Vitrina e butikut në Zhanë d’Ark mjegullohet prej hukamës së fshesares që thith’ mirfilli nji gacë natore. Mbështetë në shisën rrumeqe lidhun me spagë thasësh, kapërdin’ si n’jerm tymnajën djallëzore, mandej shkundë hinin e dalldisë që i mpinë rranzat e kofshëve t’epshume marrisht nga vikama e drujtë e manekinit. Krejt përhupshëm, i ngjeshet edhe ma fort vitrinës e harrohet n’nji përqafje krahësh kallkan, ku varet nji etiketë me ulje çmimi…
Po semafori din veç me përqeshë e ajo përmendet tue shtypë me thembër bishtin e fikun të andrrës. / KultPlus.com
Shoh tek aviten tehe të kithta, tehe gri, tehe që përpushen prej padurimit e turren me thye ndër 100 gastare blunë e tutlueme të syve. Uli grrilat e qerpikëve me shpresë se imazhi i mbramë ka me u zhba në mozaikun inatçor të pendesave… Medet, edhe kët vjeshtë, grizhlat harruen me lanë nji pupël të bardhë mbi parvazin e mallit tem të mrrolun. / KultPlus.com
Ec kadalë kah pusetat që kapin pisk bordurën si çatallat palen e fustanit, shkepun prej furisë së nji dashnie fundvere. Shkapërce gështenjat e egra që presin t’zgaquna bri gjunjve paksa të hapun të parkut e marrohen prej lamtumirash gjembaçe që kurrë s’e mbajten fjalen. Ndalu te rrugica që varet si etiketë në mangen e qindisun me sekrete grrilash e hyn symbyllun në oborrin ku nji qen ruen paqen e luleborave… / KultPlus.com
A e ndin ofshamën e oxhakve që shprazin dufin si shtëpiaket grindavece që harrojnë unin porse dinë përmendësh dashnoret e nji personazhi n’telenovelën rishtake… Qyteti ka ngri e ti mund ta ndjesh ma s’mirit atë aromë unike që t’kujton votrën sado larg t’ketë çu fati. He, ndalu nji hop e merr frymë thellë aq sa krahnori të t’mbushet… por ti s’e din për çka ke mall ma fort veç ndjen se jehonat rrinë pezull prejse kërkojnë trokun e rrugicës që t’çon n‘shpi… Oxhakët prore shprazin duf e kërkush ma mirë se ato s’ta sjell mirazhin e përhanun t’pragut teksa pret përmallshëm zhumhurin e hapave t’harruem…/ KultPlus.com
Njashtu kabah e i dalun bojet me krahë të hapun si përqafim surreal dremit bri arës së mbjellë me vetmi dordolecësh. Mbi të ulen pa kurrfarë ceremonie stinë kujtesëhupun, xhapikë indiferentë ndaj epsheve ylberore apo hije gjatoshe muzgjesh… Kulltuku që dikur heshtonte n’nji odë me simetri të frikshme, tash ruen intimitetin e kërcejve cullakë që presin drapnin për me i shkrra përtokë si dashnorët që paguajnë me orë në hotelet periferike…
Dikush që e din mirë se sytë mbyllen veç kur andërrojmë, puthim, lutemi a vdesim e ka vu bri arës së mbjellë stacionit ma sublim të nji rrugtimi./ KultPlus.com
Nëse e hasë kund, shtegut përkah theqafen motet diftoji se i kam fiksue në bardhezinë e fotografive frymimet që s’iu bindën përditës obeze teksa flirtonte si prostitutë bri urës me parmakë dëshirash. Diftoji se i kam plot gotat që nguten me u cakrrue netve, kur shpirti i falet shkumës së birrës e buzët belbin nji melodi shpalosun pengjesh. Nëse e hasë kund, bregut ku gjurmët e ardhmënive zhbahen si dashnitë e gocave me zhguell kërrusun sekretesh, diftoji se ia kam marrë detit nji grusht zbaticash sa me mbushë orën e ranës që përmbyset saora e më ban me fillue sparit. Nëse e hasë kund, … Kurgja mos ban, veç lene me shkue./ KultPlus.com
Vjen nji orë kur qyteti kotet tue u mbështetë në çagje oxhaqesh, njajtë me fshesaret natore që mbështeten përhumbshëm n’bisht t’cingares. Vjen nji orë kur asgja s’bëzan përpos tik-takut imagjinar t’orës që s’mbahet mend qysh kur u zhgul përdhuni prej kullës së pagëzueme prej nji inglizi. Vjen nji orë kur ministri e lypsari shohin andrra perverse, kur manekinët bahen realë e dashnorët virtualë, kur semaforët pulsojnë e taksistët gërhasin, kur peshkatarët struken mes kapërthime rrjetash e pulbardhat ndihen si engjëjt në tavanin e kishës. Vjen nji orë kur qyteti kqyret mbi syprina ujnash t’lame n’hanë, kur bryma i përgjet hukamës së lutjes që shprazet në atë vijën naziqe të horizontit …
e kurgja e jashtëzakonshme nuk ndodh veç qyteti nis me frymue prore… / KultPlus.com
Asht plakë ura mbi Bunë… ndër damarë t’dërrasave gdhendë me premtime peshkatarësh përshkohet ushtima e thembrave t’çame t’pelegrinëve teksa përshkojnë kuturu fatin. Parmakët kaperthehen me mirazhe përqafimesh virtuale, krahështrimë n’boshllek, destinue mos me provue kurrë magjinë e prekjes. Asht plakë ura mbi Bunë… Tashma hija hollake i shtriqet prajshëm mbi klithje vertikale pulbardhash kur therin petkun e praruem të liqenit si gjylpanat bashline degerminë e gjyshes.
Asht plakë ura mbi Bunë… Veç herë-herë kur harbimi i muzgjeve t’marrosuna ngjyen rrjetat e thinjuna nderun mbi të urës i skuqen mollëzat por kerkush s’e ven re hukamën që shrazë mbi flirtet e rrjedhave që palohen paqtë bri dremitjes shelgnore./KultPlus.com
N’shpinë me tavan andrrash m’ka mbetë veç jesteku i gjylpanave birue si tabarja gri e martesës që im atë s’e veshi ma atë dimën prejse tejat e koduen me hieroglife imcake. Kurrë s’i njehi gjylpanat, veç si n’jerm zhguli nji për me e përshkue me fill merimangash sa me arrnue fatin e me davaritë boshllëkun e odës. Koltrinat, njeshë mbas xhamash njajtë me fustanet e nuseve mbas mesnates, ma tjetërsojnë zanin e luleborave. Vijëzimet e sedefta t’kaçamillit mbi qylym m’cytin përkah portretet bardhezi. Asht po ajo buzëqeshje si ditën kur nusërova mes jaresh që firuen prajshëm…
M’ka mbetë veç jestëku i gjylpanave stacioni ma fatal i tana dashnive t’mia… / KultPlus.com
Më paska mbetë në xhep nji gocë deti që s’di cilit breg i mungon… E gjeta teksa palosja verën bashkë me do kokrriza kryeneçe rane e tri monedha që tringëllijnë si sirena portesh vetmitare…
Me shpindë t’vijëzueme prej mea culpash të njelmëta goca e detit rrokë mirazhin e nji dashnie që tash 100 vjet asht nisë prej bregut matanë. E ve njashtu krahapun mbi pëllambë me shpresë se vijat e fatit tem kanë me ia diftue shtegun përkah andrra. / KultPlus.com
Nji bulkth vetmitar rreket me sfidue zhumhurin qytetas që klithë me za krejet prej altoparlantesh shakshi, t’varun si kurbanë modernë tallavash. Kori i stonuem i tellallëve s’ka të tashme veç përshkon si rruzat në filispajë të shkuemen deri tek e ardhmja. Kalimtarët frymojnë si n’jerm n’qasje të mirazheve t’zhegintuna teksa kalamenden pergjatë pjacës te dekorueme me grrila brinjthyem.
Unë jam ajo radioja zaçjerrë me dy butona frekuencash me kode t’fashituna kaherë, që sillen papra’ në kërkim të nji stacioni qe m’pret qyshkur / KultPlus.com
N’jetë erdha at’ verën e rreshkun që u njom prej ujnave të zgrip-lindjes e u trand prej ulërimave amësore të denja për nji arie perfekte. Im atë m’njiti emën legjendash, kurse nana m’dha cicë deri sa nisa me ndenjë taaa… Anipse qava n’kupë t’qillit, gjyshja kambënguli me m’lidhë n’shpërgaj e kambët m’i zhyti n’sheqer kur lindi im vëlla. U rrita me marsh paradash e brohorima t’mnershme e për mbarësi më hodhen uje diten e parë të shkollës. Çdo verë lava n’oborr qylymin me thakë t’grimë tejet tue kërcye zbathët sipër tij si n’ceremonitë pagane. Ndër fletore matematike shkruva ditar e për dashnorët naivë përdora iniciale që tash kot lodhem me i çkodue… Ju recitova poezi nxanësve t’nji shkolle ndër male diku mes reales dhe absurdes mandej i qindisa n’gjergjef tana dëshirat si me dashtë me i ba zapt n’atë rreth t’tendosun si nofllat para vajit… Për ditëlindje nuk ndeza kurrë qira prejse i druhesha joshjes se mirazheve t’krijueme prej flakës së tyne t’rrejshme.
N’jetë edha at’ verën e rreshkun njajtë me këtë t’simjetshmen kur gjinkallat konkurrojnë me kangtaret e afisheve t’shkyme e une shuej etjen me krriklla kabahe birret n’lokalin me nji shkronjë mangut n’tabelë… / KultPlus.com
Vijmë prej qytetesh t’largëta destinue me na tërhekë kah vedi me hov zbaticash kryeneçe. Rrugtojmë kithtaz me stacionet vetmitare, që na joshin me farfurina kallpe e kureshtje udhëtarësh të përgjumun caqe t’fatit tonë endacak. Frymojmë me ritëm dashnish të pamujtuna sa herë zgripmotet na fusin ndër morsa mëdyshjesh që s’jena të zot me i kapërdi…
Tekemramja, çojmë me fund nji gotë ndër tavolina t’zhurmshme me disa karrige bosh aty-këtu e prore stivojmë dëshira në pazellin absurd të kalendarit rishtak… / KultPlus.com
N’qytetin tem mullagat lulojnë pa bujë si mirazhe të bjerruna ndër djerrinat që len peng historia e mbrame e dashnisë. Ylberi i petaleve i përgjet kopertës kafide t’palueme n’sepetin e pajës, ku varet nji dry naziq që kurrë s’u kyç… N’qytetin tem s’përban ma lajm pse shinat bien me rrëshekë e qylymat shkunden me pirajkë, as pse saksitë e mullagave t’sajueme me kuti boje lyhen me gëlqere e stivohen prajshëm bri pusit, pasqyrës ku kqyren gjokset e zgaquna t’reve… Çudi… sado rrekem me hamendësue s’di pse pos krejt luleve, n’qytetin tem, jaret s’ranë kurrë n’dashni me mullagat, që s’prajnë tue shprishë dremitjen e oborreve, ku teshat nderen me kapsa drunit e avllitë naltohen njaq sa kureshtja e kojshisë… / KultPlus.com
Mbramjeve, qyteti ka trajtën e nji gruaje paksa të kërrusun nga pritja, me shkulme thinjash ndër tamtha e make-up të errët, nergut me fashitë rrathët poshtë syve. Hapat ikacakë i fikin dashnitë si bisht cigaret me filtër të kafshume prej buzkuqit 24-orësh. Stacionet e periferive zbrazen me ritmin e tradhtive t’destinueme me plasaritë shpirtna, sa herë thembrat e statujës, atje n’sheshin ku flirtuem nen çader, përmjerren prej qejve rrugaçë.
Në t’zbardhun, qyteti ka trajtën e avullit që ngutshëm shprazet prej flegrash tue mjegullue andrrat që s’mbërritën me pritë agun… / KultPlus.com
Pritja s’ka formë krejt si mirazhet e nji rruge t’zhuritun zhegut. Pritja s’ka peshë njajtë me tymin e cingareve që pij papra’ n’ate lokalin ku reklama pulson nervoze shkulme verdhacuke drite. Pritja asht ajo gota e mbrame e birrës që mjafton me m’ba njirin ma t’lumtun a ma t’trishtë n’botë. Pritja m’shfaqet e tjetërsueme kur e ndryj me drynjt e varun n’uren e dashnive t’pamujtuna. Pritja i pergjet tabares së nanës që e ruej n’raftin me dru arre, anipse tejat e kanë qindisë me fantazina surreale. Pritja nuk ngutet prejse asht e sigurt se gjithqysh m’gjen n’vendtakim. Pritja perlotet e zgjatet si hije muzgu sa here e largoj prej vedit. Pritja asht tufa thinjave nder tamtha qe edhe pse i lyej te parukierja e lagjes e di mire se janë aty, gati me u rishfaqë. Pritja ka trajten e orës prej rane ku sekondi ka vleren e nji jete kesisoj e kam var n’qafë si medaljon me shpresë se ka me kthy kohën qe m’ka grabitë… / KultPlus.com
Prej shisës rrumeqe që shtyn dimnin në qoshk t’oborrit këpus dy krande cullake e i lidh kryq me fill t’kuq. Ky asht veç skeleti i kukllës që pret me veshë tesha t’reja prej teprica imagjinatash që i preva prej revistash t’ndalueme, me gërshanën e krastijes. Ngutem me ia vizatue tiparet me nji laps plumç-thyem që kajherë mënon me fiksue buzëqeshjen, prejse dora s’më bindet e boja hapërdahet mbi fytyrën e sajume me nji monedhë që im atë ma pat falë ditën kur ra bora e parë. Tash kuklla asht gati me pritë vjetin rishtak e mue s’më mbetet tjetër veç me kthye fletën e mbrame të kalendarit.
(vëllimi poetik “Nana i qindiste kryq dimnat”) / KultPlus.com
Pritjen teme t’copëzueme n’pazëllin e nji kalendari pagojc e vjerri vjetë për vjetë n’vjegcën e ngujueme n’plasat e murit t’odës pa tavan. N’vjegcë përshkohet si rruza n’pe ditëlindja rishtake… Përvjetë thuejse i njajti ritual, pos qirit që shtohet mbi tortë që, gjithqysh, s’asht i zoti me i ba ballë frymës që shprazet kur tham nji dëshirë. N’qasje të lavjerrësit n’vjegzë përkunden pritmënitë qysh kur nana m’endi pëlhurën e ardhmënisë e deri sot, kur pritjen e vjerri përhanshëm si tana ritualet pagane t’nji dasme, kur orizi i hedhun mbi vel bahet oguri i tana mirësive.
Vjetë për vjetë ju ve nji lak n’qafë ditëve që m’duhet me pritë e nisem shkujdesun dikutek pa destinacion të paracaktuem rrugtimi… / KultPlus.com
Ti, s’ke pse veshë tesha marrun hua prej stinësh të përdala, s’ke pse hupë nën maska tinzare sajue për gosti hijenash, s’ke pse pret biletë linjash strikte plot e përplot me andrra t’frigueme. N’valixhe s’ke pse ngarkon peshqeshe lidhun ny me kordele rrencake. Ti, s’ke pse hapë çadrën n’aeroportet ku retë përloten për dashnitë e pamujtuna, as pellgjet s’ke pse i shkapërcen me rujtë pa lagë çorapet që nana t’i bani gati për udhë. Ti vetëm hajde, ashtu si vjen malli, pa lajmërue… / KultPlus.com
A e din se biçikletën e msova para abetares e gjunjt e coptuem prej rrëzimit i lyva me pështym tue i hukatë fort, prejse m’erdh marre me qa… A e din se renda mbas makinës së ujit pa e ditë se mirazhet e zhegituna t’asfaltit kishin me u ba oazi i tana fantazive t’mia… A e din se çdo dimën nana m’thuri me gjypner nji xhup t’ri, me lesh t’shkepun prej xhupash t’vjetër e ndër ato motive naziqe u kapërthyen qindra dëshira t’pacake… A e din se krijova kukull pecet tue i ba kryq krandet e shisës rrumeqe e si krye i vuna nji pull të tabares së tim eti… E e din se shtatin e mata me metër rrobaqepsish e vizat n’mur i shkruva me laps plumçit… A e din se çimçakezin e sajova me qirat e ditlindjeve të festueme pa torta e për mbramje t’maturës flokët i ngriva me birrë… A e din se dashninë e parë s’ia rrëfeva as ditarit e tash kujtesa mënon me ma ripërtërie shijen e saj… A din se ma ka anda me hapë albumet me foto n’sepie e kajherë ndihem n’faj pse s’isha n’dasëm t’prindve t’mi…
Ti tana i din, malli jem veç sot pata mall me ia rrefye vedit.
Poezia ‘Nana i qindiste kryq dimnat’ nga Rozafa Shpuza
Kanga e gozhdës Asht nji gozhdë ngulun mbi shtëllunga plasash që harbohen si flokë shtrigash tue i dhanë murit nji pamje mitike. S’mbahet mend kush e nguli e çka ban saora atje mes sekrete bojnash, t’stivueme nji mbi nji si teshat e dekës në baulen e gjyshes. Asht nji gozhdë ngulun mbi mirazhe t’ujshme që ngutem me i fiksue ndër fotografitë bardhezi. Medet, edhe këtë pranverë harrova me i ba nji ny frymimit, kësisoj dashnitë u shprazën si rruzat e lutjeve mbi qylymin dalëboje prej pelegrinazhit të hapave. Asht nji gozhdë ngulun në mue që më mban varun, anipse tasheparë preki me gishta tabanin e andrrave. / KultPlus.com
Poetja nga Shqipëria, Rozafa Shpuza është një nga fitueset e poezive të koduara në kuadër të Manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2020″, shkruan KultPlus.
Kjo është bërë e ditur nga vetë Shpuza e cila njëherësh ka njoftuar se ky është edhe çmimi i dytë për poezinë e saj.
“Faleminders Gjilani! Kënaqësi për mu me kenë nji ndër fitueset e poezive të kodueme: Çmimi i dytë poezisë: “Baladë”, shifra “Vetëm 5 minuta”, ka shkruar ajo./ KultPlus.com
Shkodra përkundet prej shejtnisë së trinitetit: Kafja e Madhe – Kisha e Madhe – Arra e Madhe.
Në Shkodër kumontë e kishave e altoparlantët e xhamive i kurdisin sahatet asisoj që mos me ia prishë ritmin sho-shoit.
Në Shkodër turistët mund të këndojnë jare e gazetarët mund të intervistojnë regjisorin në skenë, teksa koncerti asht në kulmin e vet.
Në Shkodër ka polic për me drejtue trafikun e biçikletave.
Në Shkodër, kur ndonjena kërkon supë në nji lokal buzë liqenit, kamarieri ia pret shkurt: “Po na s’jena në kohë të qoftlargut, moj zote!”
Me nji marrëveshje të heshtun, në Shkodër, dugajt mbyllen në zheg. Prite Zot, ba me ra zilja e derës, tanë e dinë se mund të jetë o ndonji jabanxhi, o ndonji katundar, që përcillet me përgjumje mbasgrilash.
Në Shkodër mundesh me përshëndetë këdo e, pa asnjë dyzim, përshëndetja të kthehet e shumëfishueme.
Në Shkodër bahen bejte në lokale e klientët përfshihen kandshëm në humor e kangë, anipse nuk njihen ndërvedi.
Në Shkodër biçikletat e dinë vetë rrugën për në shpi. Birrat pihen me gjevrekë e uji i Rusit krahasohet me vajzat e Dudasit.
Në Shkodër, nama ma e madhe asht “t’rruftë Perja” ose “t’raftë e mira”, prandaj mirardhëshi në Shkodër, miq…/ KultPlus.com
Galeria Oda në Shkodër do të hap sërish dyert për artistë të shumtë dhe kësaj radhe me pjesëmarrje përtej kufirit shqiptar, shkruan KultPlus.
“Vita Via Est” mban emrin e ekspozitës e cila në shqip përkthehet si “Jeta është një rrugëtim” dhe sjell momentet kur bota është ndalur në lenset e 28 fotografëve të dëshmuar.
Nën ideimin dhe kurimin e artistes Rozafa Shpuza, Galeria Oda do të mirëpret syrin e publikut që nga 25 dhjetori duke filluar nga ora 17:00.
Në anën tjetër ajo çka do të përmbajë kjo ekspozitë janë fokusime nga distanca apo nga afër të detajeve të cilat kanë ‘ngacmuar’ vëmendjen e fotografëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Italia, Gjermania, Zvicra, Franca dhe Amerikë.
“Janë vështrime rrudhash, ngjarjet e pazakonta në historinë e njerëzimit, që na përshkojnë tërthoraz, vështrimi i pafajshëm i fëmijës që end në shpirt ëndrrën, apo i njeriut që ia kanë kryqëzuar qiellin në një kuti hekuri. Është vështrimi misterioz i gruas, horizonti përtej qelqit të dritares, dyshimi nga vrima e çelësit, apo kërshëria për të ditur edhe atëherë kur sytë kanë humbur shikimin e kërkojnë ndihmë nga lentet”, thuhet në njoftimin e ekspozitës.
Artistët puna e të cilëve do të shpaloset në ekspozitën “Vita Via Est Jeta” janë Adnan Beci, Alketa Misja, Arben Llapashtica, Ardian Fezollari, Armando Meta, Arton Humolli, Dali Alili, Dash Izairi, Denada Rushiti, Denisa Brahimi, Eduart Gjino, Erald Kraja, Ernest Baba, Eva Sula, Fahredin Spahija, Genti Shkullaku, Hazir Reka, Henor Haliti, Krenar Halimi, Mario Calivà, Mariposa Fa, Olsi Qazimi, Orjeta Myzeqari, Osman Demiri, Roland Beqiraj, Rozafa Shpuza, Vasil Qesari, Xheni Çun. / KultPlus.com