Rama ndan pamje nga Kalaja e Rozafës mbushur me vizitorë

Kalaja e Rozafës është atraksioni kryesor i qytetit të Shkodrës që tërheq mijëra vizitorë çdo vit, ndërsa ngrihet në një zonë dominuese dhe me trashëgimi të pasur.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kalaja e Rozafës dhe muzeu, të mbushur me vizitorë.

Kalaja e Rozafës në Shkodër ka mirëpritur vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj, të moshave të ndryshme, ndërsa janë organizuar një sërë aktivitetesh për trashëgiminë historike.

Rikualifikimi i kalasë së Rozafës përmes ndriçimit, një investim i Ministrisë së Kulturës, e ka kthyer atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje.

Kalaja e Rozafës ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. E ndërtuar gjatë Mbretërisë Ilire, ajo përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare./atsh/ KultPlus.com

Gjithnjë e më shumë vizitorë në Kalanë e Rozafës

Kalaja e Rozafës, një destinacion i rëndësishëm historiko-kulturor në Shkodër po vizitohet gjithnjë e më shumë nga turistët e huaj ndërsa nuk resht edhe interesi i vendasve.

Vizitat turistike në Kalanë e Rozafës vijuan trendin rritës gjatë muajit qershor, duke reflektuar rritje të konsiderueshme të numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj.

18.078 vizitorë mikpriti kalaja e Shkodrës gjatë muaji qershor, shifër e cila është 4,5% më e lartë se ajo e një viti më parë.

Kalaja e Shkodrës, e njohur ndryshe si Kalaja e Rozafës, është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës, e rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese, të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë. Sipërfaqja e brendshme e kalasë ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborri i tretë, i cili është më i vogël se të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë të kodrës. Në muret dalës të tij, ka të dala drejtkëndëshe që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm, kullat janë më të dendura. Brenda kështjellës ka disa ambiente që lidhen me një kullë rrethore, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohës veneciane. Oborri i dytë zë pjesën qendrore dhe më të madhe të kalasë, duke u ndarë nga oborri i parë me një mur tërthor pa kulla.

Kalaja e Shkodrës është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike, e cila është vlerësuar jo vetëm nga historianët e kohës, por dhe nga udhëtarët e shumtë, jo vetëm për historinë që mbart, por dhe si një monument i rëndësishëm i promovimit të vlerave të një populli, i cili ka një histori të hershme./atsh/ KultPlus.com