetonte në Marok pas Luftës së Dytë Botërore që të martohej me gjyshin e Slimanit. Pasoja është një roman historik i fuqishëm, përndriçues dhe shpesh trazues.
Në prag të Luftës së Dytë Botërore, Maroku ende ishte i okupuar prej francezëve. Nga vitet 1830 e tutje, Franca kishte nisur të etablonte perandorinë e saj të dytë koloniale, që u bë njëra nga më të mëdhatë në histori, duke zaptuar një pjesë të madhe të Afrikës Veriore. Dekolonizimi nuk mori hov deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Ky është edhe çasti kur fillon “The Country of Others”, romani i parë historik i Slimanit. Më 1947, një çift i ri vendoset në një fermë tej Meknesit në veri të Marokut: Mathilde është një grua e re nga Alsasi në Francë. Ajo e njohu burrin e saj, Amine, kur ai po luftonte krahas forcave të lira franceze kundër pushtimit nazist.
Leila Slimani e përshkruan jetën në Marokun e asaj kohe si të vështirë, veçmas për gratë. Kur libri erdhi fillimisht në Francë gjatë vitit të kaluar, ajo kishte folur në DW për gjyshen e saj dhe jetën në Marok në vitet ’50, duke vënë në pah padrejtësinë dhe ndeshtrashat e sundimit kolonial dhe patriarkal: “Natyrisht se kishte njerëz që ishin paksa më të hapur, natyrisht se kishte shembuj të respektit të ndërsjellë, unë nuk dua ta mohoj këtë. Por në libër unë doja të shikoja vuajtjen personale”.
Kjo është ajo çka e shquan shkrimin e Leila Slimanit: në të gjitha romanet e saj, ajo feks dritë në këtë “vuajtje personale”, dhimbje që mund të shkaktohen vetëm në ata që dikush i do apo në vetvete. Në romanin e saj debutues Adèle, një grua nimfomaniake vuan nga izolimi në periferitë e Francës. Në romanin e saj të dytë, trileri psikologjik “Lullaby, a nanny murders two children”, ajo e ka vënë këtë në besim. Në “The Country of Others”, çifti i ri në Marok do të përshkojë përçmimin, dashurinë, rrahjet dhe kërcënimet me vdekje ndaj njëri-tjetrit derisa i rrisin fëmijët e tyre mes shpërthimeve të përdhunshme në lëvizjen marokene për mëvetësi.
Romani historik evropian ka përjetuar një ringjallje gjatë viteve të fundit, me shkrimtarë si Hilary Mantel që qëmton kozmopolitanizmin e Anglisë tudoriane në “Wolf Hall, Bring Up the Bodies”, si dhe “The Mirror and the Light”. Ajo është autorja e parë që fiton dy herë çmimin prestigjioz “Booker Prize”, për të dy romanet e saj. Shkrimtari gjerman, Daniel Kehlmann, së fundi është përfshirë në listën e ngushtë për “International Booker Prize” me romanin e tij historik “Tyll”, që vendoset në Evropën e shekullit të 17-të gjatë luftës tridhjetëvjeçare, për të cilën Netflix veç i ka marrë të drejtat televizive.
Ndryshe nga Manteli apo Kehlmanni, Slimani përqendrohet në jetën e grave dhe burrave pas të cilave ato janë të dhëna. Aftësia e saj e pakundshoqe qëndron në shpalosjen e vuajtjes që vjen nga dashuria, me amësinë, me luftën dhe jetën në sundim kolonial dhe patriarkal, pa pushim, me gjithë shumëkuptimësinë e vet, pa e braktisur ndonjëherë pozicionin e saj prej kundruese të interesuar, thuajse shkencore.
Si lexues neve na është thënë çfarë të ndiejmë, çfarë të mendojmë. Neve na është pasqyruar thjesht se prej çfarë historie e prej çfarë të kaluare përbëhej e kaluara jonë – dhe prej çkaje përbëhet sot.
Është kjo cilësi që e ka bërë shkrimtaren feministe francezo-marokene një yll në skenën letrare franceze dhe atë ndërkombëtare. Dikur gazetare e Jeune Afrique (Afrika e Re), Slimani u bë shkrimtare e lirë pasi u arrestua kur po raportonte mbi shpërdorimin e të drejtave të njeriut dhe pranverën arabe në Tunizi më 2011.
“Lullaby” i solli asaj “Prix Goncourt”, çmimi më i njohur letrar në Francë. Ajo ka shkruar edhe një libër për gratë dhe jetën e tyre në Marok me titull “Sex and Lies: Sex Life in Morocco”. Që prej 2017-s ajo ka shërbyer si përfaqësuese personale e presidentit francez, Emmanuel Macron, për të promovuar gjuhën dhe kulturën franceze.
Megjithatë, siç ka thënë ajo për DW, gjatë vitit të kaluar trashëgimia e saj vihet në pikëpyetje kudo që shkon: “Në Marok më thuhet se jam tepër franceze, tepër perëndimore, që unë nuk e përfaqësoj vendin tim. Në Francë ndonjëherë njerëzit do të më thonë se unë nuk jam bash franceze për shkak të rrënjëve të mia në Marok. Ndaj e kuptoj, e di se çfarë do të thotë të jetosh në vendin e të tjerëve”.
“The Country of Others” është e para në trilogjinë e romaneve historike, duke kronikuar jetën e familjes Belhajs nga Lufta e Dytë Botërore deri në vitet 2000. / koha.net / KultPlus.com