Shpuza publikon librin e ri: Shkruaj në gegnisht se kjo është gjuha e nanës, gjuha e vendlindjes

Medina Pasoma

Delikatesën e të shkruarit në dialektin gegë dhe frymëzimet e saja poetike tanimë i ka kurorëzuar në librin e saj të radhës.

Poetja shkodrane, Rozafa Shpuza ka publikuar veprën ‘’Nana i qindiste kryq dimnat’’, libër i cili edhe nëpërmjet kopertinës ka ardhë i qëndisur, shkruan KultPlus.

Shpuza është një nga poetet, vargu i së cilës është i mbështjellë me plotë simbolika. Gjuha e saj e të shprehurit dhe këndvështrimet artistike i ka tejet të  veçanta. Nëpërmjet takimit të lapsit me letër, ajo realizon dy qëllime në të njëjtën kohë. Në njërën anë e shprazë brendinë, duke i sjell lexuesve letërsi të mirëfilltë, e në anën tjetër e ruan dialektin të cilën e do gjerë në fanatizëm, gegnishten e bukur.

Pas një periudhe 4 vjeçare pa botim por, jo edhe pa frymëzim, përpara artdashësve të saj ajo shfaqet me vargjet poetike të librit të saj të katërt, të cilës i ka falur emrin ‘’Nana i qindiste kryq dimnat’’. Anipse botimi i kësaj vepre u shty për shkak të pandemisë, që ndaloi rrjedhën normale të jetës në rrafsh global, sërish ajo është optimiste, duke e vlerësuar ardhjen e librit për KultPlus si ‘’një dhuratë për Vitin e ri’’.

‘’Ndjesia ime është që arti dhe letërsia janë të vetmet emocione pozitive që depërtojnë thellë në shpirt e prandaj në asnjë mënyrë nuk duhet të cungohen apo të ndërpriten’’, nis rrëfimin e saj Shpuza, duke aluduar te gjendja e krijuar.

Poezitë përbrenda veprës ‘’Nana i qindiste kryq dimnat’’ janë ndarë në tre cikle, teksa redaktore e saj është poetja Ilire Zajmi. Frymëzimet e Rozafës kanë lindur nga vendi prej ku vjen, andaj çdo gjë që është kthyer në poetikë nga ana e saj, ka një realitet jetësor në përditshmëri.

‘’Ka shumë Shkodër në këtë libër, shumë detaje e rite, që do ta bajnë lexuesin me u ndi personazh i këtyre vargjeve dhe ky ka kenë qëllimi im, me sjellë atë çka po fashitet dhe që e ban vendlindjen teme unike’’, thekson Rozafa Shpuza.

Përderisa poezitë i ka përplot simbolika, ajo ka vendosur që edhe takimin e parë të lexuesit me librin ta bëj të tillë. Rozafa tregon se e tëra çka ka dashur ta përcjell te publiku ka marrë banim në titullin, i cili ka lindur nga një poezi me po këtë emër brenda librit.

‘’Në traditën qytetse, gratë qëndisnin me punë kryq motive gjeometrike që krijonin figura gati surreale. Kujtoj se nana ime qindiste netëve të dimnit me pejna të shkepun nga xhupat e vjetër, dhe si padashas krejt jeta ime përshkohet në atë gjylpanë, e cila qindisë papra kujtimet e fëminisë, misteret e qytetit, personazhet më tipikë të tij, përditën që përkundet prajshëm nëpër rrugicat me dyer kabahe’’, sqaron autorja e librit ‘’Nana i qindiste kryq dimnat’’.

Ajo të gjitha ndjesitë i ka hedhur në vargje dhe beson se shumëkush do ta gjej veten në to. Mirëpo, nënën si protagoniste kryesore të jetërave të shumë njerëzve, ajo ka vendosur ta lë në ballinë, nëpërmjet titullit. Por, prapë ky libër është ‘’i vogël’’ për të qenë dedikim për nënën e autores.

‘’E di se silueta e saj luhatet në çdo faqe libri, por nuk mund të tham se ky libër asht nji dedikim për të. Ka me m’u dashtë edhe shumë punë e përpjekje me arrit që një ditë me ba diçka që t’i afrohet naltësisë së figurës së nanës’’, shprehet Rozafa Shpuza.

Meqë libri ka aromë shkodrane, edhe dedikimi mund të tingëllojë se është për kohanikët e Shpuzës nga ky vend.

‘’Ndoshta ky libër u kushtohet bashkëmoshatarëve të mi, atyne që qeshën e qanë bashkë me mu rrugëve të Shkodrës’’, thotë ajo.

Mirëpo, frymëzimi i saj nuk mbetet vetëm në kornizat e Shkodrës. Ajo shkon përtej, duke e bërë që në çdo cak të gjej një muzë.

‘’Mundem me ndi një melodi qytetse, me pa një album të vjetër fotografish, me kenë tu pi me miq birra apo edhe kanga e bulkthit apo gugatjet e pëllumbave munden me ma grishë shpirtin’’, shpjegon autorja për frymëzimet e saja.

Ashtu siç i vijnë frymëzimet krejt në mënyrë spontane, edhe momentet kur shkruan i ka tejet natyrale.

‘’Poezitë ulem e i shkruej krejt shkujdesun, në një tavolinë lokali, në sediljen e një autobuzi kur udhëtoj, apo në seancat e gjata plenare ku më duhet me kenë prezente’’, rrëfen Rozafa.

Shpuza beson se librat e saj shërbejnë për përcjelljen e mesazhit të ruajtjes dhe kultivimit të dialektit gegë ndër breza.

‘’Krijimtaria është ndjesia më e thellë e shpirtit të artistit, kësisoj unë shkruaj në gegnisht se kjo është gjuha e nanës, e vendlindjes, e poetëve që i dhanë letërsisë shqipe vlera unike. Është mëkat me deviju nga gjuha me të cilën i shkruan vargjet e tyne gjigandët e letërsisë shqipe, si Mjeda, Fishta, Shiroka e shumë e shumë të tjerë’’, vlerëson Shpuza.

Në fund poetja shkodrane konkludon se për të poezia është mënyra më e brishtë për t’u sjellë kënaqësi estetike dhe shpirtërore lexuesve. /KultPlus.com

Tue bubrrue ndër kujtime

Poezi nga Rozafa Shpuza

Sa qesh’ fëmijë
s’mujta kurrsesi me e kuptue
pse gjyshja vente në gjoks nji copë sapun ermirë…
E mbështillte sapunin si ferishten në djep
dhe e fuste mes cicave të mëdha,
pa dashtë me ia ditë për brohorimat e grave
që parakalonin me kazma ndër duer.
Sa qesh’ fëmijë
admiroja kostumin e zi të martesës
që im atë e veshte në çdo festë a mort,
tue mendue se ai kostum mbartte magji
e prandaj ruhej me aq kujdes
në raftin ku t’i shponte hundët naftalina.
Sa qesh’ fëmijë
imagjinoja se tana fustanet e grave
janë prej basme me lule dalëboje
si i vetëm fustan veror i nanës
që lahej, terej e hekurosej përditë…

Si t’ia baj me tanë këto kujtime, malli jem,
tash që fotografitë bardhezi
më janë shkapërnda mbi prehën… / KultPlus.com

Fotografja Rozafa Shpuza: Artistët kanë krijuar shumë ma tepër tash se në një situatë të zakonshme

Xhemile Hysenaj

Vargun dhe aparatin i do shumë, e përmes tyre ajo shpalos pjesën më të bukur që struket brenda njeriut, artin. Rozafa Shpuza, poetja dhe fotografja shkodrane përveç e zonja në punën që bën, ajo njihet edhe për një person shumë të çiltër e të dashur, e padyshim që këto cilësi I hasim edhe në artin e saj që tashmë ka zënë një vend të rëndësishëm.

Në këtë kohë kur pandemia ka shpërndarë degët e saj edhe në Kosovë e Shqipëri, artistët nuk janë dorëzuar përballë izolimit, por kanë shfrytëzuar këtë kohë për të sjell sa më shumë art për njerëzit që po luftojnë me një virus krejt të papritur.

‘Ditari i një stine të mrrolun’ është projekti përmes së cilit Rozafa Shpuza ka fokusuar momente nga kjo situatë krejt e pazakontë për njerëzit. Ky Projekt Brenda vetës ndërthurëemocione të mëdha të pasqyruara në portretet e njerëzve e rrugët e boshatisura.

Në një intervistë për KultPlus, Rozafa tregon më shumë rreth ditëve të saj si artiste në karantinë dhe artit të saj që kësaj radhe vjen përmes fotografisë.

KultPlus: Virusi Covid-19 ka sjell një situatë të jashtëzakonshme për të gjithë njerëzimin në botë, por arti po konsiderohet si forma m e mirë për të tejkaluar këtë situatë të izolimit. Si po e përjeton karantinën një artiste si ju?

Rozafa Shpuza: Kjo pranverë më befasoi skajshëm me fatalitetin që ajo përcolli. Lajmet e kobshme që vinin nga Italia fqinje po tronditninpareshtur, me një ritëm makabër, mbarë botën dhe vetëdija e gjithsecilit nuk qe e zonja me arsyetue ekzistencën e ardhmënisë pas kësaj situate tejet të dhimbshme e të dalun jashtë kontrollit. Ditët e para të ngujimit qenë të ngarkueme me ankth, frikë, pasiguri, mandej u ambientova disi e fillova me krijue për mos me e lanë vedin me ra në pesimizëm. Kam fotografu shumë nga dritaret apo edhe veten, meqenëse ishte e pamundun me takue njerëz. Kam filluepër herë të parë me pikturu e kjo më dha një adrenalinë të pashoqe, si dhe kam krijuetasheparë vargje apo prozë të shkurtë, sipas muzave të çastit.

KultPlus: ‘Ditari i një stine të mrrolun’ ka fokusuar kryesisht imazhe njerëzish, pse jeni përqendruar pikërisht tek imazhet, çfarë ju pëlqen të fokusoni më tepër?

Rozafa Shpuza: Më pëlqen shumë fotografia e rrugës, se aty arrij me fiksue personazhe në jetën e tyre të përditshme, ashtu origjinalë, të patrukuem, pa marrë poza si në një foto në studio. Këto ditët e ngujimit kam realizue shumë fotografi të tilla e albumi jem i titulluem “Ditari i nji stine të mrrolun” po plotësohet çdo ditë me foto të reja. Ky album, përveç vlerave artiste mbart në vetvete edhe vlera sociale e historike, se dokumenton historinë e personazheve të zakonshëm në këtë kohë pandemie.

KultPlus: A mendoni se në këto kohë për një artist vlen thënia ‘Më jep një dhimbje të jap një kryevepër’?

Rozafa Shpuza: Shprehjen “Më nep një dhimbje, të të jap nji kryevepër” e kam pas përdor në kohën kur shkruva librin tem të parë “Kohë ikonash”. Ishte koha kur im atë po jetonte ditët e fundit e kjo dhimbje më dha forcë me krijue. Edhe në këtë pranverë të mrrolun kam krijue shumë. Si duket vetëdija jeme reagon skajshëm ndaj ekstremeve emocionale.

KultPlus:Fotografia juaj mund tëpërmblidhet ndoshta me fjalën ‘çast’, por ju pretendoni të përçoni mesazh përmes këtyre fotografive apo thjesht i realizoni sepse i ndjeni ?

Rozafa Shpuza: Kurrë nuk kam mendue se çfarë kanë me përçue fotot e mia. Fotografia jeme asht nji reagim i beftë, asht frymë, asht dëshirë me ngri nji çast, me e përjetësue. Ndoshta, kur fotot grupohen nëpër albume apo ekspozita të ndryshme, u jepet mundësia artdashësve me marrë emocione secili sipas mënyrës së vet. Jam kundër arit shabllon, artit komercial, artit të stisun vetëm për me përcjellë interesat e nji pjese të caktueme të shoqnisë.

KultPlus: Situata që është krijuar nga pandemia është parë në këndvështrime të ndryshme, madje shumë zëra kanë radhitur edhe anë pozitive të kësaj situate, po ju si e shihni në këtë aspekt ?

Rozafa Shpuza: Nuk mundem me mendue se nji ngujim i detyruem mbart anë të mira. Kam ndie nëpër media disa intervista kallpe, sikur u desht kjo pandemi për me e kuptuerandësinë e familjes. Më duken krejt të pasinqerta këto deklarata e nuk jam hiç darkord me to. Mundem me thane se ky ngujim më bani me u ndalë nji hop, me u shkëputë nga rutina, me ndërrue orare kryeneçe e plane të miroganizueme, me frymue me tjetër ritëm, me pa përtej axhendës ditore bajate dhe me e pa ardhmëninë me të tjera ngjyra.

KultPlus: Karantina duket sikur i ka aktivizuar artistët, a mendoni që ka ndikuar kjo kohë izolimi që artistët të jenë edhe më aktiv se zakonisht ?

Rozafa Shpuza: Nëpërmjet publikimeve në rrjetet sociale kam vue re me admirim se miqtë e mi artistë kanë krijue shumë ma tepër se në nji situatë të zakonshme. Kjo më ban me besue se pas kësaj pandemie kena me pasënji vërshim ekspozitash, librash, veprash muzikore e gjithëçka tjetër që ka lidhje me artin e letërsinë.

KultPlus: Cili është mesazhi juaj për lexuesit tanë në këto kohë pandemia?

Rozafa Shpuza: Unë mundem me ju rrëfye lexuesve të KultPlusit se cila asht motoja jeme në këtë kohë pandemi e ata janë të mirëpritun me e marrë ose jo si mesazh: Me jetuetue i dhanë kuptim çdo çasti… / KultPlus.com

‘Tashma jam mësue me i shkapërcye ditët, pa u rrekë me hamendësue se cila ditë e javës asht’

Nga Rozafa Shpuza

I dashtun ditar,

Nuk e di çfarë ditët asht sot. Shpija e vjetër ka kohë që ia ka mohue vedit luksin e të mbajtunit kalendar, anipse gozhda pret te i njati vend, si dashnorët e vonuem që kanë humbë orën e takimit. Tashma jam mësue me i shkapërcye ditët, pa u rrekë me hamendësue se cila ditë e javës asht. Herë-herë, dal në ballkon me shpresë se orgjitë e qejve të rrugës po shprishin caqet e liridaljeve dhe tellallët, që s’prajnë tue m’përditësue me fatalitetin e kësaj pranvere të mrrolun, po lajmërojnë fundin e çmendunisë.

Shkretia e rrugëve më krijon ankth dhe ma cytë kujtesën me bubrrue ndër përjetime thuejse të fashituna nga kujtesa…

Kujtoj kohen kur fillova punë si mësuese… Kaq e humbun mes malesh ishte shkolla ku nepja mësim, sa frika se edhe mue po vijshin me m’i pre u flokët si mësueses te nji film i kahershem bardhezi, më kishte kaplue e imagjinata jeme endte skenarë nga ma surrealët. Imagjinoja se gogolët po vijshin natën me gërshana të ndryshkuna…, ose po ia behnin në derë të klasës me dritare të kristalizueme prej acarit…, ose po shfaqeshin prej mbas gardhit të mpleksun me nji kod mitik, kur hapëzoja mbi borën e ngrime…

Si me dashtë me davaritë këto vegime të rrejshme, sot mora gërshanën dhe i lash dorë të lirë fantazisë…
I dashtun ditar,
Tash, fytyra tej pasqyrës buzëqesh, e unë nuk di me i diftue pse m’u desht me pritë kaq gjatë… / KultPlus.com

Rrugës për Kosovë

Rozafa Shpuza

Rrugës për atje pash’ lulkuqe
tue iu përulë prajshëm diellit
e korba tue krrokatë për dashni t’ngurosuna
n’shajni shtojzovallesh…
pash’ gërshetë rrëkesh teksa theqafen n’liqenin e ngjizun ndër mitra vatrash me oxhakë të shuem
pash’ konakë t’ri ku ferishtet pagëzohen me emna t’dheut amë
e ninullat kendohen me lahuta katragjyshash.
Atje muzgjet sperkasin dritaret
me ylbere ardhmenish
e n’ag mjegullat shtrohen ngeshëm 
si me dashte me qetue gjamat e te zhdukunve.
Rruga per atje
ka gjithqysh dy stacione
ku pushojne kambet e ylberit
qe shfaqet mirfilli pas çdo shterngate…/KultPlus.com

Valixhja e andrrave

Poezia fituese e Çmimit PENA E FLAKËS 2019 ( e zgjedhur me votat e poetëve konkurues )

Rozafa SHPUZA

Ditën kur kuptova se dashnitë virtuale janë të virgjëna,
u nguta me i palue në valixhen mbi raftin me dru
arret
që erdh n’pajë ndër shpatlla hamejsh.

– Merre karrigen me mbërritë,
m’porosit’ kujtesa e cfilitun, teksa nën karrige
zbardhin datat e nji dasme
ku nusërova mes turmës së dashnive të pamujtuna.
Druej mos hepohem
anipse ritmi i valles më ngujon si sinor legjendash.
Bam – bum… bam – bum…
hedhin valle andrrat që më përcollen në altarin e agsholeve të përgjumuna.

– Ma parë ban palë krahët,
s’pranë tue m’porositë kujtesa
që saora merr trajtën e mëkateve t’shkrrame
diku te shtroja e kambëve në pragderë.
Dashnitë krahthyeme stivohen shkujdesun
e naftalina i përshkon përdhuni si vargje duhanit.

Nuk di sa zgjati ky ritual
veçse tash jam ulë mbi valixhe
e pres sirenën e nisjes a
tje në stacionin ma skajnor.

Rozafa Shpuza, fituese e Çmimit “Pena e Flakës”

Poetja nga Shqipëria, Rozafa Shpuza është fituese e Çmimit “Pena e Flakës”, aktivitet letrar që organizohet në kuadër të Manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2019”, që mbahet përgjatë muajit janar në Gjilan.

Në hapësirat e Bibliotekës “Fan S. Noli” në Gjilan, u mbajtën dy veprimtari letrare, Ora e Madhe Letrare, ku poetët e përzgjedhur paraprakisht, konkurruan për Çmimin e poezisë më të mirë të Manifestimit, “Pena e Flakës” si dhe shpallja e rezultateve të Konkursit anonim letrar për poezi e tregim të shkurtër.

Në hapje të orës letrare, Shpresa Hajdari, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë Rini e Sport,  në emër të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, iu ka dëshiruar mirëseardhje të pranishmëve, krijues nga të gjitha trevat shqiptare, adhurues të poezisë e prozës dhe të gjithë të pranishmëve tjerë.

Ajo ka thënë se nuk ka dyshim që prurjet në këtë ngjarje janë  me vlerë dhe se edhe përzgjedhja është bërë cilësore, duke përgëzuar kështu edhe krijuesit pjesëmarrës e konkurrues, por edhe grupin punues që është angazhuar për organizimin e kësaj ngjarjeje.

Vlerësues të poezisë më të mirë, në “Pena e Flakës” 2019, ishin vetë poetët konkurrues, të cilët me votën e tyre (rundin e dytë),  përcaktuan poezinë fituese,  përkatësisht poeten, Rozafa Shpuza.

Rozafa Shpuza dhe Iden Temali sjellin “Muzat” në Tiranë

“Muzat” është ekspozita fotografike që do të hapet ditën e shtune, me 28 prill, ora 19:00 tek Art Kafe, Tiranë, shkruan KultPlus.

Rozafa Shpuza dhe Iden Temali, dy artiste shkodrane, do t’i sjellin dashamirëve të fotografisë detaje të brishta, përkëdhelje, klithma, mërmërima, joshje, urtësi, delikatesë dhe sharm përmes shkrepjeve të tyre. Janë 20 fotografi bardh e zi që kanë si fill përshkues figurën e gruas.

Prej suksesit që pati në Shkodër, kjo ekspozitë premton emocione edhe për artdashësit kryeqytetas.
Ky është bashkëpunimi i parë për dy artistet. Gjatë karrierës së tyre të konsiderusheme si fotografe, ato kanë qenë pjesë e ekspozitave kombëtare dhe ndërkombëtare ku janë paraqitur dhe kanë marrë edhe çmime.

“Muzat” do të qëndrojë e hapur për një javë dhe mirëpret të gjithë artdashësit./ KultPlus.com

Himn i qullun

Poezi e cila mori çmimin special në edicionin e parë të “KultStrofa”. Poezia është shkruar nga Rozafa Shpuza.

Skelete çadrash marshojnë mbi nudo resh
si taborre surreale që s’mund t’i rezistojnë
tundimit narcisist të pellgjeve.
Prej trumbetave të shiut
shprazet himni solemn i ardhmënive,
teksa vetima merr trajtën e dorës
që mbërthen kofshën kallkan të prostitutës.
Skeletet shushaten,
shamatohen,
shkyhen,
shtyhen ndërvedi për ndjesinë e qullun
që i kaplon marrisht e i len pa frymë…
Saora,
përpihen t’epshume prej orgazmës vjeshtake
e sosen të sfilituna ndër kosha dashnish virtuale.