“Tubimet vdekjeprurëse: U premtohet sundim i ligjit, duke e shkelë atë me të dyja këmbët”

Nga Rrahman Paçarizi

Kam frikë se në mbrëmjen e 14 shkurtit festa do të na zihet në grykë dhe bashkë me krizën eventuale institucionale do ta përjetojmë një krizë më të rëndë – krizën shëndetësore në përmasa apokaliptike për një vend kaq të vogël, kaq të varfër e kaq të lodhur nga gjithçka.

Liderët politikë i kemi pa në ditën e tyre të parë e të dytë të fushatës në mesin e turmave pafund të njerëzve. I kemi pa në fushata ku premtohet jetë më e mirë, u premtohet sundim i ligjit. Dhe, jeta më e mirë u premtohet në ambiente ku ata mund të infektohen me virusin vdekjeprurës, potencialisht duke mos arritë me e pritë përmbushjen e premtimeve për jetë më të mirë. U premtohet sundim I ligjit, duke e shkelë atë me të dyja këmbët. Në Kosovë ende janë në fuqi masat me të cilat ndalohet mbledhja e grupeve të mëdha të njerëzve, qytetarët obligohen të bartin maska dhe ta ruajnë distancën, si dhe ka kufizim të lëvizjes në orar të caktuar e nuk lejohen dasmat e ahengjet në ambiente të mbyllura dhe më pjesëmarrje të madhe të njerëzve. Qysh me besu se i kanë seriozisht frazat për sundimin e ligjit, pra?!

Në fund të fundit, me çfarë të drejte e rrezikojnë shëndetin e qytetarëve? Mund të thonë se ata dalin vullnetarisht. Mos bëni hajgare!

Pse pati nevojë me dalë Ambasada Britanike me na këshillu që të mos e rrezikojmë shëndetin e qytetarëve? Pse ankoheshin a thua kur menjëherë pas luftës organizata të ndryshme na mësonin se misri, gruri e hardhia u mbjellkan në tokë dhe që lopa paska katër këmbë. A s’i paskemi meritu edhe një herë këto njësi mësimore? Shumë madje, madje edhe shpesh.

Partitë politike prandaj, duhet t’i ndërpresin menjëherë tubimet vdekjeprurëse dhe t’u premtojnë qytetarëve më shumë shtretër, personel shëndetësor e terapi anticovid pas 14 shkurtit e ndoshta edhe më herët.

Ju që i doni aq shumë qytetarët-votues, duajini pakëz më pak e mos i vritni me tejdoza dashurie – mësohuni me deshtë me masë e jo deri në vdekje! Mos synoni me udhëheqë një shtet me qytetarë shëndetrrënuar.

Nëse duket që e kam me Vetëvendosjen, e keni gabim – e kam me të gjithë papërjashtim. Partitë e tjera nuk janë më të përgjegjshme se VV, por nuk po arrijnë të mbledhin aq njerëz. Sa për rahmet nuk e kishin lanë keq. / KultPlus.com

Ekspozita e kujtimeve të fëmijërisë

Gjatë ditës së djeshme është hapur “Panairit të librit të vjetër, të rrallë dhe të përdorur”, ku janë ekspozuar qindra libra të vjetër nga botues kosovarë. Panairi do të qëndroj i hapur deri të dielën më datën 27 shtator.

Panairi i librit të vjetër, të rrallë dhe të përdorur ka tërhequr një numër të madh të liridashësve që nga dita e djeshme. Një prej tyre është edhe profesori universitar dhe shkrimtari, Rrahman Paçarizi i cili ka shkruar se ky panair e ka rikthyer atë në bibliotekën e tij të fëmijërisë.

Më poshtë mund të lexoni shkrimin e tij të plotë:

Ekspozita e kujtimeve të fëmijërisë

Malësorja (e Nazmi Rrahmanit), Pinoku (Carlo Colodi), Debatik (Selman Vaqari), Të munduarit (Hasan Petrela) Ese mbi letërsinë (Sabri Hamiti)… Veprat letrare që i kam lexu shumë herë – nuk gaboj nëse them dhjetëra herë – i gjeta në ekspozitën e organizuar nga Berat Dakajj dhe Shtëpia Botuese Armagedon, ku unë e sprovova veten me një prozë më të gjatë. Jo se nuk kam mundë me i gjetë këto vepra që lidhen fort me fëmijërinë time, por këtë herë i gjeta botimet që i kam pasë në bibliotekën shumë të pasur të babës tim, të djegur deri në faqen e fundit. Me t’i parë ato libra, m’u duk sikur m’u kthye biblioteka e fëmijërisë, m’u kthyen librat e renditura sipas qejfit tim, vitrina  ngjyrë bordo të shkëlqyeshme, sikur m’u kthyen edhe fotografitë e djegura, dorëshkrimet e babës, studimet e tij kurrë të botuara që e kisha andërr me i botu ndonjëherë, pa lejen e tij…

Teksa e shikoja ekspozitën e shihja një fëmijë që rendiste librat në rafte, herë sipas rendit alfabetik, herë sipas pëlqimit tim, herë sipas trashësisë së librit, herë sipas asaj se sa herë i kisha lexu, herë sipas ngjyrave. E shihja një fëmijë që mbante shënim për të gjitha librat e lexuara, duke u krekosur në shkollë me numrin e romaneve të lexuara… Pastaj e shihja veten para shtëpisë së djegur… duke u ngjitë shkallëve deri në katin e dytë në dhomën e vogël (ashtu i thoshim dhomës së mbushur me libra ku ishte vetëm një kanape) të mbushur tashmë me hi librash të djegur, ku asnjë faqe s’kishte shpëtu dhe asnjë fotografi në sirtarët e poshtëm të vitrinës. Si me ta fshi kujtesën me një komandë të gabuar dhe pastaj me u përpjekë me shpëtu ndonjë ”file”, libër jo se jo, po ndonjë fotografi që  nena e kish marrë me vete duke ikur maleve e pastaj në Fier…  Kur e pata lexu romanin “Talianka” të Agron Gashit, e pata veçu pjesën kur hyjnë në një shtëpi pas luftës dhe gjejnë një dhomë librash. Ajo pjesë ishte ekstratematike dhe jashtë motivit kryesor të romanit, por mua më pati bërë për vete mënyra e përshkrimit të dhomës me libra. Tash, më duket se më shumë më ka bërë për vete njëjtësimi me dhomën e librave, mënyra e rrëfimit për renditjen e librave, inventari që Agroni i bën bibliotekës së kushedi se kujt…

Mikut tim, Albin Mehmetit, që e ndihmonte Beratin për ekspozitën, i thashë të m’i ndante disa libra – ato që i përmenda dhe disa libra të gjuhësisë, botimet të vjetra, të Çabejtë, të Rrotës e të Cimohovskit, por edhe studimin e Rexhep Ismajlit për poezinë e sotme arbëreshe.

Një të premte vjeshte s’e kisha menduar të ma kthente kujtesën e fshirë të librave që brezave të rinj mund t’u duket patetike. Faleminderit Berat!/ KultPlus.com

“Znj. Ministre, çliroji mësuesit, ata nuk ndihen mirë si trup elektoral”

Rrahman Paçarizi

E dashur ministre e arsimit znj. Bajrami

Ky tekst,në kohën kur u shkrua (në shtator 2017) e kishte titullin “I dashur minister i arsimit, cilido që je”, meqë asokohe ende nuk dihej se cili do të ishte ministri i arsimit. Fatmirësisht tani e dimë kush është ministri. Mua më vjen mirë që jeni Ju, për sëpaku tri arsye: 1. Jeni mësimdhënëse në Universitetin e Prishtinës; 2. Keni përvojë të menaxhimit të së paku një ministrie; 3. Mbaj mend kohën kur kam raportuar në emër të Bordit të RTK-së, te Ju kam gjetur kritikuesen e ashpër, por profesioniste dhe të paanshme.

Tani, me lejoni, t’jua përsëris letrën (me ca ndryshime referencash), të cilën ministri i shkuar mund të mos e ketë lexuar fare:

Besoj që në momentin që e ke pranuar postin e ministrit, e di se në ç’gjendje është arsimi në Republikën e Kosovës. E di që ke ekspertizë në këtë fushë, por kjo s’ka shumë rëndësi në një qeveri ku postet duket të jenë krejt politike. Tekefundit, edhe disa nga paraardhësit tu kanë qenë me ekspertizë të mjaftueshme dhe profesorë universiteti, por ja që gjendja është kjo. Në një situatë të tillë, shpresoj që të jesh e fuqishme dhe të mos lejosh që rreth vetes të kesh informatorë të kryetarit të partisë sate, të shefit tënd zyrtar ose jozyrtar – kjo i ka fundosur ministrat e deritashëm të arsimit.

E dashur ministre,

Suksesi yt varet nga dashuria që ke për arsimin. Suksesi yt varet nga guximi yt. Suksesi yt varet nga vendosmëria jote. Suksesi yt varet nga ekipi që do ta kesh rreth vetes (përjashto zëvendësministrin që mund të jetë pjesë e pazarit për qeverinë). Duhet ta duash arsimin dhe t’i kesh fëmijët duke u shkolluar në Kosovë dhe gjithçka ta masësh me brengën tënde prindore (standardi i dashurisë ndaj atdheut tashmë është shndërruar në një idealizëm të rrallë për të cilin të përqeshin). Duhet të kesh guxim për të ndërmarrë veprime, të cilat mund t’i humbin vota partisë sate, por është çmim që do paguar. Mund të të mos zgjedhin kurrë më ministre, por më mirë një herë ministre e mirë, sesa ministre e recikluar dhjetëra herë. Shpërbërja e mbeturinave në sistemin e arsimit zgjat me shekuj, zonja ministre, ndaj kujdesuni që të mos na ndotet edhe më ky ambient. Vendosmëria jote është vendimtare për suksesin. Është vrapim në shtigje të gjata që kërkon mund, por gjithashtu është vrapim me pengesa e ato janë të shumta – militantët e partisë që duhet t’i punësosh e nuk duhet t’i punësosh; sindikatat që kujdesen për mirëqenien e mësimdhënësve e ti duhet të kujdesesh për cilësinë përpara mirëqenies së tyre dhe vota e partisë do të të sillen si gogolë kahdo që sillesh, pasi secili veprim yti idealist do t’i humbë vota partisë. Duhet të heqësh dorë nga mirënjohja ndaj partisë që të solli në këtë post, zonja ministre, pasi në dorën tënde janë rreth 300 mijë nxënës e studentë që ta kanë nevojën, pa çka se shumica dërrmuese e tyre janë fëmijë të prindërve që nuk të kanë votuar. Dhe, në fund, zonja ministre, suksesi yt varet nga ekipi yt, nga njerëzit që do të kesh rreth vetes. Qofsh a jo ekspert i arsimit (unë e që je) njerëzit rreth vetes merri njohës të fushës, njerëz që janë pjesë e arsimit, njerëz me dije e integritet që t’i trembin e largojnë militantët e partive, pasi vetëm ashtu mund të punosh. Sigurisht që këto ditë publikisht e jopublikisht do të të shkruajnë plot njerëz për të të dhanë “ekspertizën” e tyre. Harroji ata emra (edhe timin sigurisht) dhe merri idetë që t’i japin.

E dashur minister Bajrami,

Shkolla fillore në Kosovë e ka tashmë damkën e PISA-s. Pararendësi yt nuk i mori këshillat dhe gjendja e PISA-s vetëm sa u përkeqësua. Me llum partiak nuk fshihet ajo njollë. Më beso kur të them se as me floskula patriotike si abeterja e përbashkët, s’do të bësh gjë (nuk po them se Abetarja ka faj). E vërteta është se rezultatet e PISA-s nuk përmirësohen brenda një viti, por reforma e ka një afat fillimi dhe pastaj është e përhershme. Mësuesit janë konsideruar deri më tash trup elektoral. Të lutëm, mos i shih të tillë. Çliroji!

Shkolla e mesme është gati-gati hajgarellëk, ndërsa universiteti është vetëm gjithëpërfshirës. Universiteti si gjithëpërfshirje i konvenon politikës, por nuk është cilësor. Kosova që ka telashe ta ketë një UP-në cilësore, vështirë se mund të ketë kuadro të mjaftueshme (jo aso emergjente, se të tillë ka sa të duash) për t’i mbajtur shtatë universitete publike. Universitetet jopublike e kanë pasur shansin e tyre. U duhet dhënë shansi vetëm atyre që janë cilësorë. E di që është vështirë, se janë të fuqishëm financiarisht, por duhet të futen në sistemin e cilësisë, jo vetëm të kësaj formale, por edhe substanciale. Universitetet dhe shkollat jopublike janë rregullator i rëndësishëm i fushës së arsimit, por nuk duhet të jenë vetëm biznese. Ato që janë vetëm biznese e kanë kryer misionin e tyre – të tjerat kanë kontribuuar dhe duhet të vazhdojnë të kontribuojnë. Tekefundit shkolla jopublike ekziston vetëm për shkak të cilësisë – gjithëpërfshirja është veti e shkollës publike, zakonisht.

Fatmirësisht, mund të kesh në dispozicion disa organizata joqeveritare, të cilat për arsimin tashmë kanë bërë më shumë sesa vetë institucionet e shtetit. Mirëpo, sado të kenë vullnet, kapacitetet e tyre janë të kufizuara në regjistrimin e gjendjes, por kjo për ty është e mjaftueshme. Mos i largo dhe mbaji pranë vetes. Më beso, ashtu siç të kanë besuar qytetarët që të kanë votuar tash e sa mandate, zonja Bajrami.

E di që ke punë të vështirë. Zoti të ndihmoftë, nëse nuk e do ndihmën tonë!/KultPlus.com

Paçarizi: Askund në botë nuk ka ligj të veçantë për gjuhën standarde

Ka disa ditë që diskutohet nisma për të propozuar një ligj të ri, i cili mbron gjuhën shqipe. Këtë nismë e ka ndërmarrë Akademia e Shkencave në Shqipëri e cila ka deklaruar se do t’ia propozojë qeverisë shqiptare një ligj për ruajtjen dhe për zhvillimin e gjuhës. Kjo temë ka hapur shumë diskutime edhe mes gjuhëtarëve, studiuesve e profesorëve  në Kosovë.

Gjuhëtarë nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” thonë se gjuha jonë duhet të kultivohet dhe të mbrohet përmes mekanizmave të tjerë.


Profesori i Fakultetit të Filologjisë, Rrahman Paçarizi, kishte deklaruar me herët për medie se këto lloje zgjidhjesh e propozimesh për ligjet e mbrojtjes së gjuhës shqipe janë rezultat i  mungesës së kreativitetit dhe i mungesës së dijes së atyre që propozojnë këto ligje.

Sipas tij, gjuha duhet të kultivohet e të zhvillohet përmes arsimit gjuhësor, përmes mekanizmave të dijes, të cilët ndikojnë për ta zhvilluar gjuhën e jo përmes ligjesh, të cilat i sanksionojnë gabimet.

“Nga kush duhet ta mbrojmë gjuhën, nga folësit e saj? Nëse këtë ia thoni një sociolinguisti të huaj, që merr vesh sado pak nga gjuhësia, sigurisht që do t’ju shikonte çuditshëm ose edhe do t’ju rekomandonte ndonjë trajtim te psikologu”, kishte deklaruar Paçarizi.

Më tutje ai ka theksuar se në Kosovë dhe në Shqipëri nuk ka fare nevojë për ligj tjetër për gjuhën shqipe dhe se ligj të veçantë nuk ka askund në botë.

  “Të dyja shtetet i kanë ligjet e tyre për gjuhën, me të cilat përcaktohet se cilat gjuhë janë zyrtare në këto shtete. Ligj të veçantë për gjuhë standarde nuk ka askund në botë, mirëpo nëse ne duam të bëjmë një përjashtim nga bota, atëherë kjo është çështje tjetër”.

Më tutje ai ka thënë se Akademia e Shkencave ka edhe rekomandimet e Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe, ku ka pasur diskutime dhe kundërshtim të plotë nga ana e akademikëve të gjuhës shqipe lidhur me këto nisma, të cilat janë edhe më të hershme./KultPlus.com

Rrahman Paçarizi: Rezultatet e PISA-s nuk përmirësohen me fushatë, por me përmirësim sistematik

Kosova nuk ka shënuar përmirësim të madh në rezultatet e testit ndërkombëtar PISA, tri vjet pas testit të parë. Madje në disa fusha ka edhe regres. Në listën mes 79 vendeve të botës, PISA e rangon Kosovën të tretën nga fundi dhe me një rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse. Ajo lë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet, shkruan KultPlus.

Për këtë rezultat ka reaguar edhe profesori i UP- së në Filologjik Rrahman Paçarizi. Ai ka thënë se rezultatet e PISA-s nuk përmirësohen me fushatë, por me përmirësim sistematik.

Ky është reagimi i plotë i Paçarizit:

PISA 2018

Rezultatet e PISA-s nuk permiresohen me fushate, por me permiresim sistematik. Fushatat jane mashtrime, jane perpjekje per te fabriku rezultat e jo perpjekje per rezultat.
Na qe i fabrikojme rezultatet e testit te matures do me thene qe kemi ndertu kulture te mashtrimit. E mashtrojme veç veten, pra.
PISA eshte alarm per ministrin e ardhshem te arsimit.
/ KultPlus.com

Promovohet “Shtatë udhë”, Rrahman Paçarizi shpalos shtatë rrëfime në romanin e ri

Shtatë udhë”, romani më i ri i studiuesit dhe shkrimtarit Rrahman Paçarizit, u promovua sot në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në prezencë të akademikëve, profesorëve, studiuesve, studentëve dhe lexuesit shqiptar, shkruan KultPlus.

Romani më i ri, i shkrimtarit Paçarizi u prezantua nga katër recensione të studiuesve si, Bardh Rugova, Gëzim Aliu, Meliza Krasniqi dhe Agron Gashi, ku u hap nën prezantimin e Besim Abazit.

Njëzetepesë vjetët e krijimit letrar të studiuesit të linguistikës Rrahman Paçarizit, na vinë me veprën e tij më të re, ku shtatë rrëfimet e tij, i paraqesin lexuesit shqiptar temat si: besimi, dashuria, çmenduria, pushteti, lufta, liria, vdekja. Në shtatë rrëfimet që mund të lexohen një nga një, ndaras, apo si një tërësi, shkrimtari ynë, shfaqë një ndërthurje stilesh dhe një realizim gjuhësor që është gati tipik për një studiues të apasionuar të gjuhës.

Fjalimi i studiuesit Bardh Rugova, frazon që Paçarizi ka prodhuar një varg shkrimesh që nga fillimi i viteve 2000, dhe është e pritshme që dukuritë gjuhësore të jenë bartur edhe kur ai e shfrytëzon gjuhën për t’ia dhënë funksionin poetik, për të krijuar veprën e tij.

“maska e limonit” e Macarter Willer, nën habinë e tij për fshehjen nën maskën e limonit, që kishte lyer fytyrën gjatë plaçkitjes së bankës, identifikohet me efektin Dunnin-Kruger, njerëzit sa ma pak dinë, aq më të bindur janë në mos-dijen e tyre.

Bardh Rugova flet për preskpektivizmin, ku Rrahman Paçarizi ka luftuar për ti bërë vend dijes.

Recensioni i Gëzim Aliut, gjithashtu flet për strukturimin e veprës, ku tregon se përveç fiksionit në tregimet e shkrimtarit, kemi edhe elemente të forta autobiografike, që zhvendos ngjarjen në një të kaluar dhe të tashme, ku flet për Zotin dhe Njeriun, por edhe kritikon sistemin aktual të shoqërisë sonë.

Transformimet e jetës kosovare, me kujtimin mbi fshatin dhe doket, Paçarizit i ofron në një temë që e trajton në kujtimet e tij, të përjetuara dhe të imagjinuara.

Gjithashtu Meliza Krasniqi dhe Agron Gashi, me fjalë lavdi për profesorin Paçarizi, ngrehin lartë vlerën e veprës duke kërkuar prej lexuesit shqiptar që t’i kushtoj një vëmendje, pasi që ka një llojllojshmëri temash, të simbolikës së numrit shtatë, me gjenezë të librit Helena ime, i botuar në numrin e fundit letrare Jeta e re.

Rrëfimet mbi mëkatet, autokonfesione të shtatë udhëkërkimit dhe sprovave jetësore, shtatë shkallë Purgatori, shtatë ditë krijimi hyjnor, që krijojnë një sistem tregimesh rrjedhimisht si sistem libri, që në letrat shqipe na kujton shtatë pasqyrat e Narçizit të Koliqit.

Duke e krijuar një vepër të tillë, profesor Paçarizi i jep letërsisë shqiptare një pasuri, duke e bërë më të mirë letërsinë tonë, dhe duke e pas misionin e tij që jetën e lexuesit të e bëjë më të mirë. / V. Shabani / KultPlus.com

Rrahman Paçarizi promovon romanin “Shtatë udhë”

Shkrimtari Rrahman Paçarizi këtë të enjte do të promovojë romanin e tij “Shtatë udhë”.

Në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ku edhe do të bëhet promovimi i librit, me këtë rast do të flasin shkrimtarët dhe studiuesit: Bardh Rugova, Gëzim Aliu, Meliza Krasniqi dhe Agron Y. Gashi.

Temat, motivet, ngjarjet në këtë roman janë, kryesisht, përjetime të autorit dhe të shokëve të tij. Ka tema dhe motive, persona dhe personazhe që janë marrë nga historia dhe nga artet dhe janë bërë prototipa në të shtatë rrëfimet e tij, në të cilët, për shkak të pronorit “im”, autori duket më i pranishëm në secilin prej tyre sesa familjarët dhe miqtë e tij, me të cilët diskuton për temat që i trajton e që janë, të rënda, të ndjeshme.

Zoti im, Helena ime, Çmendja ime, Pushteti im, Lufta ime, Liria ime, Vdekja ime janë rrëfimet e romanit, në të cilët ka dukuri abstrakte dhe konkrete; kujtime dhe përjetime tepër të rralla në vendin dhe shoqërinë tonë. Janë rrëfime dhe tregime që përbëjnë një roman tematik familjar, shoqëror dhe kombëtar. Narratori në to rrëfen për moshën e fëmijërisë, të adoleshencës, të pjekurisë; për mësimet në shkollën fillore, për mësimet në shkollën e mesme, për mësimet në fakultet, për raportet shoqërore, për punën dhe punësimet.

“Shtatë udhë” është një roman mbushur me psikologji, komedi, tragjedi. Me paqe dhe luftë.

Romani botohet më 6 qershor, në orën 10:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com



Grevat, mësuesit dhe llafet e budallme

Nga Rrahman Paçarizi

Në parim kërkesat e punëtorëve gjithmonë janë të drejta. Ato janë presion i grupeve të caktuara sociale e profesionale drejtuar punëdhënësve apo qeverive, zakonisht me kërkesa për rritjen e të ardhurave, përmirësimin e kushteve të punës apo përmirësimin e përgjithshëm të pozitës së atij grupi social apo profesional.

Edhe greva e mësimdhënësve dhe punëtorëve të tjerë të arsimit do pa si e tillë. Unë personalisht nuk i mbështes grevat si mjete të presionit, pasi shpesh dyshoj se një pjesë e këtyre grupeve mund të jenë të orientuara politikisht dhe rrjedhimisht pjesa tjetër të jetë e manipuluar. 

Sektori i arsimit në Kosovë aktualisht është ndër sektorët e privilegjuar në kuptim të pagave. Mësimdhënësit kosovare paguhen relativisht mirë krahasuar me shkallën e zhvillimit ekonomik të vendit, krahasu me sektorë të tjerë e sidomos krahasu me sektorin privat, i cili në Kosovë nuk prin në kuptim të mirëqenies së punëtorit, por përkundrazi.

A është kjo arsye që t’u mëshohet hundëve arsimtarëve? Unë mendoj se jo. Mendoj kështu pasi një shoqëri që synon zhvillimin dhe rritjen e standardit duhet të synojë rritje pagash. Të arsyetueshme sigurisht. A është arsye t’u mëshohet hundëve arsimtarëve se paskan dëshmu performancë të dobët? Sërish jo. Faji nuk është te secili mësimdhënës veç e veç, por te sistemi i pareformuar apo i reformuar keq, i ndikuar nga politika në kuptim të punësimit etj. Tash nëse ka mësues që janë punësu mbi baza partiake, mësuesit e tjerë nuk duhet t’i vuajnë këto pasoja, por duhet të reformohet dhe depolitizohet sistemi. Arsimi parauniversitar duhet t’i nënshtrohet konkurrencës siç i është nënshtru stafi i UP-së. Keqpërdorime ka pasur dhe me siguri ka ende në kuptim të përzgjedhjes së stafit, por në minimum, kryesisht falë monitorimit rigoroz nga publiku dhe shoqëria civile.

A duhet t’u mëshohet hundëve arsimtarëve se ata punuakan “dy-tri orë në ditë” siç thonë budallenjtë që nuk dinë se sa kohë i duhet një arsimtari për të përgatitë secilën orë të mësimit veç e veç, sa kohë i duhet që të merret me detyrat e secilit nxënës veç e veç përveç atyre dy-tri orëve që mbaka mësim? Sigurisht që jo, madje është marrëzi të mendohet se arsimtarët punojnë dy-tri orë në ditë.

Tash, pa gogolët: PISA, dy-tri orë mësim dhe rrogat më të larta në rajon, mendoj se nuk është moment i duhur dhe as e ndershme t’i bëhet presion qeverisë për pagat. Qeveria është në një situatë të rëndë politike, MASHT është në mesin e disa reformave që nuk e di saktë se ç’rezultat do të japin. Gjithmonë ka kohë të mjaftueshme për grevat. Mirëpo orkestrimi i grevave në disa sektorë përnjëherësh është një punë me rrezik dhe me erë të keqe. /KultPlus.com

Copa fëmijënie me borë

Nga Rrahman Paçarizi

Akujt si dhambë gjigantë lëshoheshin nga kulmi deri në tokë dhe oda e dajve më dukej si një gojë e madhe e një balene që qeshte. “Mos u afro nër strehë, se t’bjen naj copë ak’lli e t’çon posht!”, më rrinte gati gjyshja, pasi më kish veshë trashë e veç sytë jashtë m’i kish lënë sa me pa. Kapuçi i bardhe me shallin ngjitun më pëlqente fort, por i lakmoja fëmijët e tjerë të kojshive të dajve që kishin kapuça të thurrun si këta që i bartin hajnat sot. 

Kur shkoja te dajtë ndihesha mbret, pasi isha fëmija i parë aty, pas nanës tem. Kanë qenë farë e pashtueme hisja e gjyshit të nanës. Dy djem – njani një djalë e tjetri një vajzë- nanën tem. Mund të bëja çka doja vetë dhe kush s’ma prishte. I thyeja gotat e çajit për pikë të qejfit, e çajit ceremonial që pihej në orën 9 të mengjesit ia hidhja nga shtatë lugë sheqer sa s’pihej më. Rrija me burra deri natën vonë në tym duhani e s’ma prishte kush qejfin. Kur bëja sherre, veç qeshnin, ndryshe nga shtëpia ime ku secili sherr ndëshkohej, të paktën me një ngrehje veshi që s’kishte masë. 

E bora ma kujton fëmijëninë time të bujshme, pushimet dimnore të dajtë, mëngjeset e mbramjet ceremoniale, darkat pafund në odën e madhe plot mysafirë, odën dypjeseshe të ndarë me arallak, me koftor të skuqun nga zjarri, me oxhakun e hapun nga i cili kam frikë edhe sot, me trapazanin në fund të odës, ku djemtë e rinj vigjilentë uleshin duke vrojtu me kujdes se kush e ka pi kafen a çajin, kush e ka mbushë shpuzoren me duça cigaresh që ua adhuroja aromën. Trokëllima e çibukëve prej çehlibari te hijshëm për shpuzoret e kristalta më dukej se ia jepte krejt autoritetin babës Mit, axhës së nanës tem, i cili më dukej se gjithmonë ishte i gatshëm për ta lëshu ndonjë britmë që ua merrte zanin e ua ngrinte gjakun të gjithëve, përveç meje. Mustaqet e tij të thinjura e te zverdhura nga tymi i duhanit shpërfaqnin krejt mençurinë e vendosmërinë, ndërsa mbështeste njërën dorë në gjunin e kambëve teksa ulej kambëkryq, ndërsa me dorën tjetër e tringëllonte idhtë çehlibarin për shpuzoren e kristaltë që e lëshonte veç kur i duhej me e marrë filxhanin e vogël dhe pa vegë, me do zbukurime orientale ngjyrë ari. “Filxhani i babës”, e quante me krenari dhe veç prej tij pinte kafet e panumërta. Filxhanin dhe çehlibarin s’merrte guxim me ia prekë kush, përveç meje, kur krekosesha, pasi më ulte kambëkryq në odë afër vetes. Ai krenohej me mu, po aq sa unë me të. Aq shumë i rrija afër sa më dukej se sa isha në odë edhe unë kisha mustaqe të njëjta dhe pozën e njëjte si ai.

Pasi kryheshin ceremonitë e mëngjesit që zgjasnin deri kah ora 11, i veshur trashë, e duke shiku akujt gjigantë që më buzëqeshnin, lëshohesha teposhtë për t’u taku me fëmijët e tjerë. Ata visheshin edhe më trashë, me xhemperë të thurrun e të shtrëngueshëm, aq sa s’mund t’i afronin krahët që u mbeteshin hapun dhe teksa ecnin në radhë për me shku te Agraxha dukeshin si një kolonë pinguinësh qe shtegtonin larg dhe pa u ngutë fare. Ndoshta, ngaqë rrija aq shumë në odë me gjyshin e vëllain e tij, që të dy figura thuajse të shkrira në bronz, më dukej se unë duhej me i udhëheqë edhe fëmijët e tjerë. Ata më donin, nuk e di se përse, ndaj ma jepnin edhe thesin ma të mirë të najlonit, të mbushun me kashtë për të rrshitë teposhtë Agraxhës, për të përfundu të shumtën e herave në përroskën e ngrirë, akulli i të cilës thuhesh pas nja gjysmë orë dhe ne përfundonim në ujë, pas secilit lëshim me thasët e najlonit të mbushur me kashtë, që i mblidhnim gjithë verës e vjeshtës pasi dajtë i kishin plehëru arat… 

S’ka si me u nxe afer koftorit bubulak, pasi nana m’i ndërronte krejt teshat e bame qull, pasi më kish bërtitë me atë pak autoritet që i mbetej kur isha te dajtë… /KultPlus.com

Paçarizi: A përnjëmend po mendoni që nuk na do Evropa a, ku keni pa që ministrat të gjuajnë me alltia

Nga Rrahman Paçarizi

Mllefi ndaj Bashkimit Evropian është i arsyetueshëm. Izolimin po e ndiejmë në lëkurë ma shumë se kurë. Na kalon shpejt. Nja dy ditë nxehtë e ftohemi, i kapemi ndonjë teme tjetër, për shembull merremi me ajrin e ndotur apo ndonjë temë që na e kurdis shteti.

Është krejt e vërtetë që BE ka thënë se demarkacioni dhe lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit janë kushte për liberalizimin e vizave.

Por, a po e pyesim veten pse s’po na do kush? A përnjëmend po mendoni që Europa është tranu a? A përnjëmend po mendoni se Europa nuk na fol vetvetiu a? Është po ajo Europë që bashkë me Amerikën e kanë bombardu Serbinë për të na shpëtu ne.
A mos kemi faj edhe që Serbia na ka dalë përpara me diplomaci e lobim. A mos nuk dimë me vrapu në shtigje të gjata? A mos jemi gabim edhe na bre, burra të fortë?

Kqyreni sistemin e drejtësisë, kqyreni shëndetësinë, arsimin, ekonominë, kqyrini politikat e jashtme. Hajt, pashë nji Zot kqyrini shumicën e ambasadorëve dhe stafin tjetër diplomatik. Hajt pashë nji Zot kqyrini zëvendësministrat. Po ku keni pa ndonji qeveri tjetër europiane në të cilën ministrat nuk i përgjigjen kryeministrit, por shefit të partisë së vet? Po ku keni pa parti që ka trefish ma shumë ministra sesa deputetë? Po ku keni ndi e pa që kompanitë publike me u da si kuleçë të pites ndërmjet partive politike heeeej. Po ku keni pa more ministra që gjujnë me alltia për pikë të qefit. Tani, na po dojmë viza?! Leni hajgaret amani ju koftë. E di që keni me thanë që Ukraina e Gjeorgjia e nashta edhe Rumania janë ma keq se na. Kqyrjani ambiciet se me kë krahasohemi.

Tani, hala po doni viza a. Hajt se ftofemi për nja tri ditë a lavderohemi me taksen 100% e blejmë tinëz plazma. Gëzuar Vitin e Ri! Kosova Republikë! /KultPlus.com

Revista e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare pranohet në EBSCO

Përmes rrjetit social Facebook, drejtori i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Rrahman Paçarizi, ka njoftuar se revista e SNGJLKSH, është pranuar në njërën nga platformat më prestigjioze të revistave shkencore EBSCO, shkruan KultPlus.

Krejt kjo sipas tij, u bë e mundur falë angazhimit të dekanes Lindita Rugoba dhe për shkak të cilësisë së pakontestueshme që ka revista e institucionit më të madh dhe më me traditë të shkencave albanologjike.

“Ky është një moment i rëndësishëm i pranimit të cilësisë, angazhimit dhe traditës së Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Si drejtor i SNGJLKSH falënderoj dekanen Lindita Rugova, prodekanet Alba Blakaj, e Nysret Krasniqi, ish-bashkedrejtoren Aljula Jubani, bashkedrejtoren Dhurata Shehri dhe të gjithë bashkëpunëtoret dhe kontribuesit kryesore që nga Idriz Ajeti, Rexhep Ismajli, Zejnullah Rrahmani, Sabri Hamiti, Rexhep Qosja, Kujtim Shala e deri te pararendësi im akademik Bardh Rugova i cili bëri hapat e parë drejt kësaj arritjeje.
Urime!”, ka shkruar Paçarizi./ KultPlus.com

Diasporat e shqipes

Rrahman Paçarizi

Në Prishtinë është duke u mbajtur Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në Fakultetin e Filologjisë. Në mesin e kumtesave të cilave janë lexuar nga studiues të ndryshme është edhe ajo e studiuesit Rrahman Paçarizi, shkruan KultPlus.

Sipas tij rrethanat e kultivimit të shqipes janë të ndryshme nga njëri vend në tjetrin. Në kumtesën e tij Paçarizi ka marrë shëmbull se në Suedi shqipja është në mesin e 10 gjuhëve më të mëdha të huaja dhe bashkë me gjuhët e tjera të huaja, edhe mësimi i shqipes është i institucionalizuar dhe organizohet në kuadër të sistemit arsimor suedez, ku rreth 6 mijë fëmijë shqiptarë ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe.

“Mirëpo, në të gjitha vendet e tjera ose nuk ka fare mësim të shqipes ose ai është i organizuar në baza vullnetare, pra jo si pjesë e sistemeve arsimore të shteteve përkatëse”, ka theksuar ai .

Sipas tij dallimet ndërmjet ishujve gjuhësorë të shqipes, për të cilët është shkruar më parë dhe shqipes në diasporë, shqipes së mërgimtarëve shqiptarë janë të mëdha dhe shtrihen në shumë drejtime.

Ai ka treguar se përderisa për ishujt e tjerë, duke e përfshi ndoshta edhe Turqinë, mund të flitet si për territore mjaft kompakte ku popullata që flet të folme të shqipes është mbizotëruese, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për shqipen që kultivohet në Evropën Perëndimore.

“Në asnjë nga këto zona shqiptarët nuk janë shumicë dhe shqipja nuk ka status politik”, është shprehur ai./ KultPlus.com

Lum si ti Ali Podrimja

LUM SI TI ALI PODRIMJA

(Në përvjetor)

Rrahman Paçarizi

Nëse kisha me e përkufizu fatin, e kisha konsideru veten me fat që kam jetu në një periudhë thyerjesh dhe kam arritë me njoftë shumë njerëz, ndër ta Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Besim Bokshin… Të gjallëve s’ua kam besën. Deka është faqe e bardhë.

Ka qenë dimër i vitit 2011. Duhej të mbanim një punëtori të RTK-së me Bordin dhe Menaxhmentin e RTK-së. Si zakonisht, në të njëjtën veturë udhëtuam me Ali Podrimjen, e Naim Beqirajn. Pra, unë dhe dy poetë të mirë të Kosovës. Unë s’e konsideroj veten poet edhe pse shkruaj, por poezia më ka ndihmu me i njoftë njerëzit që i përmenda, pra edhe bashkudhëtarët e mi. Ata që e kanë njoftë Ali Podrimjen e dinë se ai s’ka qenë njeriu i workshopeve.

Ali Podrimja, që veten e quante “mixha”, s’kishte durim me ndejtë në mbledhje, e sidomos jo në mbledhjet e gjata të Bordit të RTK-së, natyrisht as në punëtoritë e organizuara për sistematizimin e vendeve të punës. “Brucosh, ma gjej një veturë se du me shku deri në Tiranë. Dritëroi s’është mirë me shëndet!” Ia siguruam veturën dhe vazhduam mbledhjen. Nuk kaluan dy-tri orë dhe sa dolëm për një pauzë, “mixha” ishte ulë vetëm në oborrin e hotelit. Cigare nuk mbante me vete, por e ndizte nganjëherë. “A nuk shkove?”, e pyeta. “Shkova e u ktheva. M’kanë ba nervoz.” Mjaftonte. Ali Podrimja ishte poet dhe kishte botën e tij. Kishte diçka që nuk shkon në karakterin e tij. Nuk kishte durim, ta ndërpriste fjalën kur i tekej, madje as veten s’mund ta duronte – edhe vetes ia priste llafin. Kaq i pasistemuar ishte, por njëkohësisht tepër i mbyllur. E njihja që nga viti 1995, kur kisha nisë me punu në “Bota Sot”. Një herë erdhi për ta marrë për kafe Milazim Krasniqin, por meqë ai ishte i zënë pata dalë unë me Aliun për kafe. E thërrisja zoti Ali dhe ai më shikonte si të mos kuptonte pse po i drejtohesha ashtu. Për mu kish qenë andërr me e taku Ali Podrimjen – mbaja mend çdo varg të tij. E kam rrëfyer njëherë se sa i dëshpëruar qeshë kthyer në zyrë pas takimit të parë me Ali Podrimjen, se më ishte dukë sikur më kishte injoru. Ali Podrimja, pra, s’kishte durim me e dëgju as veten, e lëre më një fëmijë të verdhë që i ishte ngjitë si rrodhe për kafe. Milazimi ma shpjegoi se nuk më kishte injoru, por i tillë ishte Ali Podrimja. Pra, ali Podrimja ishte poet. Nuk ishte i zakonshëm, i rëndomtë, nuk ishte si njerëzit e tjerë. Dukej sikur asnjë fjalë s’e çonte deri në fund dhe shpesh e këpuste ndonjë sharje ashtu në ajër. Aq i pasistemuar në dukje, Ali Podrimja kurrë nuk ka folë për veten dhe as për miqtë e tij. As barcoleta madje. Ndërsa, të gjithë miqtë e tij tregonin barcoleta për të, ai kurrë s’e hapte gojën. Vdekjen e Azem Shkrelit e pati përjetu rëndë. Kishin kalu një jetë bashkë. Ishin krejt të ndryshëm. Gjithë çfarë kishte Aliu nuk kishte Azem dhe gjithë çka kishte Azemi, nuk kishte Aliu. Mirëpo, të dy ishin për t’u dashur deri në adhurim, të tillë çfarë ishin.

E, atë dhjetor deri sa po ktheheshim nga Tirana, dhe i mërzitur siç ishte për fjalosjen e rëndë me Dritëro Agollin, Ali Podrimja u bë tepër intim me mua e Naime Beqirajn. Edhe Naimja që e njihte shumë më gjatë se unë çuditej se si Ali Podrimja ishte hapur aq shumë. Ajo udhë e bërë bashkë ishte konfesioni i fundit e ndoshta i vetmi i Ali Podrimjes. Ali Podrimja na tregoi gjithçka për pothuajse të gjithë njerëzit e kulturës e letërsisë në Kosovë, do me thënë për raportet e tij për vështirësitë e mbështetjet. Në esencë, ajo që pamë ishte se Ali Podrimja e donte secilin në mënyrën e tij, ndonëse kishte arritur të prishte raportet me secilin së paku për një orë, i kishte sha, po prapë i kishte dashur. Natyrisht me Basri Çapriqin asnjëherë nuk ishte fjalosë, sepse Basriu, që tash rron me Aliun, ishte tepër i gjerë, ulqinak tipik, mesdhetar.
Ajo udhë, ai autokonfesion i Ali Podrimjes ishte i fundit, e ndoshta i vetmi, por me siguri ishte hera e parë dhe e fundit kur Ali Podrimja kishte arritë me e dëgju veten aq gjatë, pa ia pre fjalën vetes.
Dhe, në përvjetorë të tillë, kur Naime Beqiraj poston fotografinë nga Durrësi me Ali Podrimjen, mu më kujtohet veç udha e fundit e tij me mua e Naimen. Pak muaj më pas ai shkoi te Lumi i tij. Dha shpirt te nje lumë. Ali Podrimja ishte poet, jetonte si i tillë, e poetët nuk janë të përsosur, por janë të veçantë. Papërsosmëria e tyre është përsosmëri.
Atë udhë me Aliun e Naimen nuk e zhbëj. Nëse kisha me e përkufizu fatin, e kisha konsideru veten me fat që kam jetu në një periudhë thyerjesh dhe kam arritë me njoftë shumë njerëz, ndër ta Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Besim Bokshin… Të gjallëve s’ua kam besën. Deka është faqe e bardhë.
Lum si ti Ali Podrimja që ke vdekë më vakt dhe ke marrë me vete plot rrëfime të patreguara. Prandaj, je poet, Ali Podrimja. Kemi me e gjetë një vend për shtatore për ty. Ndoshta te Pallati i shtypit, që tash është ndërtesë qeveritare. S’besoj që dikush ka me guxu me kërku shesh ma të gjerë për ty.

Shteti i “bacave”, “balave”, pardon my french!

Shkruan: Rrahman Paçarizi

E thirrja “bac” jehoi dje në selinë e BE-së. I drejtohej “Bacit”, këtij të madhit. Jo për patriotizëm, por për respekt – Baci e kishte mbledhë një delegacion si delegacionet kineze këtyneherë, i kishte futë në aeroplan dhe drejt e në Bruksel, siç kanë shku burrat e moçëm këtynehere me marrë fjalë nuseje, me marrë dorën, me marrë shejë. Për atë punë zgjidheshin burrat më të mirë të fisit, jo vetëm me ushtru autoritetin e epërsinë si fis, por edhe me tregu te miku harmoninë (razinë) që mbretëronte në vllaznillak.

Para nja shtatë a tetë vjetësh, vendin ku unë punoja e vizitoi një delegacion i Kuvendit të Kosovës, përkatësisht kryetari i Kuvendit, z. Jakup Krasniqi. Vartësit e tij, disa prej tyre deputetë, e thërrisnin z. Krasniqi “baci Jakup”. Kryeparlamentarin e njihja qysh moti. Për herë të parë e kisha taku në fillim të viteve ’90 kur sapo kishte dalë nga burgu dhe kishte ardhë për ngushëllime në fshatin tim, ku kishte shumë shokë, por edhe lidhje familjare. Do me thënë, e njihja moti, edhe si gazetar më pas, por asnjëherë nuk ia kisha leju vetes ta thërrisja baci Jakup, por varësisht nga pozita që kishte. Vartësit, ndërkaq e quanin “BAC”. Bac e kishin quajtër edhe Adem Demaçin, tash po e quajnë bac edhe Anton Çettën, natyrisht edhe Adem Jasharin. E për çudi, e fatkeqësi edhe Behxhet Pacollin. Në Llap e në Ortakoll, e besa edhe në rrafsh, bacit i thonë “BAL”. Përveç Behxhetit të gjithë të tjerët i quajnë “bac” me njëfarë krenarie, me njëfarë ndjenje patriotike, e Behxhetit i thonë bac se ashtu e quajnë vëllezërit e tij më të rinj. E fjala “bac” e ka prejardhjen nga serbishtja (brace i thonë vëllait me përkëdhelje), ashtu si edhe fjala “bal” (nga brale,po ashtu vëlla me përkedhelje). As Jakupi as Bexheti s’kanë faj pse janë baca. Edhe mu dikush-dikush më thotë bac.
E thirrja “bac” jehoi dje në selinë e BE-së. I drejtohej “Bacit”, këtij të madhit. Jo për tjetër, por për respekt – Baci e kishte mbledhë një delegacion si delegacionet kineze këtyneherë, i kishte futë në aeroplan dhe drejt e në Bruksel, siç kanë shku burrat e moçëm këtynehere me marrë fjalë nuseje, me marrë dorën, me marrë shejë. Për atë punë zgjidheshin burrat më të mirë të fisit, jo vetëm më ushtru autoritetin e epërsinë si fis, por edhe me tregu te miku harmoninë (razinë) që mbretëronte në vllaznillak.

Mogherini e Avramopullos nuk besoj të marrin erë kah folklori, doket e zakonet tona. Bile ata mund të besojnë se Kosova është shtet dhe sillet si i tillë. Ata mendojnë se në delegacion kanë qenë të mjaftueshëm Presidenti (Thaçi) dhe Kryeministri (Haradinaj). Shtetet normale nuk kanë nevojë me e manifestu unitetin dhe legjitimitetin, pasi këta dy komponentë dalin nga institucionet dhe mekanizmat demokratike, përmes të cilave në të vërtetë janë zgjedhë edhe presidenti Thaçi, edhe kryeministri Haradinaj. Kjo do me thënë se Kosova do të përfaqësohej mjaftueshëm dhe denjësisht nga Presidenti dhe Kryeministri, pasi ata janë krejtësisht legjitimë. Madje, Presidenti ka shku për dialogun, përndryshe vetëm Kryeministri me ministren e integrimeve, eventualisht, do ta kishin përfaqësu vendin mjaft denjësisht. Sa për lajmin, neve si qytetarë të Kosovës do të na kishte mjaftu njoftimi nga Avramopullos.

Udhës, janë bë shumë shkelje. Së pari, komplet udhëheqja e shtetit ishte jashtë shtetit, në kundërshtim më protokollin e shtetit. Së dyti, të gjithë udhëtuan me aeroplanin privat të zëvendëskryeministrit (nuk e di nëse është shkelje, por as në rregull s’po duket), etj. Mirëpo, jemi gëzu shumë për vizat dhe i hamë edhe këto shkelje – ndoshta edhe për faktin se s’na jep kush llogari. Ajo që po më dhemb është nevoja fisnore, parapolitike me dëshmu unitet. As Trump-i, as Macron-i, as Merkel-i dhe asnjë lider serioz nuk ka nevojë me e dëshmu para botës unitetin e spektrit politik. KJo është logjikë parainstitucionale. Kosova ka pasë nevojë me formu grupe uniteti në kohën kur ende nuk e kishte shpallë pavarësinë. Tash s’ka nevojë më. Madje, grupet e unitetit janë të dëshme. Ato lënë hapësirë për kompromise, sepse ekziston grupi ku mund të kërkohet kompromisi. Nëse Kosovën në dialogun me Serbinë a me BE-në a me cilëndo palët të tretë, e përfaqëson Presidenti ose Kryeministri, ata e kanë tagrin e kufizuar për të marrë vendime. Ndërkaq grupet e unitetit bëhen vetëm për të anashkalu institucionet demokratike. S’ka pse ftohet as opozita për të qenë pjesë e ndonjë grupi të unitetit – opozita i ka mekanizmat e saj për ta mbështetë ose për ta kundëeshtu pushtetin.

Pra, Kosova nuk ka pasë nevojë sot me dërgu në Bruksel një delegacion aq të gjerë. Nuk e kontestoj meritën, vullnetin, përkushtimin, por edhe dëshirën për të qenë të pranishëm në momentin e shpaljes së vendimit të Komisionit Europian. Por, aty ku është i pranishëm Kryeministrit, pse nevojiten zëvendësit e tij. Ata, me siguri do të kenë pasë punë në Prishtinë, nëse asgjë tjetër, atëherë për ta zëvendësu shefin e tyre, pasi janë zëvendës të tij, ose së paku do të ishte desht me qenë të tillë.

Komisioni Europian, këtë lajm do ta kishte bërë të ditur edhe pa këtë vizitë – nuk besoj që Mogherini, Fayon, Avramopullos e të tjerët janë entuziazmu nga prania e burrave më të zgjedhur të fisit. Nuk janë entuziazmu as nga razia a harmonia ndërmjet tyre, e aq më pak nga thirrjet drejtu Bacit për të dalë në fotografinë e përbashkët. Komisioni Europian, përkatësisht Avramopullos (baba i çikës) ka vendosë me e dhanë dorën, me e dhanë fjalën a shejën edhe pa këtë fjalë nuseje, edhe pa burrat e fisit, që e thirrin njëri-tjetrin bac e bal.
HAJDE PËRHAJR!

Letër presidentit Thaçi: Mbi dekoratat presidenciale dhe të merituarit që mungojnë

I dashur President, z. Hashim Thaçi

I vetëdijshëm për mundësitë e mëdha që kjo letër të mos arrijë fare te Shkëlqesia Juaj, që në fillim dua t’i sqaroj dy gjëra, për të cilat mund të kritikohem potencialisht: 1. Si qytetar i Kosovës dua të besoj që listën e të dekoruarve nuk e keni hartuar vetë, pasi në një rast të tillë do të isha edhe më i shqetësuar seç jam tash, sepse nuk besoj se Ju e keni kohën e mjaftueshme për t’u marrë me përpilime listash. E së këndejmi, jam i prirë të besoj se listën e ka(në) përpiluar një (a disa) këshilltar(ë); 2. Nuk e kam hallin tim, edhe pse në atë listën e gazetarëve e shoh veten goxha lart, për plot arsye.

I nderuar z. President i Republikës së Kosovës

Tani, unë do të merrem me listën e gazetarëve dhe të njerëzve të kulturës që Ju keni harruar t’i dekoroni në jubileun e parë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që nuk është imja më pak seç është Juaja. Duke mos dashur ta kontestoj asnjë nga emrat që janë dekoruar, pasi konsideroj se secili në mënyrën e tij ka dhënë një kontribut, qoftë edhe duke vozitur veturat me gazetarë, apo duke përkthyer për gazetarë të huaj, dua t’jua bëj me dije lëshimet e rënda që ka kjo listë. Nëse flitet për gazetarë të Kosovës apo që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e saj, z. President, e kam të vështirë ta kuptoj mungesën e Enver Malokut. Këshilltari a këshilltarët Tuaj mund të mos e kenë ditur se Enver Maloku ka qenë udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës, një institucion burim informacionesh që çuditërisht mungon në listën e institucioneve mediale të dekoruara. Enver Maloku ka pasë nxjerrë një gazetë të përditshme të mbrëmjes me emrin “Informatori” deri në ditën kur u vra. Enver Maloku u vra si gazetar dhe për shkak të punës së tij. Nuk e keni dekoruar Xhemail Mustafën, i cili më shumë sesa gazetar ka qenë pjesë e politikës, por i ngarkuar me sektorin e informimit. Nuk e keni dekoruar Ibrahim Berishën, si themelues i QIK-ut, Lindita Tahiri –Aliun, Muhamet Hamitin, Hilmi Zogianin e Safet Zejnullahun, nuk e keni dekoruar Bexhet Shalën e Halit Baranin, e dhjetëra aktivistë komunalë që kanë informuar përditë, por edhe i kanë ndihmuar gazetarët e huaj, ndoshta jo duke përkthyer, por duke u ofruar shërbime të tjera logjistike.

I nderuar z. President, roli i radiostacioneve ndërkombëtare që transmetonin në gjuhën shqipe, në situatën e një terri të plotë informativ ka qenë i jashtëzakonshëm. Por, për çudi, në mesin e emrave të të dekoruarve mungon gjiganti i gazetarisë, Elez Biberaj, asokohe shef i seksionit shqip të “Zëri i Amerikës” (i dekoruar me urdhrin Nderi i Kombit në Shqipëri), Adelaide Falke, shefe e radios gjermne “Deutsche Ëelle”. Pastaj, si mund të flitet për gazetarë në Kosovë e të mungojë Besim Abazi, gazetar i BBC-së e pastaj i Zërit të Amerikës. Si mund të harrohet Arbër Vallahiu, asokohe gazetar i Radiotelevizionit të Suedisë, pastaj i Deutsche Ëelle e më pas edhe i BBC-së. Nuk ka guxuar të harrohen as Shefki Morina, e as Ibrahim Osmani. Si u harrua Bahri Cani? E qysh dikush mundet me e harru si gazetar Shaban Buzën. Pastaj, nëse flasim për reporterë të luftës, me ç’rat, me të drejtë keni dekoruar disa prej tyre, si Ju ka shpëtuar emri i Milaim Zekës.

Tash e disa herë po i lexoj listat duke mos besuar që në to nuk është Muhamet Mavraj. Për dijeninë e këshilltarëve Tuaj, Muhamet Mavraj ka qenë kryeredaktor i gazetës Bota e re, pastaj pjesëmarrës i luftës e pas luftës nuk ka pasur asnjë pozitë politike, por ka vazhduar të merret me gazetari, duke e themeluar e mbajtur gazetën Epoka e re, ku janë shkolluar shumë gazetarë të rinj të Kosovës e sidomos studentë të gazetarisë.

I nderuar President, Ju keni harruar fare që gjatë luftës ka ekzistuar “Bota Sot” dhe njerëzit e saj. Kontributi i Milazim Krasniqit, Melazim Kocit e Teki Dërvishit nuk ka guxuar të anashkalohet – Milazim Krasniqi edhe është arrestuar disa herë gjatë viteve 1997 e 1998. I keni dekoruar disa redaktorë të “Zëri”-t, por e keni harruar Haqif Mulliqin, që ka qenë reporter lufte dhe Mufail Limanin, një gazetar e kolumnist konsistent dhe i guximshëm. Më kuptoni drejt, nuk i di prapaskenat politike eventuale – po flas si gazetar i asaj kohe dhe njohës i shkëlqyeshëm i asaj periudhe për të cilën Ju pretendoni t’i keni dekoruar laureatët që unë i përgëzoj për mirënjohjen e marrë. Mirëpo, ndërsa që është dekoruar një dyzinë gazetarësh të mirë të Koha ditore, si u harrua Arbana Vidishiqi, e cila përveç punës në Koha ditore, në vitin 1999 mbajti fjalim në Parlamentin Evropian, si gazetare kosovare dhe sot, për shkak të cilësive të dëshmuara profesionale, është udhëheqëse e Seksionit të Ballkanit në Radion Evropa e lirë, që është radioja më e madhe ndërkombëtare që i dedikohet Kosovës. Ky gabim është i rëndë, z. President.

Është po kaq e çuditshme se si Ju ra emri i Avni Zogianit – ishte po aq gazetar, madje i terrenit.

Nëse e keni dekoruar Blendi Fevziun, me siguri për shkak të emisioneve e intervistave të shumta, si u ka shpëtuar nga lista Adriatik Kelmendi, po aq produktiv, madje laureat i shpërblimeve ndërkombëtare për storie nga lufta e Kosovës. Ndoshta, për me çu nderën deri në fund, Ramiz Kelmendit i ka taku një dekoratë presidenciale, si themelues i parë i shkollës së gazetarisë në Kosovë.

Pastaj, gazetarët dhe redaktorët e RTP-së të angazhuar në emisionin shqip në Radio Zagreb dhe ata në RTSH, udhëhequr nga Migjen Kelmendi. Nuk lihet jashtë Sherif Konjufca, i rrahur gati për vdekje për shkak të punës së tij, Mehmet Haziri, Shaqir Foniqi, Bexhet Baraliu, Violeta Oroshi. Pastaj, njerëzit e Rilindjes, Bujkut, Fjalës Shkëndijës që e mbajtën gjallë informimin pas masave të dhunshme. Nuk mund të lihen jashtë, pra Avni Spahiu, Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha e të tjerë.
Afrim Maliqi, një ndër penat më të mprehta të gazetarisë në Kosovë është vrarë duke qenë gazetar, ndoshta edhe ushtar.

Zoti President, Lista Juaj e të dekoruarve ka plot fotoreporterë, edhe të tillë që s’kanë mundur të mbijetojnë në këtë profesion dhe tash bëjnë punë të tjera, por jo edhe Ilaz Bylykbashi. Fakti që nuk është në këtë listë nuk e bën atë më pak madhështor dhe kontribuues për Kosovën. Fotografitë e tij kanë shëtitur botën. Ai për ato fotografi e ka rrezikuar jetën.

Këshilltari yt a këshilltarët tu mund të kenë qenë të rinj dhe të mos i kenë përjetuar këto periudha, por Lista ka dalë në emër të Presidencës dhe historia e Kosovës nuk nis me asnjërin prej nesh, ndonëse pajtohem se meritat janë të dallueshme. Ata që t’i kanë përpiluar listat të kanë dëmtuar, pasi neve na mbetet hatri te Presidenti ynë e jo te këshilltarët anonimë, që veten mund ta kenë futur në listat e të dekoruarve. Nuk e kontestoj as faktin që ai a ata mund të kenë mendim të lartë për veten dhe mund të mendojnë se kanë qenë edhe gazetarë.

Duke llogaritur se nuk po e harxhoj kohën Tuaj të çmuar, më lejoni t’jua kujtoj se përveç Agim Vincës, Ismail Kadaresë, Din Mehmetit e Rexhep Qosjes, kontributi i të cilëve nuk mund të kontestohet, e keni harruar edhe Ali Podrimjen e Azem Shkrelin, e keni harruar edhe Sabri Hamitin e Rexhep Ismajlin. Kam pritur dhe ende pres që Ali Podrimja ta ketë edhe shtatoren e tij diku në Prishtinë, po nejse. “Kosova është gjaku im që nuk falet është varg i Ali Podrimjes, kjo për dijeninë e këshilltarëve tu.

Se sa joseriozë ishin ata që e përpiluan listën tregon edhe mënyra se si janë shkruar emrat. Valentina Saraçini ka dalë Valentina Saraçi, ndërsa Sylejman Kllokoqi ka dalë Sylë Kllokoqi. E, lista ka dalë në emrin Tuaj, i nderuar z. President.

Shkëlqesi

Unë nuk pajtohem sigurisht me ata që e refuzuan dekorimin nga Ju për arsye politike, por më vjen vërtet keq që të dekoruarit, me përjashtim të Muharrem Nitajt nuk u kujtuan për mungesat, por u mjaftuan me faktin se emrat e tyre janë aty.

Ndonëse zyrtarët e lartë të shtetit nuk praktikojnë të marrin këshilla nga ata që nuk kanë pozita të tilla, me lejoni t’Ju them se nderin më të madh do t’Jua kishte bërë dekorimi edhe i gazetarëve të sotëm. Ata mund të mos kenë kontribuar për çlirimin e Koosvës dhe për pavarësinë e saj ndoshta, pasi thjesht ka qenë fëmijë të shpërngulur në ndonjë nga malet e Kosovës, duke pritur me familjet që Ju t’i shpëtoni, por kontributi i tyre në luftën kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes është kontributi më i madh që mund t’i jepet shtetndërtimit të Kosovës, në krye të të cilit proces jeni vetë Ju.

Dhe, krejt në fund, ata që Jua kanë përpiluar listën e të dekoruarve Ju kanë dëmtuar, edhe pse Ju mund dhe keni të drejtë të mednoni ndryshe. E kanë bërë listën joserioze, duke u hyrë në hak edhe atyre që janë dekoruar e që nuk i kontestoj aspak. Do të duhej, prandaj, që urgjentisht të kërkonit përgjegjësi për voluntarizmin me rastin e përpilimit të listës.

Ishte jubileu i parë i shtetit tonë. Urime dhe e paçim Kosovën!

Me respekt
Rrahman Paçarizi

P.S.
U kërkoj falje atyre që nuk kam arritur t’i përmend!