Xhevahir Spahiu, Rudina Çupi dhe Rovena Rrozhani fitues të ‘Fondit të Krijimtarisë Letrare’

Xhevahir Spahiu, Rudina Çupi dhe Rovena Rrozhani janë fitues të fondit nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, që mbështet veprat për botim.

Autori Xhevahir Spahiu me librin e tij “Një mijë dashuri” u shpall fitues në “Fondin e Krijimtarisë Letrare” ndërsa autoret Rudina Çupi dhe Rovena Rrozhani u shpallën fituese të “Fondit të Krijimtarisë Letrare për Fëmijë”.

14 vepra aplikuan këtë vit në QKLL për “Fondin e Krijimtarisë Letrare për Fëmijë” dhe një ditë më parë juria e kryesuar nga Persida Asllani, me anëtarë Flori Kasaj dhe Beti Njuma përzgjodhën tri veprat që do të mbështeten këtë vit nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për botim.

I mirënjohuri Xhevahir Spahiu u shpall fitues për librin “Një mijë dashuri” me motivacionin “Poezitë shpalosin bukurinë e jetës, duke përdorur një gjuhë estetike dhe fëminore plot muzikalitet dhe figurshmëri. Me larmi tematike nga historia kombëtare te natyra dhe jeta fëminore, ato sjellin ndjesi ë prekshme dhe vlera njerëzore”. Rudina Çupi u shpall fituese për librin “Ë-Ngrënësi dhe Ë-Vënësi” me motivacionin “kombinon rrëfimin dhe edukimin gjuhësor për fëmijët me një ligjërim të pasur dhe ilustrime tërheqëse. Libri edukon dhe argëton, duke nxitur dashurinë për gjuhën shqipe”.

Ndërsa autorja Rovena Rrozhani u shpall fituese për librin “Hana, vajza që kapi diellin” me motivacionin “vepra sjell historinë frymëzuese të një vajze që triumfon mbi të keqen, duke tërhequr lexuesit e vegjël në një udhëtim motivues. Gjuha e zgjedhur dhe ilustrimet dinamike  nxisin imagjinatë dhe kënaqësinë e leximit”.

Rovena Rrozhani, pjesë e kolanës ndërkombëtare të librit për fëmijë

Shkrimtarja për fëmijë, Rovena Rrozhani, është bërë pjesë e kolanës ndërkombëtare “Awake not Sleeping” reimagining fairy tales for a new generation”.

Libri i publikuar më 18 nëntor nëpërmjet një aktiviteti të mbajtur në Stamboll, është iniciativë e Zyrës Rajonale të UN Women për Evropë dhe Azinë Qendrore dhe përmban 28 përralla të ilustruara për fëmijë. Libri synon të ndryshojë mënyrën se si shoqëritë mendojnë për rolet, të drejtat dhe potencialin e grave dhe vajzave duke risjellë përrallat e vjetra në një narracion të ri dhe krijues.

Rovena Rrozhani është përzgjedhur nga mbi 100 shkrimtare nga 23 vende nga Europa dhe Azia Qendrore. Ajo u përzgjodh me përrallën “Hana, vajza që kapi diellin”, një histori e bukur dhe e rishkruar sipas motiveve popullore shqiptare, që sjell në një dritë, rrëfim dhe ngjyra të reja, historinë e vajzës së pasqyrbërësit, e cila shpëtoi fshatin nga mjerimi dhe errësira.

Përveç si gazetare dhe kritike filmash, Rovena Rrozhani është e njohur për publikun e vogël për krijimet e saj origjinale dhe që e kanë bërë një ndër emrat më premtues për të vazhduar traditën e pasur të krijuesve të letërsisë për fëmijë.

Firmën e saj mbajnë shumë krijime të njohura për lexuesit e vegjël si ”Po vjen Babagjyshi”, “Lëndina e arushëve” dhe “Fani në kërkim të dritës” me të cilin fitoi çmimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe çmimin “Bukinist” për vitin 2020. Ajo është ideuese dhe autore e librit të sapo botuar “Rozi dhe domatja kërcimtare”, ku për herë të parë realizohet një ndërthurje midis rrëfimit dhe recetave të gatimit, sjellë nga Dhurata Thanasi Daneri, krijuesja e markës “Luga e Argjendtë”./atsh/KultPlus.com