Shtëpia botuese “Dukagjini” anëtarësohet në rrjetin EEPG

Shtëpia botuese “Dukagjini” bëhet anëtare e plotë e rrjetit EEPG – (European Educational Publishers Group), Grupi i Botuesve Evropianë për Arsim.

“Dukagjini” jo vetëm që është shtëpia botuese e vetme nga Kosova që ka arritur të anëtarësohet, por, njëherësh, është edhe botuesja e vetme e teksteve në gjuhën shqipe në këtë rrjet.

 Qëllimi i EEPG-ut, anëtare të të cilit janë shtëpitë botuese kryesore në arsim nga shumica e vendeve evropiane, është që ta vazhdojë më tej zhvillimin e teksteve dhe materialeve cilësore  për mësimdhënie në shkolla gjithandej Evropës. Përmes hulumtimeve, monitorimit dhe shkëmbimit të informatave ndërmjet shtëpive botuese, “Dukagjini” do të jetë i përfshirë drejtpërdrejt në përvojat më të mira evropiane. Kjo përvojë do të transmetohet edhe te nxënësit dhe arsimtarët që i përdorin tekstet e “Dukagjinit”.

Shtëpia botuese “Dukagjini” mbetet e përkushtuar që ta avancojë arsimin në Kosovë dhe të ndërtojë bashkëpunime të suksesshme vendore e ndërkombëtare që ta bëjë lehtësisht të mundshëm këtë avancim. / KultPlus.com