Malësorja e Alpeve, Rose Wilder Lane: Këtu do jetoj unë me dy fëmijët e mi

Në një artikull interesant për tri shkrimtaret amerikane Ayn Rand, Isabel Patersen dhe Rose Wilder Lane, theksohej se ato me veprat e tyre, pavarësisht nga njera tjetra, kishin arritur në një mendim filozofik të përbashkët për idenë e lirisë, duke inspiruar Lëvizjen Liberatore.


Rose Wilder Lane, kishte vizituar Shqipërinë, që në vitin 1921 dhe ka shkruar shumë për vendin tonë. Qëndrimi i saj në Shkodër e lidhi ngushtë me të riun Rexhë Meta , historia e tyre tashma është e njohur.

Rose Wilder Lane (1886-1968)është vajza e shkrimtares së mirënjohur amerikane, Laura Ingalls Wilder, autore e një seriali librash historiko-letrar.

Rose e rritur në një mjedis të tillë shkoi me tutje duke e shtrirë aktivitetin në një game të gjerë krijimesh si gazetare, biografe dhe autore e shumë librave letrarë e filozofikë.
Me 1920, Rose e ftuar nga Kryqi i Kuq Amerikan, punoi si publiciste në këte mision
humanitar. Për këte , Rose udhëtoi në Europë e Azi për të observuar se si funksiononte ky shërbim dhe për të vepruar dhe ndihmuar vendet e prekura nga Lufta e Parë Botërore.
Erdhi në Shqipëri, kur mijëra refugjatë lufte ishin larguar nga Kosova, Plava e Gucia dhe nga trojet e tjera të lëna jashtë kufijëve.

Ajo shkoi në Shkodër, ku vepronte Kryqi i Kuq Amerikan , që jepte ndihma në emër të “Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës”. Këtu fillojnë lidhjet e Roses me Shqiptarët dhe me djalin, Rexhë Meta, ne fillim si përkthyes dhe me pas e adoptoi , duke e konsideruar si birin me të shtrenjtë të shpirtit saj.

Vepra e saj për Shqipërinë është “The Peaks of Shala” (Majat e Shalës) ku Rose përshkruan terrenin e thyer, kullat karakteristike të malësisë, mënyren e jetesës, traditat dhe gjakmarrjen.

Letrat, që Rose u dërgonte miqëve të saj, ku përshkruheshin ngjarjet nga jeta politike e shoqërore janë përmbledhur me titullin “Albanian Garden”. Në këto letra janë paraqitur me hollësi, përveç të tjerave edhe ngjarjet e vitit 1922 dhe figura shume dimensionale e Ahmet Zogut. Aty shihet interesi i saj për Shqipërinë, vend që ajo e zgjodhi të jetojë përgjithmonë.
Vepra Kulmore e Rose është “The discovery of Freedom”(Zbulimi I Lirisë).

Kjo vepër filozofike nuk bën fjalë për Shqipërinë, por është e rëndësishme për ne sepse Rose për të ndërtuar Kryeveprën e saj e mori frymëzimin nga një ngjarje të cilën e përjetoi ne Majat e Shalës dhe u bë zanafilla e filozofisë së saj në mbrojtjen e lirisë se individit dhe të pronës private.

Në ate fshat, shkruan Rose,gjeta një jetë fisnore të mbyllur nga gjakmarrja,por me njerëz fisnikë e mikëpritës.

Gruaja që e frymëzoi ishte një 21-vjecare e martuar me dy fëmijë, së cilës ia kishin vrarë burrin serbët pas 5-vjet martesë. Gruaja në fjalë, në kundërshtim me traditën dhe normat fisnore kërkonte që shtëpinë, të cilën e kishte ndërtuar me burrin e saj, ta trashëgonte vetëm ajo me dy femijët. Ishte e papritur për mysafiren amerikane të ishte dëshmitare e një debati të ashpër midis krerëve të fisit dhe gruas” rebele” e cila me kurajo shtronte kërkesën për pronën private.

“Këtu do të jetoj unë me dy fëmijët e mi”
( ne ate shtëpi, ishin grumbulluar 17 veta nga familja e burrit dhe nga fisi)
Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit,ku thuhej: Gruaja e ve flet vetë – mund të ishte njështytje që e bëri aqë të vendosur gruan të flasë përpara kuvendit, apo e drejta natyrale dhe forca e argumentit se – Këtë shtëpi e kam ndërtuar me burrin tim – e bënë ate të vetëdijshme që mos të tërhiqej nga kërkesa për pronësinë.

Besoj se të dyja bashkë e bënë atë burrneshë të kapërcejë kufizimet e atij sistemi primitive, një guxim i paparë dhe i padëgjuar ndonjëherë në ato anë.

Prezenca e gazetarës amerikane në ate Kuvend i vuri në një pozitë të vështirë krerët e fisit. Ata mundoheshin ta sqaronin mikeshën e huaj, se kjo nuk kishte ndodhur kurrë nëfisin e tyre, dhe se ajo ishte nje ortek për fshatin.

Ata ishin kureshtarë të dinin më shumë për vendin ku jetonte Rose, se si veprohej atjepër te drejtën e pronës.

Rose, duke parë se spjegimet e saj binin ndesh me gjykimin e tyre, shkruan: “ Ishte jashtë fuqive të mia të interpretimit”.Nderkohë, Rose e quante të drejtë kërkesën e gruas se re.
Ajo u mahnit nga këmbëngulja dhe forca e karakterit të saj, edhe pse e vetme ne ate kuvend të burrave dhe pa asnjë mbështetje nga anëtaret e fisit, vazhdonte të mbronte të pandryshuar kërkesën e saj:

”Shtëpia është e imja, unë dua shtëpinë time”.
Kur situate u acarua midis asaj dhe parisë, njeri nga pleqtë u ngrit, por i pafuqishëm për të argumentuar kundërshtimin thirri: “A kanë pare malet tona një gjë të tillë në qindra –qindra vjet më përpara se të vinin turqit? Ajo është gogoli”.
Pergjigjja e gruas ishte: “Me këto duar e kam mbuluar çatinë, unë nuk do ta jap shtëpinëtime”.

Ne fund, kryetari i fisit i ndodhur në shtëpi përballë miqëve të huaj ,u detyrua ta sqaronte
më mirë problemin e hapur. Ndër të tjera ai tha: ”Shtëpia i takon fisit dhe jo një njeriu.Asnjë prej nesh nuk mund të thotë se kjo është shtëpia ime, sepse ne jetojmë të gjithëbashkë. Kështu ka qenë edhe përpara se të vijnë romanet dhe kështu do të jetë gjithmonë”.
Kur pjesëtaret e fisit iu pergjigjen unanimisht kryetarit ”Të lumtë goja!” Gruaja e re u ngrit e revoltuar dhe pa folur asnjë fjalë e la kuvendin, ku vetëm kercitja e derës e prishi qetësinë e krijuar pas fjalës së fundit.

Rose, që gjithë kohën kishte observuar qëndrimin e gruas se re dhe e kishte miratuar kërkesen e saj te drejtë, e përshkruan me detaje pamjen e saj fizike dhe shpirtërore në ate moment kritik.

”Ajo u largua nga dhoma e debatit pa përshëndetur, por ajo grua kurrë nuk do të pushojë së kërkuari shtëpinë e saj. Ajo kurrë nuk do të jetë e qetë,deri sa ta marri pronen e vet.Aty, shkruan Rose, vepronte ligji i LEC-it(Law Enforcment Command)

Gjithë këto që Rose i shkruante në veprën “The Peaks of Shala,” u bënë pjesë e asaj filozofie që mbronte me forcë pronën private dhe të drejtat e individit në veprën “Zbulimi i Lirisë”.
Aty Rose demaskon, kolektivizimin në B.Sovjetik ku ajo takoi fshatarë të uritur nëGjeorgji, Azerbaixhan …. , të cilëve u kishin marrë tokën forcërisht dhe jetonin të dëshpëruar në ate realitet të nxirë.
Vënia përballë e Komunizmit primitiv me ate “modern”qenë një burim për analisten për të argumentuar vlerat absolute të lirisë e të pergjegjësisë personale. Ne veprën “The Dicovery of Freedom” (Zbulimi i Lirisë),ajo filtroi mendimet dhe eksperiencen e saj shumëvjecare,pikënisje për të cilën ishte malësorja shqiptare që mbrojti me forcë pronën private.

Në këtë vepër Rose qëndroi konsekuente deri ne fund e pikëpamjeve të saj, duke ngritur lart të drejtat natyrale të njeriut dhe duke u bërë pjesë e asaj filozofie që ka në bazë kundërshtimin e tiranisë kudo në botë.Kjo kërkesë për pronën private vazhdon edhe sot pas 100 vjetesh nga jugu në veri kur grabitja dhe tjetërsimi i pronave është bërë evidente; vazhdon të ndihet zëri i Gruas se kjo pronë më përket mua,toka, shtepia ……është trashëgim nga gjyshi,babai dhe puna ime / Nga Pertefe Leka- Gazeta Dielli/ KultPlus.com

Shkrimtarja amerikane në librin e saj “Majat e Shalës”: Do të doja shumë të isha një shqiptare e Malësisë

Ekspedita e Rose Wilder Lane, një shkrimtareje amerikane e cila në vitet e 20-ta vendos së bashku me ekipin e saj të vizitojë Shqipërinë, më saktësisht viset malore të saj, duke marrë përsipër rreziqet e shumta të asaj kohe, është e përmbledhur në librin “Majta e Shalës”, shkruan KultPlus.

Rose së bashku me disa miq të saj shqiptar, ndër ta edhe Rrok Perolli, funksionar i qeverisë shqiptare i cili shoqëron ekipin e saj deri në Theth të Shkodrës, vise të pa eksploruara më herët nga të huajt madje edhe nga vet shqiptarët, kishin realizuar këtë ekspedit që për të mbetet ndër më të veçantat.

Libri i cili në fakt është një udhëtim disa ditor në Malësinë e Shkodrës na prezanton me të vërtetat e popullit shqiptar i cili ishte shumë pak i njohur për botën e jashtme ose thënë më saktë i njohur për egërsinë dhe Kanunin e Lekë Dukagjinit i cili ishte ligji i vetëm në thellësinë e malësisë, atje ku vështirë mund të depërtoje.

Por, ajo çka e bën librin “Majat e Shalës”, që mund të thuhet pa frikë, se është libri më i mirë i shkruar për Shqipërinë nga një i huaj, është pikërisht këndvështrimi prej shkrimtareje i Roze Lane-t, i cili kapërcen interesat antropologjike, historike, politike dhe gazetareske. Më konkretisht, Lane shprehet: “e tëra ajo që ne e quajmë qytetërim, është si një melodi që e kemi dëgjuar dje, diç e vockël që lundron mbi suprinën e mendjeve tona, me të cilën herë-herë mund ta mbajmë hapin dhe pastaj për një hop na humbet, kështuqë nuk mund ta mbajmë në mend.”

Për librin në fjalë, Rose shprehet se: “kjo vepër nuk përmban ndonjë aspekt ku mund të ketë ndikime politike apo diçka tjetër e cila mund të keqinterpretohet apo trajtohet ndryshe, kjo vepër  është një rrëfim pa ngjyrime politike apo të bazuar nga rrëfime dhe tregime të ngjashme për shqiptarët, këtu mund të shohim diçka të ndjerë dhe përjetuar nga vetë unë dhe ekipi im së bashku me miqtë e mi shqiptarë të cilët bënë të mundur rrëfimin tim.”

Në këtë vepër përshkruhen doket dhe zakonet e shqiptarëve, rrëfimet e mahnitshme folklorike, përrallat me zana dhe ore, këngët e trimërisë dhe ato të dashurisë, veshja e malësoreve shqiptarë, mikpritja dhe portreti i atyre njerëzve të cilët shpalosin një botë në vete, një epokë që në Evropë dhe përtej oqeanit kishte përfunduar kohë më parë.

Këta njerëz shpalosin atë që Evropa e kishte fshehur dhe mohuar për dekada dhe Shqipëria ishte bërë pre e shumë tryezave të rrumbullakëta në kontinentin e vjetër.

“Sikur të udhëtoja në kohë, do të doja shumë të kisha qenë një shqiptare e Malësisë së Shqipërisë në këto vite. Do të kisha pasur fatin të jem pjesë e një populli të varfër nga jetesa dhe ekonomia por të pasur shpirtërisht”, shprehet Rose në një nga rrëfimet e saj.

Ky libër dhe kjo ekspeditë e një gruaje, shkrimtare, gazetare, Miss Lejn i tregon botës se si kanë qenë në të vërtetë shqiptarët, njerëz bujar, mikpritës të dashur dhe me një dashuri të madhe për token, traditat dhe shkollimin, dëshira e madhe për t’u arsimuar, sa herë përmendej shkolla vërehej menjëherë një entuziazëm në sytë e tyre, dëshira e tyre për të mësuar dhe shkruar ishte e madhe edhe pse kushtet në të cilën jetonin ishin të mjerueshme… kishin mendje fisnike. Mysafirët ishin të respektuar, ndërsa gjakmarrja mbizotëronte, ishte ligji i vetëm në Malësi, armikun e kishin afër, duhej të mbroheshin disi, edhe pse ligji i Kanunit ishte vetë jeta për ta.

Këto janë vetëm disa nga tregimet që shkrimtarja amerikane ja rrëfen botës për një popull që ndoshta pak njihej atë botë. / KultPlus.com

Shqiptarët e viteve 1920, në sytë e amerikanes Rose Wilder Lane

Nga: Luljeta Lleshanaku

Kur Roze Lane po vizitonte një kamp refugjatësh në Shkodër, qe bashkëqytetarja e saj Frances Hardy që e joshi të shkonte me të në një ekspeditë për hapje shkollash në Alpet e veriut, duke i thënë: “Kostandinopoja s’është gjë prej gjëje; çdokush vete në Kostandinopojë. Por, nëse nuk sheh Shqipërinë, ke humbur rastin më të madh në jetë… Për të madhin Skot, grua! Dhe ti më rri këtu dhe më flet për Kostandinopojën!”

Me sytë e një amerikaneje

Ajo që Rose Lane dinte për shqiptarët deri atëherë, mund të përmblidhej në një epitet të vetëm: “banditë.” Pra, ky qe momenti kur udhëtimi i Rose Lane mori një kthesë krejt të papritur, drejt maleve të Veriut të Shqipërisë, ku sipas Francesës, njerëzit jetonin siç kanë jetuar para njëzet shekujsh. Megjithëse tashmë Lane kishte shëtitur një pjesë të mirë të botës, aventura që e priste përpara, nuk kishte asgjë të përbashkët me përvojën e saj.

Si pjesë e ekipit, asaj iu desh të ecte mbi mushka apo në këmbë, duke u përballur me kushte shumë të vështira të relievit dhe me një presion të vazhdueshëm psikologjik, në një botë krejt të panjohur për të. Gjithçka që i shfaqet me shpejtësi para syve, përbën një shok kulturor për Lane-in, duke filluar nga peizazhet përrallore të Pultit, Shalës dhe Thethit, mitet, legjendat, kodet e komunikimit e deri tek gjakmarrja, institucioni më i ashpër ligjvënës për ta.

Për shkak të pneumonisë, Rose u detyrua të ndërpriste parakohe qëndrimin e saj në male, dhe më ndihmën e Rexhë Metës, djalit dymbëdhjetëvjeçar, inteligjent dhe që fliste një anglishte të shkëlqyer, i cili në kthim i shpëtoi edhe jetën, ajo u kthye në Shkodër, duke i dhënë fund udhëtimit të saj të parë në Shqipëri, në këtë vend, me të cilin, Rose Lane do të hapë një histori të gjatë dashurie.

Shënimet e këtij udhëtimi, Lane i botoi në librin “Majat e Shalës” në vitin 1923, dhe pati një sukses të menjëhershëm, saqë u ribotua edhe dy herë të tjera radhazi. Por, për Lane, ky do të ishte vetëm fillimi, sepse ajo do të rikthehej në Shqipëri.

Në vitin 1926, për të tretën herë Rose Lane do të kthehej me një miken e vet shkrimtare fotografe nga Parisi në Tiranë, me një Ford të cilin ajo e quante “Zenobia”, me qëllimin që të ndërtonte një shtëpi e të shpërngulej përgjithmonë këtu. Për fat të keq, për arsye familjare, ky plan nuk funksionoi dhe Roze Lane u detyrua të kthehej në Amerikë në fillim të vitit 1928.

Ky vit, përkon me kohën e Depresionit të Madh dhe, për arsye financiare, një udhëtim tjetër në Shqipëri qe i pamundur. Por, kjo lidhje e Roses me Shqipërinë, do të vazhdonte në një mënyrë tjetër, pas mbylljes së kufijve politikë, përmes historisë së saj me Rexhë Metën, djalin e vogël jetim që e shoqëroi në Alpet e Shqipërisë, të cilin edhe e adaptoi.

Habia e bajraktarit të Shalës dhe dilemat e saj

Por, ajo çka e bën “Majat e Shalës” librin, që mund të thuhet pa frikë, se është libri më i mirë i shkruar për Shqipërinë nga një i huaj, është pikërisht këndvështrimi prej shkrimtareje, i cili kapërcen interesat antropologjike, historike, politike dhe gazetareske. Zbulimi i këtij populli, që për arsye mbijetese, ishte konservuar në një epokë primitive, e ndihmon Lanein të reflektojë mbi kuptimin e progresit ose tendecën e civilizimit: çfarë e dallon njeriun e qytetëruar nga modeli primitiv? Pra cili është kuptimi i dymijë viteve qytetërim? Dhe më tej: çfarë e bën njeriun të kthehet kaq shpejt në fillesën e vet, në egërsinë e vet, dhe të institucionalizohet kaq lehtësisht me të, duke ndjerë të zhduken si të panevojshme brenda pak minutave, disa shekuj qytetërim? Më konkretisht, Lane shprehet: “E tëra ajo që ne e quajmë qytetërim, është si një melodi që e kemi dëgjuar dje, diç e vockël që lundron mbi suprinën e mendjeve tona, me të cilën herë-herë mund ta mbajmë hapin dhe pastaj për një hop na humbet, kështuqë nuk mund ta mbajmë në mend.”

Pasi i kalon tronditja e parë dhe pasi mësohet me të ftohtin, frikën, me urinë, me kushtet tejet primitive të jetesës, me një lloj minimalizmi ekstrem, autorja pëson një lloj katarsis; ajo pothuajse harron reflekset e jetës komode. Dhe, jo vetëm kaq: gjatë bisedave rreth zjarrit të cilat zakonisht zgjasin deri në orët e para të mëngjesit, Rose Lane ndjehet e pafuqishme në forcën e saj argumentuese, përballë këtyre burrave të pashkollë, por befasues dhe bindës me argumentet e tyre sa naivë, po aq edhe të mprehtë.

Duke i shpjeguar se ç’është martesa në Perëndim, ajo ndeshej me një habi të kësaj natyre, tek malësorët: “S’e kuptoj, pse u dashkan shumë para për t’u martuar?” Po kështu, për të ishte po kaq i pashpjegueshëm dhe sfidues fakti që në këto kushte primitive, “burrat dhe gratë janë shokë të mirë; pothuajse kurrë nuk grinden dhe u përkushtohen fëmijëve. Këtë do të mund ta shihni vetë”. Fakt që binte në kundërshtim me pozitën kanunore të femrës në atë bërthamë shoqërore, por, në të njëjtën kohë, ringre çështjet e emancipimit, individualizmit, në shoqëritë materialiste. Gjithashtu divorci, prona private, ligji (“I vetmi ligj është ligji moral”), në mënyrën e tyre të organizimit, krijojnë ngërçe logjike (që fillimisht duken si ngërçe të përkthimit) për të dhe, në të njëjtën kohë, rrisin simpatinë e saj për këtë popull, të cilin ajo nuk e kishte hasur më parë.

Rose Lane magjepset nga kureshtja e këtyre njerëzve të izoluar për të njohur dhe kuptuar, në mënyrë empirike, ligjet e natyrës dhe botën. Ajo citon Bajraktarin e Shalës: “Nëse Toka e fortë është e rrumbullakët, dhe nëse uji qëndron në të i lakuar, atëherë Toka lëviz me shpejtësi të madhe. Se po të rrinte toka në një vend, atëherë uji do të binte”, shprehje për të cilën Roze Lane thotë se “e ndjeja veten fëmijë para asaj mendjeje, pra një njeri me të cilin nuk mund të merresha me çështje të vogla, siç ishte gjetja e një mushke për të vajtur disi deri në Shkodër”.

Ajo gjithashtu magjepset me faktin që edhe brenda ligjeve të ashpra të Kanunit, ku gabimet paguheshin me jetë njerëzore, në mënyrë paradoksale përfshihej një lloj fisnikërie mjaft prekëse, si p.sh., askush nuk lëndon një grua dhe askush nuk merr gjak në sy të grave. Apo se si i ati qëndron me vrasësin e të birit nën një kulm dhe sigurohet për jetën e tij, përsa kohë është mysafir në konakun e tij, dhe më pas, me marrëveshje, hyn në fuqi ligji i hakmarrjes.

Kjo metamorfozë, ky udhëtim mbrapa në histori fashit gjithashtu dy nocione bazë të qytetërimit modern, që janë: hapësira dhe koha (“Shtëpia ime është vetëm dy male matanë. Aty jeni të mirëpritur”, shprehet Qerimi).

Por, syrit të saj nuk i shpëton as ndjeshmëria që shqiptarët tregonin ndaj fesë së njeri-tjetrit; se si një natë, ata pritën darkën deri pas mesnatë, “sepse mikpritësit kishin vetëm mish derri për darkë e meqë Rexha ishte muhamedan, duhej respektuar, ndaj dërguan dikë në fshatin fqinj, tre orë larg, të gjente disa vezë që të mund të bënin darkën e tij”!

Pas tri minutash bisedë me Ahmet Bej Matin…

Pikërisht, një vit më vonë, në vitin 1922, Rose Lane kthehet sërish në Shqipëri, duke u bërë dëshmitare e revoltës së dibranëve me në krye Cen Elezin, një rast që i mundësoi asaj të njihte nga afër Shqipërinë zyrtare dhe sidomos Ahmet Zogun, princin e Matit, për të cilin kishte dëgjuar të flitej aq shumë në malet e Shqipërisë. Ky kapitull, që është edhe i fundit në libër, zbulon cilësinë e një vëzhgueseje të hollë në përshkrimin e karaktereve. Një ndër ta ishte pikërisht Ahmet Zogu. “Ai ishte i mprehtë, i vetëpërmbajtur, vullnetplotë. Kjo ishte përshtypja e parë”, apo “ishte ai burrë që vishej më mirë nga të gjithë, në kuptimin evropian, nga çdo njeri që kisha parë për një kohë të gjatë. Vishej si një biznesmen amerikan, që i ofron carte blançe një rrobaqepësi shumë të mirë dhe i harron rrobat”. Dhe, pa e fshehur simpatinë e menjëhershme për Zogun: “Ky ishte njëri prej njerëzve të paktë të mëdhenj që kisha takuar”.

Gjatë kthimit triumfal në Tiranë, pas thyerjes së revoltës, Rose do ta përshkruante Zogun në këtë mënyrë: “Një fytyrë e zbardhur dhe errësirë nën sy, sy që shohin thellë deri në fundin e gjërave…”!

Rrallëherë na ka ndodhur të gjejmë një portret fizik dhe psikologjik, kaq të detajuar të mbretit Zog, pavarësisht natyrës së tij karizmatike për të gjithë ata që e kanë njohur. Por, pak më tej, Lane zbulon edhe qartësinë e tij, natyrën pragmatike, por edhe largpamëse politikisht të Ahmet Zogut, duke e plotësuar portretin e tij përmes këtij rrëfimi fill pas thyerjes së revoltës së dibranëve: ”Shqipëria ka nevojë për burra, për burra të mësuar. Çfarë jam unë, me këtë forcë në duart e mia kur s’mund ta përdor pasi jam i pamësuar? Nuk e njoh Evropën, Amerikën. Tirana ka nevojë për fabrika. Shqipëria ka nevojë për industri. Populli ka uri dhe është i leckosur. Kemi nevojë për një zhvillim kapitalist, jo pas njëqind vjetësh, por që tani. Atëherë, pse t’i gjykojmë dhe t’i varim (rebelët)? Paratë e tyre do të na duhen më tepër se trupat e tyre. Do t’i gjykojmë dhe do t’i gjobisim” (Me paratë e të cilëve, mendonte të paguante dritën elektrike në Tiranë)!

Dhe kjo njohje e shkurtër, i mjaftoi asaj: “Vetëm gjashtë shkencëtarë a biznesmenë janë heronjtë e mi. Pse pra, pas tre minutash bisedë me Ahmet Bej Matin, ia shtova kësaj liste timen të shkurtër, këtë të parë malësor të fiseve gjysmë të egra, i cili nuk merrte erë as nga shkenca e as nga biznesi modern”!

Kjo është pak a shumë historia që Rose Wilder Lane e shkroi dhe e botoi plot nëntëdhjetë vjet më parë, një histori shqiptare, që të trondit dhe ngre pikëpyetje për gjithçka kemi mësuar dhe dimë, për qytetërimin në të cilin jetojmë dhe sistemin tonë konceptual mbi botën, një libër që për nga pasuria e fakteve, personazhet e gjallë të pikturuar, rrëfimet dhe historitë e bëjnë atë një ngjarje të rrallë kulturore, që do t’i bënte nder çdo populli, në veçanti ne shqiptarëve, që pak kush na ka dhënë kaq shumë dashuri, kaq shumë shpirt.