“Si e verdhë e sëmurë” i Norika Sefës, me premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam

Filmi “Si e verdhë e sëmurë” / “Like a sick yellow” (2024) i regjisores Norika Sefa, me producent Mentor Shala, bashkëproducent Besnik Krapi dhe Norika Sefa, do ta ketë premierën në festivalin ndërkombëtar të filmit në Rotterdam, si pjesë e garës së kategorisë TIGER SHORT COMPETITION—ku sivjet garojnë gjithsej 21 filma.

Norika Sefa, fituesja e Çmimit Special të Jurisë për filmin “Në Kërkim të Venerës” (IFFR 2021), rikthehet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam për edicionin e 53-të me një histori magjepsëse të nxjerrë nga materialet arkivore të video kasetave të tregimeve familjare që nuk janë më. 

Filmi zhytet në kujtesën e Norës, ku realitetet shkrihen, e keqja dhe e bukura ndërthuren derisa gjithcka përzihet për t’u formuar diçka tjetër. 

“Jam tejet e lumtur që po shkojmë në festivalin e Rotterdamit, një festival që gjithmonë e ka çmuar dhe festuar kinemanë e guximshme! Po ndihem tepër me fat dhe e përmbushur që edhe një herë kam pasur mundësinë të punoj me njerëzit që u besoj dhe me të cilët ndajmë vizionin e poashtu edhe dashurinë e njëjtë për filmin” është shprehur regjisorja.

Filmi është realizuar me mbështetjen e QKK dhe është prodhuar nga shtëpia filmike CMB. Festivali IFFR do të nisë me datën 25 janar dhe do të vazhdojë deri me datën 4 shkurt. / KultPlus.com

EBU ka vendosur që Eurovisioni të mbahet me artistë në skenën e Rotterdamit

Bashkimi Evropian i Transmetimeve (EBU) së bashku me transmetuesit hollandezë dhe organizatorët e konkursit NPO, NOS dhe AVROTROS kanë botuar protokollin e gjerë COVID-19 për Shëndetin dhe Sigurinë për Konkursin e Këngës Eurovision, siç zbulohet në një njoftim për shtyp të ndarë sot, përcjellë KultPlus.

Protokolli i plotë detajon masat që të gjithë individët e akredituar (ata që punojnë ose garojnë në Eurovision Song Contest) do të duhet të respektojnë për të marrë pjesë në konkursin në Roterdam.

Martin Österdahl, mbikëqyrësi ekzekutiv i Eurovision Song Contest, shpjegon:

“Fryma dhe tradita e Konkursit të Këngës në Eurovision ka të bëjë me bashkimin e Evropës në një skenë dhe ne jemi akoma të vendosur për ta arritur këtë në Roterdam në muajin maj. Ne jemi duke ecur përpara me planet tona për të prodhuar një garë të sigurt të këngës në Eurovision, me të gjithë artistët që interpretojnë drejtpërdrejt në Roterdam. Ky protokoll demonstron përkushtimin tonë për ta realizuar këtë, me shëndetin dhe sigurinë e të gjithëve që marrin pjesë, përfshirë ekuipazhin dhe shtypin, si përparësia jonë kryesore.”

Sipas Skenarit B, numri i njerëzve në secilin delegacion është zvogëluar nga botimet e mëparshme, dhe numri i gazetarëve që mund të marrin pjesë në këtë ngjarje do të kufizohet gjithashtu në 500 me 1000 të tjerë në gjendje të mbulojnë shfaqjen në një qendër të re për shtyp online.

Më shumë detaje mbi planifikimin e paparashikuara për Eurovision Song Contest 2021 mund të gjeni këtu. / KultPlus.com

Dy projekte filmike të Kosovës në Festivalin e Filmit të Rotterdamit

Ka filluar festivali i filmit të Rotterdamit, pjesë e të cilit është edhe punëtoria Rotterdam Lab, që edhe këtë vit, falë partneritetit që QKK ka me CineMart, do të mirëpres përfaqësues të projekteve filmike kosovare.

Rotterdam Lab nis nga data 27 deri me 31 janar dhe pjesë e kësaj punëtorie pesë ditore do të jenë edhe Blerim Gjoci me projektin filmik ‘Kodra e Diellit’ si dhe Ujkan Hysaj me projektin ‘Hana’, të dy këta filma, të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Punëtoria Rotterdam Lab ka për qëllim avansimin e producentëve në zhvillim nga e gjithë bota dhe krijimin e mundësive për njohuri dhe ekspertizë. Kjo punëtori është e organizuar nga tregu për bashkëprodhim ‘CineMart’, i njohur si tregu joformal i filmit, i ndjekur nga një numër i madh i profesionistëve ndërkombëtar të filmit, të cilët janë të interesuar të investojnë në projekte të reja filmike. Ky program përfshin diskutime dhe punëtori me ekspertë nga industria e filmit.

Festivali i filmit të Rotterdamit është një ndër festivalet më të rëndësishme evropiane ku sivjet është edicioni i 47-të me radhë dhe gjatë dymbëdhjetë ditëve të festivalit, qindra filmbërës dhe artistë të tjerë paraqesin punën e tyre para një audience të madhe./ KultPlus.com