Rose, amerikania që u kujdes për një shqiptar

Rose Wilder Lane është një amerikane e njohur për shkrimet e saj mbi Shqipërinë. Interesimi i saj për Shqipërinë nis në vitin 1921, e zgjat deri në vitin 1967, pasi në këtë vend ajo kishte lënë djaloshin Rexh Meta, jetën e të cilit, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi, ajo e ndoqi gjatë gjithë jetës. Lane nuk u martua e nuk pati fëmijë të saj, edhe pse gjatë jetës pati lidhje sentimentale. Megjithatë, gjatë gjithë jetës ajo u kujdes për disa fëmijë e të rinj në nevojë.

Ndjenja e paplotësuar e amësisë e shtyu në fillim të kujdesej për djaloshin jetim shqiptar, Rexh Meta; pastaj për dy vëllezërit: John dhe Al Turner nga Misuri dhe, në vitet e fundit të jetës, për një vajzë të re vietnameze, motrën e përkthyeses së saj, të cilën e ndihmoi të vinte në SHBA dhe të hynte në universitet. Po, me sa duket, dëshirën e fortë të Lane për t’i parë të suksesshëm ata fëmijë, e plotësoi vetëm Roxher Mekbrajd (Roger McBride), “nipi” i saj i adoptuar, djali i një botueses së saj. Ai e quante “gjyshe”. Mek-brajd u bë jurist i njohur dhe ndjekës i mendimeve të saj liberale.

Ai ndoqi rrugën e veprën e saj, si një prej themeluesve të neo-liberalizmit amerikan. Deri në fund të jetës ai u kujdes jo vetëm për problemet ligjore e trashëgiminë e Lane, po edhe për t’i plotësuar një amanet: të ndihmonte familjen e Rexh Metës. Në vitin 1990, edhe pse vetë Rexha kishte ndërruar jetë në vitin 1985, Roxher Mekbrajd u lidh me familjen e Bora-Rozës, vajzën e Rexhës, dhe e mori atë, bashkëshortin e saj, Genc Koka, dhe dy djemtë e tyre në Shtetet e Bashkuara, ku ata jetojnë edhe sot.

Studiuesja Eleni Laperi e tregon këtë histori në librin mbi jetën e Rose Lane. Zemra e saj e dhimbsur dridhej para padrejtësive të kësaj bote. “Barra e pafuqisë së botës para atij mjerimi më rëndonte në shpirt më shumë, se barra e teshave të leshta, të nginjura me ujë mbi muskujt e rraskapitur”, shkruan ajo në një prej tregimeve të saj shqiptare.

Para se të largohej nga Shqipëria, Lane arriti të bënte një marrëveshje me Qeverinë shqiptare, dhe Rexh Meta, që mbaroi shkollën Teknike të Tiranës, shkoi për studime në Kembrixh. Marrëveshja ishte: Qeveria shqiptare, Ahmet Zogu, do i jepnin Rexhës 100 napolona në vit, ndërsa ajo do i dërgonte 50 dollarë në muaj për të plotësuar bursën e tij. Rexha u diplomua në Kembrixh, po nuk pranoi të shkojë të jetojë në Shtetet e Bashkuara, kur e ftoi Lane. Edhe ai kishte ëndrrën e tij: të punonte për të përmirësuar jetën e malësorëve të Dukagjinit e Pejës.

Kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, ai i shkroi Lane të shihte mundësinë e vajtjes së tij në ShBA, duke i shkruar një letër Xhemil Dinos, i cili ishte në atë kohë ministër i Jashtëm, apo duke i shkruar kapiten Kroulit, i cili kishte në Nju-Jork një pozitë të rëndësishme në një bankë të madhe.

Ai dëshironte të siguronte gruan dhe fëmijët e tij. Po asgjë prej këtyre nuk u bë e mundur, edhe pse Lane i kërkoi ndihmë edhe ambasadorit shqiptar në Uashington, Faik Konicës. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria mbylli kufijtë, Lane u përpoq përsëri ta merrte në ShBA, Rexhën e familjen e tij, po qeveria e re shqiptare nuk pranoi.

Ajo i shkroi disa letra mikut të saj, ish presidentit Herbert Huver, iu drejtua edhe gruas së presidentit amerikan Eleonor Ruzveltit. Po pa asnjë rezultat. Madje, sipas Roxher Mekbrajdit, një përfaqësues i Shqipërisë në OKB e kishte kërcënuar duke i thënë se Rexha dhe familja e tij do të kishin pasoja të rënda, nëse ajo do vijonte të kishte lidhje me ta.

Për të mbrojtur Rexhën dhe familjen e tij, ajo pranoi të ndërpresë lidhje me ta. Po vijoi ta ndihmojë familjen e Rexh Metës në fillim nëpërmjet Harri Fullcit, e, më vonë, kur Rexha u burgos, lidhjet midis gruas së Rexhës dhe Lane i ndihmoi Sami Repishti, i cili njihej me familjen e Qazim Danit nga Shkodra, vjehrri i Rexhës. Lane mendonte se gjithë ky zemërim i Qeverisë së re shqiptare ndaj saj lidhej me artikullin “Credo”, të botuar në vitin 1936.

Në vitin 1935, në një skicë autobiografike të botuar në “Saturday Evening Post”, Llejn shkruan: “…Nga 1914 deri në 1920, kur vajta për herë të parë në Evropë, kam qenë pacifiste. Votova për Uillsonin, sepse ai nuk na futi në luftë. Në 1917 u bëra komuniste e bindur, ndonëse jo anëtare partie. Pasi vajta në Rusi nuk isha më… Tani jam një fondamentaliste amerikane.

Më jepni pak kohë dhe unë do ju them pse individualizmi, laissez faire dhe anarkia e përmbajtur e kapitalizmit ofron mundësitë më të mira për zhvilli-min e shpirtit njerëzor.” Idetë e saj mbi komunizmin ndryshuan kryekëput, kur në një fshat të Rusisë, mësoi nga bujqit se qeve-ria ndërhynte shumë në punët e fshatit. Ata iu ankuan për rritjen e burokracisë, që merrte gjithnjë e më shumë njerëz nga fusha e prodhimit. Fshatari parashihte kaos dhe vuajtje nga centralizimi i skajshëm i pushtetit ekonomik nga Moska.

Kur u largova nga Bash-kimi Sovjetik nuk isha më komuniste, shkruan Lane, sepse unë besoj në lirinë e individit. Në 1936, pas një udhëtimi me gazetarin Garret Garet, nëpër SHBA, dhe e nxitur nga ai, Lane botoi në “Saturday Evening Post” artikullin me titull “Credo”. Garet i entuziazmuar prej ideve të saj mbi politikën, i tha: “Shkruaj për të fituar jetesën, po mos hiq dorë nga idetë e tua dhe shkruaj për atë që të pëlqen”./KultPlus.com