Shpallen fituesit e Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë

Pas pesë ditësh intensive me punëtori e koncerte që u transmetuan online, Gara e Kompozitorëve Ballkanikë në Prishtinë, të premten mbrëma, ka shpallur fituesit e edicionit të dytë.

“Rrëqebullin e Argjendtë” e ka marrë kompozitori Tomislav Oliver nga Kroacia për veprën e tij “Mixórdia IV”. Ai do të marrë shpërblimin prej 500 eurosh si dhe një vepër të re të komisionuar për “DAM Fest 2023”.

Për ”Rrëqebullin e Argjendtë” ka vendosur juria në përbërje të kompozitorit holandez, Klaas de Vries (kryetar i jurisë), flautistes amerikano-gjermane Helen Bledsoe dhe kompozitorit iranian, Ashkan Behzadi, i cili jeton e vepron në Kanada. Çmimi tjetër i Garës së Kompozitorëve Ballkanikë ka mbetur në Kosovë. Kompozitori Bardh Dubovci me veprën e tij “TAH – They are here”, ka marrë “Çmimin e publikut” i cili është përcaktuar nga votat online dhe i cili përfshin edhe vepër të komisionuar për programin e “BCCP 2023”.

Për edicionin e sivjetmë të kësaj Gare, ishin përzgjedhur gjashtë finalistë. “Duam t’i falënderojmë të gjithë aplikuesit veçmas, gjashtë finalistët e edicionit të dytë: Deniz Aslanin (Turqi), Arda Bayramin (Turqi), Bardh Dubovcin (Kosovë), David Mastikosan (Bosnjë-Herzegovinë), Petra Strahovnikun (Sloveni) dhe Tomislav Oliverin “Kroaci)”, shkruhet në një njoftim të organizatorëve të Garës. Po aty, është falënderuar edhe flautistja e ansamblit “Oerknal” Susanne Peters për interpretimet mbresëlënëse të gjashtë veprave të finalistëve.

Në fakt, me interpretimin e saj, transmetuar në një koncert digjital të hënën e kësaj jave në “Paper Gallery”, qe hapur edicioni i sivjetmë i “Ballkan Composer Competition in Prishtina”.

Organizatorët po ashtu kanë thënë se janë befasuar me numrin e votuesve përgjatë javës, e të cilët kanë vendosur për “Çmimin e publikut”.

Edhe sivjet, BCCP erdhi si rezultat i bashkëpunimit të “DAM Fest” (Kosovë) dhe kolektivit muzikor “Oerknal” (Holandë). Fillimisht, edicioni i sivjetmë planifikohej të ishte në format hibrid, por masat e reja të shtetit për të parandaluar shpërndarjen e koronavirust në fillim të muajit bënë që ngjarja të mbahet vetëm online. Përveç garës, BCCP-ja ka sjellë edhe programin artistik me të cilin erdhën online katër koncerte, radio-performancë me DJ set dhe “DAMcademy” që është shkollë për muzikën e re.

Sivjet gara bienale ka qenë e hapur për kompozitorë të lindur pas 1 janarit të vitit 2003 dhe u është kërkuar të shkruajnë një vepër për solo-flaut prej 3 deri në 5 minuta. Gara është zgjeruar edhe gjeografikisht. Të drejtë konkurrimi kanë pasur kompozitorë nga 12 shtete të Ballkanit: Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Sllovenia, Shqipëria dhe Turqia. / KultPlus.com