Libri me rrëfimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë “Unë dua të dëgjohem”, është libri që ka rrqethur të gjithë ata që e kanë lexuar, por ky cikël i rrëfimeve tashmë po vjen në një formë tjetër falë punës së regjisorit Kushtrim Koliqi, shkruan KultPlus.
Nëpërmes aktoreve Edona Reshitaj, Rebeka Qena, Shengyl Ismaili dhe Xhejlane Tërbunja dhe nën regjinë e Kushtrim Koliqit, bazuar në këtë libër dhe duke e pasur parasysh rëndësinë dhe vlerën e këtyre rrëfimeve për dokumentimin e së kaluarës, Integra me partnerët e saj (forumZFD dhe KRCT), kanë vendosur që të vazhdojnë punën e tyre me rrëfimet e librit të kutjesës “Unë dua të dëgjohem” duke kontribuar edhe në fushën e trashëgimisë audio-vizuele. Kështu, është realizuar cikli i dhjetë audio dramave me rrëfime të grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Ky projekt ka për qëllim që nëpërmes prodhimeve specifike të dokumentoj dhe ruaj një aspekt tejet të rëndësishëm të së kaluarës së Kosovës, të avokoj për kauzën e fateve dhe vuajtjeve individuale të grave të torturuara gjatë luftës, dhe përfundimisht të kontribuoj direkt në trashëgiminë audio-vizuele kosovare”, ka thënë Koliqi për KultPlus.
Ky aktivitet, i dizajnuar për një audiencë të gjerë, për më shumë se dy muaj rresht do të transmetoj 10 audio drama në Radio Kosova 1.
Kjo seri e audio dramave do të nis me datë 04 maj, për të vazhduar deri më 07.07.2020.
Rrëfimet që do të prezentohen në format të audio dramave janë:
Episodi i parë: “Dhunimi i gjithë lagjes” – premiera më 04.05.2020, ora 17:00, repriza më 05.05.2020, ora 20:20 në Radio Kosova 1
Episodi i dytë: “Dy herë më ka ndodh” – premiera më 11.05.2020, ora 17:00, repriza më 12.05.2020, ora 20:20 në Radio Kosova 1
Episodi i tretë: “Rrëfimi i ndarjes nga kolona” – premiera më 18.05.2020, ora 17:00, më repriza 19.05.2020, ora 20:20 në Radio Kosova 1
Episodi i katërt: “Skllavja e seksit” – premiera më 25.05.2020, ora 17:00, repriza më 26.05.2020, ora 20:20 në Radio Kosova 1
Episodi i pestë: “Kthimi i gabuar nga Zvicra” – premiera më 01.06.2020, ora 17:00, repriza më 02.06.2020, ora 20:20 në Radio Kosova 1
Episodi i gjashtë: “Kurrë ditë s’kam pa” – premiera më 08.06.2020, ora 17:00, repriza më 09.06.2020, ora 20:20 në Radio Kosova 1
Episodi i shtatë: “Lufta i prishi krejt” – premiera më 15.06.2020, ora 17:00, repriza më 16.06.2020, ora 20:20 në Radio Kosova 1
Episodi i tetë: “Nuk më mori në Gjermani” – premiera më 22.06.2020, ora 17:00, repriza më 23.06.2020, ora 20:20 në Radio Kosova 1
Episodi i nëntë: “Nuk desha me hy te ai lokali” – premiera më 29.06.2020, ora 17:00, repriza më 30.06.2020, ora 20:20 në Radio Kosova 1
Episodi i dhjetë: “Unë, motra, kunata, çikat e tezës, hallës…” – premiera më 06.07.2020, ora 17:00, repriza më 07.07.2020, ora 20:20 në Radio Kosova 1
Ekipi kreativ i angazhuar në këtë projekt përbëhet nga aktoret: Edona Reshitaj, Rebeka Qena, Shengyl Ismaili, Xhejlane Tërbunja, dramaturg: Visar Krusha, kompozitor: Memli Kelmendi, producent dhe regjisor: Kushtrim Koliqi.
Pas transmetimit në radio, këto prodhime do të jenë në dispozicion të përhershëm për ndëgjuesit online nëpërmes ngarkimit të tyre në platformën www.kosovomemory.org
Cikli i audio dramave “Unë Dua Të Dëgjohem” është realizuar nga Integra, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, forumZFD dhe Radio Kosova në bashkëpunim me CDF, Ambasadën Suedeze në Kosovë, Rockefeller Brothers Fund dhe BMZ. / KultPlus.com
Ky rrëfim është nxjerrë nga libri “Unë dua të dëgjohem: Libër kujtimi me
rrëfimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë”
H.A. nuk e ka lehtë të dalë në publik. Nuk e ka të lehtë
sa herë që ndeshet me shikimet e njerëzve. Nuk e ka lehtë sidomos kur sheh
njerëz të uniformuar. Atë, ende e mundon krimi i kryer mbi të. Një përdhunim që
ka zgjatur me orë të tëra nga ushtarë e paramilitarë serbë. Pesë prej tyre i
mban mend.
Dëshmitarja që vjen nga një fshat i Kosovës tregon
mënyrën se si gratë u ndanë nga civilët e tjerë që po dëboheshin nga shtëpitë,
dhe u mbajtën gjatë gjithë natës, duke u përdhunuar disa herë.
Nëna e tre fëmijëve brenda një interviste ka përsëritur
tre herë të gjitha detajet e natës më të vështirë të jetës së saj, natë pas së
cilës thotë se ende nuk e kupton se pse po vazhdon të jetojë.
Përveç dhunimit seksual, dëshmitarja është dhunuar edhe
fizikisht. Në shumicën e kohës ka qenë e alivanosur.
Ajo tregon se sa herë ishte këndellur nuk i kishte
ndihmuar askush. Britma ushtarësh dhe goditje të njëpasnjëshme ka përjetuar sa
herë që kishte bërë përpjekje të këndellet.
Nuk ka qenë e vetme. Dëshmitarja thotë se, e gjithë
shtëpia ku është kryer krimi ka qenë e mbushur me gra të tjera, me të cilat
pastaj është liruar në grup. Tregimin e asaj nate kishte arritur ta mbante
fshehtë… Burrit, që gjatë luftës kishte qenë nën uniformën e UÇK-së do t`i
duheshin dy javë, që të hiqte dorë nga divorci…
Rrëfimi në veten e parë: Pesë janë
kanë…
H.A.
Unë jam e nji fshati, e lindun me 1960-ën. Kam lind në
nji familje mesatare. Shkollimi jonë dej n’klasë t’pestë. Martesa jeme o’ kanë
me msit. Burrin tri vjet përpara e kom pas, edhe jena martu. Ai mas martese ka
shku n’Gjermani. Unë kom nejtë n’Kosovë… Po u kthy, s’ka mujtë me nejtë. Tani
kur u kthy ai, veç filloi lufta. Unë e kam pas çikën bebe kur ka fillu lufta.
Kur ka nisë lufta e parë mrena jem kanë t’u hangër
mëngjes. Edhe veç e kemi ni që kanë gjujtë. Nuk kom pasë… nuk kom ni shumë,
kurgjo. Kur jemi dalë, kemi kqyrë, plot serbë ish mbushë fshati. Edhe na
larguan prej shpijave. Dulëm me nji fshat tjetër, dy netë qashtu. E u kthyem
apet n’fshat tonin ma. Tani ish gjithë qeshtu… me vujtje.
Unë çikën e kom pasë n’grykë, nji çantë n’shpinë me tesha
t’çikës t’vogël. E të tjerët, për xhepa na u vjerrshin fmia. Prej fshatit e
n’fshat. Jo qaq larg, n’fillim t’luftës jo. N’ofenzivën e parë jo, nuk o’ kanë
qaq larg. Tani jemi kthy n’shpi, e djegne shpija krejt, me temel. Edhe kem
nejtë qashtu deri kur ka fillu ofenziva e dytë e luftës…
Kur nisi ofensiva e dytë, jemi shku me nji fshat tjetër
apet. Kur jena shku n’fshatin tjetër, na kanë mbledhë tanve me nji arë. Janë
ardhë forcat e armatosuna e na kanë mbledhë me nji arë, tanë n’vend. Na kanë
qitë në nji arë. Kanë gjujtë n’drejtim tonin. Tani na kanë marrë krejtve edhe
na kanë dëbu prej fshatit në nji fshat tjetër… Edhe na kanë pru n`drejtim
t`qytetit. Kur fillumë me dalë prej atij fshati, na kanë nisë me na marrë neve
grave forcat serbe. Me kerre, me motora rrugës, nja ka nja… na kanë marr na
kanë shti n’kerre… Njihere ia kanë fillu nja ka nja na kanë marrë, tani t’u
kalu n’tjetrin fshat, ka dy na kanë marrë. Do na çojshin, u kthejshin i
merrshin apet t’tjerat… E kom pas çikën e vogël n’dorë kur më kanë ngrehë
prej kolonës, ma kanë gju prej dore n’tokë… çikën. Unë kom tentu mos me shku
me ta, e tani m’kanë kapë tre a katër, nja ma ka hi shkelëm, m’kanë kapë për
krahve, m’kanë ngrehë zhag e m’kanë shti n’kerr. Tani na kanë pru këtu edhe na
kanë shti me dy shpija. Tani natën na kanë marrë… na kanë marrë me kerr e na
kanë çu n’tjetër shpi.
E na kanë marrë, e na kanë maltretru, mu si m’kanë marrë
jam kanë pa vetëdije. Sot si t’i shoh ushtrinë tonë, kerret e ushtrisë tonë,
veç i kqyri. Krejt trupi, shpirti m’lshon. Më duken se po m’hypin mbi kerret…
… Edhe na kanë çu aty, unë jom kanë pa vetëdije. Na
kanë marrë, na kanë majtë ka dy ka tre, kanë bo çka kanë deshtë me neve…
Dy janë kanë, deri n’pesë. Kur m’ka ardhë vetëdija, kur
kom kqyrë, pesë ishin kanë. Dy e di, mrena shpisë m’kanë shti, tani kur kom
kqyrë, pesë ishin kanë. Nuk na ka ndihmu kërkush. Si i kom çelë sytë, i kom pa
se pesë ishin kanë. Si i kom pa, veç kom piskitë. M’ka kapë për krahi m’ka
thanë, “Çu se kurgjo nuk o ba! Çu!”, m’ka kapë… Serbisht. Veç m’ka kapë për
krahu edhe m’ka çu. I kom çelë sytë edhe i kom pa. Tani jom ulë e m’hishin
krahëve me shkelëm. Une e ulun e ata m’pucatshin me shkelma edhe…
Bashkë me tjera na kanë marrë n’dhomë, nja ka nja na kanë
lanë. Unë vetun jom kanë n’dhomë amo n’shpi ka pasë edhe femna tjera… E tani
n’mëngjes na kanë lshu vetë. Edhe kur na kanë lshu, ushtarë ishin kanë… ata
si na kanë lshu ushtarë ishin kanë. E na i dhajshin, dikujt nji litër zejtin,
dikujt i dhajshin kpuca, dikuj qeshtu diçka edhe jemi dalë, edhe tani kena
nejtë edhe sa muj aty.
Veç jom mbështjellë. Nji xhemper e kom pasë me dy kqej,
njifar jakne. Amo e kom pshtjellë, e kom lidhë me nji tojë xhemperin qeshtu
edhe kom ecë. Se bluzat qa i kena pasë, krejt na i kanë pre, përveç qai xhemper
ish kanë. E kom veshë bythëprap atë blluzën si e kom pasë, n’anë t’shpinës e
kom vesh…
Kur jom dalë prej shpije, na kanë lshu thuje grup, edhe
jena ardhë. Tani familja jonë t’u i kajtë, t’u menu se na kanë mbytë krejtve.
S’kemi guxu kërkujt me i tregu. S’kena mujtë me folë me kërkan kurrë. Ju kemi
thanë se na kanë rrehë, na kanë maltretu… Kam qenë qaq e maltretume sa nuk e
kom njoftë fminë tem… Non stop mu kujtojke qysh ma gjujtën çikën n’tokë… E
kena nejtë, aty jena bo bashkë dhe kena nejtë aty deri kur ka përfundu lufta.
Gjatë luftës burri u kanë n`mal. I veshun. Rrallë e
shihshim. Veç kur na bijke bukë…
Fizikisht jom kanë shumë e lodhtë edhe pa vetëdije. Ka
pasë moment kur kom mendu se çka me ka ndodhë… fmija prej dore m’ka ra… Për
mu njiqind herë o kanë ma mirë me vdekë n’qat minutë se me m’u kthy apet e
gjallë…
MST: Burri në fillim e priti keq
Burrit i kom tregu mas… kur ka përfundu lufta, tjetër
kush se din. Thashë i tregon dikush tjetër, e ma mirë t’i tregoj vet. Edhe
përfundoi lufta, u bonëm apet bashkë, pa shpi, pa kurrgjo. Qysh mujtëm. Edhe o
dashtë me i tregu. U ulëm e i thashë, kështu ashtu osht’ puna. Ai tha, “Lehtë
po thojnë bre, i kanë marrë do, e i kanë… qeshtu i kanë përdhunu do femna, i
kanë marrë e i kanë malltretue”.
Une kurrë pa mujtë me folë me to… Kur ka përfundu lufta
me pyetke “Çka u bo?”, “Çka ki?”, “Pse po nihesh kaq keq?”. Unë gjithë tu
kajtë… “Po fmia kanë pshtu, vetë kena pshtu, e pse kështu kaq keq po
nihesh?”, m’thojke “Pse?”
I thojsha, “Qysh mos me u mërzitë? A po e sheh që s’po
kena shpi? Çka me ju bo fmijëve?” U munojsha diqysh, diçka me ja largu veç mos
me dyshu n’mu. Edhe tani, kur po flet për dikan tjetër, tha qeshtu e qashtu,
thash se e din edhe për mu, i tregon dikush. I thash, “Qe une, kështu, kështu
osht’ puna. Bash unë jam…”. I thash, “po m’vjen keq, edhe unë vetë që jom. Ti
qysh dush bonja, qe ku jom une vetë. M’u qashtu m’ka ndodhë”. E na kanë sosë me
cigare, e na kanë shkelë n’kamë me themrat e veta. I kom pasë njollat deri
vonë. Tani n’kamë, se m’kanë pasë shkelë. I thash “unë vetë jom kanë”.
Tha: “Çka?” Thash, “Une vetë jom kanë” Tha: “Menjiherë me
u bo gati e me shku n’shpi tane! Ti për mu nuk je… T’kanë marrë shkijet
n’dorë, kanë bo çka kanë deshtë me ty. Unë me kanë me ty, jo!” Thashë, “Mirë!
Qysh t’duash bonja. Une t’kallxova, që unë s’di çka me bo tjetër. Me qef nuk
jena shku. S’di çka me bo!” E t’u kajtë e t’u i piskitë. Mu m’u dhimshin
fëmija. Nuk dijsha çka me bo…
Edhe hajt qashtu kalunë nji javë ditë… Dy javë gati u
bonën edhe veç e kuptoi, tha, “Uh m’fal, se unë tu kokna kanë gabim, se unë
s’kom mujtë me t’mbrojtë e ti s’ki çka me bo”.
MST: Filluan me folë njerëzit
Edhe tani qashtu e kena vazhdu jetën… Tani çika e vogël
u rrit.. S’di qysh edhe prej fjalëve, prej rrethanave në fshat të burrit, tani
ma nuk mujtëm me nejtë aty. Fillunë me folë njerëzit. Edhe na e lamë fshatin
tonë e dulëm në nji qytet tjetër. Kur dulëm atje, n’shpi t’huaj. Tani
(psherëtinë)…
N’përgjithësi, n’përgjithësi. Kanë fillu n’përgjithësi me
folë. Burri më tha: “M’thojnë edhe mu, gruaja jote kështu e kështu. Ma mirë po
e lshojmë fshatin krejt. Edhe jemi dalë n’qytet aty n’shpi t’hujë kemi jetu, si
ma zi.
Tani sot e asaj dite, shumë e randë, shumë… Sot thom, Zot,
s’osht’ me jetu për neve, me na pa dikush”. Shumë keq, shumë randë e nij vetën.
Ama, përveç burrit, këta nuk e dinë. Veç vetë si t’dal n’rrugë m’dukët se tanë
po m’kqyrin.
Kisha mujtë femrave tjera që e kanë përjetu me ju thanë,
veç me pasë forcë e me mbijetu. Mos me pasë tanat për shembull stresin tem. E
çka o kanë ma kryesorja, me i kapë ata si kanë bo kështu. Me i… me e marrë
denimin e meritumë. Ama deri sot hala kërkush… s’e murrën dënimin se e
meritojnë. Unë për veti, shumë e ni vetën llom, shumë keq. Shumë e pa vlerë,
shumë randë e ndi vetën. Eci, dal, thom, “O Zot, pse po jetoj?”. Nuk muj, nji
kerr e shoh t’ushtrisë tonë, t’policisë tonë, m’duket se ata janë. Kështu që
m’rrënqethet tanë trupi. Ma deri pa ardhë qetu me folë nji trohë, s’guxojsha
hiç me dalë. Zor shumë (përshpëritë).
Fuqizuar
nga: Integra dhe forumZFD
Në
bashkëpunim me: KRCT
Mbështetur nga: RBF, MOTT, BMZ dhe UN Women. /KultPlus.com
TEUTA kurrë nuk e kishte menduar se një ditë do ta
përjetonte atë që po e shihte në televizor në mesin e viteve të 90-ta.
Me gruan e shefit tek i cili punonte, ajo po shihte
rrëfime për luftën në Bosnjë që po ndodhte asokohe. Teuta atëherë jetonte në
Zvicër.
Pak vite më pas, burri do të vendoste që të kthehet në
Kosovë për t`iu bashkuar UÇK-së. Teuta e ndjek vullnetin e burrit.
Por, kthimi për shtatzënën do të ishte edhe vendimi më i
gabuar i jetës së saj. Ajo do të përjetonte ato që njihen si dy ofensivat e
ushtrisë serbe nëpër fshatrat e Kosovës.
Do t`i duhej të jetojë në mal të hapur, të përjetonte
krismat, plagosjen nga një granatë, dhunën seksuale dhe sërish torturën e
dëbimit nga shtëpia, derisa gjatë gjithë kohës nuk ka qenë e vetme. Të pesë
fëmijët e vegjël e kanë përcjellë këtë nënë në ato që do të mund të
vlerësoheshin si muajt e përballjes me të pa njerëzishmen.
Ajo ka pësuar në këmbë dhe në gji nga dy copa të një
granate që është hedhur në mes të kolonës së civilëve, të cilët po ecnin nën
kërcënimin se kush ndal hapin do të vritej.
Pak më vonë do të shihte tmerrin nga ata që, ajo i quan
ushtarë të Sheshelit, të cilët do ta plaçkitnin. Të tjerët që ajo i quan të
Arkanit do t`i prisnin kokën një foshnjeje me qëllim që t`i tmerronin gratë që
po iknin.
“I dinim të kujt janë sepse thërrisnin: rroftë Shesheli
ose rroftë Arkani. Këta të Arkanit kanë qenë me maska, ata Sheshelit me mantela
të gjatë”, tregon Teuta…
Ajo, bashkë me 50 gra është dhunuar seksualisht pak javë
para përfundimit të luftës, në një duzinë ku janë mbajtur për disa orë.
Rrëfimi në vetën e parë: Isha e plagosur, por nuk më kursyen
Teuta
Jam një nanë e pesë fëmive, e kam edhe bashkëshortin.
Kemi qenë shumë motra e vllazni.
Kam kujtime t’mira, kam shumë… Kemi mrri, i kemi shkollu
t’gjitha motrat, e kemi kry shkollën. Momentet ma t’mira kanë qenë për Bajram.
Kur vike Bajrami i rrokshim defat, knojshum, dilshim nëpër shpija, u veshshin
nuset. Shumë kënaqësi.
E kom pas fejesën, për 6 mujë jom martu. Kena bo darsëm,
po me tre mujë m’ka ra me shku n’Gjermani. Edhe atje kom shku kom jetu me
burrin. Atje kom qenë, kom punu bashkë me bashkëshortin. Kena nejt pesë vjet në
Zvicërr. Kam qenë shatatzanë kur jam kthy n’Kosovë. Atje kom punu, i kam kqyrë
pesë çika t’shefit, burri ka punu.
Jemi kthy me ni pushim, u kon ai vit, jom konë shtatzanë…
Po du me lidhë kur kemi qenë ‘92-tën, ‘93-tën, atje ka qenë lufta n’Bosnjë, e
po du me lidhë qetash te Bosnja. Atje kur ka qenë lufta, kur e kom kqyrë unë me
grunë e shefit, e kqyrëm televizorin u çojsha prej veni se krejt trupi mu
rrënqethke, kajke gruja e shefit, edhe unë shumë kom kajtë kur e pajsha luftën
n’Bosnje çka po ndodhë, çka po bohet. E nuk e kom paramendu me përjetu unë vetë
luftën n’Kosovë.
As se kom mendu kurrë po nuk kom mujtë as n’televizor me
shiku atje n’Zvicërr t’u kajtë, e t’u u largu me grunë e shefit prej shpisë,
t’u dalë me fmi t’u i shëtitë se s’guxojsha me kqyrë televizorin. Edhe jemi çu
kemi ardhë n’gusht nji pushim, aty s’na ka tregu kërkush se çka osht’ t’u
ndodhë n’Kosovë, aty kur ka ardhë koha pe shoh që burri n’mbramje po vanohet.
Unë isha shtatzanë, i kisha edhe dy fmi, çikën edhe djalin. U vanojke çka o tu
bo… at’here ka qenë edhe gazeta “Rilindja”, se gjithë na kena msu edhe kem
pas qef shumë me lexu. Kur e kom pa “Rilindjen” vetëm e kish shkru n’fillim
t’gazetës që vetëm sa s’ka kërsitë lufta n’Kosovë, u kon n’97-tën. Edhe aty
m’ka hi nifarë frike. E pajsha që natën po bojnë lëvizje. Burri ish veshë me
uniformën e UÇK-së.
I thash, unë du me i marrë fmitë edhe du me ec, edhe
vjehrri m’ka thonë merri fminë edhe shko. Burri ka thonë jo, për atdhe le
t’vdesim te tonë!
Unë linda… Kom lindë me ni qiri se s’ka pasë as mjek.
Nuk kishe çka me pa prej forcave serbe. Qat’here ndodhi një masakër. Qaty ku ka
fillu lufta për mu, ka qenë qai momenti kur kom lindë unë edhe tri javë i kom
pasë që kom nejt n’shpi. Tri javë me qat fminë e vogël e me bebën edhe tani
burri nuk kom ditë kah u shku mo se ushtria nuk e ka leju as n’shpi me ardhë.
Mandej kemi lëvizë prej një katuni në katunin tjetër. Tu
u enë… Nata ka qenë e jona, dita ka qenë e shkive. Se ata natën, kur bijshin
n’punkta t’vetë mo nuk guxojshin me bo lëvizje, vetëm ditën. Dita u konë e
tyne… Ka ra shi shumë, ka ra breshën. Bukë nuk kishëm… Traktori mo s’kish
naftë, traktori mo met’. Me tesha, me kotesha krejt qaty na kanë metë. Vetëm
nisëm me ec. Krejt gra e fëmijë jemi konë. Kemi fillu n’kamë, kemi ardhë, jena
mshef n’nji ahër edhe aty kur na kanë pa neve t’ushtrisë në fshat na kanë
percjellë gjendjen krejt kah, ku po shkojna na, kah po himë, ku po dalim. E
kanë pa që kambësoria po lshohen nëpër shpija me hi. Edhe kta kanë pritë deri u
lshu terri, po si u lshu terri n’tokë kanë thonë ata që mo na nëpër terr nuk
guxojna me dalë me i marrë. Na jena mbyllë me ni dhomë, me ni ahër edhe aty
kemi dalë jashtë me marr ni kofe me ujë prej bunarit edhe i kena ni kamtë tu ec
nëpër rrugë trap tap tap {imiton zhurmën}. Edhe na kemi fillu me kajtë, erdhëm,
se ku e kanë nxonë pakicën e kanë bo masakër. Aty ia kem fillu me kajtë e me
bërtitë çikat e reja, po për fat kishte qenë ushtria jonë. Kishin ardhë me na
nxjerrë. Me na ndihmu. Neve na kanë nxjerrë atë natë, menxi kemi dalë. Kemi
bujtë me ni katun tjetër. N’mëngjes, n’mëngjes, na kanë pru ushtartë grurë
t’zimë me hangër, fmija s’kishin as çka hajnë…
Edhe ja kanë nisë fmija me hangër grurë, po nuk e
hankshin pa sheqer. Ushtria e kishin zi se s’kanë pas miell, edhe ja kanë fillu
po thojnë “ni traktor pe kqyrim t’mujshim diqysh me marrë edhe me ju qitë.” Na
ishim kogja kallabllak. Me dy traktora. Edhe jena nisë. N`gjysë t’rrugës na nuk
kemi ditë mo kurgjo hiç, na kanë ardhë automatat mi kry tu gjue. Na knej
n’traktor, na sen s’kena ditë veç kur e ka rrokë gumën e traktorit, u shpërthy
guma, e kena ditë se janë tu gjujtë shkitë. Aty i kanë nalë traktorat, shoferat
kanë ikë. I kem shti fminë n’mal edhe jon ikë ushtria jonë qysh jon konë krejt
jon largu, jon tërhekë, se shkiet ishin kanë tu ardhë me tenka.
Aty kemi nejtë tri ditë e tri netë n’mal, se mo fmive u
dufke me ua mshel gojën se krejt terrenin e kqyrshin me automata e me gulinova.
Tani hishin kambësoria, gjithë ata tu gjue, e tu gjue, e tu gjue, deri ra terri
n’tokë, ata e kanë pastru terrenin. Ia kanë fillu me ardhë tenkat, kur ia kanë
fillu tenkat me ardhë, toka u dridhke. Kambësoria u hypë nëpër tenka edhe kanë
fillu me shku n`katun. Tani mo me rrokë, me rrokë kah e kishin n’plan
ofensivën, edhe na e kalum atë natë, shkumë dy netë, në t’tretën…
I kena marrë fminë aty zhag, jemi shku me ni shpi me ni
katun tjetër. Aty ju kena dhonë me hongër, ju kena dhonë me pi qysh e kishin
lon gjinja bukën gatshëm. Kish pasë pasul, bukë t’nxehta që jonë ikë kur i kanë
ni automatat. Kena hongër bukë, n’mëngjes, n’pesë n’sabah ja kena fillu me ec.
Për ofensivën e parë jom tu tregu, edhe aty kanë fillu na kanë qu me ni
traktor. Qysh jena hi na kanë qu te familja jem. Po kish pasë refugjatë shumë
anej tu nejtë. E jena vendosë, e kanë kry ofenzivën knej, knej nuk kthehen. Po
kjo ish konë politikë e tyne, edhe ofenziva e parë mo qajo u konë na kanë kallë
shpinë, na kanë shkatërru me çka ka, edhe mo ia ka fillu n’shtator ofenziva të
njëjta.
Qat’herë ka fillu lufta e ashpër që ka bo mo, qat’here
kur u bo marrëveshja, nënshkrimi për me sulmu NATO. Tash nuk e di, na kemi qenë
n’ahër edhe mo s’kemi pasë kohë as fminë me i kapë. Merre me men nuk u dijke as
kah po vjen plumbi, nuk dishe as kah po t’vjen.
Atë ditë që fillunë, n’mars, na kanë tubu mo at’herë neve
na kanë tubu krejtve, s’na kanë lonë vend kërkun hiç as nëpër male mo s’na kanë
lonë vend. Na kanë tubu neve krejt nëpër fshatna edhe jena shku n’shkollë të
nji katuni. Mo me fmi, me granim, me krejt qaty kena nejtë tri ditë.
Jem dalë nëpër shpija kemi lypë miell. I kena qitë njo
tri bukë me i pjekë, po diqysh ma shumë si lloq si thojnë, si t’langt bukën që
s’mujshim kërkun me pjekë. Veç me shku me i qitë dikun si petë me i pjekë mi
shporet, për me hongër fmija, me ia mushë shpirtin fmisë. Çikën e kisha n’gji.
Gji nuk kisha, çika m’kajke… untë. S’kisha e ngrata me fmi tu kajtë, edhe kur
erdhën krejt, qata bukë që e kena pjekë edhe ata na kanë marrë, na kanë gju
shkelma jashtë shkollës.
Kur ka ardhë tash Shesheli, ka ardhë edhe Arkani. T’parët
kanë qenë t’Sheshelit. Na e dijshim cilët janë se ata thojshin, “Rrnoftë
Shesheli”, e britshin e piskitshin. Ata që thojshin “Rrnoftë Shesheli” kanë
qenë me mantilla t’gatë. Ata kanë lypë dukat, unë e kom pas dukatin se burri
m’ka thonë “Mos e le duakin n’shpi, le t’qëllon për çdo rast”, sikur te dijke.
Kur kanë ardhë t’Arkanit, ata ishin konë krejt t’qart.
Ata ishin konë krejt me maska, ishin konë krejt qela, me shamia n’kry.
I kishin pasë krejt aletet e masakrës. Na e kanë marr nji
djalë dy vjeç edhe e rroki me thikë njani prej tyne. ”E kam dorën e lehtë, e
kom dorën e lehtë, mos u tutni” bërtitke. Fëmija kajshin e britshin.
Çikën e kisha t’smutë, t’voglën, gji s’kisha me i dhonë,
me hangër s’kisha edhe e kom ditë që m’ka vdekë çika. At’herë kanë hi n’mesin e
grave, n’mesin e çikave edhe tu ju hi shkelma. Do i shtishin nëpër shpija me
kqyrë a ka UÇK, i kapshin i ngrehshin zhag. Aty na kanë da 20 veta, krejt zhag
na kanë ngrehë shkelma, tu na sjellë brijve. Na kanë çu mas shkollës. Edhe aty
na kanë deshë, na i kanë marrë teshat, na i kanë tubu me na kallë.
E na murrën i ndajtën çikat, besa ka pasë edhe grue që i
ka pasë 65 vjet, ka pasë edhe gra shtatëzana e na kanë çu mas shkolle. Aty kur
na kanë çu mas shkolle, na kanë deshë, na kanë mshtetë krejt për zidi cullak,
flakën na kanë qitë edhe aty mo vjehrra jem ka folë, e kjo çika ka kajtë shumë
e ka bërtitë. E ka shku kah bari e iu ka lutë që lshona ren’. Po kish do që
ishin t’mirë, do kish që ishin t’kqijë. Tani i ka thonë, “Cila osht’ reja
jote?”, ma ka bo vjehrra, “Hajde“… Kanë nga tri shoqe para meje, ato: “Unë
jam, unë jam” vjehrra ka thonë “s’janë ato”. Thotë, ” Po, pse?” thot, “Jo
s’janë ato”, thotë “ato s’janë”. ”Une e kom vjehërr”, e atyne ju ka ra kondakt
n’guj edhe i kanë lonë n’dy gujë tri femna. Unë i kom marrë teshat e ni gruje,
veç sa jom mshtjellë me dalë te vjehrra. Tani do gra mi kanë dhonë do tesha,
tani krejt ju kem bashkangjitë kolonës. Edhe kom mendu që po pshtoj, menja jem
pshtova, thojsha.
Ato gratë që kanë mbetë aty mas shkolle kurrë s’jonë
gjindë as… s’e dijmë as vorrin ku e kanë, kurrë. Jena bashkangjitë kolonës,
jena ungjë krejt, kryt n’dhe. Mo s’kena pasë, as me ni diçka, sa mujshin
gjujshin. Aty kena nejtë deri vonë, jonë ardhë kolonat, jonë bashkangjitë
shkitë, kanë fillu me knu. Me mjekrra deri kha, kishin marrë kingja, kishin
marrë dele, krejt i kishin mushë ato pragat e tyne e tu knu serbisht e tu
fishkllu. Shumë sene që kanë marrë, sene që i kanë vjerrë nëpër tenka, dukatin
e krejt t’vjerrun nëpër tenka. Edhe na krytë te poshtë, tenkat kanë pri përpara
na kemi qenë mas tenkave…
Mas tyne, edhe nonstop tu na ra me ksi kondakt
t’automatave, brive e ksajde s’mujshim mo. Fminë e kisha, çikën e kisha n’dorë.
Dy fminë, njonin e merrke kunata, njonin vetë për dore që mos t’ëm largohet
prej kolone. Me vjehërr me kunata, me motër t’burrit e krejt, e kemi fillu
kolonën. Kur jemi ardhë në një fshat na i kanë marrë krejt pleqt. I kanë vra
para syve tonë 13 pleq. Kqyrni thojke, “Cili osht’ baba juj?” I kapshin
t’ngratit ata pa u bo sen, e ulshin kryt, automat n`kry. Kuku çka kena pa na,
aty tani kanë fillu gratë çka i kishin n’kolica nanat e paralizume, i
detyrojshin me i shti n’mal, e ata hishin e i vrajshin n’mal. Edhe i lejshin
n’mal nanat që kanë qenë t’paralizume ose i çojshin me kolica…
Kemi fillu, kemi ecë, edhe na ka ra granata midis kolone.
Aty ka pasë gra pa kry, aty ka pas gra pa kamë, pa dorë. Po unë, kur e kom
vrejtë veten që m’ka përfshi edhe mu copa e granatës, çikën ma ka përfshi pak
n’ftyre, mu m’ka rrokë n’gji edhe n’kamë.
Veç tu ecë e kom vrejtë çikën thashë, “Nanë, çikën ma
paska rrokë copa e granatës” edhe aty kush ishin me gjak, kush ishin veç i
skajojshin prej kolone edhe i vrajshin. Ma ka bo vjehrra, “Ec, as mos u kthe me
kqyrë çikën diqysh, se marove edhe ti me fmi”. Kah me ecë, kah me ecë po
m’shkojke gjak kamës. M’shkojke gjak kamës “Oj nanë veç po dridhna, s’po muj mo
me ecë, maje çikën”. Gratë m’kanë dhonë do pelena me mlu çikën, ma kanë lidhë
kamën gratë deri jem shku n’qytet… rrugës vjehrra ma ka bo, “A din… çika ka
vdekë!”… “Çka me bo oj nanë, ku me lonë?” i thashë. Vetë isha e plagost, e
kisha varrën. Po hala jon konë do që jon konë ushtarë, do policë që jonë konë,
ushtri e rregulltë, ka pasë, po ata që ishin me maska, ata has vrajshin. E kom
marrë çikën e kom lshue te një mulli, atë mulli s’du me pa kurrë. Edhe kur e
kom lshu, ma ka bo ni shka, “Mos e le se e han naj qen”. Ushtar me uniformë ka
qenë, ushtar ka qenë edhe ma ka bo, “Mos e le”, lehke si qen vetë, “merre” ma
bojke serbisht “merre”. E kena marrë çikën. Edhe kur jena afru ngat qytetit na
kanë gjujtë me nifar ledine, edhe aty kanë fillu na kanë nda edhe na kanë shti
me ni kooperativë. Aty na kanë shti 130 veta, tash na nuk kena guxu me dal me kqyrë
kah po i qojnë tjerat, edhe jemi hi na, jem vendos në kooperativë. Kur jemi hi
atje kem nejtë. Edhe aty vjehrra na ka shtru ni palltë e ka pasë, e majke se
ftoftë u konë koha. Kanë ardhë gratë, qysh me ia bo, me gërshonë ma kanë hekë
ket pjesën e mishit që mos me u infektu. Ma kanë pre gratë, ma kanë lidhë kamën
mi kanë qitë mill që me u nalë gjaku, pak u qetsu. E për gjinin, gjinin nuk
mujsha me nalë kurrqysh, çikën e kisha n’gji, kur çika lypke me thithë. Ia
nisën me m’rrokë temperaturë, ia nisën me m’rrokë ethe…
Ia nisa edhe pak çikës me i dhonë tamël që ma prunën do
gra me ia lagë buzët. Çika veç filloj me i çelë sytë, çika gjallë ish konë.
Edhe mo çika filloi me u përmirsu, aty kemi nejtë njo tri netë, po jom konë
shumë smutë. Veç ni doktor e falenderoj shumë.
Ata mo u vendosën aty para koperativës krejt shkitë, edhe
kanë nxanë rini shumë. Aty kcejshin prej toke n’cull t’barkut para neve tu na i
rrehë djemtë. Krejt shkojke gjaku teposhtë, u cillke, u rroke për zidi. Cili e
rroke me kondakt, a e hangshin, e jepshin orën, a dukatin djemtë e ri. Hiç
s’vijke n’shprehje, prej toke shkelma që kcejshin e i shtishin n’kamiona. Na
aty ia nisum po kajmë, po piskasum, po bërtasum. Na u afru ni shka, e rrehi ni
plak. E rrehi edhe ni çikë. Ajo u kanë e re, veç që i ka pasë floktë e
shkurtune mushki edhe tha “UÇK a?” Na e ka rrehë ato nërsy krejtve. Edhe na
kanë bërtitë, “Pse po bërtitni?” edhe na kanë shti apet mrena.
Kur na kanë shti neve aty mrena, edhe thashë, zahere pi
marrin djemtë e ri, krejt i mushën kamionat. Edhe na thamë, po largohen, po i
marrin e po largohen. Kur jena hi mrena edhe hinën dy vetë, ishin pak ma te
ulët, thojshin, “Lshoni fëminë edhe perjashta!” Përjashta krejt fëmia jonë dalë
edhe s’i lamë me i vra fëminë, na asnjo nuk pranojshum. Hiç s’dojsha me pranu,
dy fëminë i kom lidhë qishtu edhe thojsha le t’ëm vrajnë me fëmi se s’largona
kurrë. Evladi ish shpirti i shpirtit.
Aty tani ia kena fillu me kajtë, tha, “Burrat ia u kena
vra. Ia u kena kallë shpijat. Çka pritni ju ma? Pse s’jeni shku në Shipni?
Albania… pse s’shkojshi?” thojke. “O na i ke vra me burrë e me krejt, une mo
as fëmitë s’i lshoj. Me fëmitë vramë”. E ka hekë automatin, edhe kur e kom pa
fëmitë që kanë fillu me dalë, do t’grave që i kanë lëshu fëminë. Unë fëminë s’i
kom lshu, o siç um ka rrokë shuplakë, me veshin vonë kom pasë problem me vesh.
Aty i kanë marrë fëminë, mu m’kanë rrehë edhe kanë fillu
me na nda… 130 veta jena kanë, 50 veta na kanë nda në qat ven që kemi qenë. Fminë
i murrën, i qitën jashtë. Kanë marrë gra, ma s’kena pasë… Na krejt u tranum
krejt t`u bërtitë që ma kurrë ai za s’um heket prej veshit (qan). Edhe aty tu
bërtitë e tu piskitë ia kanë fillu, na si kena ndigju që janë kanë ushtarë e
jonë kanë me asi të masakrës, jonë konë me alete, thika shtrafcigera, s’di qysh
me thanë, jonë kanë me maska.
Me mjetet që i kanë pasë, edhe tash kur u hi ai i madhi
me maska e di që ni dhamë të dukatit e ka pasë në gojë. Kur ka bërtitë, “Për ni
minutë krejt mu deshë, krejt! Ktu afat s’ka! Veç ni minut keni mu deshë krejt”.
Na jena kanë 50 veta, prej 130-ve që jena kanë, 50 veta
na kanë nda qaty, na kanë marrë. O brima që u shkue, piskama që u shkue, as
s’dishum cilën me ngushllu, cilën me afru s’guxojshum tu sjellë, tu i rrehë. Tu
na deshë me zor, me thikë bre jelektë që mi kanë pre qitu, ma bike thikën
(qan). Une jom kanë e plagostë, po nuk më kanë kursy. Jom kanë e plagostë në
kamë e në gji. S’u ardhë në shprehi hiç, veç gjaku që m’shkojke për gjini knej.
Veç e di kur m’ka ardhë vetëdija, e di, dy vetë i kom pasë përmi. Njani m’ka
majtë, tjetri e ka bo punën e vet. Krejt jena kanë të qarta të prishta. Ata mo
qysh e bojshin qefin e vetë, qysh dijshin aty mo s’ki pasë shancë, dy orë, tri,
as s’i kanë çelë as dyrtë. Edhe jashtë kanë qenë me fëmi, e me gra, e me krejt.
E kanë ni brimën, e kanë ni piskamën. Krejt aty jena kone, gjynah, a din, sebep
mas sebepi jemi njoh krejt. Ma as s’kom ditë as ku jom. S’kom pasë as vetëdije,
vetëm vjehrrën e maj n’men pak që ma ka gju ni qebe kur o’ hi. Tani i kanë
marrë me veti, s’e di sa i kanë marrë me veti, veç pak, 30 veta jena met’. 20
veta prej atyhit i kanë hekë. E ma, u ardhë vjehrra me na mbulu, e kan hi
krejt. Çika e madhe e mban men thotë, “O mam qysh britshit e piskitshit, s’du
mo me pa, as televizorin”. Pesë vjeç u kanë.
Edhe aty kanë fillue gratë me ujë te nxehtë me na la.
At’here as ujë s’kishum, s’kishe ku me marrë as ujë. Kemi nejtë aty edhe ni
javë ditë, rrafsh ni javë ditë, po ata qasjade jonë konë. Edhe tjerët që jonë
shku, po qaty kemi nejtë, nonstop n’kontroll të tyne jena konë.
Kanë ardhë prapë t’nesrit. T’nesrit kanë ardhë tjetra
parti. Unë kom hypë në tavan me ni çikë, kom pshtu n’tavan, edhe mo s’jom dalë
poshtë hiç. Deri kur u kry.
Kanë ardhë gratë, kanë ardhë kush ka pasë mundësi, kush
ka pshtu do sene, kush ka pas sene nëpër shpija, na kan mlu. Kush ka pas do
tesha, u munojshin me na bo nifar ushqimi me hangër, po hiç s’ka pas shancë,
tani na kanë pru mjekët menxi, varrat me i ly pak.
Po aty në atë koperativën kena nejtë edhe ni javë edhe
masi ka përfundu edhe ma s’kena pasë ku me shku na, nuk e dishum a na kanë
pshtu djemtë, a u vra kush! Kemi dalë në ledinë, kajshin gratë, tana sot me i
pa trupi me rrëqethet, edhe kemi dalë në ledinë jemi ungjë, kemi kajtë gjitha
gratë që na kanë ndodhë. Po sa kena nejtë në atë javë, gjashtë fëmi i kemi
varrosë, se s’kanë pasë çka me hangër, s’ka pasë çka me pi. Vorrin e marojshim
mi at koperativën veç sa mi shti në dhe, se s’ke pasë ku mi shti. Tani dilshum
i kajshum vorret edhe kur pi shoh vllaun e burrin që po vijnë. Khu Zot, qysh mi
dalë përpara, kta kishin ni çka ka ndodhë krejt po s’ja dhojshin vetit që pe
dinë! Erdh vllau, erdhën tani kta djemtë e mixhallarve që jon kanë të vesht me
tesha të ushtrisë, tani burri. Tani tha nana, “Hiç mos bo zo, le te dinë tonë
qe je e rrehtë”, se edhe kto kanë me thanë “që jemi të rrehta”. Edhe qashtu
vendosum, që jena të rrehta, po thashë si sot si nesër me ni, ma mire le te din
çka osht’, le të osht’ me kohë, le t’vendosë sa t’jom qitu. Aty kom qenë kur
nuk e kom njoftë kush osht’ a o’ burri jem a s’osht… Edhe tash burri kur
afrohet ngat kqyr, çka me pa, nuk isha veç une po ishum shumë gra tjera. Krejt
secilën te kqyrësh, shumë pleh, si të smuta, të qarta, edhe u afru ngat, dola i
kapa përqafe vllaun e burrin e krejt ata çka kanë pshtu prej lufte. Tha burri:
“A pshtutë?” thashë, “Pshtumë”. M’ka kapë edhe njëherë përqafe edhe m’tha, “Ku
jonë fmija?”. Të tubumë krejt qaty ia nisën do fjalë, e kom marrë burrin e kom
largu, edhe i kom thanë qishtu-qishtu na ka ndodhë, “Ndaç prano, ndaç mos prano”,
thashë “qishtu, jo veç mu po krejtve qishtu na kanë nda”. Tha që e din, “edhe
ti ke me kanë gruja jem qysh je kanë gjithë, gjithë ki me kanë”. Edhe gjithë
burri m’ka përkrahë. Tani kanë ardhë KFOR-i, si i kom pa, m’ka hupë vedija…
Thojsha “Prapë ja nisi lufta”, ka pas problem burri, vjehrra se ma nuk mujsha
me deshtë kërkanin. Nuk mujsha ma hiç, hiç mu adaptu se jeta jem u shkatrru, se
jeta jeme s’osht’ si perpara qysh ka qenë si para lufte, si mas lufte.
Gjithqysh, ka pasë kohë që bijsha me flejtë, nuk mujsha me flejtë, u çojsha
n’kamë, hinën, erdhën, shkunë, u çojsha, britsha piskitsha në gjumë.
Ama kta krejt e dijnë që jom kanë shumë e rrehtë. Edhe
baba ka qenë në dijeni, shumë ma, aty u munojshum nifar jete po nuk kishum
vullnet. I kisha fmitë, vjehrri ma ka hekë kanopin prej fyti, jom shku vetën me
furë në garazhdë, vjehrri ma ka hekë kanopin “Çka je tu bo bre bijë?! Çka ki
bre bijë?!”, psiqikisht unë kom pas lu pej menve…
Mas lufte shumë kom hekë, tri vjet jom kanë psiqikisht e
lujtne. Kurrë s’kom guxu me nejtë pa kokrra, ksi qetsuse…
Prej 2008-ës ju falënderona kësaj shoqate ku po flasim.
Zaher jam kanë e mbylltë, tash ma mirë. Unë e kom rrëfy luftën për herë të parë
në kët vit. Ka pas aty… s’jonë kanë veç dy-tre vetë, po kemi qenë shumë që ia
kom rrëfy luftën se s’ka mujtë me m`nalë kërkush, me më nalë tu folë. Çka kom folë,
po unë kom folë, kam fol për përjetimet e luftës. Se kom dit se edhe më vonë do
të flas… tash e po vij, po dal pak. Kur kom shku për herë të parë, aty kom
edhe burri m’ka thonë, “Shko” se burrin e kom pasë n’punë. “Shko, osht’ diçka,
pse mos me shku? Jonë shku gratë”. Po shumë kemi qenë, dy komba kemi shku, gra,
burra, krejt jemi shku me shprehë luftën çka kena përjetue.
I kom vrejtë ndryshimet masi kam folë. Se pak m’u dukshin
njerëzit ma t’gjallë, ma m’pritshin ma mirë. M’u duke kanihere vetja që sen nuk
po nij çka m’ka ndodhë. Qe dy vjet e knej, mirë jam me burrin, qe dy vjet. Pe
nij që jam me burrin pak e afrume se nuk kom deshtë… Ai e ka kuptu gjithë.
Osht’ ni person shumë i kuptushëm, osht’ ni person shumë i qetë. Edhe vetë jom
shumë nervoz, e bash kur jom nervoz ai m’qetëson, ai m’flet mirë, “Hajde dalum
pak, hajde shëtitum pak. Hajde… s’ki… thotë çka ki mu bo nervoz nusja jem?
Pse po bahesh kaq nervoz? Ka kalu lufta mo, ajo o shku, ajo duhet me u harru.
Tash e kem t’ardhmen, fminë, familjen”. Shumë osht’ i qetë, e falemnderoj me
zemër se e kam ni ksi burrë…
Sot ma e mira që pres me ndodhë, veç fëmia që t’ëm
shkollohen. Prej fëmive e pres t’ardhmen, që t’i shoh t’u u shkollu, t’i shoh
t’u u punësu që mos t’përsëritet kjo, dhashtë Zoti mos t’përsëritet kurrë, oh
Allah që po t’lutna.
Po arrihen, qato që i kom mendue, që qato hjekë që kom
hjekë, pe shoh që pas kom pasë për kon me nga, kom pasë për kon.
Porosia ime osht’, ma s’shumti, t’falemnderoj që na keni
dhonë këtë mundësi që t’flasum, që po e pres me gjithë zemër ni libër që ta
lexoj, e jetën qysh e kena përjetu para lufte, e qysh kom përjetu mas lufte.
Qajo osht’ dëshira ime, që t’e shoh librin n’dorë t’e lexoj. Që ta shohin
t’gjithë n’Kosovë, që ta lexojnë se çka kena përjetu nanat. Çka kena përjetu
për fëmi, çka kena përjetu për këtë vend. Qajo osht’ porosia ime e fundit.