Rrjeti i Grave dënon sjelljet ndaj Osmanit

Rrjeti i Grave të Kosovës ka dënuar sjelljet ndaj kryeparlamentares Vjosa Osmani në seancën e së premtes. Osmanit në fund të seancës i ishte vërsulur deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj, pas një debati mes deputetëve. Me t’iu vërsulur Ukaj, Osmani ndërpreu seancën.

Rrjeti i Grave të Kosovës përmes një reagimi për media ka thënë se ai veprim bie ndesh me kulturën parlamentare e demokratike të një shoqërie të barabartë.

“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dënon gjuhën fyese dhe sjelljet denigruese të përdorura gjatë seancës së mbrëmshme të Kuvendit ndaj kryeparlamentares Vjosa Osmani. Kuvendi i Kosovës është institucion publik ku duhet respektuar rregullat dhe funksionet e secilit anëtar të tij. Në këtë institucion të gjithë qytetarët presin të përfaqësohet vullneti i tyre politik në mënyrë sa më dinjitoze. Veprime si ky i mbrëmshmi bien ndesh me kulturën parlamentare e demokratike të një shoqërie të barabartë. RrGK vlerëson se kryeparlamentarja Osmani është penguar në kryerjen e detyrës zyrtare në përputhje me rregulloren e Kuvendit, sipas së cilës ajo bart përgjegjësinë për mbarëvajtjen e seancave parlamentare, duke përfshirë këtu edhe tërheqjen e vërejtjes ndaj deputetëve të cilët nuk i respektojnë rregullat”, thuhet në njoftimin e RrGK-së.

Ky rrjet ka kërkuar nga politikanët të shmangin gjuhën kërcënuese dhe ka kërkuar ndëshkimin e tyre në përputhje me rregulloren e Kuvendit dhe ligjet në fuqi.

“Sjellje të tilla ndaj grave në politikë dhe procese vendimmarrëse janë krejtësisht të papranueshme dhe dëmtojnë rëndë aspiratën tonë për një shoqëri të barabartë për gratë dhe burrat. Trajtimi i tillë i grave në hapësirat publike është tregues shqetësues për trajtimin e grave në shoqërinë tonë, dhe nuk duhet kaluar pa ndëshkim”, përfundon reagimi. /Koha.net /KultPlus.com

Rrjeti i Grave të Kosovës nesër organizon protestë në solidaritet me kurdët

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) nesër, e shtune, nga ora 13:00 para Teatrit Kombëtar të Kosovës organizon protestën #RiseUp4Rojava, protestë kjo e cila po mbahet në disa qendra botërore.

Organizatorët ju ftojnë të bashkoheni edhe ju në këtë protestë, që kështu së bashku të shfaqni solidaritet kundër gjenocidit ndaj popullit kurd dhe të përkrahni revolucionin e Kurdistanit.

“Dëno fashizmin turk” është një fushatë dhe platformë ndërkombëtare që filloi në pranverën e vitit 2019.

“Ne jemi organizata dhe nisma të ndryshme nga shumë vende. Me këtë fushatë ne po ndërtojmë përvojat tona të përbashkëta të solidaritetit ndërkombëtar me revolucionin në Perëndim, Sirinë Veri-Lindore dhe lëvizjen çlirimtare kurde.

Me fushatën dhe platformën, ne dëshirojmë ta zgjasim këtë solidaritet dhe t’i bashkojmë organizatat, fushatat dhe nismat e ndryshme ekzistuese.

Diversiteti ynë është forca jonë. Traditat dhe praktikat tona politike mund të jenë të ndryshme, por ne jemi të bashkuar në mbrojtjen e revolucionit në Kurdistan dhe arritjet e tij. Përmes veprimeve të ndryshme në shumë vende të botës, ne do të luftojmë për qëllimet tona. Është koha që të ngrihemi kundër fashizmit dhe imperializmit.
Botërisht.

Me thirrjen tonë ne kemi sqaruar se për çfarë qëndrojmë dhe luftojmë. Bashkohuni me ne!”, thuhet në njoftim.

Më shumë për nismën: https://riseup4rojava.org/about-us/. / KultPlus.com

Rrjeti i Grave në Kosovë shënojnë 1 majin me protestë

Në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e punëtoreve dhe punëtorëve (1 maji), Rrjeti i Grave të Kosovës sot do të protestojnë.

Sipas një njoftimi, ky grup do t’i bashkohet protestës, duke ngritur zërin kundër diskriminimit në baza gjinore për pranim në punë, mundësisë së pabarabartë për t’u promovuar në punë, pagës së pabarabartë për punë të njëjte, etj.

Ndryshe, 1 maji apo Dita Ndërkombëtare e Punës, lindi nga lufta e tyre për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

1 Maji edhe te ne në Kosovë ka një traditë. Edhe pse pushohet në shumicën e institucioneve, ndër të tjera një pjesë e madhe edhe festojnë këtë ditë. /Telegrafi/ KultPlus.com