Agim Sulaj sjellë “Rrënjët 2” në Tiranë, ekspozohet dhe vizatimi origjinal “Valixhja e refugjatëve”

Artisti i njohur Agim Sulaj i vlerësuar në botë me veprat e tij këtë dhjetor ka çelur në Tiranë ekspozitën “Rrënjët 2”. Janë 27 vepra që janë prezantuar në këtë ekspozitë për publikun, punime në vaj dhe për herë të parë prezantohet dhe vizatimi origjinal i vlerësuar me çmim të parë në Londër “Valixhja e refugjatëve”.

Piktori dhe karikaturisti i njohur vjen me këtë ekspozitë në Tiranë te hotel Plaza pas asaj që çeli një vit më parë. Piktori tregon se në aktivitetin e tij artistik ka gjithmonë dëshirë, që të vijojë të jetë me prezantimin e veprave të tij në Shqipëri.

“Dëshira ime e këtij viti ishte për tu prezantuar me punimet e mia, me të rejat e krijimtarisë sime në Tiranë, me artdashësit shqiptarë dhe ambienti ku unë vij për herë të dytë me ekspozitën “Rrënjët 2” është i tillë që unë mund të prezantohem si një galeri, ku mund të jem çdo fundviti dhe mund të sjell sërish punime. Si një minigaleri ku unë mund të prezantohem me veprat fituese në arenën ndërkombëtare qoftë në karikaturë, si dhe me veprat e reja që përshkruajnë historinë e vendeve dhe timen personale të rritjes artistike. Unë kam dëshirë që herë pas here t’ia sjell veprat e mia publikut shqiptar”, tregon artisti i njohur.

“Valixhja e refugjatëve” e artistit Agim Sulaj rrëmbeu çmimin e parë në Londër në një prej konkurseve më të rëndësishme organizuar nga “The Derwent Art Prize”. Mes shumë veprash nga artistë të huaj, puna e artistit shqiptar mori çmimin e parë. Për këtë vepër artisti pohon se ka dëshirë që të jetë dhe realizuar në bronz dhe të vendoset në Vlorë.

“Është vizatimi i madh fitues i çmimit të parë në Londër 2016. I seleksionuar për konkurrimin ndërkombëtar të vizatimit midis 3200 veprave të ardhura nga gjithë bota. Në 70 punime të ekspozuara vepra Refugees fitoi çmimin e parë. Dhe kam shumë dëshirë ta realizoj në bronz në lungomaren e Vlorës. Si pika me sensibile e dramës së ikjes”, tregon artisti Agim Sulaj.

Kjo vepër që është ekspozuar këtë herë në Tiranë më parë ka bërë një xhiro në ekspozita të tjera në botë. Në Tiranë Agim Sulaj tregon se tema e emigrimit është e trajtuar gjithmonë në veprat e tij. “Është një temë e imja që unë e kam trajtuar gjithmonë në krijimtarinë time, ikjen dhe ardhjen e njerëzve. Në 30-40 përqind të punëve të mia janë ato që unë kam trajtuar valixhen, problemet me emigrimin. Një lloj autoportreti e gjithë shkallëve që unë kam nuhatur nga emigrimi. I kam vizatuar dhe pikturuar, duke u bërë shembull dhe për të tjerë”, vijon ai. Ekspozita “Rrënjët 2” do të qëndrojë deri nga fundi i muajit shkurt 2018 te “Plaza” për publikun.

Ndër vite me krijimtarinë

Agim Sulaj është një artist që lëvron gjininë e portretit dhe peisazhit hiper realist dhe karikaturës. Në fushën e karikaturës ky artist ka marrë mbi 60 çmime ndërkombëtare dhe çmimin “grand Prix de Cartoon” i cili vlerësohet si Oscar i karikaturës. Prej vitesh krijimtaria e piktorit Agim Sulaj është në vëmendje, gjithmonë duke prezantuar punime me të cilat përcjell mesazhe, artisti tregon se gjatë këtij viti më shumë i është dedikuar Europës me krijimtarinë e tij, ku drama sociale e krizës së refugjatëve i dha atij një tjetër vlerësim në Londër. Agim Sulaj piktor e karikaturist 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”.

Në vitin 1985 diplomohet në Universiteti i Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te “Hosteni (revistë)”, e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj. Në vitin 1990 shkon në Ankara të Turqisë me veprën tij “Valixhja e emigrantit” punim i vitit 1989, dhe fiton çmimin special në “Aydin Dogan International Cartoon Competition”.

Në vitin 1992 hap një ekspozitë Rimini e në vitin 1993 një tjetër në Provinca Brindisi. Në vitet ‘90 merr rrugën e mërgimit dhe vendos të shkojë në Provinca e Riminit. Fillimisht vetëm e më pas tërheq edhe gruan e djalin e vogël. E që atëherë ka jetuar aty, është vendi ku ka vendosur kavaletën e vet, dhe prej nga ku shkon në të katër anët e botës me pikturat dhe karikaturat e veta. E merr vlerësimet maksimale kudo. Edhe sot e kësaj dite trajton temat shoqërore në punimet e tij, shkruan SotNews. Padyshim shumë më lirshëm se më parë, por pa rënë kurrë në “karikaturizimin e personit”. Vazhdon të kritikojë dukuritë, jo mbartësit. Në vite ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë,Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, Luksemburg, etj./ KultPlus.com