“Jeta e Re”, publikohet numri i dytë i revistës letrare për këtë vit

Posa ka dalë në qarkullim numri i dytë për këtë vit i revistës letrare të traditës “Jeta e re”.

Revista fillon me një ligjëratë të shkrimtarit shumë të njohur Spanjoll Javier Marias, mbajtur gjatë ceremonisë së çmimit “Romullo Gallego”, kurse rubrika e prozës nis me tregimet “Jeta është matematikë”, “Ha dhe mbaje hidhërimin”, “Lotët e artë” dhe “Hiri i nxehtë” të shkrimtarit Ibrahim Berisha, “Lëkura e ariut” të Binak Kelmendit, “Një ngjarje e vogël” të Gëzim Aliut,”Na ishte një herë… deportimi” të Arben Idrizit, “Shpërfillja e një udhëheqësi” të Ndue Ukajt”, “Nëpër Veld” të nobelistës Nadine Gordimer, “Tregimet që ia rrëfejmë njëri-tjetrit” të David Albaharit dhe disa tregime të shkurtra të shkrimtarëve të njohur hispanikë Amado Nervo dhe Martha Rivers.-Garrido.

Rubrika e poezisë nis me një cikël poetik të Milazim Krasniqit, për të vazhduar me Romeo Çollakun, Arif Kutleshin, Brikena Ceraja-Bekën, Mazllum Sanejen, poetin irlandez Geoffrrey Squires, dy autorë italianë, Antonella Anneda dhe Nelo Risi, si dhe poetin, piktorin dhe aktivistin amerikan Lawrence Nonsanto Ferlinghetti-n.

Në rubrikën qendrore të revistës Dossier, këtë herë vjen Rafael Alberti, figura madhore e poezisë spanjolle. Ai në këtë numër është përfaqësuar me një cikël të gjerë poetik, me një vështrim të poetit, eseisti dhe prozatorit të njohur kilean Mandres Morales me titullin “Rafael Alberti-Një vështrim nga përtej detit” dhe një intervistë të Rafael Albertit, realizuar nga Antonio Garcia Rago.

Te rubrika e kritikës vijnë katër autorë të huaj tashmë klasikë: Jacques Derrida me “Ligji i zhanrrit” ( vijon në numrin e ardhshëm), Erich Auerbach me teksin “Figura” ( vijon në numrin e ardhshëm), Janathan Culler me “Disa probleme rreth rrëfimtarërve të romaneve dhe të folësve të poezive”, “Kujtesa komunikuese dhe kulturore “ të Jan Assmann, pastaj “Zbulimi i Pllumit” të Kujtim M. Shalës, “Proza e Mira Meksit“ të Afërdita Imerit Halitit dhe “Kodi semantik i shpirtërores” të Gentiana Bajramit-Atashit.

Përkthyesit që kontribuan në këtë numër janë: Bajram Karabolli, Mira Meksi, Alket Çani, Eqrem Basha, Arben Idrizi, Erion Karabolli, Alfred Beka, Arta Hallaçi, Ilir Breca dhe Qerim Ondozi. / KultPlus.com

‘Të dua, më dëgjon’

Nga Odiseas Elitis
Përktheu Romeo Çollaku
Monograma (IV)


Është ende herët në këtë botë, më dëgjon
Nuk janë zbutur përbindëshat, më dëgjon
Gjaku im i humbur dhe thika, më dëgjon
E mprehtë
Porsi një dash që rend nëpër qiej
Dhe thyen bisqet e yjeve, më dëgjon
Jam unë, më dëgjon
Të dua, më dëgjon
Të mbart e të shpie e të vesh
Vellon e bardhë të Ofelisë, më dëgjon
Ku më lë, ku shkon dhe kush, më dëgjon

Sipër përmbytjeve të ka kapur dorën

Urthoret e stërmëdha dhe llavat vullkanike
Një ditë, më dëgjon
Do na mbulojnë dhe mijëra motet që vijnë
Do na kthejnë në gurëzime të shndritshëm, më dëgjon
Që të vezullijë mbi ta padhembshuria, më dëgjon
E njerëzve
Dhe partalle me mijëra të flakë përmbi ne

Në ujë një nga një, më dëgjon
Guralecët e mi të hidhur rri e numëroj, më dëgjon
Dhe është koha një kishë e madhe, më dëgjon
Ku dikur ikonat
E Shenjtorëve
Lotojnë me të vërtetë, më dëgjon
Kambanat hapin përpjetë, më dëgjon
Një shteg të thellë për të kaluar unë, më dëgjon
Më presin engjëj me qirinj e me psalme të përzishëm
Por s’më ka lenë mendja të shkoj, më dëgjon
O asnjë o të dy bashkë më dëgjon

Këtë lule vetëtime, më dëgjon
Dhe dashurie
Një herë e mirë ne e këputëm
Dhe gjasa s’ka të çelë tjetërsoj, më dëgjon
Në tjetër tokë, në tjetër yll, më dëgjon
Nuk është ajo baltë, nuk është ai ajër
Që kemi prekur ne, më dëgjon

Kopshtar asnjë kohëve të moçme s’ia doli

Prej gjithë këtyre dimrash e murlanesh, më dëgjon
Të shkundte lule, vetëm ne, më dëgjon
Mu në mes të detit,
Veç falë zellit të dashurisë, më dëgjon
Ngritëm një ishull të tërë, më dëgjon
Me shpella e me kepe e me hone të lulëzuar
Dëgjo, dëgjo
Kush u flet ujërave, kush qan – e dëgjon?
Kush kërkon gjysmën tjetër, kush thërret – e dëgjon?
Jam unë që thërras dhe unë jam që qaj, më dëgjon
Të dua, të dua, më dëgjon./ KultPlus.com

“La Repubblica” për librin e shkrimtarit shqiptar Romeo Çollaku

Gazeta italiane “La Republica” në suplementin “Robinson” kushtuar shkrimeve mbi artin, letërsinë dhe kulturën i ka dedikuar një shkrim edhe shkrimtarit shqiptar Romeo Çollaku për librin e tij “Miele sul coltello” (Mjaltë në thikë).

Në faqet e gazetës prestigjoze italiane shkruhet: Romeo Çollaku, shkrimtar, poet dhe përkthyes i gjuhës shqipe është një person që jeton me gjuhësinë, me atë që ka mësuar në fëmijëri, kujtimet që mban mend nga Shqipëria pas rënies së komunizmit, me atë që dëgjon në të tashmen, duke qenë gjithmonë i vëmendshëm me heshtjen e tij.

Në romanin “Miele sul coltello” (Mjaltë në thikë) vijnë të gjithë këto copëza kujtimesh, kthehen nga mali, ngjiten sërish rrugëve për në mal, deri në një fshat të humbur në Jug të Shqipërisë, vendosur në një skenë ku lëvizin disa personazhe.

Një prift ortodoks, një person thashethemexhi, një e ve italiane, shpesh në shënjestrën e thashethemeve të fshatit, dy të përndjekur, një i vetmuar, një ëndërrimtarë… Secili në karakterin e vet unik dhe bashkë bëjnë një kast personazhesh shumë interesant me histori universale, edhe pse në një fshat të humbur”, shkruhet në recensioni dedikuar librit./ diaspora shqiptare/ KultPlus.com

E verdhë

Odiseas Elitis / Përkthyer nga Romeo Çollaku.

Ca vajza të korithta qëmenatë hodhën zëra
Fishekzjarre e ngjyra që jehonin
Në kishëzën e largët të zefirit…
Hya a bam! Pa ç’u derdh era nga kambanat
Dhe gjithë deti larg hya e bam! hya e bam!
Po baret me kambana çmendurake…

Dhe ato ikën tani lakuriq nga mesi e lart
Me kashtore të gjëra thimba të kërmëzta naze kallëze
Të prirur me një flutur mbi gjirin e djathtë trimoshin
Tri katër gjashtëmbëdhjetë tetëdhjetë a njëqind
Shkojnë e grinden me fëmijët e tokës kësaj konteshe bari
Djegin sanë shkrijnë flori temjanisin me pjalm
Krokujsh parzmin e tokës aq sa ajo tanimë fërgëllon
Lajthitet eteri nga breshëri kanarinash dhe veton parashtur
Vlon me squfur në breg me kallama në fushë..

Vajzani mos! Me ç’ zemër do t’ia thonë bilbilat këngës!
Mos! Me ç’shtjellë uji do harlisen pjergullat!
Si e nxëka qiellin një guaskë e trëndafiltë
Si mund të parandjehet vajzani drita nga sytë tuaj!

Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë

Poezi nga Louis Aragon / Përktheu Romeo Çollaku

Njeriut asgjë nuk iu dhurua përfare
As forca as brishtësia as dhe zemra e vet
Hija e tij krahëhapur një kryqi i ngjet
Kur e gjurmon lumturinë gjendet në rrëmet

Jeta e tij një ndarje e kotë edhe vrastare
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë
Jeta e tij ngjason me ushtarët pa pajime
Që kush e di ç’fat i përplas në këtë prag
Edhe pse aq herët u zgjuan sot në ag
Tani sillen të ngeshëm në ditën që u vag
Mos derdhni pikë loti Po thoni Jeta ime
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë

O dashuri e bukur brenga ime e çmuar
Të ruaj thellë vetes si një zog flatrathyer
Dhe ata që na shohin kur kalojmë rrëmbyer
Pëshpërisin gjithë ato fjalë që kam ngërthyer
Për sytë e tu të mëdhenj e që tash janë shuar
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë

Tashmë u bë vonë të mësojmë ç’është jeta
Përkryer zemrat tona qajnë nëpër natë
Këngën të këndohet e ndih një dhimbje e gjatë
S’dridhet tel kitare pa lotë e përgjëratë
Shpirtin e përmbytin vetëm dallgët e vërteta
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë

Dashuri që nuk kapit nuk ka kurrkund në botë
Nuk ka kurrkund dashuri që vuajtjesh s’të flak
Nuk ka kurrkund dashuri që nuk sëmbon e mpak
Pa ty edhe atdheun do ta doja më pak
Nuk ka dashuri që gjallon pa derdhur lotë
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë
Atë veç ne të dy e kemi ndjerë