Edhe unë

Nga Langston Hughes
Përkthimi: Rozafa Kelmendi

Edhe unë, këndoj Amerikë.

Unë jam vëllau i errët,
më dërgojnë të ha në kuzhinë
kur vijnë miqtë.
Por unë qesh,
dhe ha mirë
dhe rritem e bëhem i fortë.

Nesër,
unë do të jem në tryezë
kur vijnë miqtë.
Askush nuk do të guxojë
të më thotë
“Ha në kuzhinë”
pastaj.

Përveç kësaj,
ata do të shohin se sa i bukur jam
dhe do t’u vie turp.

Edhe unë jam Amerikë.

Poezi e botuar në vitin 1926
Autori reciton vargjet:
Artisti: Langston Hughes
Albumi: The Voice of Langston (Zëri i Langston)

E premte

Poezi nga Rozafa Kelmendi

Me P – si te poezia
P – si parajsë, prind, pranverë
Ti kishe mujt me e pasë cilindo emën
E unë t’kisha njoftë
E t’kisha dashtë
Pernime

E premte – si përqafim i
Nanës
P – si pragu i shpisë
Qe sapo kaloj, bahem
fmi
E mveshem n’petk
t’lumtunisë

E premte
Si perëndim i diellit, paqe
Pranim i lutjeve
Emnues i përbashkët i dashnive t’mija.

Amira

Nga Miruna Vlada, përktheu Rozafa Kelmendi.

Që nga atëherë
kurrë më nuk i kam lënë flokët të më rriten
kisha flokët më të gjata në lagje

nëna ime e mbylli vetën në bodrum
dhe filloi të bërtiste
pasi që më pa.

I dëgjova tek flisnin në kuzhinë
‘Flokët e saj shpenzojnë shumë ujë
të gjithë ujin tonë për një javë
ajo s’ka çare pa i la flokët
por ne nuk do të kemi asgjë për të ngrënë
çfarë të bëjmë ?’

Fqinja jonë kishte gërshërë të mëdha rrobaqepësie
asaj nuk iu drodh hiç syni
kur i thashë që nëna më kishte dërguar.

Isha 16 vjeçe. Ishte një lojë.
doja të dukesha si djalë
doja të shpëtoja familjen time.

Kam mësuar të heq dorë lehtë
nga ato që kam vlerësuar më së shumti
kështu mbijetova, bashkë me familjen time.

Duart e saj u drodhën pak
po pëshpëriste një lutje derisa i shkurtonte
kur mora grumbullin e flokëve të zeza
në dorën time (duhet të ketë peshuar 2 kilogramë)
i ndjeva të lagura dhe të pista pak.

Fqinja jonë filloi të qante
dhe mallkonte Karaxhiqin
Edhe sot mund ta dëgjoj:

Oh, Josip Broz, në duar të kujt na ke lënë?

E dini, gratë më të moshuara janë më histerike
çdo humbje është e pandreqshme për to
edhe floku i prerë i lëndon
ato i ndjejnë humbjet thellë në shpirtin e tyre
thua se asgjë nuk mund të rritet sërish
edhe pse flokët gjithmonë rriten prap

ajo dhe nëna ime po më çmendnin.
Nuk arrija t’i kuptoja
kudo rreth nesh ishte vdekja
e ato po vajtonin flokët e mia

vëllezërit e mi s’do të kishin pasur çfarë të hanin
ishte e kuptueshme që unë të shkurtoja flokët
për të kursyer ujë
pasi që çdo familje kishte të drejtë
vetëm në 5 kova uji për një javë
flokët e mia
do të shpenzonin të paktën 2
ishte matematikë, jo tragjedi
ose unë nuk do t’i laja dhe do të mbushesha me morra
ose do t’i laja dhe do të lija familjen e uritur për 2 a 3 ditë

Epo,
në rastin tonë, matematika është tragjedi
si do të ishte e mundur të na mbetej diçka e natyrshme këtu?

Dëshiroja të mos rriteshin më hiç
që mos t’kisha nevojë t’i shkurtoja gjithë kohën.

I mbajta në një kuti
I mora me vete kudo.
Është sikur të kem gati valixhen gjithë kohën.

Megjithëse, frikësohem t’a hap
dhe ta shoh në sy brendësinë.
I vie erë e keqe.

Kur sheh kutinë,
burri im më thotë
‘Është një grumbull flokësh, i papërdorur
le të bëjmë diçka të mirë me të
le t’a shesim atë në një dyqan parukesh’.

Ai ka dëgjuar disa nga tregimet e familjes sonë
sipas të cilave kisha pasur flokët më të shkëlqyeshme në lagje.
Ato kishin arritur madhështi mitologjike në tregimet e tyre
ato ishin të pamatshme
ndoshta, flokët e zeza më të gjata në botë.

Tani, nuk ka më mitologji
është nostalgji
e ftohtë, si akull.

Jo, jo
unë nuk dua t’ia jap askujt ato
i lë të rriten aty, në kuti
i mbaj këtu
dhe e di se ndoshta një kokë diku
që po bëhet tullace dita ditës për shkak të citostatikëve
do të kishte nevojë për to
por unë nuk mund ta bind veten t’i dhuroj
u vie erë e keqe
ato flokë janë ushtari im
i vdekur për liri
unë nuk mund t’i dhuroj ato
unë nuk dua t’i falë ato, a është kaq e vështirë për t’u kuptuar?

Shkoni në dreq të mallkuar me të gjitha kokat e juaja tullace
unë nuk do t’i jap ato
nuk më intereson kanceri juaj
as paruket tuaja
unë jam shëndosh
unë që kam mbijetuar rrethimin më të gjatë në historinë moderne ushtarake.

Ndonjëherë shkoj në bodrum që të marrë nënën time
dhe e gjejë atë në errësirë, pa mend
duke goditur kokën e saj në mur

‘Do t’i mbaj, nënë, mos u brengos
I kam mbledhur të gjitha
dhe do t’i marr në shtëpi
unë nuk do të humbas asnjë fije floku.
Do të kemi supë gjatë gjithë javës.’/ KultPlus.com

Gëzimet e agjërimit

Poezi nga RUMI / Përktheu: Rozafa Kelmendi

Ka ëmbëlsi të fshehur në zbrazëtinë e barkut.
Ne jemi lahuta, as më shumë, as më pak.
Nëse kutia e zërit është e mbushur plot me asgjë, muzikë nuk ka.
Nëse truri dhe barku digjen pastër
me agjërim, çdo çast një këngë e re del nga zjarri.
Mjegulla pastrohet, dhe një energji e re,
të bën të nxitosh hapat që para ke.

Kur agjëron, zakonet e mira mbledhen si miq që duan të ndihmojnë.
Agjërimi është unaza e Sylejmanit. Mos ia fal atë
ndonjë iluzioni dhe të humbasësh fuqinë .
Por edhe nëse ke humbur gjithë dëshirën dhe kontrollin,
kthehen sërish, kur të agjërosh,
si ushtarë që shfaqen nga toka,
me flamujt që u fluturojnë sipër.