Hermes Kafexhiu
Në ujë, ndryshe nga toka njerëzit lëkunden. Në ujë ka dhe një zhurmë të përhershne. Uji flet më shumë se dheu. Gjatë lëvrimit të “Kur nisen udhëtarët e vitit të ri” roman ende i pa përfunduar, sheh se historitë aty kanë shpesh prezencën e lumit. Lumi ka qenë një vend që fëmijëria e personazheve në roman, i dëshmon shumë histori. Lumi ka dhe peshkatarët. Lumi vetëm rrjedh. Duket ndonjëherë sikur perënditë e kanë sjell lumin në një kohë me vetë kohën, sepse të dy vetëm ikin në formë të pakthyeshme. Peshkatarët nuk ndryshojnë shumë nga njëri tjetri, ata janë të shkujdesur dhe të përqëndruar në të njëjtën kohë. Kanë një pamje të lëkundur si vet lumi.
Një ditë një peshkatar harroi rrjetën. Ishte pasdite pa ikur dielli. Qëndruam gjatë në lumë atë ditë, ndoshta për faktin se ishin ditët e fundit të verës, ose do ketë qenë një nga ato ditë kur do ta shijosh sa më gjatë. Është si ato ndjesitë që kur ke qejf një ushqim ose një pije, edhe ske rast më ta provosh, do ta shtysh sa më shumë. Shkova pranë rrjetës. Kisha prekur rrjet, por jo si ajo. Ajo dukej që kishte kapur shumë peshq. Peshq pa fund ishin shënuar në rregjistrin e saj të viktimave. Diku në një pjesë pashë një luspë. Luspa kishte mbetur aty si një kujtim, por a e ditur askush, pa e kuptuar askush. Fundja kuptimi është diçka e rrallë të njerëzit. Përgjigje e shumë përgjigjeve është të kuptosh kuptimin. Rrjetat lënë gjurmë për të arritur në këtë shteg, edhe pse janë mjet që përdoren për të kontrolluar qenien mes dhimbjes dhe kënaqësive. Njerëzit kontrollohen respektivisht, përmes dhimbjes dhe kënaqësive.
E si dola nga gjithë ai thellim brenda rrjetës, pashë hijen e peshkatarit që e kishte harruar.
-Hë, do ta hedhim njëherë ? Kur ikën dielli, kapet më mirë peshk.
Qesha./KultPlus.com