“Masakra që tronditi botën”, rrëfim për krimin që bëri Serbia 21 vjet më parë

Mëngjesin e sotëm heshtja  e mbuloi Reçakun, ashtu ngjashëm si ishte edhe 21 vjet më parë.

Në orët e hershme të 15 janarit të vitit 1999, fshati u zgjua i rrethuar nga forcat kriminale serbe.

Pikërisht në këtë vend ndodhi njëra ndër masakrat më të tmerrshme në Kosovë, ngjarje kjo e cila e ndryshoi përgjithmonë edhe historinë e Kosovës, shkruan FaktePlus.

E dyert që shihet në shumë filmime duke u thyer me shqelma nga njëri prej ushtarëve të forcave serbe, vazhdojnë edhe sot e asaj dite të qëndrojnë të forta.

Në fshatin që aso kohe pak kush ia dinte emrin, u vranë e masakruan mizorisht fëmijë, të rritur e pleq, e në mesin e tyre edhe një grua e moshuar, trupi i së cilës ende nuk është gjetur.

I mbijetuari i kësaj masakre Aziz Beqiri rrëfen për FaktePlus, tmerrin që përjetuan atë mëngjes të hershëm e të ftohtë.

Ai thotë se edhe para 15 janarit forcat serbe kanë tentuar që të hyjnë në këtë fshat.

“Unë e kam përjetuar atë ditë masakrën. Mirëpo, nuk ka qenë vetëm 15 janari kur kanë hyrë forcat serbe. Ata kanë tentuar të hyjnë edhe para kësaj dite, kanë tentuar të hyjnë edhe tri apo katër herë edhe kemi pasur të plagosur edhe para 15 janarit, ka pasur edhe provokime, dilnin në kodër këndonin serbisht….Në 06:45 minuta krismat e tyre kanë qenë me alarmu, çdo lëvizje pastaj e kanë pasur në shënjestër, ai që u dalë prej shpisë e kanë pas shënjestër”, ka thënë Beqiri.

Ai duke rrëfyer gjithë ngjarjen e 15 janarit ka deklaruar se ajo ditë për të ka qenë një tmerr i madh.

E këtë e thotë pasi që aty ka pasur edhe persona të plagosur të cilët kanë kërkuar ndihmë, mirëpo që nuk kanë guxuar t’i ndihmojnë.

“Nuk ka pasur tmerr më të madh. Ka pasur aty që kanë qenë të plagosur dhe ka kërkuar ndihmë po që ne nuk kemi guxuar me dal me iu dhënë ndihmë një pikë uji nuk iu kemi dhënë sepse u vra ai bile le të shpëton tjetri, Ajo ditë ka qenë e kobshme, Patëm punë me të keqin”, ka thënë ai.

Beqiri, mes dhimbjesh tregon edhe sa anëtarë të familjes i ka të vrarë në këtë masakër.

“Po e kam të vrarë djalin e vëllait dhe pesë kushërinj të tjerë”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, ka edhe një thirrje për krerët e institucioneve të Kosovës, si dhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

“Këta tonët ndoshta nuk kanë mundësi me bë më shumë, mirëpo me i bë presion bashkësisë ndërkombëtare që kjo e fundit me i bë presion Serbisë, sepse ka shumë punë pa u zgjidh, bile së paku me iu kërku falje këtyre viktimave çka ka bërë ai. I kemi 1500 të zhdukur që nuk e dinë as nënat e tyre e as baballarët se ku i kanë të afërmit e tyre. Bashkësia Ndërkombëtare shumë e ka toleru, ajo politikë e Millosheviçit atëherë është duke u zhvilluar edhe sot nga Daçiqi edhe Vuçiqi, pra le të dijë edhe bashkësia ndërkombëtare por le ta dijnë edhe tonët se ai Millosheviç është edhe sot”, ka thënë ai.

Masakra në të cilën u vranë fëmijë e pleq edhe pas 21 vitesh vazhdon të kujtohet jo vetëm nga kosovarët, por edhe nga qytetarë të trevave të ndryshme shqiptare.

Në mesin e tyre që kishin ardhur të bënin homazhe për këto viktima ishin edhe qytetarë nga Shqipëria.

Është Elida Jorgoni e cila ka ardhur nga Durrësi për të kujtuar viktimat e Reçakut.

Ajo tha se ka ardhur për t’i dhënë mesazh siç thotë ajo armikut të kombit.

“Kam ardhur këtu që të nderoj gjakun tim. 21 vite më parë është përjetuar një dramë e madhe në këtë territor dhe unë dua t’i jap këtë mesazh armikut të kombit shqiptarë Vuçiqit pasardhësit të Millosheviçit së Reçaku nuk është gënjeshtër, ka ndodhur dhe duam t’ia shpallim botës se ne jemi këtu për të mbrojtur dinjitetin tonë gjakun tonë të nëpërkëmbur, të vrarë, të masakruar….Është ditë e vështirë të shikosh gjithë këtë gjak të pafajshëm, vjen tjetri nga dëbon nga vatra, na vret na dhunon dhe ne nuk duhet të heshtim. Këtu do të duhej të ishin komplet gjithë trevat shqiptare, do të duhej të ishim akoma më tepër për të treguar që ne nuk kemi vdekur”, ka thënë ajo.

Për t’i nderuar viktimat e Reçakut kishte ardhur edhe Ramadan Sallahi nga Suhareka. Ai tha se 15 janari i vitit 1999 nuk do të harrohet kurrë.

“Është një ditë që nuk do të harrohet kurrë në tokën shqiptare, edhe kam ardhë për të bërë homazhe, apo me përkujtu këtë tmerr që e bëri shkau këtu e në të gjithë Kosovën, në shumë vende bëri shumë masakra, bëri çmos, për atë kam ardhë me i kujtu këtu….Po e shohë shumë doptë. Kosova po shkon shumë dopt”, është shprehur ai.

21 vjet më parë në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua, e cila ende nuk është gjetur.

Pas vrasjes masive, ish- shefi i misionit të OSBE-së, William Walker shkoi në vendin e ngjarjes, duke u bërë dëshmitari i parë ndërkombëtar që i dërgoi një mesazh botës se ajo që po ndodhte në Kosovë ishte “një krim kundër njerëzimit”.

Mesazhi i tij ishte një faktor i rëndësishëm në vendimin e forcave të NATO-s për nisjen e bombardimeve kundër regjimit serb në Kosovë. Kështu, kjo ngjarje që ndodhi në këtë fshat të vogël e ndryshoi përgjithmonë edhe historinë e Kosovës, e cila tashmë ka më shumë se dy dekada e çliruar dhe gati 12 vjet e pavarur. /KultPlus.com

‘Se më deshi pa masë me gjithë qenien e tij, është mëkati i tij’

Një prej artisteve që asnjëherë nuk e ka humbur origjinalitetin e saj, është Rovena Dilo.

Një zë padyshim i fuqishëm, Rovena Dilo nëpër vite ka ditur të sjellë këngë të cilat kanë zbrazur shpirtin e saj në çdo nota.

Kënga “Rrëfimi”, para disa vitesh e intepretuar në Festivalin e Dhjetorit në TVSH, ka mbetur si një prej këngëve të fuqishme të Rovenës, së cilës këngë ajo edhe ia realizoi videoklipin.

Bashkëpunimi me Armend Rexhepagiqin dhe me Aida Barakun kësaj këngëtareje jo rrallë i ka sjellë suksese, dhe kjo këngë e konfirmon këtë sukses.

Rovena sot ka nxjerrë edhe videoklipin e këngës më të re – ‘Do të çmend’. / KultPlus.com

Rrëfimi

Poezi e shkruar nga Fahredin Gunga.

Pse më shikon si të huejin? A nuk më njeh?

Sëbashku a si vorrosëm tifusarët e natës

dhe mëngjezet buzëkuqe bashkë me ta?

E hapa zemrën dhe rafal të ri për këngë

ia derdha syve të tokës naive, tokës llahuse –

tokës që era gjak kaherë nuk po i vjen.

Më thuej, pra, o vlla i im i dashtun –

vlla i djersës sime, i dallëndysheve të mija –

pse më këqyr si të huejin? A nuk më njeh

ende?