Poezi nga Jevrem Bërkoviq
Përktheu Azem Shkreli
Edhe kur të të mundin
(Të mundurve vetëm kjo u mbetet),
Edhe kur zgjedhën ta venë në qafë
Edhe kur këmbanën në fyt ta varin,
Edhe kur të heqin në vargonj qeni,
Edhe kur thonjtë t’i çkulin me darë,
Edhe kur varrin ta gërmojnë,
Rri drejt!
Le të shohin se vetëm ashtu di.
Rri drejt!
Rri drejt edhe kur të çlirohesh
Çlirimtari është çlirimtar
Nëse rri krejtësisht drejt.
Ç’na duhet Çlirimtari i kërrusur!
Rri drejt!
Liria është barrë e madhe njerëzore
Ndoshta më e madhe se çdo barrë.
Kush ngrihet nën atë peshë,
Ai është i lirë dhe i drejtë,
Atij nuk i duhet shkollë tjetër.
Rri drejt!
Edhe kur asgjë nuk të pranohet,
Kur të lënë pa medale e pa grada
Kur parzmën ta ndukin e krahët t’i lakuriqojnë
Kur je i dyshimtë e nën sogjë,
Kur edhe emrin në varr ta rrafin
Rri drejt!
Edhe kur pushteti yt të shpie në burg
Para tij patjetër drejtohu
Le të shohin
Përse ke luftuar dhe ke fituar. / KultPlus.com