Flonja Haxhaj
Për herë të parë në Kosovë, sot është hapur ‘Panairi Ndërkombëtar i Turizmit’.
Për dy ditë me radhë në Hotel Grand në Prishtinë, mbi 120 kompani pjesëmarrëse nga shtatë shtete, do të kenë një shumëllojshmëri ofertash dhe surpriza me lojëra shpërblyese për të gjithë vizitorët dhe pjesëmarrësit dhe shumë aktivitete të tjera promovuese, shkruan KultPlus.
Kryetari i Unionit të Turizmit në Kosovë, Baki Hoti, tha se pret që ky panair do t’i japë Kosovës shumë mundësi bashkëpunimi me vendet e rajonit në fushën e turizmit, teksa pret që në vitet në vijim të shtohen edhe më shumë interesimet e bizneseve të vendeve të rajonit.
“Në këtë panair kemi biznese nga shtatë shtete të rajonit, e ky fakt na gëzon sepse panairet janë pikëtakim në mes të komunitetit që të shikojnë mundësinë e bashkëpunimit”, tha Hoti duke përfunduar se qëllimi kryesor i këtij panairi është bashkëpunimi në mes të bizneseve të Kosovës me ato të vendeve të rajonit.
E pranishme në hapjen e këtij panairi ishte edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila tha se turizmi është një nga prioritetet kyçe të ministrisë që ajo drejton.
“Është kënaqësi e imja që të hapi këtë panair të Turizmit sepse Kosova ka shumë për çka të krenohet, sidomos për nga fusha e turizmit kulturor dhe atij natyror dhe duke e ditur që turizmi është një sektor që sjell stabilitet për shtetin tonë, është një sektor që sjell punësim, sjell garancë për të rinjtë tanë që të kenë më shumë vende pune, unë si ministre e Industrisë, ndërmarrësisë dhe tregtisë kam vendosur turizmin si një ndër prioritetet kyçe të ministrisë që drejtoj”, deklaroi Hajdari e cila më pas vuri në pah se së shpejti do të publikohet strategjia për turizmin, e cila sipas ministres do të sjellë më shumë mundësi të bashkëpunimit me vendet e rajonit.
Pas ministres, fjala iu dha Rrahman Kasës, kryetarit të Unionit Turistik Shqiptar i cili e konsideroi të domosdoshëm hapjen e këtij panairi, i cili sipas tij promovon turizmin dhe rrit imazhin e Kosovës, por edhe imazhin e hapësirave mbarëshqiptare.
“Ne jemi të angazhuar bashkërisht edhe me Unionit e Turizmit të Kosovës që të promovojmë shumë më shumë në tregjet ndërkombëtare hapësirën mbarëshqiptare duke dalë me një paketë të përbashkët me qëllim që të tërheqim tregjet drejt vendit tonë”, u shpreh Kasa.
Meqë shumë kosovarë gjatë pushimeve të verës dhe jo vetëm, vend për të kaluar pushimet e tyre e kanë edhe Ulqinin, i pranishëm në këtë panair ishte edhe kryetari i Organizatës Turistike të Ulqinit, Gzim Hajdinaga.
Ai në emër të hotelerisë dhe restoranteve të Ulqinit falënderoi të gjithë kosovarët që çdo vjet e vizitojnë Ulqinin, duke shtuar se Kosova e njeh Ulqinin më shumë se sa vetë ulqinakët sepse gjithmonë turisti ka dëshirë t’i analizojë disa pika që as vetë vendasit nuk i dinë.
“Gjithë Kosova të shkojë në Shqipëri në një perlë të bukur të Adriatikut, por të rrijnë tre ditë në Shqipëri e shtatë ditë në Ulqin. Jemi të dy palët të gatshëm. Mirë se vini në Ulqin”, përfundoi Hajdinaga.
I pranishëm në hapjen e këtij panairi ishin edhe Ljupço Janevski, drejtor i Agjencisë Kombëtare për Promovim të Turizmit në Maqedoninë e Veriut si dhe ambasadori i Bullgarisë, vende këto po ashtu të vizituara nga Kosova në sezone të ndryshme të turizmit.
Ky panair, i cili do të jetë i hapur sot dhe nesër ka për qëllim bashkëpunimin e Kosovës me vendet e rajonit në fushën e turizmit, që edhe Kosova të jetë target i shumë vizitorëve të rajonit./ KultPlus.com