Poezi nga Donika Berishaj
Dy të huaj,
Që njihen mirë,
Me urrejtje dhe epsh që bën kolaps mes tyre,
Jemi ne.
Sikur të zhytesha në thellësitë e egos tënde,
Të bëja dashuri me pasiguritë tua më të fshehura,
Trupi im të ishte një skulpturë e imagjinatës tënde të ndotur,
Kurse shpirtrat tanë të lundronin në sipërfaqen e agonisë.
Kaos është dashuria jonë,
Kaos jam unë, kaos je ti,
Ta hajë dreqi kaos është universi ynë,
Por, kaosi ynë, më sjell qetësi.
Ironinë e ndiej në buzët tua,
Sarkazmin në buzëqeshje,
Cinizmin në të folurën tënde,
Libidon në sytë e tu…
Je aq sipërfaqësor.
Të njoh mirë tani.
Ishe i humbur dhe të gjeta.,
Prapë më ike prej dore.
Qen endacak je,
Ushqehesh nga duart e kujtdo që të dhuron dashuri,
Vërsulesh andej e këndej por në fund, shtëpinë e gjen tek unë.
Jo, ne s’jemi asgjë,
Vetëm dy yje të imëta në galaksitë infinite,
Por një ditë prej ditësh kur të zhdryp si meteor,
Do t’i mbyllësh sytë dhe do të më dëshirosh mua.
“Rrëmujë pasionante”, një ndër poezitë finaliste të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, organizuar nga KultPlus./ KultPlus.com