Rona Nishliu dhuron të ardhurat nga promovimi i albumit të ri për fëmijët e braktisur

Rona Nishliu me grupin e saj “Rona Nishliu Quartet” dhuron të ardhurat nga koncerti promovues i albumit të saj “Mindil”, për fëmijët e braktisur.

Këngëtarja e mirënjohur Rona Nishliu me grupin e saj “Rona Nishliu Quartet” ka lansuar albumin e saj “Mindil”, ku të ardhurat nga ky recital promovues i ka dhuruar për mbështetjen e fëmijëve të braktisur në SOS Fshatrat e Fëmijëve.
Rona Nishliu është pjesë e platformës avokuese Miqtë e Fëmijëve, platformë kjo e inicuar dhe e koordinuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF.
“Miqtë e Fëmijëve” është platformë avokuese e përbërë nga personalitete me karrierë të suksesshme nga fusha e diplomacisë, artit, kulturës, sportit etj, e cila do të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e mbrojtjes së fëmijëve në të gjithë Kosovën, duke synuar rritjen e vetëdijesimit të institucioneve relevante dhe popullatës së gjerë, mbi rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe investimin afatgjatë në fëmijë./KultPlus.com

Rona Nishliu sjell “Mallëngjimi”, dedikim për ata që jetojnë me mall për vendlindje (VIDEO)

Këngëtarja Rona Nishliu sapo ka publikuar projektin e saj më të ri të titulluar “Mallëngjimi”, shkruan KultPlus.

Me kompozim dhe tekst të kantautorit e veprimtarit Rashid Krasniqi e interpretim të paharrueshëm të zërit të ëmbël të Muharrem Qenës, kjo këngë vjen e realizuar edhe me videoklip.

“Ky variant i jonë është një falënderim i përzemërt për krijuesin dhe interpretin, e dedikim për të gjithë ata që jetojnë me zjarrin dhe mallin për vendlindjen, familjen, lagjen e fëmijërisë, përrocken e fshatit… Mërgimi nuk është i lehtë e mallëngjimi është shoqërues i përhershëm…”, ka shkruar Rona Nishliu në Facebook. / KultPlus.com

Rona Nishliu ngritë në këmbë publikun në Vjenë

Më zërin e saj mbresëlënës dhe këngët e përzgjedhura, Rona Nishliu shkëlqeu para bashkatdhetarëve shqiptarë dhe miqve austriakë. Këngët si: “Me motivet tona”, “Moj e mira të pojata”, “Baresha” e të tjera, bën që këngëtarja Nishliu të merr duartrokitje frenetike nga të pranishmit dhe ngriti në këmbë publikun në sallë.

Çdokush që ka ndjekur “Eurovision Song Contest 2012” në Baku, e njeh Rona Nishliun tashmë. Si përfaqësuese e Shqipërisë, këngëtarja mitrovicase zuri vendin e pestë me zërin e saj mbresëlënës dhe vazhdon të mbetet ende si këngëtarja me e suksesshme shqiptare në “Eurovizion”, shkruan albinfo.ch.

Ndonëse koncertet e këngëtares Nishliu nuk janë shumë prezentë në media, ajo së bashku më grupin e saj janë shumë të angazhuar duke sjell para publikut këngët e kuartetit “Me motivet tona”.

Angazhimet e Ronës, kishin bërë që koncerti i paraparë për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës që do mbahej në Vjenë të Austrisë, të shtyhet për disa javë, megjithatë, edhe durimi ia vlejti.

Salla e bukur “Vindobona” në Vjenë të Austrisë, të premten në mbrëmje ishte e vogël për të zënë të gjithë të interesuarit që kishin dëshirë të shijojnë këngët dhe zërin e këngëtares Nishliu, shkruan tutje albinfo.ch.

Koncerti ishte organizuar nga Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Vjenë në mbështetje të Ambasadës së Kosovës në Austri si dhe Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike të Kosovës.

Para fillimit të koncertit me disa fjalë përshëndetëse folën Ambasadori i Kosovës në Austri, Sami Ukelli, përfaqësuesi nga Ministria e Diasporës, Muhamet Selmani si dhe kryetari i Këshillit Koordinues, Ermal Vejsa. Të pranishëm ishin edhe Ambasadori i Shqipërisë në Austri, Roland Bimo, si dhe kryetarë dhe përfaqësues të shoqatave dhe bizneseve shqiptare në Austri.

E kur tingujt e këngës “Me motivet tona” filluan të dëgjohen, në skenë u shfaq ajo që të gjithë e prisnin, këngëtarja Rona Nishliu.

Më zërin e saj mbresëlënës dhe këngët e përzgjedhura, Rona shkëlqeu para bashkatdhetarëve shqiptarë dhe miqve austriakë.  Këngët si: “Me motivet tona”, “Moj e mira të pojata”, “Baresha” e të tjera, bën që këngëtarja Nishliu të merr duartrokitje frenetike nga të pranishmit dhe ngriti në këmbë publikun në sallë.

Për afro dy orë, Rona bashkë me anëtarët e grupit: Edon Ramadani, Kiril Tufekchievski dhe Nesim Maxhun performuan ‘live’ këngët etno jazz të kuartetit, këngë tradicionale të riaranzhuara nga të gjitha rajonet e banuara nga shqiptarë në Ballkan dhe Mesdhe, si dhe një këngë origjinale.

Duke qenë se Vjena njihet si vend i kulturës dhe i muzikës, edhe shumë organizatorë të manifestimeve shqiptare, e sidomos Këshilli Koordinues mundohen gjithnjë të sjellin para bashkatdhetarëve dhe miqve austriakë, vlerat tona kulturore.

Foto: Vinçenc Palushaj

“Suus” e Rona Nishliut këndohet edhe në Bullgari (VIDEO)

Kënga “Suus” e Rona Nishliut është kënduar në shumë vende të botës, kurse këngëtarja Tamara Angelovska së fundmi e ka interpretuar atë edhe në Bullgari, shkruan KultPlus.


‘Suus’ ishte përfaqësimi i Shqipërisë në festivalin “Eurovision” të vitit 2012 ndërsa duket sikur kjo këngë është akoma e freskët tek ata që e kanë dëgjuar. Tekstin e këngës e kishte shkruar vetë Rona, kurse muzika është komponim i kompozitorit Florent Boshnjaku.


Në këtë video mund ta dëgjoni interpretimin e Tamara Angelovska në Bullgari, ndërsa kjo nuk është hera e parë që ajo e këndon këtë këngë.
Rikujtojmë se Rona Nishliu me këtë këngë kishte arritur suksesin më të madh të shqiptarëve në festivalin evropian të muzikës, ku zuri vendin e pestë në vitin 2012. / KultPlus.com

Rona Nishliu, pjesë e jurisë në “Destination Eurovision” në Francë

Këngëtarja kosovare, Rona Nishliu do të jetë pjesë e jurisë së festivalit francez “Destination Eurovision”.

Franca këtë të shtunë do të zgjedh këngën përfaqesuese për Eurovision 2019, përmes garës kombëtare “Destination Eurovision”,  ndërsa pjesë e jurisë profesionale do të jetë edhe këngëtarja kosovare, Rona Nishliu, transmeton Magazina.al

Lajmin për Magazina.al, e ka konfirmuar edhe vet këngëtarja.

Në garë për të përfaqësuar Francën në Tel Aviv, janë shtatë këngëtare dhe një grup, ndërsa fituesi do të zgjedhet përmes votave të jurisë profesionale dhe publikut.

Kujtojmë që Rona Nishliu përfaqësoj Shqipërinë me këngën “Suus” në vitin 2012, e ku u radhit në vendin e 5-të, që mbetet rezultati më i mirë i Shqipërisë në Eurovision, po ashtu ajo në dhjetor ishte pjesë e jurisë edhe në “Festivalin e Këngës” në RTSH./Magazina.al/

Kosovarët e kanë befasuar disa herë Azerbajxhanin

Meqë ende jemi në euforinë e festës se Kosova fitoi mbrëmë në lojën e saj futbollistike me Azerbajxhanin, ia vlen të kujtohet një tjetër ‘dyluftim’ mes shqipeve dhe vendit të zjarrit.

Pikërisht në Azerbajxhan, në vitin 2012-të, për herë të parë një kosovare përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion, dhe u pozicionua gati sa golat e Kosovës kundër Azerbajxhanit.

Katër gola nga Kosova, ndërsa Rona Nishliu me “Suus” morri vendin e pestë në Azerbajxhan, shumë afër vendit të katërt deri në momentet e fundit.

Mbrëmë Kosova e mundi Azerbajxhanin për të vazhduar kësisoj rrugëtimin në Ligën e Kombeve UEFA.

Ia vlen të përmendet kjo paralele mes Kosovës e Azerbajxhanit, kur Rona dha emocionet e saj në skenën e njohur në Baku të Azerbajxhanit.

Në anën tjetër, presim ballafaqimin e radhës të ekipit nga Kosova në këtë rrugëtim, njëjtë sikur presim edhe debutimin e Kosovës në Eurovizion, shumë shpejtë. / KultPlus.com

Rona Nishliu: Do rikthehesha në Eurovizion për të përfaqësuar Kosovën

Këngëtarja shqiptare, Rona Nishliu, ishte e pranishme në kongresin e 13-të të fansave spanjollë të Eurovision-it. Në këtë kongres ajo u shpreh se do rikthej në Eurovizion për të përfaqësuar Kosovën, shkruan KultPlus.

Rona Nishliu është përfaqësuesja e parë e ftuar në kongresin e përvitshëm të organizatës së fansave të Eurosong në Spanjë. Ajo u prit me ovacione e duartrokitje të gjatë, njejtë si në prezantimin e saj para 6 vitesh në Baku (2012).

Në sesionin e pyetje-përgjigjeve, fansat spanjollë pyetën nëse Rona do merrte pjesë përsëri në ESC, por këtë herë si përfaqësuese e Kosovës. Rona shpjegoi se punon në Radio Televizionin e Kosovës dhe është pjesë e grupit që po bën përpjekje t’i mundësojë pjesëmarrjen vendit të saj në këtë festë të përvitshme të këngës evropiane. Ajo u shpreh se mund të rikthehet në Eurovizion për të përfaqësuar vendin e saj, nëse kjo do ishte e rëndësishme për Kosovën.

Gjithashtu, si me shaka, ajo pyeti fansat spanjollë nëse mendojnë se duhet ta përsërisë pjesëmarrjen e saj, dhe ata me entuziazëm u përgjigjën se ajo duhet patjetër ta bëjë një gjë të tillë./ KultPlus.com

Rona Nishliu merr dhuratë të veçantë nga Edi Rama

Vetëm pak javë më parë në një ceremoni tërësisht të fshehtë këngëtarja Rona Nishliu është lidhur në martesë.

Aktualisht ajo po shijon muajin e mjaltit në Itali me bashkëshortin e saj të cilin ende nuk e ka ekspozuar në rrjete sociale. Por këngëtarja duket se ka marrë një dhuratë speciale nga kryeministri shqiptar Edi Rama.

Ajo ka publikuar në rrjete sociale foton e një shishe vere të ardhur nga Kryeministria dhe krahas fotos shkruan: Faleminderit për kujdesin tuaj dhe të institucionit, dhuratë speciale ditëlindjeje nga Kryeministri,”-shkruan Rona krahas fotos së publikuar në rrjete sociale./ KultPlus.com

Këngëtarët që i qëndruan besnikë muzikës së tyre

Trendet dhe kërkesat e reja në skenën muzikore kanë bërë që shumë këngëtarë të dalin jashtë kornizave të tyre, duke iu përshtatur pikërisht asaj që kërkohet.

Ndryshimet e mëdha i shohim prej kohësh, dikush e ka gjetur vetën mirë e të tjerë vazhdojnë të jenë në kërkim të asaj që do t’i shndërronte në emra të kërkuar dhe mbi të gjitha të kishin përfitime nga ajo që bëjnë.

Megjithëkëtë, një pjesë e këngëtarëve të njohur kanë arritur t’i rezistojnë asaj që cilësohet komerciale, e cila në këtë fakt shumicës po i sjell shumë klikime, mbrëmje muzikore dhe si rrjedhojë shumë para. Një pjesë e atyre që kanë zgjedhur këtë drejtim nuk janë tërhequr nga skena por kanë vazhduar të jenë aktiv duke sjellë projekte muzikore në momente të caktuara, e veçmas duke marrë pjesë në festivale muzikore edhe pse nuk janë të shumta.

Eliza Hoxha është një prej këngëtareve, e cila nuk ka bërë kompromise me muzikën e saj. Ka sjellë këngë e videoklipe, ka marrë pjesë nëpër festivale, mirëpo gjithmonë duke ardhur me këngë të jashtëzakonshme, të cilat megjithëse jokomerciale, janë mirëpritur, dëgjuar e shumë prej tyre janë shndërruar në hite të mëdha. Këngëtarja e njohur nuk ka lënë anash as projekte videomuzikore, përmes të cilave ka prekur tema sociale dhe kauza të rëndësishme për shoqërinë tonë, siç ishte ai me titull “Për ata që s’janë”.

Këngët dhe klipet e saj janë të rralla sepse edhe Rosela Gjylbegu ka zgjedhur këtë rrugë. E nisi tek “Ethet e së premtes mbrëma”, ashtu siç kanë bërë shumë kolegë të saj, por gjithmonë i qëndroi besnike muzikës së saj. Rosela njihet sidomos për pjesëmarrjet nëpër festivale.

Ani pse kohëve të fundit nuk janë aktivë, në Kosovën e pasluftës grupet “Jericho” dhe “Troja” i kanë dhënë shumë rok-muzikës shqiptare. Pikërisht, janë këto dy grupe që i kanë rezistuar tregut të vrazhdë dhe asaj që vazhdimisht është kërkuar.

Kësaj liste nuk i mungon Rona Nishliu. Madje, këngëtarja tregoi më së miri se si me një këngë me vlera, me një mesazh dhe me një interpretim nga shpirti mund të shkëlqesh dhe të fitosh vëmendje edhe në një skenë siç është ajo e Festivalit Evropian “Eurovizion”, aty ku më shumë se kudo tjetër kërkohen këngët komerciale.


“Shtyje”, “Krejt andrrën” e “Këtu” janë disa nga këngët e kantautorit Genc Salihu, i cili gjithashtu ka arritur ta ruajë shumë mirë atë që ka kultivuar qysh herët.

Hashani, Shpat Deda e Mariza Ikonomi janë disa emra të tjerë, të cilët i kemi parë të mos eksperimentojnë shumë, por të vijnë në ujërat e tyre e që gjithsesi risitë nuk kanë munguar.

Këta ishin vetëm disa nga emrat që arritën t’iu rezistojnë ndryshimeve të mëdha, t’i qëndrojnë besnik stilit të tyre dhe të kultivojnë muzikën që e duan, edhe pse dikush më shumë e dikush më pak aktiv./KultPlus.com

‘Ishte bukur me jetu në kohën tande’

Sot ka ndërruar jetë regjisori Bekim Lumi, i cili prej kohësh vuante nga sëmundja e rëndë e kancerit, shkruan KultPlus.

Në mesin e shumë artistëve që kanë shprehur ngushëllimet e kanë ndarë kujtimet e tyre më të mira për Bekim Lumin, ka qenë edhe këngëtarja Rona Nishliu.

“Mirëupafshim Bekë! Jam e lumtur që të njoha personalisht, qysh në fillimet e mia në gazetari, kur ti ishe magjiku i natës në Radio +. Fat që mësova dhe u inspirova nga ti. Ishte bukur me jetu në kohën tande. Vullneti, përkushtimi, përgjegjësia, puna kolosale janë thjesht rezultat i dashurisë tënde për artin. Nuk besoj që do t’më mjaftoj kujtimi për ty, por ikja jote nuk është e përjetshme, Ti je i përjetshëm Bekë. Të dua shumë”, ka shkruar në postimin e saj Rona Nishliu.

Regjisori dhe profesori i njohur i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, Bekim Lumi, që prej dy vitesh po përballej me një sëmundje të rëndë./ KultPlus.com

“Shko pastro pas saj, njollat që i la ajo në qiellin tonë” (VIDEO)

Një baladë e fuqishme e Rona Nishliut nuk shkon lehtë në harrim.

Edhe pse një këngëtare me jo shumë këngë, Rona Nishliu që prej fillimeve të saj ka ditur të krijojë këngë që nuk harrohen dhe që veçohen.

“Shko pastro pas saj”, shembull, është një prej atyre këngëve të cilat ka goditur mirë në zemrat e fansave. Një baladë që më pas kthehet në pikën kulmore diku nga mesi i këngës, kjo këngë me një tekst të fuqishëm tregon për një dashuri ku hyn personi i tretë, shkruan KultPlus.

Rona i pati realizuar këngës edhe videoklipin, njashtu kreativ dhe interesant.

“Shko pastro pas saj” është një prej këngëve të njohura të Ronës, krahas edhe këngëve si “Suus” apo “Shenja” dhe këngëve tjera që Rona i publikon jo shumë shpesh por gjithmonë e kujdesshme me stilin e saj dhe me emocionin që e përçon me anë të këngëve.

Sot, po e sjellim këtë baladë për ta rikthyer emocionin e saj. / KultPlus.com

Poezi e kangë të zemrës për regjisorin Bekim Lumi

Për regjisorin Bekim Lumi po vazhdon solidarizimi i artistëve dhe qytetarëve, në mënyrë që ai të gjejë shërimin e tij nga kanceri.

Në vazhdën e plot ngjarjeve që po mbahen për të ngritur fonde për regjisorin e njohur, me datë 13 mars do të organizohet një mbrëmje kulturore me artistë të ndryshëm.

Me fillim prej orës 20:00, me datë 13 mars, në Qendrën Multimedia vjen një organizim me muzikë e poezi. Shpëtim Selmani do ta promovojë librin e tij më të ri, dhe do të lexojë poezitë e tij, ndërsa Rona Nishliu e Ilir Bajri do të vazhdojnë me këngët e zemrës për Bekën.

Hyrja në organizimin kulturor është 3 euro, ndërsa gjithçka po organizohet në kuadër të fushatës humanitare për të ndihmuar Bekim Lumin. / KultPlus.com

Tri këngë shqiptare në listën e 250 këngëve më të pëlqyera të Eurovizion-it (VIDEO)

Eurovizion për 10 vite rresht nxjerrë sondazhin për 250 këngët më të pëlqyera të këtij festivali, shkruan KultPlus.

Kësisoj, në këtë sondazh që janë të radhitura këngët më të pëlqyera të të gjitha edicioneve, janë edhe tri këngë shqiptare, të kënduara nga vajzat të cilat përfaqësuan denjësisht Shqipërinë në këtë garë.

E para është Elhaida Dani e cila ka zënë vendin e 44 me këngën “I’m Alive” dhe e cila mori pjesë në Eurovizion në vitin 2015-të.

Pas saj në vendin e 46 vjen Rona Nishliu me “Suus” e cila në Eurovizion mori pjesë në vitin 2012-të ku asokohe edhe zuri vendin e pestë në këtë garë të madhe, vend këtë që ende asnjë shqiptar nuk ka mundur ta thyej. Rona deri më tani ka korrur suksesin më të madh nga shqiptarët që morën pjesë në Eurovizin.

Krejt në fund është edhe Lindita Halimi me këngën “World” e cila përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion në vitin 2017-të.

Kësaj liste, i prinë për pesë vite radhazi kënga “Euphoria” e Loreen. Sondazhi organizohet nga ESC Radio dhe Songfestival.be.

Ndërkohë, sivjet në vitin 2018-të Shqipërinë në Eurovizion, do ta përfaqësojë Eugent Bushpepa me këngën “Mall”, i cili mori vendin e parë në Festivalin e Këngës në RTSH, festival ky që fituesi fiton menjëherë biletën për Eurovizion./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=DocjosVM5cU

Jeasmine, vajza nga Rumania e cila këndon fuqishëm ‘Suus’ të Rona Nishliut (VIDEO)

Jeasmine, një vajzë e re nga Rumania, ka zgjedhur një këngë shqipe për ta performuar para publikut në qytetin Navodari.

Kënga “Suus” nga Rona Nishliu, një këngë e njohur në mbarë Evropën falë pjesëmarrjes në Eurovizionin e vitit 2012-të ku edhe u pozicionua në vendin e pestë në finale, ka ardhur kësisoj nga vajza rumune, shkruan KultPlus.

Jeasmine Socaci, pos këngës së Ronës, në kanalin e saj në Youtube ka incizuar versionet e saj të këngëve të ndryshme rumune por edhe këngëve të njohura ndërkombëtarisht.

https://www.youtube.com/watch?v=cRNCu0ZgA7k

Kjo nuk është hera e parë që dikush performon këngën e Rona Nishliut në Rumani, pasi kjo këngë dukshëm është e pëlqyer në këtë shtet.

Navodari është qytet në Rumani, me rreth 32 mijë banorë. / KultPlus.com

Cila këngë e Rona Nishliut ju pëlqen më shumë? (VIDEO)

Nuk do ndoshta shumë koment interpretimi i saj në skenën e Eurovizionit. Krahash një tragjedie që ndodhi atyre ditëve, në majin e vitit 2012-të, Rona Nishliu ia doli të ngjitej në skenë.

Për shqiptarët ishin ditë të kobshme, njëjtë si për shpirtin e Ronës, megjithatë ajo doli në skenën e Eurovizionit dhe u pozicionua në vendin e pestë. Një performancë e rrëqethshme mbetet ajo e këngës “Suus”, edhe kaq vite pas krijimit të saj.

Sonte, po sjellim disa këngë të Ronës, por duke pyetur edhe lexuesin se çka pëlqen ai e ajo më shumë. “Suus” nuk mund ta largojmë nga lista, pasi mbetet nga ato këngë që nuk vdesin, në esencën e tyre kanë thirrje për mirësi por edhe për një vajtim të vetmuar.

Rona ka edhe këngë të tjera të fuqishme, të cilat e kanë pozicionuar në zërat të cilët nuk janë të shpeshtë, por janë të veçantë dhe të formuar. Kënga “Zonja Vdekje” u këndua para disa vitesh në Festivalin Kënga Magjike, dhe e vërtetoi magjinë e brishtë që ka brenda saj. Rona, si gjithmonë e veçantë në muzikë e në paraqitje, e solli një melodi të fuqishme e cila mund ta prekë secilin prej nesh, thellë thellë, nëse lidhet diçka e jona me këtë këngë, shkruan KultPlus.

Balada kalon në fund në një zhanër tjetër, por vetëm sepse revolta e saj duhet të ndalet dikur ose të ndërrojë frekuencë. Sonte po e sjellim edhe këtë këngë të Ronës – “Shko pastro pas saj”, sikur për të kërkuar një projekt të ri të Ronës. Kënga ka një videoklip simpatik, një tregim interesant paraqitur në moment që shihen, me Ronën që dëshiron të heq dorë nga një lidhje e cila e ka dërrmuar, e ku ka hyrë një person i tretë. Cila këngë e Rona Nishliut ju pëlqen më shumë juve, na tregoni në komente. / KultPlus.com

Kosova mund të marrë pjesë në Eurovizion

Kosova mund të marrë pjesë në festivalin evropian të këngës, Eurovision, në edicionin e saj të vitit 2018 që do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë.

Siç shkruan faqja zyrtare e Eurovision në gjuhën gjermane, edicioni i vitit të ardhshëm mund të përmabjë numrin më të madh të shteteve që garojnë në festival. Nga viti 2011, kur në Gjermani kishin marrë pjesë më së shumti konkurrent – plot 43 shtete – në edicionin e vitit 2018 të Eurovisionit mund të tejkalohet ky numër.

Kosova dhe Kazakistani mund të jenë dy shtetet tjera që do marrin pjesë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm, shkruan Insajderi.

Siç shkruan faqja zyrtare e festivalit evropian të këngës, Eurovision.de, Kosova mund të marrë pjesë në garën e vitit të ardhshëm, nëse merr ftesë nga Portugalia, gjegjësisht nga Radio Televizioni i Portugalisë (RTP) që është organizator i festivalit.

Sipas rregullave të Unionit Evropian i Transmetuesve Publik (EBU), Kosova mund të marrë pjesë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm në Lisbonë, pasi Portugalia e ka njohur shtetin e Kosovës.

Ndërkaq, Kazakistani ka vite që nuk merr pjesë në Eurovision, edhe pse është anëtare e EBU-së. / KultPlus.com

Nuk ka shpresë që Kosova të marrë pjesë në Eurovizionin e vitit tjetër

Kosova nuk ka shanse të marrë pjesë në garën e madhe muzikore të Evropës.

Meqë Kosova nuk është pjesë e EBU- Unionit të Transmetuesve Evropianë, do të jetë e pamundur që të jetë shtet pjesëmarrës në Lisbonë, vitin tjetër.

ESCtoday ka kontaktuar me EBU të cilët kanë treguar se Kosova nuk do të jetë shtet pjesëmarrës në Eurovizion vitin tjetër, vitin 2018-të, kjo edhe për shkak se Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, shkruan KultPlus.

Kosova ka provuar të jetë pjesë e Eurovizionit disa herë, por kjo ka qenë e pamundur për shkak se RTK-ja, transmetuesi publik, ende nuk është anëtar i rregullt i EBU, pos bashkëpunimeve të ndryshme me të që nuk garantojnë pjesëmarrjen në Eurovizion.

“EBU bashkëpunon me RTK-në dhe ka ndihmuar në formimin e televizionit, në vitin 1999. Bashkëpunimi gjithashtu do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme” tregojnë nga EBU për ESCtoday.

Vitin tjetër në Eurovizion do të rikthehet Rusia, pasi këtë vit nuk morri pjesë, ndërsa ende pritet të shihet nëse Sllovakia e Bosnja poashtu do të bëjnë rikthimin e tyre në garë, shkruan KultPlus.

Shqipëria ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë garë. Këtë vit Eurovizionin e fitoi për herë të parë një këngëtar nga Portugalia.

Ironike të përmendet se rezultati më i mirë shqiptar në Eurovizion është arritur në fakt nga një shqiptare e Kosovës, këngëtarja Rona Nishliu, në vitin 2012-të / KultPlus.com